Monumenti i gjallë i Shqipërisë
nga Jozef Radi
Nënë Sava është sot një grua gati 105 vjeçe. Ajo është prej atyre grave që çdo vend i botës, do t’i kishte kthyer simbol… veç Shqipëria jo! Dhe jo thjesht në kuptimin e jetëgjatësisë… por të sakrificave, ndershmërisë, edukatës, mirësisë dhe humanizmit.
Po të kishte pasur Shqipëria të përndjekur të vërtetë do t’i mjaftonte vetëm një piedestal, sepse heroinën e vërtetë të vuajtjeve e ka ende gjallë; po të kish pasur Shqipëria shtet, jo medalje po respekt, pse ajo s’ka bërë asnjë heroizëm, ajo është thjesht personifikim i humanizmit dhe sakrificës së gruas shqiptare në shekuj, (për të është bërë nji përpjekje e madhe, inicuar nga Sami Repishti që ajo të nderohej si e meritonte, po vetëm heshtje); po të kishte pasur Shqipëria parlament, gjithë kryetarët e këtyre viteve duhet t’i kishin kërkuar falje kësaj nëne, në emër të gjithë nënave shqiptare të masakruara nga komunizmi, për gjithë tragjeditë që ato pësuan pa të drejtë; po të kishte pasur Shqipëria media dhe gazetarë, do ta kishin pasqyruar qoftë edhe njëhere të vetme një kronikë për këtë grua gati 105 vjeçe, që ende jeton në një kamp interrnimi nga më të njohurit!
Kësaj gruaje ia vranë burrin, ia dogjën shtëpinë, e hodhën rrugave në moshën 47 vjeçe me tetë fëmijë dhe të tetin ende pa mbushur vitin… Ajo nuk qau dhe as iu lut kujt i doli për zot fatit të saj dhe kurajo e saj tashmë e ka kthyer në monument!
Ajo rriti, edukoi, shkolloi (aq sa e lejuan) martoi fëmijët, priti nipër, stërnipër, stërstërnipër… dhe i ka bërë sfidë ashtu si dikur vuajtjeve… sot edhe vdekjes. Nënë Sava është sot statuja e gjallë e këtij vendi që vuan e qëndron në këmbë… Ajo si askush e personifikon këtë vënd që me gjithë të këqiat e pësuara nuk pranon të vdesë…
Nënë Sava është monumenti që Shqipëria, nuk guxon t’ia bëjë vetvetes…
30 shtator 2017