back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Gazeta – Fuqi publike nga Lazër Radi (1937- Pjesa e II )

Gazeta

Lazër Radi
Lazër Radi 1942

Gazeta – Fuqi publike nga Lazër Radi (1937- Pjesa e II )

Duhet shënuar dhe theksuar se Revolucioni Freng i dha gazetarisë, e cila u bë kryesisht politike, ndërgjegjen e fuqisë së saj. Që atëhere politika është objekti i aktivitetit të saj.
Gazetaria ka shtytjen e saj politike, ka, njerzit e politikës, fuqitë e saj, përpiqet të duket dhe të jetë garancia e sukseseve, ta bëjë mjet të domosdoshëm të karrierës politike, publicitetin, popullaritetin, celebiritetin.
Njeriu që shkruan, sidomos atë që thuhet, bëhet apologje ose dektraton, njeriun që flet: dhe njeriu që flet, që prej ditës që gazeta bëhet susta eskluzive e lancimit politik, do të flasë për të marrë pëlqimin e gazetës si dhe për të ndihmuar qëllimet e dukëshme ose të mshefta. Regjimet demokratike me përfaqësi elektorale janë të pashtruara prej devocionit të gazetarisë dhe shumë herë prej forcës së gazetës.
Elektoralizmi është për definicion nën kujdesin e shtypit politik. Në fazën e parë pushteti, edhe pse përpiqet të kërkojë një farë autonomije, i nënshtrohet shtypit, i cili i jep ose i heq favorin e opinionit publik, shtyllë e pandashme, pasi është pushtet i zgjedhur parlamentarisht prej mekanizmit elektoral. Në fazën e dytë, pushteti i qeverisë dhe gazetaria maten, provohen, duke mbajtur pak-a-shumë aparencat dhe grinden, kështu ndërmarrja gazetareske duhet të krijojë mjete rezistence superiore. Në fazën e tretë gazetaria formon një fuqi më vehte! Gazetaria ngriti shtetin e tretë si trashëgimtarë politik të Ancien Regime-it dhe i dha fuqinë. Eksperienca që demokracitë nuk paraqesin kurajën e nevojshme për të mos vdekur veçse prej opinionit publik, fare lehtësisht e ka ngritur gazetarinë të çmohet si Pushtet i Katërt, si ai shtet i opinioneve që kurdoherë mund të vendosë mbi totalitetin e jetës së vet shtetit, shqyrtim i lirë, mejtim i lirë, liri polemike, liri akuze, janë garancitë bazilare që gazetaria kurdoherë ka kërkuar prej regjimeve të cilave ajo u dedikon jetën dhe fitimet e saj.
Arrin nji ditë që gazetaria bëhet kryesisht politike dhe bën për vehte tërësinë e jetës civile. Në këtë pikë historiografia e gazetarisë është një gjë e vetme me atë të ngjarjeve, të ideve, të doktrinave dhe arrin në zhvillimin ekstrem përpjekja në mes të pushtetit publik që mbrohet dhe duke mbrojtur çnatyrohet, dhe të gazetarisë, e cila përpiqet ta zëvendësojë. Pak-nga-pak përmirsimet teknike i shumëzojnë dhe i bëjnë të rrezikshme armët e shtypit, i cili proklamon të drejtën e gjithë lirive për t’ua rrëmbyer regjimeve me anë ligjesh, gjer në pikën sa gjithë e drejta është e tij.
Kështu shtypi, pasi fiton opinionin, ka në dorë të tij pushtetin politik, i cili rrjedh prej një opinioni publik të bërë parti. Gjysma e dytë e shekullit të kaluar si dhe ky shekull janë provat më të gjalla.
***
Termi Opinioni Publik ka një kuptim pothuajse eksluzivisht politik, ose më mirë etiko-politik. Mirëpo që realiteti të përfshihet në këtë term, gjithçka në shtresim publicitet u referohet marrëdhënijeve përherë e më të ngushta si dhe të nevojshme, që ekzistojnë në mes të shtypit të përditshëm dhe çdo lloj industrie, prej asaj më të thjeshtës e deri tek ajo më spirituale. Dhe që kur konkurrenca e lirë në mes të prodhuesve e ka bërë gazetën si mjetin kryesor për fitimin e publikut, që atëherë industria e madhe, e mesme dhe e vogël, nuk mund të rrinin pa mos përdorë gazetën e përditëshme për të siguruar tregun, kështu elektorë e konsumatorë bëhen doemos një nga qëllimet konkrete të së përditëshmes.
Shoqëria ekonomike rron prej konsumonjësve të saj, ajo demokratike në politikë, prej elektorëve të saj.
Dhe nuk ekzagjerohet po qe se afirmohet si në një kërkesë historike. Nëpër gazeta gjejmë sekretet e historisë së pasurisë kontemporane, gazeta di të thotë çdo gjë dhe vë në shërbim të atij që e sundon, artet më gjeniale dhe mjetet më infernale. Që prej një shekulli në kombet më të përparuara, bashkë mes kaq të këqijave të mbjellura, të kultivuara dhe të vjelura, gazeta e përditëshme i ka bërë shërbime të pallogaritëshme kulturës, e le ta themi me një fjalë të prerë dhe të katërciptë, edhe vetë qytetërimit. Gazetaria njikohsisht ka ndihmuar zhvillimin e literaturës krijonjëse, të shijes, të sensit kritik, të mendimit filozofik, dhe ka krijuar një tjetër literaturë të saj. Gazeta e përditëshme me program të gjerë dhe me teknikë të shquar, ka, prej kohësh, novelistët e saj, kritikët e saj, mund të themi edhe antarët e saj filozofik, më të kënduar sigurisht prej novelistëve, kritikëve dhe autorëve, që nuk janë bashkëpuntorë dhe redaktor të gazetës. Meritë dhe lavdi e shtypit të përditshëm është krijimi i “korrespondentit shëtitës”. Në kundërshtim me sensibilitetin shterpë dhe të sëmurë të shkrimtarëve që nuk udhëtojnë dhe nuk e njohin botën – Balzak e Dyma(ati), gjetën thesare në materialin gazetar të korrespondentëve. Ky tip i ri i gazetarit ka prurë thesare vizionesh, sensacionesh dhe mbi të gjitha gjërat gjeografike dhe anthropologjike estetike dhe psikologjike, lëndë të gjallë pejsazhesh, kostumesh, tradicionnesh. Korrespodentët formojnë një nga kapitujt më të bukur dhe më glorioze të qytetërimit, të literaturës, ndihmë e çmuar e shkencës dhe e politikës, bashkpuntore me të vërtetë të shquar të asaj inteligjence superiore dhe t’atij intelektualiteti të përbotshëm jashtë të cilit çdo gjë është e vjetër dhe pa rëndësi.
Pa ekzagjeruar aspak mund të thuhet se pendat më të forta dhe më të shëndosha, më të zhdërvjellta dhe më të zonja janë sot në botë të kritikës, ato të gazetarëve.
Gazetarët janë studionjësit e ndjenjave dhe të mentalitetit të publikut. Pa gazetarët publiku nuk do të dinte seç të bënte dhe prej tyre ai që boton pret gjykimin për jetë a për vdekje.
(Shtypi, e shtunë 25 dhjetor 1937)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.