back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Ky trup s’ma xen ma shpirtin… Cikël poetik nga Suada Halilaj

Gazeta

Lufto me qetësinë tande! - Ada Halilaj
Lufto me qetësinë tande! – Ada Halilaj 
Mbasi ke dalë prej leximit të këtij cikli poetik të Ada Halilajt,
ke ndjesinë e të ecunit nëpër nji teh thike.
Nji thikë e thukët shpirtnore e nji grueje,
që të merr n’hovin e saj e të zhyt ndër reflektime e dyshime të thella
në mos kjo dramë shpirtnore (e autores a botës)
po e cënon dashninë amsore dhe shpirtin e paanë femënor
aq sa asht gati me u përplasë rryeshëm me kohën e vet!
Në fund të fundit poezia nuk zgjidh as problemet e nji shoqnie
dhe as ato të nji individi krijues, po nëse ajo shëndrrohet në klithëm
kësisoji njashtu si ndjehet ndër vargje të Ada Halilajt,
shoqnia (në kët rast edhe ajo shqiptare) duhet me u kujdesë
që kjo klithëm të mos shndrrohet njashtu si pa u ndje
në nji kor dhimbjeje si ai i korit të skllevënve
te opera Nabukodonosor me idenë se:
“mendimi fluturon mbi flatra të arta…!”
jozef radi, nandor 2017

Suada Halilaj
Suada Halilaj

Ky trup s’ma xen ma shpirtin…

Cikël poetik nga Suada Halilaj

“…jam unë fajtorja e parë pse poezia jeme, në vend që me u ba urë, asht ba mur. Jam fajtore e ftohtë. Asnjë pendim nuk ma vret ndërgjegjen gjithsesi. Si njeri jam njeri altruist, por si poete jam poete egoiste. Nuk i shkruaj dhimbjes së askujt përveç temes. Nuk më shenjon një lidhje morboze me poezine teme. Nuk i bahem nanë. Nuk ia përkedheli vargjet. Nuk i quaj foshnje e as nuk i ushqej me qumësht qiellor. Nuk kam një poezi të preferume e as një poezi që nuk do doja ta kisha shkrujt kurrë. Jam e vetëdijshme që trondit dhe shkelmon, në të mirë a në të keq. Asht poezi thellësisht e egër, instiktive, intime, kafshnore, e papërpunume, e pasofistikume, e pakrehun. Mavijosjet e saj janë veç mavijosjet e mia. Asht poezi pa shtëpi, pa shtetësi. Herë jeton në mes të rrugëve si endacake, herë udhëton si nomade, herë kurdiset si orë, herë dihatet me gjuhën jashtë si një qen i etun, herë çmendet e herë më çmend. Nuk jam pronarja e saj. Jam thjesht skulptorja që me thikën e fjalëve e nxjerr nga hiçi…!” suada halilaj bisedon me arlinda gumen

Jam shpia e grave të egra

Jam shpia e grave të egra
jam britma e tyne hakmarrëse
asgja të mëndafshtë s’kam
përveç përtypjes.
.
Jam pyll që pret me lind kafsha e parë e dimnit
Për orën në zemër,
jam një kafshatë jetë e vdekje bashkë
vritem nga ata që s’më vrasin
vras ata që s’vriten.
.
Deri n’gju më mbërrin qielli
zogjtë e tij në sqep më sjellin uri të largët,
uri që më josh,
uri që më banon.
sytë më rrinë në vend
por jo shikimi
teshat më veshin prapë
prapë
si një kukull të mitun
m’mësojnë me kja.
.
Por inç për inç
dhimbje për dhimbje
lëndinë për lëndinë
trupi jem hup copa të vjetra
kile të shterrshme andrrash.
ky trup që s’ma xen ma shpirtin
as kjo dhomë
as ky qytet
që natën e tij nuk përzin me temen.
.
Jam goja e grave të egra
jam korja e bukës në ujë
nuk mbytem
nuk zbutem
nuk hahem
shpërbahem.
.
Më duhet me e zgjanu mishin
me i tjerr eshtnat
me e zbraz gjakun në një enë të bardhë
me u liru dursh
kambsh
me u lanë me m’tretë
mandej me u shtri mbi lumin që qesh nga malli
për të palëvizshmen e gjallë.
.
Jam shpia e grave të marra
jam dielli i prishun në pjatë
jam çehre e frikshme
jam mur
pa micën mbi bark
pa këmishën e forcës
pa vetminë që zien mbi zjerm,
pa flokët e mi të përjetshëm
.
jam mur
.
jam shpi.
 
Ada Halili... "...ky trup që s'ma xen ma shpirtin
Ada Halilaj.. “…ky trup që s’ma xen ma shpirtin

Kur vdes një qen…

Kur vdes një qen,
në kopshtin e Lolës
në qytetin e klithmave
qielli mban çatitë për dore
si të ishin fëmijë të humbun në barkun e nanës.
.
Kur vdes një qen
më kujtohet historia e shkelmit
që u ba njeri,
ngushëllimi i mishit
kur shpërndan
stuhinë
në një pikë gulç.
.
Vdes një qen
e mbushen sytë e mi me mure
me shtëpi prej flake
me lule të ardhuna nga veriu i hijes
me rrëmujën e shpirtit që shëtit nëpër kthetra
me bukën e grunit të zi
mbushen.
.
Kur vdes një qen
asht gjithmonë e marte,
asht gjithmonë ora me ikë
e në sfond
Radio Maria flet për gratë si unë
e rrugëve dy-kambshat bajnë dashni prej bakri
ngjizin diktatorë
veshin kpucë krokodili
por nuk qajnë
veçse qahen…
.
e gabimisht
jeta ka një natë mangut,
një natë që flen me shpindë mbi shpinden teme.
 
Suada Halilaj - "Animalesque"
Suada Halilaj – “Animalesque”


Autopsia e gruas në fjalë

Gruaja vdiq në orën e lehtë të vdekjes
Në trupin e saj ateist
Zotndjellësit
gjetën fetusin e një klithme
mesatare
Gjallë!
Gjallë e ngjizun
400 vjet para se Dante
ta shëronte Beatriçen
me brirët e përjetësisë.
.
Ma thellë,
nën lëvozhgën e frymës
një germadhë me organe qiellore
shterr, shterr…
Në shputat e kambve
këputen gulçet e kalit fatlum
i ngrimë pranë lules përkundëse të dimnit.
.
Mes kofshëve
asgja e re s’u pa,
përveç njeriut.
Mbi bark,
në koliben e braktisun
shkëlqejnë prap
dromcat e bukës që mbramja shkundi tinëzash.
Nëpër krahë
kujtimi i lehjes së qenve
përqafu me dy njolla dritë
lajmëron moshën okulte të fajit.
Në qafë e sipër
gruaja s’asht ma grua
por një andërr e shtrime përmbys
mbi pasqyrën e gjumit.
 
Suada Halilaj - "...e veshun me teshat e urta të natës..."
Suada Halilaj – “…e veshun me teshat e urta të natës…”

Nga tana heshtjet që shkojnë e vijnë

Nga tana heshtjet që shkojnë e vijnë
temen e njoh në zà.
61 kile mish i bardhë.
176 centimetër çmendi.
26 vjet luftë nëpër kohnat e paqes.
Heshtja jeme më qesh prej larg
e veshun me teshat e urta të natës
më fërkohet
mbas kockave të krypuna të shpirtit
mbas trupit
si një mace me dhambë të uritun
e bark të ngimë.
.
Dhimbja mbi shpindë e ka mbajtë
deri në atdheun e ngrohtë
në imagjinatë
deri në damarët e saj mendimtarë
fytyrën e zbardhun prej territ
kishën mbi kodrën e yllit të përlotun.
E kjamuna e jetës
i rrjedh prej synit të majtë
Gjinjtë kalërojnë ajrin
nga Kilimanxharo në Vezuv
e mitra mbush me kope britmash
s’ja kthen ma vetmitë e humbuna.
Era e saj e randë vjen e freskët
si prandvera për të vdekunit e gjallë,
Nën tokë
i rritet një qiell i fshehtë,
një prehën tjetër për zogjtë e kujtesës.
.
Nga tana heshtjet në kambë
e jemja
rrah shplakë.
 
Suada Halilaj - "...Flokët e mi kanë me u ba rranjë ullinjsh...!"
Suada Halilaj – “…Flokët e mi kanë me u ba rranjë ullinjsh…!”

Unë e di…

Unë e di
kam me vdekë vonë
Goja jeme s’ka me pas ma oreksin e lules
Flokët e mi kanë me u ba rranjë ullinjsh
Syve drita ka me i ardhë e fikun
Durt kanë me mbledh gishtat nëpër dhomë
E mbi shpindën e artë
Gratë e mia kanë me la
mishin e zogjve t’Hashima-s*
.
Unë e di
Kam me vdekë vonë
.
Vonë
Vonë
Nji orë mbas pushkatimit t’Zotit.
Mbi trupin e shtratit.
Me dhambët jashtë.
.
(Hashima* – qytet i vdekun japonez)
.

Ky mish i paktë

Ky mish i paktë
N’trup i gjetun
Asht banketi jem i fundit
Para se nata
Mbrapsht t’më kthejnë
N’vaginën e zezë t’qiellit
Te klyshat e tij t’uritun
Yjet.

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Të paska ba nana, këtij mëngjesi te mi veshë vulën e kënaqësisë.
    Këta rrjeshta, rrugën e punës, ma bane të lehtë, si fluturimi në andërr, o shpirt i bukur!
    Ju luta Zotit e ai me bani, zbulimin tanë, dhuratë, o talent Suada!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.