Nji urim i beftë për Rita Orën nga Jozef Radi (2012)
Emni Rita Ora, prej kohësh e rreh vazhdimisht veshin tim, po siç ndodh random me krejt ata që kanë tashma nji reliev të përcaktuem të shijeve dhe ekzigjencave të tyne muzikore, e kam shty pak me arrogancë në shpërfillje ose i kam lejue nji hapsinë aq të vogël asaj çka ndodhte përreth, sa nji ditë dyshoj mos mbeten paksa jashtë kohe, bash prej ktyne mënyrave selektive e shijeve, e që fatkeqsisht mbeten disi të paaxhornueme…
E ndërsa “shetisja” ashtu i përhumbun midis flamurëve të nji feste të madhe ndër shqiptarë, befas diku m’u shfaq bukuria tallazuese e Kim Kardashian, e veshun e gjitha në t’kuq të flamurit dhe me nji shqiponjë që i rrinte gjoksit të saj me nji grafullim tundues si mbi gjoks Prometeu…
Eh, mendova asht ndonji lojë…
Mandej mendova, po edhe nëse asht lojë fotoshopsash, – i lumtë atij që e ka shpik kët ide provokuese! Dhe kështu, ndala pak ma gjatë në kundrim t’asaj bukurie të stolisun me diçka që m’përkiste edhe mue… Kjo m’dha nji afërsi të çuditshme, nji atmosferë joshje dhe dashnie që merr befas kuptim dhe ti s’e gjen psenë e asaj që ndodh me ty…
Megjithatë, po gërmoj pak ma thellë në psenë e këtij operacioni mediatik dhe diku ndër rreshta gjeta se… i vëllai i Kim: Rob Kardashian, ishte deklarue afërsisht “i dashtuni” i Ritës, kangtares me origjinë shqiptare të lindun në Kosovë, në vitin 1990…
Pra, nji lidhje e paska thashë… ashtu krejt pa lidhje nuk qenka!!!
Po prit të shofim, kush dreqin na asht kjo Rita Ora, që paska kaq pushtet në muzikë dhe unë s’po ditkam kurrgja… thashë me vete, dhe ia nisa nji udhëtimi kërkues që më zhyti thellë e ma thellë ndër botë të panjoftuna rinie e ritmesh…
Dhe ja, mbrenda pak çastesh, ti e gjen veten mes nji mrekullie të pabesueshme: takohesh me nji vajzë të ikun nga vendi i saj, dhe e ndjen se ajo asht nji artiste komplete, me përmasa që kahera e ka kapërcye të zakonshmen, e pra artiste që pak çaste ma parë ishte për ty krejt e panjoftun, e huej, e largët, askushi…
Hej injorant! – i thirra vetes – dhe vazhdova me u zhytë nëpër at natë magjike nantori, ku ajo biondja sensuale, diçka ma shumë se njizet vjeçe, më ofronte gjithçka: mbi të gjitha nji za plot jetë, plot nuanca e vibracione grabitëse; nji energji dhe shlirtësi e natyrshme, nji timbër edhe pse disi të ngjashëm e të krahasuem me superyjet e momentit, kishte diçka të vetën, të pangatrrueshme, rrebele… Isha njoftë me kangtaren e nji brezi që jeton në rrugë, në hare, në shkujdesje të plotë dhe ndjeva prej saj, se me nji lehtësi të pabesueshme, ajo shfaqej si nji prej tyne…
Kishte qenë nji udhëtim rrëmbyes… mahnitës… nji zhbirilim që m’detyroi me kuptue se kangë mbas kange kisha përballë nji personalitet muzikor, nji siguri dhe arrogancë e pabesueshme vokale, nji interpretuese që i kish thye krejt portat dhe hendeqet dhe m’drejtohesh me forcë:
Sonte jam unë mbretnesha e shijeve të tua… Unë… dhe askush tjetër!!!
Dhe befas ti ndjehesh i vogël dhe i madh njiherësh: i vogël pse vizita jonë në kangët e saj asht në kufijtë e të qenit i 100 milionti; i madh sepse ajo të ka dhanë nji përmasë të re në shpirtin tand, nji përmasë që prej kësaj nate s’mundet me ta vra kërkush…
Ishte nji udhëtim që e kishte kapërcye mesnatën pa u ndje hiç, që më kishte futë atje ku s’e kisha besue, më kishte bà të ndjehesha adoleshent, i pamoshë, i papranguem; të ndjehesha njiherësh padron dhe rob, planet dhe grimcë… dhe krejt kjo prej nji vajze që kishte kapërcye hendeqet dhe ngurtsinë e etapave ngutshëm, falë nji talenti dhe energjie të pabesueshme… Nji vajzë kosovare, që pjesën ma të madhe të jetës e kishte kalue në Angli, e që sot raportet e saj muzikore i kishte me ma t’randsishmit e kohës së vet; nji vajzë që ngjitej ngado skenave me u dëshmue si nji prej ma të sukseshme të panoramës muzikore botnore…
Oh, të Falemnderës Ritë,
zani yt prej sot, prej kësaj mesnate vjeshte, i asht ba pjesë relievi tim shprtnor, edhe pse e besoja të konfiguruem qartë; edhe pse me pak vonesë, e ka kuptue se vërtet zani yt i paska mungue, pa e ditë as ai vetë se pse…!!
E ndërsa nata mbyllte ciklin e vet, duke u futë te dita e re, pashë dhe ndjeva se n’at shoqni magjike e të pabesueshme të kësaj çupuline të skenës dhe spektaklit, ajo kishte mbushë 22 vite të jetës së saj…
O Zot – thirra! Rita Ora – ato çaste mbushte 22 vjeçe: e pabesueshme!
Më takonte ndër të parët me e urue…!
Ishim ndeshë papritmas në vetminë e asaj nate dhe tash ndjehesha mik i saj prej kur s’mbahej mend…
Edhe njiqind ditë si kjo, dhe ma të sukseshme se kjo Ritë!
Çfarë mund t’i uroja tjetër?! Asgja ma shumë se at pavdeksi që zani i saj tashma e ka! At mrekulli ajo ma kishte falë aq papritmas dhe tash e kisha të pamundun ta braktisja…
Nji të falenderës të artë Rita Ora, për magjinë e kësaj nate, ku krejt rastësisht u njofta ty, me zanin tand, me energjinë tande, të cilën mjaft prej atyne që ndjehen sot diva të kangës, e lakmojnë…
U ndala për pak dhe mora frymë thellë! Gjithë kët shkrim e kisha shfry nën tingujt e kangës së saj “Hello, hi, goodbye!”, dhe pa frikë mund të them se e kisha ndigjue pa u lodhë për nji kohë të pacaktueme… dhe mund të vazhdoja për s’di sa kohë… dhe jo vetëm atë…
Prej kësaj nate, bjondja e lindun në Kosovë, e që sot jeton skenave të mëdha të spektaklit, Rita Ora, nji prej mbretneshave të popit botnor, asht edhe pse e panjoftun, mikja ime… Uroj të jetë mike e gjithkujt prej Jush, që s’u lodh së lexuemi, këto shënime mbas mesnate, nën shoqninë magjike të zanit të Rita Orës!!!
26 nantor 2012