back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

“Ballada e Pordhës” – si Amanet i Pano Taçit… Jozef Radi

Gazeta

Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)
Poeti Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)

“Ballada e Pordhës” – si Amanet i Pano Taçit…

nga Jozef Radi

Kush s’e ka njoftë Pano Taçin, ka humbë nji prej atyne personazheve të papërsritshëm në jetë: nji kaubojs shqiptar, që e kaloi jetën kampeve dhe burgjeve… nji “wanted” i përjetshëm që mundesh me i bà çka të duesh, por kurrë s’ke me ia vra dëshirën për jetë, dëshirën me qeshë dhe me u tallë, shpirtin e tij – me dhanë gjithçka mundet me ndihmue të tjerët… me falë dhunuesit, me dashtë me shpirt çdo gjà të kësaj bote, (ka kuptim të veçantë shprehja ‘me dashtë si Pano Taçi’ – pra, mos me llogaritë asgja), me u tallë aq bukur me vedin ma s’pari, e me botën mbarë… edhe në shpërfillje të çdo rreziku…
Edhe pse çdo krijesë asht e papërsëritshme, Pano Taçi mbetet i pashoq në t’pa përsëritshmen e vet…
Sot, që Pano Taçi na mungon, ndjej se kësaj bote i mungon nji dozë hareje e shkujdesun, nji dozë ironie tallse, nji ikonë mirësie dhe aventure, një dozë e vërtetë zemërimi ndaj çdo padrejtësie e kësaj bote…
S’kishte gja të kësaj bote, e të kësaj jete që s’e kishte provue Pano Taçi: familjen, andrrat, luftën, ndarjen, aventurat, shkollën, përjashtimin, dashuritë (ato ma shumë se gjithçka), rrebelimin, internimin, burgun, birucat, veprat, protestën, varfërinë, urrejtjen, përbuzjen, poshtërimin, rrugën, mungesën e gjithçkaje, braktisjen, harenë, gëzimin, kangën, trishtimin, poezinë, shpirtin erotik, udhëtimet, miqësitë, respektin, fyemjen… Pra s’ka asgja, në të mirë e në të keq të kësaj bote, që kjo krijesë që të gjithë e thirrshin Poet, ky njeri i lindun i lirë, të mos e kish provue në trup e në shpirt të vet… po që as diktatura, ajo ma e egra, s’mujti me ia veshë dot at pancirin e hekurt të saj…
Pano Taçi, e ka jetue nji pjesë jete si i interrnuem aty në Savër, në vendvuejtjen e shumë të tjerëve, njashtu djalosh rrebel me shpirt aventure dhe lirie, ky shpërfillës i madh i gjithkujt dhe gjithçkaje, pa marrë n’sy pasojat… Ata që e mbajnë mend, e kujtojnë si të tillë… unë s’e kujtoj fort mirë, pse iu dorëzua qysh herët aradhes së burgjeve…
Me Panon u bamë miq mbas ’90… Nuk na u desh shumë, sepse me Panon mjaftonte edhe nji bisedë e zakonshme dhe ai të ndjente menjiherë kush ishe…  Por, ajo për të cilën po ndalem sot e po i shkruej do rreshta asht “Ballada e Pordhës”, nji titull paksa i randë, të cilin fillimisht unë e mora edhe si nji lloj shakaje, nga ato të tijat: pa dorashka…
Po pinim nji kafe te Pallati i Kulturës… Ndër të tjera, po i flisja për nji poet malazes, Jevrem Bërkoviq, dhe mbasi folëm i dhurova edhe nji kopje të librit te tij… Mbasi e lexoi pjesën e parë… e futi në xhep… “Qenka madhështor… do ta lexoj me qetësi!” Kaq më tha dhe e futi në xhep. Mandej kqyri ne xhepe dhe nxorri nji faqe gazete të fotokopjueme e të palosun me tetëshe…  Ishte mjaft e zhubravitun dhe e hollueme prej mbajtjes në xhep dhe ma zgjati… I hodha edhe unë nji sy shpejt e shpejt dhe me thanë të drejtën u ndjeva se diçka s’shkonte fort me natyrën time… po i thashë se qenka mjaft interesante, se edhe unë do ta lexoja me qetësi…
Dhe vërtet e lexova qetësisht… me gjithë at impaktin trishtues të banales, më pëlqeu shumë. Aty gjeta pak Hasan Zyko Kamber, mjaft Ali Asllan, po gjeta shumë Pano Taç… Vërtet ishte pak e randë, n’përdorimin pa dorashka të banalitetit… por ishte balladë e thellë, e vuajtun, e vërtetë, tallëse, përçmuese, e trishtë, e guximshme, e pamëshirshme, heroike, madhështore… ashtu siç do të mbetet Pano Taçi: Vetje e Papërsëritshme…
Prej asaj kohe e kam lexue disa herë kët balladë, ku asht individi, populli dhe pushteti… aty jemi të gjithë ne bashkë, të pamë me synin e Pano Taçit, edhe të tallun prej tij… po edhe prej pushtetit… Sot unë mora guximin, që kjo fletë të zhubravitun e arkivës sime, që ka edhe duert, edhe aromën(!!), edhe shpirtin e Panit Plak, të jetë pjesë edhe ma e gjanë e botës lexuese… Ndokujt që mund t’i duket e pashije… le të mbyllë hundët e të shkojë…
Bile, duke e kujtue krejt kët histori timen me Pano Taçin e ndjeva edhe si nji amanet të tijin… Amaneti i nji njeriu të vetmuem… dhe mendova: Amaneti s’asht as i bukur dhe as i shëmtuem… Asht thjesht Amanet dhe asgja tjetër… Dhe pushova së foluni për të…
Tash e keni radhën ju si lexues, me thanë tuejën…!
17 gusht, 2013

Poeti Pano Taçi 2006
Poeti Pano Taçi 2006

Ballada e pordhës…

nga Pano Taçi

Them t’ia marrim këngës me pordhë
skamjen vetes bëj t’ia qaj
të luftosh për një copë krodhë
Haj e zeza jetë haj…

Në kuvend ç’u dëgjojmë zënë,
pordhëve q’u tymon bytha
Shpresat tona na i bënë
fëndë e pordhë që të gjitha.

Buçet pordha në Kuvend
Pordhë blu dhe pordhë e kuqe,
njëra byth e hedh gjith shend
ia pret tjetra fëndë thuthuqe

Ndalu beg se ka hendek
lulet ç’m’i shet plot aroma,
Pordhët kur m’i nxjerr në treg
s’ti blen kush përveç se vroma

Ç’ësht ky djall supermarket?
Ç’shesin pordhë, u mbushet arka
pjerdhkan bythët me pushtet
n’etiketa: lloj-lloj marka

Eshtë koha vidh të vjedhim
nderi blihet me mashtrim,
Pirdh moj bythë që të pjerdhim
Gjyqet tona s’kanë mbarim

Bëj e ç’bëj e tek ia marr
me rërë s’ngrihet dot kalaja,
Bëj ta hedh pordhën për mbarë
dhe pse e di që m’gjen belaja.

Ç’ësht ky popull që me pordhë
bën ta thotë të shkretën fjalë?
Dyshas ia presin me kordhë
pa zë pordha që t’i dalë

Kur s’ka ç’ha, O Zot, pa bythë
ti njerinë ta kishe bërë,
Nga një tapë, mos prit, na hidh
që t’ia vëmë bythës në vërë.

Dy lloj bythësh me ç’u duk
ç’na i bëre… S’je serioz
Bythë djalli për kolltuk
bythë engjëjsh për rrogoz!!

Tani Zot, bythës dëgjoja
pordha pordhën s’e merr vesh
Pirdh nga poshtë e pirdh nga goja
fëndë e pordhë u bënë përshesh!

Po ç’më rri pordha mëdyshe
te kjo bythë që s’më zë lesh
Dhe pse bëj ta hedh pak ndryshe
me bythleshët bie ndesh!

Ballada… e Pano Taçit

Se me ç’dihet jeta vetë,
qenka bash nji pordhë e madhe
për ç’më heq ky shpirt i shkretë
bëj t’i zbus me pordhë ca halle…

Me ç’po bëj nji jetë murgu
s’më troket askush në derë,
Bëj ta hedh nji pordhë burgu
prapanica fëndë ma nxjerr

Një kaba me pordhë ia marr
pirdh moj bythë që të pjerdhim
Këtë jetë që na merr zvarrë
nga që s’dimë që si ta dredhim.

Bythën time që s’ze tule
me shqelm fati tej ma hedh,
çe shtyj jetën me fasule
më pëlqen mbi gjemb të pjerdh.

Paçka gjembi ma gjakos
prapanicën kur ia vë,
Pirdh moj bythë, ta tymos
plagën kore të më zë…

Për fasule kur ziej bathë
me oreks teksa i ha
M’i nxjerr bytha rrathë-rrathë
fënd e pordhë si fukara…

Ç’pret pra pirdh si borizan
hidhja pordhës gjithë zulm,
Groshës t’ia shembim kalanë
të na prijë pordha për sulm

Bëj t’ia qaj dhimbjen brengës
për kadastrën myk të vjetër,
T’i bësh pordhën hipotekës
kur për zot të del nji tjetër.

Edhe këngës – pordhë rigoni,
them t’ia marr për gjithë tapitë!
O pronarë, s’keni ç’kërkoni,
se ua pjerdh nji zot jezit…

Pirdh të pjerdhim, o vëlla
meqë mendja po na lot,
Ç’pjerdhim ne badihava
populli pordhës ia fut kot…!

Në pazar ku shiten pordhë
të gatuara me ëndë
S’ma bleu kush për një krodhë
kur mu desh të shes një fëndë!!

Lum ata përmbi kolltuk
pordhë hedhin kaq seriozë,
Mjerë ne që mbemë pa bukë
duke pjerdhur nën rrogoz

Ç’u pordh dje e ç’pirdhet sot
turm’e pjerdhur ç’ia fut kot
Ç’presim ne për mbarë, o Zot
pirdh ta pjerdhim këtë botë!

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Jozef,
    Nuk e di pse në një farë mënyre ashtu si të paktën e kuptova unë, ke kërkuar ndjesë për publikimin e kësaj balade… E kuptoj ndoshta për përdorjen e fjalëve të pista, por mua më tingëllon në vesh opinioni i Edmond Tupes për fjalët banale… Nuk ka fjalë banale, se ato fjalë ashtu thuhen në gjuhën shqipe, por ka mendime banale. Poeti ka përshkruar një jetë dhe politike banale. Nuk kishte ku të gjente fjalë më të goditura se këto.Jam kënaqur duke e lexuar. Nuk m’u duk banale, m’u duk një protestë e ndershme.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.