back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Daniel Gazulli, dhe “Sofra e Madhe” e Adriatikut nga Fritz Radovani

Gazeta

Daniel Gazulli (1944-2012)
Daniel Gazulli (1944-2012)

Daniel Gazulli, dhe “Sofra e Madhe” e Adriatikut

nga Fritz Radovani

12 Nandor 2012… 5 vjet mungesë

Shumë vite përpara kishe ndigjue nga pleqtë për këtë “sofër”. As nuk e kishe idenë e madhsisë së sajë e, sa për thellësi, as që më shkonte mendja, veç me dashtë me rrejtë!
E se, do të vijë dita me shkrue për Te, as kjo s’më ka trokllue kurrë ndër tru!
Rrezet e prarueme të diellit mbi sipërfaqen e Adriatikut i kam adhurue gjithmonë…
Po, asnjiherë nuk kam mendue se ku mund të depërtojnë ato rreze që vezullojnë si ari.
Në dukje të rrenë mendja se jemi para një misteri! – Jo, jo… Sa ma shumë të mendojë njeriu për Jetën e Pasosun, aq ma pranë je afrue ndër misteret e fundit të “Detit”…
Një “sofër” gjithmonë e shtrueme me sofrabeza ku janë ma të bukrit! Lulet e freskëta të joshin me ngjyrat e veta dhe aromën që shpërthen pa dà… Sejcili asht në vendin e vet…
Në vitet e para mbas Luftës së Dytë Botnore, kryet e vendit e zune kolosët e letrave të Gjuhës Shqipe, ngjitë me At Gjergj Fishten, Don Ndre Mjedjen, Imzot Luigj Bumçin, dhe Don Gjon Gazullin, Burra të njohun për kah dija si: Don Ndre Zadeja, Don Lazër Shantoja e Don Nikollë Gazulli… Nuk mungonin dijetarët tjerë që u vranë për kulturën e tyne Perëndimore Europiane në drejtësi, ekonomi e ku nuk të shkon mendja…
Fisi i njohun i Gazullorëve asht ndër ato sofra njëherit me Gjergj Kastriotin… Asnjiherë nuk asht shkëputë prej “Beslidhjes së Tij”, po vetëm, shka i ka shtue Burra asaj sofre.
Ndër vitet e fundit ishte Prof. Arshi Pipa që u rreshtue me ata dijetarë të nderuem.
Ai kishte një peng të madh në zemër, derisa shkoi me takue vllaun e vet Muzaferin.
Ndoshta, shkuemja e Prof. Arshiut në Sofrën e Adriatikut, kje një kujtesë edhe për një nga Miqtë ma të mirë dhe të dijtun që pata fatin me u lidhë ndër vitet e fundit…
Ky ishte Daniel Gazulli (4 Tetor 1943 – 12 Nandor 2012).
Ata që e kanë njoftë besoj e kujtojnë menjëherë sa ta shohin të rreshtuem me Gazullorë!
Shkuemja e parakohshme e Danielit në Sofrën e madhe të Adriatikut, edhe pse Ai atje po ban pesë vjetë që na la, prap sot më duket e pabesueshme! Në një artikull përkujtimor ndoshta, ndër të fundit, Danieli pyet: “Po Atyne, kush do t’u vejë kunorë?!”…
A mos i ndjente zemra Danielit, se mbas pak ditësh do t’ishte edhe ay pranë Tyne?!
As atëherë, as sot, nuk due me e besue këte fatkeqsi për zonjën e Tij dhe kulturën tonë.
Danieli nuk e kishte vendin atje, edhe pse në Shqipni sot nuk e gjenë një sofër për Të!
Danieli vërtetë trashigonte edukatë dhe kulturë, po përgatitja e Tij ishte një model i pashoq i kulturës Europiane Perëndimore, gja që sot mund të faktohet me paaftësinë e kundërshtimit të studimeve të tija, edhe pse kanë kalue pesë vjetë që Ai nuk asht…
.
Deti Adriatik, mëngjes 16 prill 2013
Lindja e dites mbi Detin Adriatik
Danieli shkruente, punonte, përkthente, mësonte, studionte, nuk pushonte nji minut, po me nji vullnet të pathyeshem Ai ju përkushtue “Kodifikimit të Gegnishtes”.
Gegnishtja jonë letrare ishte fryma, jeta, mendja dhe shpresa e Tij e përjetshme!
Më njoftoi se porsa të kthehet nga mjekimi në Itali, do të lidhej me Akademikun Kolec Topalli dhe me Prof. Primo Shllakun, me të cilët Danieli kishte lidhje për Kodifikimin.
Kapitulli i mbylljes së jetës la një brengë të hapun, për të cilën Ai punoi gjithë jetën.
Kujtoj ndër bisedat e fundit telefonike nji kujtim që i kishte mbetë në kujtesë nga një dijetar i madh i Historisë së Shqipnisë, At Marin Sirdani, i cili i kishte thanë një ditë: “Daniel, kur kishim mundësi me lanë vepra të shkrueme, nuk na lanë këta me shkrue… Tashti, nuk dij a po na len Zoti, m’e lanë të shkrueme at qi duem na…?!”
Dhe, me të vertetë thonte Danieli, nuk shkoi gjatë e At Marini vdiq…
Kur pat vdekë Imzot Luigj Bumçi, në vitin 1945, në Tiranë, në Meshën e Tij ka predikue i madhi At Pjetër Mëshkalla, dhe aty ai i ka thanë: “Imzot Bumçi, Ti nuk vdiqe po, plase!”
Ndoshta, kjo thanie i përshtatet shumë Burrave që sot janë në Jetën e Pasosun… Pikrisht: në “Sofrën” e Madhe të Adriatikut… Aty ku pushon përgjithmonë edhe Daniel Gazulli!
Po, kujtimi i Tyne në themelet e Gegnishtes letrare asht i pavdekshem ndër shekuj!
Gjuha dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit, At Gjergj Fishtës e Dedë Gjo Lulit, do të ushtojnë, e bashkë me At Flamur do të valviten përjetsisht në Alpet e Shqipnisë Europiane!..

Melbourne, 10 Nandor 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.