Midis Krimeve të Komunizmit dhe Oligarkive
nga Agron Tufa*
I
“Askush nuk është aq i pasur, sa të blejë të shkuarën e vet”. Kush e ka thënë këtë shprehje mbresëlënëse? Nuk më kujtohet. Por sot, nën dritën e re të përvojës shqiptare, unë e vë tërësisht në dyshim, madje e hedh poshtë këtë sentencë. Për këtë nder (të panevojshëm) duhen falenderuar qeveria shqiptare dhe oligarku i tejpërfolur Rezart Taçi.
Dhe nuk shtrohet më çështja e atij pasunari, që është në gjendje “të blejë të shkuarën e vet”. Tashmë çështja shtrohet me gjerë e më gjithanshëm: oligarkët shqiptarë lihen të lirë të blejnë realisht të shkuarën e gjithë popullit shqiptar, e në mënyrë të veçantë, topografinë e vuajtjeve të mijëra qytetarëve shqiptarë, vendet e lotëve, pikëllimeve, zisë dhe martirizimit. Në emër të shumëfishimit të bizneseve të tyre, të parave, të perandorive oligarkike, të planeve të tyre për të ndërtuar fabrika gjigande tashmë edhe mbi truallet me eshtra të ish-të burgosurve politikë, në ish-burgun e Ballshit! Se pse nuk mund të gjendte z. Taçi një vend tjetër për ndërtimin e karabinave të tij industriale, dhe pse pikërisht duhej zaptuar për këtë qëllim trualli i ish-burgut të Ballshit, këtë nuk e kuptoj. Njëfarë hamendjeje më thotë, se ndoshta trualli i përvuajtur i ish kamp-burgut të Ballshit, ka qenë më i lehtë, se, duke qenë mall qeverie mund ta zaptosh si “mall pa zot”, pa qenë i detyruar ta blesh.
Të më ndjejë lexuesi për hamendjet e mia të lira, por nuk kam rrugë tjetër, përderisa një sqarim rreth kësaj çështje ia kërkova vetë z. Taçi me një mesazh të gjatë celular, qëkurse policët e tij na përzunë nga rrënojat e ish-Burgut të Ballshit, bashkë me ish-të dënuarin 73 vjeçar të këtij burgu, z. Gëzim Peshkëpia. Kamera jonë nuk u lejua të filmojë skeletet e mbetura të burgut. Meqenëse me asnjë formë komunikimi z. Taçi nuk denjoi të na përgjigjet, unë përsëri shpresoj, mos ndoshta e merr mundimin, për hir të publikut, të na përgjigjet në faqet e shtypit për këtë çështje që po e shtrojmë publikisht për zgjidhje, si apel për qytetarët shqiptarë (veçanërisht të asaj pjese që e ka ndjerë në kockë tehun e diktaturës komuniste), si apel për qeverinë e po aq, si apel për tërë politikën shqiptare, institucionet e drejtësisë, shoqërinë civile dhe organizatat e huaja të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri, apel, i cili i drejtohet gjithkujt: “Të mbrojmë vendet e vuajtjeve!”.
Me anë të këtij shkrimi unë po bëj një denoncim publik, me shpresë se shoqëria shqiptare do të ketë kurajë reagimi ndaj fshirjes së shenjave të dëshmive më rrënqethëse në historinë tonë fatkeqe.
II
E vërteta është e thjeshtë dhe e shëmtuar. Ose thjeshtësisht e shëmtuar. Me datë 25 janar 2013, unë me 3 specialistë të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, mbërritëm në ish-burgun e Ballshit, në kuadrin e filmimit dhe dokumentimit të gjendjes së sotme të ish-burgjeve dhe kampeve të internimit të kohës së komunizmit ku kanë vuajtuar dënimeve politike qindra mijëra qytetarë shqiptarë. E vërteta do theksuar se ngado që kemi shkuar, gjendja e rrënuar dhe e braktisur e këtyre golgotave të mundimeve shqiptare, ishte aq e shpërfillur sa të të merrte të qarët. Gjithkund janë vjedhur, plaçkitur e shkatërruar gjithçka që mund të merret, sa të mos lënë gur mbi gur. Dhe ende vazhdon kjo gjendje. Duhej përgatitur një raport real për Parlamentin dhe sensibilizimin e shoqërisë, që të ndërhyhet e të merren në mbrojtje këto burgje e kampe, për qëllime muzealizimi, pllaka memoriale, para se t’i fshijë harresa. Në çdo vend të tillë merrnim nga një ish-të dënuar, të mbijetuar, për të risjellë ndërmend si ka qenë burg-kampi para rrënimit dhe se si e ka përjetuar i mbijetuari kohën vuajtjes së dënimit të tij.
III
Në Burgun e Ballshit kishim marrë z. Gëzim Peshkëpia. Sapo arritëm, u desh një copë herë, që z. Peshkëpia të rikujtonte gjeografinë e kampit në ato rrënoja e skelete muresh. Nuk arritëm të fillonim, sepse na dëbuan policët, të cilët kishin urdhër të prerë, që të mos lejonin të futet aty asgjë e gjallë, për shkak se aty do të ndërtohej një uzinë gjigande e z. Rezart Taçi. Në fillim na kërkuan “lejen”. Kur u orvatëm të lidheshim me Ministrinë në varësi, policët na thanë, se ata janë privatë, të Rezart Taçit, ndaj dhe lejen, duhet ta merrnim nga z. Taçi. Ua shpjeguam dhe ata e kuptuan mirë e qartë. Provuam të lidheshim me z. Taçi dhe pas shumë përpjekjesh na foli në celularin e tij një kushëri i tij: “Rezarti është në mbledhje”. Dhe pas tre orësh pritje, z. Taçi as nuk doli nga mbledhja, e as na u përgjigj.
Vetë policët qenë vënë dukshëm në siklet. Tre prej tyre kishin pasur njerëzit e shtëpive të tyre në atë burg, në të cilin nuk na lejonin të hyjmë. Kishin urdhër! Përndryshe duhet të linin punën.
Të trishtuar, duke mos shpresuar për ndonjë fitore tonën në rast përleshjeje me policët e Taçit, pamë ç’pamë dhe u kthyem mbrapsht. Z. Peshkëpia nuk u la të qëndronte as 5 minuta në vendin e vuajtjes. Teksa pinim kafen në të dalë të Ballshit, pashë t’i rridhnin lot. Policët e z. Taçi nuk e lanë të ndërmendte 8 vitet e kaluara brenda telave me gjemba, shokët e tij, të gjallët e të vdekurit. Nuk e lanë tani, kur demokracia jonë, thuhet se ka mbërritur kulmin e lirive, sa presim gjithë padurim mu në pragun e dyerve të BE. Ky njeri që ka ngritur peshë me rrëfimet e tij memuaristike lexuesit shqiptarë, ky ish- i dënuar politik, djali i poetit e publicistit Manush Peshkëpia, të pushkatuar nga diktatura me 1951, ky i mbijetuar i kampeve komuniste, që kishte rrënqethur audioret e huaja nga Gjermania, Italia e SHBA me rrëfimet e kalvarit të vuajtjeve të tij e të familjes së tij, dëbohet si leckë nga policët e Rezart Taçit!
IV
Nuk po flas për vete, për detyrën institucionale që na ka ngarkuar Parlamenti në zbatim të punës sipas ligjit të Institutit, i cili kërkon prej nesh të “zbardhim, dëshmojmë e denoncojmë krimet e kryera nga komunizmi ndaj qyetetarëve shqiptarë”, e mandej të raportojnë në Parlament, si e kemi kryer këtë detyrë. Por…
Rezart Taçi dalka më i fortë se ligji, se Parlamenti, se Kujtesa kombëtare, se pronësia shtetërore, se vullnetet e lira individuale, se amanetet e të vdekurve, se idetë tona mbi të nesërmen, se etika jonë mbi cilësinë e kësaj të nesërmje etj, etj. Sepse ai ka Polici private, ne jo; sepse ai bën edhe shtetin dhe shteti e mbështet, ndërsa ne jo; sepse ai bën edhe Ligjin, ndërsa ne zbatojmë ligjin! Kujtesa jonë, sipas z. Taçi nuk duhet të jetë asgjë tjetër, përpos se naftë në kuptimin tekstual të fjalës, dhe rrëfimtorja e vetme e jona duhet të jetë Taçi-Oil, me flamujt që valëviten verdhë e jeshilë! Dhe njëmend, kujtesa jonë është naftë, por jo aso nafte që kujton Rezarti: atë s’mund ta përpunojë kurrësesi Taçi-Oil!
Duke qenë i qartë në bindjet e mia të djathta, më duhet të sqaroj një koncept mbi suksesin individual të aftësisë dhe konkurrencës së lirë individuale, për këdo që mundet ta shumëfishojë pasurinë e tij me punë të ndershme (d.m.th., nuk dua të ma marrë askush tonin e këtij shkrimi, si formë të ndofarë xhelozie ndaj sukseseve të z. Taçi). Por në bindjet e mia të djathta është i ngulitur dhe morali dhe etika e suksesit individual të pasurimit. Unë shoh një prirje të rrezikshme suksesi pa moral të pasurimit, i cili rrënon vlera publike, kulturore e historike, sikundër në rastin konkret – me gllabërimin arrogant të territorit të burgut të Ballshit nga Taçi-Oil! Dhe do t’ia uronte gjithkush suksesin z. Taçi, nëse ky, fjala vjen, nga perandoria e tij financiare, do të sakrifikonte një pikë, për të ngritur në atë vend vuajtjeje një Muze të Krimeve të Komunizmit, ku krahas fëmijëve të tij, ta vizitonin gjithë qytetarët shqiptarë të brezave të rinj. Thjesht, sa për t’ia zbutur pak profilin biznesit, për ta humanizuar pak paranë e tij. Por nuk po i kërkojmë z. Taçi rolin e mecenatit të ndofarë vlere. Madje ne nuk shqetësohemi me miliona eurot e tij që ai shpenzon për të sjellë ekipet me superyjet e futbollit botëror, “Milan” apo “Real Madrid”, që të luajnë në errësirë në stadiumin Qemal Stafa. Ne thjesht shqetësohemi, e madje fyhemi me mënyrën, se si e bën fyese fuqinë e parasë së tij, për të uzrupuar vakëfet e dhimbjeve dhe tragjedive gjithëshqiptare. Ne shqetësohemi me arrogancën e fuqisë së kësaj paraje, e cila pak nga pak, do ta blejë ngastra-ngastra gjithë atdheun. Dhe nuk është çështja e Rezartit nominal, por e rezartëve si sindromë e rrezikshme. Dhe këtij efekti ka kohë që po ia shohim sherrin.
V
Nëse asgjë, nëse aspak, nëse askush nuk e ndal z. Taçi në këto orekse të tij të përzishme, atëherë qysh tani Kujtesa jonë kolektive, tash e tutje, duhet të rimodelohet sipas regjimit të tij: aty ku ka qenë vendi i torturës, rraskapitjeve dhe terrorit komunist, aty ku 2000 të burgosur kanë kryer dhjetra mijëra vite burgu, aty ku nën urdhrat e oficerëve të komandës futeshin në biruca e vdisnin të pabindurit, apo nxirreshin në punë të dënuarit politikë të diktaturës, për ndërtimin e impianteve, fabrikave, Uzinës së përpunimit të thellë të naftës dhe gjithë parkut industrial; atë vend që ish-të burgosurit politikë e quanin “Lugina e vdekjes”, në atë vend pra, Kujtesa e plagëve tona duhet të korrigjohet, të zëvendësohet dhe të zërë vend përgjithmonë në memorien tonë si kryefortesa e idustrisë së naftës nën flamujt verdhë e gjelbër të Taçi-Oil! Vendin e përshkruar nga aq e aq memuare tronditëse të At Zef Pllumit, Gëzim Peshkëpisë, Fatos Lubonjës… etj, së shpejti do ta fshijnë nga harta: në vend të muzeut, të kaluarën e tij të përgjakur do ta zërë çifliku i ri i Taçi-Oil. E nëse shteti me qeveritë e tij dhe institucionet (deri tash impotente) të drejtësisë, nuk e ndalon këtë model, atëherë duhet t’u drejtohemi institucioneve ndërkombëtare, tribunaleve, që nuk shit-blihen, për të shpëtuar çka mund të shpëtohet nga rrënimi dhe fshirja e shenjave të kujtesës sonë të djeshme. Përndryshe (dhe e kam menduar mirë këtë që them), taçizimi i përgjithshëm e defenitiv i Shqipërisë është i afërt, aq sa dhe ngjyra e flamurit kombëtar mund të bëhet verdhë e gjelbër. Dhe atëherë i çelet udhë një motivi të ri, si epitaf mbi pllakën e varrit tonë të përbashkët:
O Atdhe, të kam dhjerë,/ Rezart Taçi të ka blerë!
P.S: Që nga data 25 janar 2013 kur ndodhi vakija e ndalimit të hyrjes në territorin e ish burgut të Ballshit nga policia private e Rezart Taçit, autori ka bërë përpjekje institucionale për ta çliruar nga “pengu” industrial këtë burg të kohës së Komunizmit, por gjithandej ka ndeshur në veshë të shurdhër, një shudhmemecëri me dashje. Meqë gjendja nuk ka ndërmend të ndryshojë dhe shumë shpejt mbi territorin e ish burgut do të mbivendoset fabrika, po botoj këtë shkrim. Kush nuk beson, le të provojë, me ose pa kamera, të hyjë në ish territorin e burgut politik të Ballshit, d.m.th., të kapërcejë postobllokun e policisë private të Taçi-Oil.
*Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, shkrimtar.
Marrë nga gazeta “Start” 14 gusht, 2013
Taçi tashma asht i lexueshëm: Administrator i Pasurisë së atyre që e kanë kriju dhe nuk dalin në skenë!
Po të donin “ata” do ju lejonin të kryenit detyren, do të ndërtonin muze për t’i kujtu vuajtjet. Por jo “ata” nuk “rrojnë veç për me kujtu!” por rrojnë “veç për me harru”. Dhe “ata” janë shumë: djathtas-majtas-para marsho!!