back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Shqipërisë i nevojitet më shumë nji frymë e re se sa nji parti e re… Dr. Lazër Radi Intervistë me BBC (1995)

Gazeta

Lazer Radi (1916-1998)
Lazer Radi (1916-1998)

Shqipërise i nevojitet më shumë nji frymë e re

se sa nji parti e re…

Dr. Lazër Radi Intervistë me BBC 

Intervistoi Ilir Kadia – Tiranë, shtator 1995

Cili është vlerësimi i juaj për çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë kësaj periudhe? Përgjigje: Nëse rruli i diktaturës do të kish vazhduar udhën e vet shtypëse të izolimit total, e keqja jonë e përbashkët do të vazhdonte të depozitohesh në fondin e fatkeqësisë sonë kombëtare. Tragjedia jonë nuk është e largët për t’u harruar, dhe të gjithë kemi dalë prej asaj të gjymtuar, kush në nji formë e kush në nji tjetër, kush më shumë e kush më pak! Duke parë se i shpëtuam nji të keqeje të madhe, gjithmonë burimi i kësaj së keqeje, për mendimin tim, është gjithnjë i gatshëm ta ripjellë atë. Unë i kam jetuar gjithë periudhat më të rëndësishme të shtetit shqiptar, dhe e ndjej se sot Shqipëria është me të vërtetë nji vend i lirë dhe i hapur ndaj gjithë botës. Pra, nji atmosferë të tillë, të gjithë ne duhet ta pranojmë si atmosferë të lirisë, ku ndjenja jonë qytetare duhet të jetë përmasa e vërtetë e kësaj lirie. Unë në vetvete e vlerësoj gjithçka që ka ndodhur në Shqipëri gjatë kësaj periudhe të shkurtër dhe i përgëzoj të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për këtë fitore shpëtimtare. Në mënyrë të veçantë rinisë shqiptare.
 
A ka përputhje mes asaj që ju kishit paramenduar dhe asaj që ndodhi dhe që po ndodh? Përgjigje: Unë kam pothuaj nji jetë të mbushur me ndëshkim, thjesht për pikëpamjet e rinisë sime. Pra, në kushtet e nji izolimi, survejimi dhe nji dhune fizike dhe psiqike, nëpër të cilat kemi kaluar, do të thoja se ishte çmenduri, siç thoni ju, të paramendoje ose të parashikoje. Asnji “buletin” i metereologjisë politike nuk mundi ta parashihte nji kataklizëm të tillë për komunizmin, dhe pse shumkush mund ta uronte në vetvete nji diçka të tillë! Për mua ajo që ndodhi ka qenë nji mirësi providenciale, e cila na riktheu edhe nji herë në gjirin e kombeve të qytetëruara, t’i kthehemi edhe njiherë vetvetes për të bërë qetësisht bilancin e humbjeve, deformimeve dhe shkatërrimit që la diktatura. Ajo që po ndodh sot ndoshta nuk është pjesë e asaj që do të dëshiroja, por mos harrojmë asnjiherë se jemi shoqëria më e traumatizuar e lindjes, konseguencat e së cilës në nji formë apo në nji tjetër nuk mund të mbeten pa u shfaqur.
 
Çfarë, sipash jush, mund të ishte bërë më mirë? Përgjigje: Është nji kohë vërtetë tepër e shkurtër dhe e papërfillëshme për jetën e nji shteti 3-4 vjet administrim. Mendoj se shumë gjëra edhe mund të ishin bërë më mirë, dhe patjetër që duhet të bëhen më mirë. Më e rëndësishmja është se ecet drejt së mirës, duke kaluar nëpër gabime dhe në ndreqjen e tyre. U trashëgua nji Shqipëri që kishte marrë teposhtën e shkatërrimeve, ku urrejtja ndaj diktaturës dhe varfëria e skajshme ishin shndërruar në urrejtje ndaj gjithçkaje kolektive e që s’i përkiste askujt. U mor në dorëzim nji shtet që nuk e kishte as hijen e shtetit. Gjithçka duhej ringritur nga themelet. Më mirë mendoj se duhej të punonim të gjithë, pozita dhe opozita. Unë asnjiherë nuk kam për ta kuptuar agresivitetin e opozitës përballë cilësdo arritje të pozitës. Më mirë mendoj duhej të punonte dhe pozita në përzgjedhjen e njerëzve që do drejtojnë shtetin. Vendimet e ekzekutivit duhet të ishin të studjuara dhe të zbatoheshin rigorozisht. Duhet të jemi të drejtë e të rreptë. Ti jepet Çezarit ç’është e Çezarit, t’i jepet Zotit ç’është e Zotit. Unë e kuptoj fare mirë agresivitetin e opozitës. Ai buron thjesht nga dëshira për pushtet, si dhe lidhjet e saj me të kaluarën, ashtu siç e kuptoj dhe pamundësinë e pozitës për të bërë gjithçka mirë, drejtë dhe në kohë optimale nji organizim krejt të ri të shoqërisë shqiptare, dhe pa u infektuar nga sëmundjet e kapitalizmit dhe lirisë. Megjithatë në çdo rast duhet të ndihet dora e drejtë e ligjit dhe forca e administrativit. Ne duhet ta bindim veten dhe të tjerët se duhet të luftojmë të gjithë për t’i ruajtur këto arritje të vogla të demokracisë dhe të mos i shohim me lente gabimet e rrugës për ku jemi nisur.
.
Lazer Radi e Gino Lanzillotta - Rome 1991
Lazer Radi e Gino Lanzillotta – Rome 1991

Si e mendoni të ardhmen? Përgjigje: Unë nga natyra kam qënë optimist. Gjithmonë kam besuar në vitalitetin e popullit shqiptar e veçanërisht tek rinia. Vërtet ne kaluam nji periudhë të vështirë, nga më të vështirat në historinë tonë. Pas kësaj periudhe të vështirë të tranzicionit, me siguri ne do ta gjejmë vetveten, do të organizohemi që kaosi i formuar brenda tij të marrë fund sa më shpejt, sepse vetëm kështu gjithë energjitë e tona mund ta kthejnë Shqipërinë në nji vend të begatë. Jam i sigurt se do të vijë dita kur secili prej nesh do ta kuptojë se janë idealet ato që e shenjtërojnë jetën. Janë idetë ato që e përpunojnë lëndën. Vetëm forca e nji doktrine shqiptare do të jetë në gjendje të na japë atë “elan-vitalin” e nevojshëm për t’i thyer akujt e së kaluarës sonë të vështirë e të na hapë rrugën drejt nji të ardhme që e dëshirojmë të gjithë. Nuk kam asnji arsye të mos mendoj se e ardhmja jonë s’do të jetë më e mirë, sigurisht kjo kërkon edhe sakrifica, pasi jemi nji komb i përgjysmuar padrejtësisht dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare duhet të bëhet më shumë. Secili prej nesh duhet ta ndjejë dhe ta kuptojë se kjo çështje është pasqyra e jonë përballë botës, zgjidhja e saj sigurisht do të hapë nji epokë të re në historinë shqiptare.

Cili sipas jush do të ishte formacioni që do të duhej t’i fitonte zgjedhjet, për ta bërë sa më të afërt këtë të ardhme? Përgjigje: Pluralizmi politik është nji fitore e madhe e të gjithëve. Sundimi i dy partive, me gjithë avantazhet e padiskutueshme, nuk mendoj se ndihmon në zgjidhjen e drejtë të shumë problemeve të shoqërisë shqiptare. Nuk do të isha dakord për nji derdhje plebishitare në kutitë e votimit dhe as për nji shpërndarje totale. Tashti, në nji votim ku nji parti do të fitonte nji përqindje plebishitare, do të sillte rrezikun e nji sundimi arrogant, ku s’do të përfillej konsensusi aq i domosdoshëm për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare. Kjo do të ishte vdekja e demokracisë! Nji gjë e tillë s’duhet të ndodhë. Nji formacion koalicionar do të ishte më i drejtë që të mos lihesh në mes të rrugës reforma e nisur në gjithë jetën shqiptare. Mendoj se pozita e sotme i ka të gjitha mundësitë për realizimin e kësaj së arthmeje duke përsosur frymën e konsensusit. Edhe opozita duke përfituar nga gabimet e pozitës, dhe duke i zmadhuar në formën më të përbindëshme ato vetëm për të qenë ajo në pushtet, nuk mund të jetë larg pushtetit, vetëm s’duhet të harrojë, se ajo ka mbi supe barrën e 50 vjetëve dhe është e lidhur me fije të dukëshme e të padukëshme me atë të kaluar. Marrja e pushtetit si qëllim në vetvete, nuk mund ta përligjë mbajtjen e tij. gjatë kësaj periudhe 3-4 vjeçare të administrimit demokratik, kam vërejtur përplasje pasionale politike që arrinin deri në hutì: ku njëri i binte thumbit e tjetri patkoit. Cilido formacion që do ta drejtojë në të ardhmen vendin, duhet të gjejë nji terren të shtruar dhe nji dëshirë për të ecur përpara. Njikohësisht edhe përgjegjësia e formacionit drejtues, cilido qoftë ai është shumë më e madhe. Shqipëria ka nevojë të drejtohet nga nji frymë e re më shumë se sa nga nji parti e re.

Tiranë, shtator 1995

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.