back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Librat e mi kanë pasur fatin tim! – intervistë me Jozef Radin nga Arlinda Guma

Gazeta

Jozef Radi
Jozef Radi

Librat e mi kanë pasur fatin tim! –

intervistë me Jozef Radin nga Arlinda Guma

A.G. -Ju keni jetuar në internim, prej lindjes deri në moshën 34 vjeçare. Por ajo që unë dalloj te ju, është fakti se nuk keni asnjë fije mllefi apo hakmarrjeje ndaj ndokujt. (Në të vërtetë, këtë e kam vënë re te shumica e njerëzve që kanë vuajtur burgjeve të diktatures…) Duket sikur, sa me apokaliptike të jenë vështirësitë, vuajtjet dhe lëndimet që mund të kalojë përgjatë jetës një individ, aq më shumë lartësohet dhe fisnikërohet shpirti i tij. A ia vlen që, përgjatë një intervali kaq të shkurtër siç është jeta, ne ta paguajmë kaq shtrenjtë, vërtet shtrenjtë, këtë lartësim shpirtëror?
Nji nga problemet më të mëdha të individit dhe shoqërisë është raporti i tyre me lirinë. Është e vërtetë ajo që thoni ju, ende sot pjesa më e madhe e jetës sime është e jetuar në kampet e interrnimit. Kështu që, edhe thjesht prej këtij fakti, në shumë prej trajtimeve të mia është problemi i lirisë. Thuhet: “Njeriu lind i lirë!”. Unë s’e kam fort të qartë nëse kam lindur i lirë, a jo…! Megjithatë e kam të sistemuar brenda vetes idenë e lirisë dhe e kam transportuar ndër kohra për ta kuptuar pjesë-pjesë raportin tim me lirinë! E konsideroj ndër problemet më të mëdha raportin e individit me lirinë, e në mënyrë të veçantë për të gjithë ne që vijmë prej një diktature gjysëmshekullore.
Kam ardhur si fëmija i parë i dy prindërve të sapodalë nga burgjet e komunizmit, ndërsa ata zhyteshin në një formë tjetër burgosjeje, më sollën së pari mua në jetë! Jam i bindur se aty, n’atë lirinë e tyre të munguar, më sollën në jetë mua dhe dy fëmijët e tjerë, duke besuar se duke krijuar një shpresë, ata krijonin një formë lirie! Imagjino, dy krijesa me liri të humbur, kishin sjellë në jetë një krijesë të pambrojtur diku midis pyjeve, maleve dhe humbëtirave, si një shpresë, e që në të vërtetë do të ishte vazhdim i tragjedisë së tyre! Qe fati im, të kisha dy prindër me kulturë, të cilët përpoqën me gjithë mjetet pedagogjike dhe psikologjike ta amortizonin efektin e traumës dhe dëmin e atyre rrethanave barbare që rëndonin mbi ne, fëmijët e tyre të pafajmë!
Me nji kod disi apokrif, prej tyre kam mësuar shpirtin e lirisë dhe kam luftuar të jem i lirë! Kam kërkuar herë logjikshëm e herë instinktivisht ta lexoj dhe ta kuptoj botën në mënyrën time dhe të besoj pak nga pak se liria më së shumti është një përmasë interiore!
Im atë ka qenë një kolos i mendimit të lirë! Sokratian në shpirt dhe i kultivuar në kohën më dinamike shqiptare, vitet ’30, ai pat krijuar një kulturë solide duke e lexuar mjaft mirë kohën e vet. Përmbysja e kohrave e shtyu ta revizionojë mendimin mbi lirinë dhe të gjejë aftësinë për të mbijetuar, duke i krijuar veglave të pushtetit idenë e rrejshme se ai nuk mendonte më, ndërkohë kur ai në mënyrë konstante konservonte brenda vetes shpirtin e lirisë!
Një jetë e tillë e vështirë, pothuaj apokaliptike e mpreh dhe e tëholl shpirtin e njeriu! Ti vuan jo vetëm fatin tënd po edhe fatin e sivëllait tënd, vuan padrejtësitë e ngulura mbi ty, po vuan edhe më shumë kur e sheh se padrejtësia ka marrë përmasa kolektive deri në absurditet, dhe ku njeriut të rënë ne fatkeqsi s’i mjafton e keqja e pësuar, po duhet të përballojë edhe braktisjen totale! Një absurditet i tillë i jetuar sot është i vështirë të shpjegohet imagjino sa i vështirë është të kuptohet! Në kësi rrethanash liria është diçka inekzistente, ajo jeton si diçka e picërruar veç në shpresë! Dhe këtë frymë urrejtjeje ndaj lirisë si koncept, e krijonte pjesa me nivelin më të ulët të kulturës dhe të emancipimit, shtresa më retrograde e një shoqërie, e cila ishte vetëcilësuar si ajka shoqërore. Kjo metodë zinxhir e trasmetimit “të lirisë” e shtrirë në krejt një gjysëm shekulli histori të një kombi, ka pjellë dhe vazhdon të pjellë forma të përçuda antilirie dhe absurditete të paimagjinueshme! Në nji poezi fort të dashur timen them:
 
“Nuk janë të lirë ata që ngrejnë rrethime/ të lirë janë ata që rrethohen/
prandaj rrethohen që të vritet liria e tyne!”
 
Unë mendoj se kam jetuar si njeri i lirë, përsa ekzistonte liria ime interiore. Nuk i kam lejuar vetes boshllëk që të ma mbushte urrejtja! Urrejtja u ka mbetur sot e kësaj dite, atyre që besuan se e vranë lirinë, ndërkohë që sot friken nga liria e çdokujt. Ata do ta vazhdojnë urrejtjen prej boshllëkut brenda tyre, dhe do të vdesin ditën kur mos të kenë ku ta shkarkojnë krejt atë urrejtje të akumuluar! Mbi kët filozofi ata vazhdojnë ta mbajnë peng këtë vend, pse s’mund ta pranojnë lirinë, veçse n’atë përmasë që ata e mendojnë!
Dhe pasojat dihen, shihen dhe lexohen edhe prej të verbërve!
 
A.G. – Ka një skenë te filmi “E dashura ime Libera”. Kur mbaron lufta, ndërsa i duhet të mbarojë një punë në një zyrë shtetërore, personazhi i Libera-s gjen në një post të administratës së re persekutorin e saj fashist. E indinjuar ajo shkon dhe ankohet për këtë tek një drejtues i lartë shtetëror, dhe ky i fundit ia kthen se nuk mund të arrestojnë të gjithë popullin italian, i cili në shumicë kishte bashkëpunuar me fashizmin. Drejtuesi e këshillon Libera-n të shkojë në shtëpi dhe të bëjë gruan e devotshme… Por ndërsa ajo kthehet e zhgënjyer për në shtëpi, me shpenzimet e ditës në duar, një plumb e kap papritur dhe rrëzohet përtokë… Kamera fokuson perimet e shpërndara nëpër urë, ndërsa filmi mbyllet me monologun e saj: -Ku isha nisur? Çfarë duhet të bëja? Po ju si jeni ndier kur keni parë se persekutorët tuaj, në ditët e sotme janë ende nëpër poste të rëndësishme? A e pyesni ndonjëherë veten se “Ku ishit nisur?” “Çfarë duhej të bënit?
Për fat, filmin “E dashura ime, Libera” e kam parë në vitet ’70, kur u shfaq së pari! Sigurisht është një skenë e dhimbshme, dëshpëruese çka dëshmon se njerëzit idealistë do të jenë gjithnjë shumë afër zhgënjimeve, dhe se liria “edhe kur emrin e ka të tillë” më së shumti është një term të cilin e përdorin vrasësit e lirisë, dhe se pushteti kalon nga një palë duar te një palë tjetër pa asnjë katarsis shoqëror! Kështu që njeriut i duhet ta vazhdojë betejën e tij me padrejtësitë, po njëherësh edhe me veten për sa të jetë gjallë!
Zakonisht nuk i bëj pyetje vetes se çfarë nuk kam bërë! Dhe luftoj me sa mundem të vazhdoj të bëj… edhe kur e di se nuk bëj ndonjë gjë të madhe! Nuk jam njeri deluzionesh! Persekutorët i kam parë dhe i shoh me mëshirim, sepse ata përtej teksteve të mësuar përmendesh në apollogjinë e së keqes, nuk kanë të tjera. Di gjithashtu se vazhdimisht rreth tyre është një pështymë kolektive, e cila herët a vonë do të bjerë mbi fytyrat e tyre. Nëse s’mund të jetë reale, virtuale jua garantoj se është. Janë me mijëra pështymat e tragjedive të pësuara mbi fytyrat e pafytyrta të krimit!
.
Musine Kokalari (1917-1983)
Musine Kokalari (1917-1983)

A.G. – Cili është ai personazh femëror në letërsinë botërore (apo edhe atë shqiptare) që ju ka tronditur? A keni patur ndonjëherë ndonjë dëshirë surreale ta nxirrnit prej librave? Çfarë do t’i thoshit nëse ajo do t’jua plotësonte dëshirën, dmth., nëse ajo do të mishërohej, dhe ju do ta ndeshnit papritur një ditë në rrugë?

Një personazh femëror nga letërsia ose më mirë një shkrimtare e cila e ka shkruar mjaft bukur veten në tre librat e saj, për mua është Musine Kokalari! I kam lexuar tre librat e saj, e kam ndjekur krejt jetën e saj aq me kujdes, e kam përjetuar tragjedinë e saj në thellësi të shpirtit, sa shpesh më është dukur sikur e kam takuar, sikur kam ndenjtur me të, sikur kemi kuvenduar bashkë dhe i kam prekur emocionet e saj! Musineja ka nji aureolë të rrallë jo vetëm si shkrimtare, po edhe si personazh i veprës së saj, edhe përmes kujtimeve që kanë mbrritur ndër ne! Musineja është krijesë shumëplanëshe edhe si grua, edhe si njeri, edhe si intelektuale e rrallë… jo çdo komb e ka një Musine… ne e kemi!
Dëshirë surreale… ja do të dëshiroja ta kisha shkulur nga vetmia, nga e keqja ku e kishin zhytur, ta çoja në përmasën e saj! E kam dashur atë grua për të cilën më kanë folur të dy prindët e mi. E kishin njohur në rrethana të ndryshme, njëri përgjatë viteve universitare, dhe tjetri përgjatë viteve të burgut…
Nëse do ta ndeshja befas në rrugë atë grua… do të ishte njësoj si ta takoja nënën time sot të gjallë… Do ta përqafoja fort dhe ngrohtë, me dhimbje e lotë të pafundmë dashurie, dhe s’do ta lejoja të kthehej mbrapsht…
 
Autorja Arlinda Guma
Autorja Arlinda Guma

A.G. -Në vitet e para, pas rënies së diktaturës, dukej sikur shqiptarët qenë gjithë shpresë dhe optimizëm. Ndoshta naiviteti, padija dhe mungesa e informimit, i bënin të mendonin se me pluralizmin politik dhe lirinë e mendimit, mirëqenia e vendit do të vinte vetiu. Por siç mësuam më pas, rezultoi më e ndërlikuar se kaq. Në të vërtetë, në ditët e sotme, në Shqipëri nuk e gjen askund atë optimizëm. Duket sikur shqiptarët nuk besojnë më në asgjë. Ata nuk janë më naivë që të besojne si dikur se do t’u bien pará nga qielli… por ndihen më të pashpresë se kurrë… E shihni këtë mungesë stimujsh si një rrjedhojë të depresionit të përgjithshëm global të viteve që jetojmë, apo ky është vetëm një fenomen shqiptar, i cili lidhet me dritëshkurtësinë tonë tipike në zgjedhjen e qeverisësve?

Kësaj pyetje me thënë të drejtën nuk do të kisha dëshirë t’i përgjigjesha, sepse është prej atyre pyetjeve që të fusin në gjykim politik të situatave, të rrethanave historike, të raportit të një shoqërie me shtetin, me të drejtat, me traumat e një diktature, me një mori faktorësh socialë dhe kulturorë, me atë përmbysje të madhe shoqërore, që veç dukjen e kishte të tillë, por që qe thjesht nji spostim krejt i lehtë elitash me qëllimin final të mosndryshimit të gjërave, një trukim demokratik që sot e ka ntrashur dhe bajatosur aq keq maskën, dhe ku krejt pushteti politik i diktaturës u shndërrua hap mbas hapi në pushtet ekonomik dhe krejt pasuria e grumbulluar te shteti do t’u kalonte ashtu si pa u ndjerë krejt atyre që i kishin bërë më shumë shërbime pushtetit komunist! Ligje si ai pronave, ligji i tokës, kompesimet e pronarëve, pasuria publike, minierat, apo dëmshpërblimet e të përndjekurve ishin jo vetëm ndër ligjet më antikushtetuese po edhe me demagogjiket. Ato tashmë e kanë futur shoqërinë në depresion kolektiv, në një paaftësi reagimi, frutet e së cilës janë sot: kanabizimi shoqëror, zbehja e vlerës së zgjedhjeve të lira, parlamenti i kriminalizuar, emigracioni i pandalshëm, tranzicioni i pafund, diferencimi klasor i shtresave që pësuan nga komunizmi, e të gjitha bashkë sollën rishfaqjen në pushtet të bijve ideollogjikë të diktaturës, dhe krejt simbolet e saj!
Pra, shoqëria shqiptare sot ndjehet ashtu siç e theksoni edhe ju e depresuar, e depersonalizuar dhe tërësisht e paaftë për ta përmirësuar vetveten, dhe për t’i krijuar një prespektivë optimiste së sotmes dhe brezave që vijnë…
 
A.G. – Gjithmonë kam patur bindjen se sa më afër të jetë pranë greminës një shkrimtar, aq më e shndritshme bëhet krijimtaria e tij. A ju ka shpëtuar shpesh prej greminave letërsia juaj?
Zakonisht shkrimtarin e shoh si njeri të rrafshnaltës!
Një shkrimtar shndrit si rezultat i dhuntisë së tij të shkrimit dhe aftësisë që ai ka për ta lexuar botën e për ta filtruar në laboratorin e tij shpirtëror! Shkrimtarin dhe greminën e shkëlqimit nuk i gjej dot bashkë… por Gremina e Shkrimtarit, në kët rast e atij shqiptar, ka lindur nga raporti i tij me pushtetin! Eshtë pikërisht ky lloj shkrimtari, që i shërbeu direktivave të pushtetit, dhe krijimtarinë e tij më të shndritshme e realizoi ndërsa zhytej me vetëdije drejt greminës letrare! Edhe sot Gremina letrare i është aq e dashur, pse është greminë që i ka sjellë begati privilegjesh, i ka dhuruar lavde dhe delire, të cilat ai i ndjen të merituara! Pikërisht pse ndodhet përballë kësaj gremine lavdie, ai ka humbur thjeshtësinë dhe butësinë e shkrimtarit…
Gremina letrare ka përpirë me mijëra vepra të shërbimeve, ama shkëlqimin për çudi ka vazhduar t’ua ruajë!
Ajo pak letërsi e krijuar prej meje vërtet ka lindur në greminë, po unë me krejt energjitë e mia jam përpjekur t’i jap guximin e mjaftueshëm për ta afruar me dritën! Letërsia më ka dhënë dritën e mjaftueshme për të besuar tek liria. Kështu është krijuar një simbiozë interesante: ndërsa luftoja ta përcillja kohën përmes saj, ndjeja që po e largoja edhe veten nga gremina!
.
Ancona - Molle Vanvitelliana naten
Ancona – Molle Vanvitelliana naten

A.G- Lexoni letërsi shqiptare të pas 90-ës? Çfarë ju tërheq më shumë te kjo letërsi?

Lexoj vazhdimisht letërsi shqipe, qoftë edhe për faktin e thjeshtë, se në vazhdimësi jeta ime ka qenë e lidhur me letërsinë shqipe.
Bile shpesh jam shprehur në shtyp për libra të ndryshëm, të cilët i kam përcjellë qysh në dorëshkrime, bile edhe jam shprehur në forma kritike përpara botimit. Sigurisht më shumë më tërheq poezia, proza, eseistika, po edhe librat studimorë… Kam shkrimtarët e mi të preferuar të traditës, të cilëve u kthehem vazhdimisht, lexoj mjaft dorëshkrime, ndjek tendencat me pozitive të poezisë së sotme, kam miqësi të shumta më poetë, shkrimtarë, kritikë librat po edhe lexues sqimatarë komunikimi me të cilët më jep mjaft kënaqësi. Lexoj vazhdimisht, fjala vjen kohët e fundit kam lexuar libra të Trebeshinës, Gëzim Hajdarit, Erenestina Halilit, Agron Gashit, Primo Shllakut, Gjergj Jozef Kolës, Enkeleda Ristanit, Musa Ramadanit, Klara Budës, Rezart Palluqit, Entela Tabakut, Arjola Zadrimës, Donika Dabishevcit, Adil Ollurit… jam marrë gjerësisht me vepra të personaliteteve si Et’hëm Haxhiademi, Lazër Radi, Abdulla Rami, Dine Dine… kam lexuar cikle poetike të dhjetra autorëve të rinj e tejet premtues.
Me mundësinë e gjykimit tim, them se letërsia shqipe është në një kërkim serioz të gjetjes së vetvetes…
 
A.G. – Si autore modeste e dy romaneve, kam një kondradiktë të madhe me veten kur shkoj ndonjëherë te Librari Adrion dhe pyes me zë të ulët (shuuumë të ulët) libraren se si kanë ecur dy librat e mi. Kjo situatë bëhet edhe më e sikletshme (dhe mjaft qesharake) kur ajo më thotë të ngre zërin se nuk e merr vesh se çfarë po i them. Dhe unë që hedh sytë përreth (sikur të jem në kërkim nga policia) ngaqë nuk dua ta marrë vesh njeri që jam autorja e atyre librave… Po ju, a e keni këtë drojë? Çfarë ndieni kur e shihni librin tuaj me poezi nëpër libraritë italiane? Rrini e kundroni gjithë kënaqësi, apo doni t’ia mbathni me të katra? (kjo e fundit me ndodh shpesh mua…)
Librat e mi kanë pasur fatin tim! Kanë jetuar pak si libra të përndjekur, dhe mbasi u ka mbaruar përndjekja, kanë jetuar pas si libra emigrantë, pra gjithnji libra të nënzëshëm. Kjo ndoshta edhe për fajin tim, sepse s’kam qenë fort këmbëngulës të hy në raporte presuese me lexuesin. Di që vazhdimisht shkrimet dhe poezia ime në komuniket online është pritur mjaft mirë, kështu që kam vendosur të ndryshoj paksa qëndrim. Fjala vjen këto ditë del nji libër me tregime dhe novela “Të gjallë edhe të vdekur” i Lazër dhe Jozef Radit. Do të përpiqem ta dëshmoj dhe të flas pak ballas me lexuesin… Do të përpiqem “të mbrohem” prej atij që guxon dhe e blen librin tim…!!
.
Të gjallë edhe të vdekur - Lazër & Jozef Radi
Të gjallë edhe të vdekur – Lazër & Jozef Radi

A.G. – A ka ndonjë vend piktoresk në qytetin ku banoni, ku uleni dhe shkruani? A janë dashamirës italianët me një shkrimtar “që shkruan në një kafene?

Qyteti ku unë jetoj prej më shumë se njëzet vitesh, nuk ka kafe tipike letrare apo artistësh, si fjala vjen Parisi a ndonjë qytet tjetër europian, ku kafeneja dhe personazhi letrar futen në një jetë të ndërfilltë mes tyre, e ku shkrimtari e “blen” qoshen e vet, dhe mund ta lerë librin hapur edhe për dy ditë, e askush mos t’ia lëvizë nga vendi!!!
Megjithatë edhe unë kam kafen time, ku zakonisht lexoj shtypin, bëj ndonjë bisedë të zakonshme, shkruaj në “blok notes” të celularit gjithë punët e mia letrare.
Për të dëshmuar dashamirësinë italiane, shkova para ca kohe dhe u interesova për librin tim “Poesie Scelte” te “Feltrinelli”, ku zakonisht porositej libri… dhe vinte brenda javës. I shpjegova se jam autori i librit dhe se jetoja në qytet, e do të qe mirë që të kishte një sasi kopjesh në librari. Mbas tre ditësh në librari ishin dhjetë kopje të ekspozuara! Një kënaqësi jo e pakët t’i shihje librat e tu në një librari aq të madhe…! Kurse një mikja ime fotografe, mbasi ma kishte lexuar librin, më kishte ardhur me dhjetë faqe shënime mbi emocionet e saj, dhe me kenaqësinë e një mbasditeje bisedë. Ajo mori përsipër edhe nji promovim të librit që do të bëhet muajt e ardhshëm… Gjë e cila s’më ka ndodhur asnjëherë as në vendin tim dhe as me bashkëvendasit e mi…
Kështu që s’kam folur nën zë dhe me droje për ndonjë libër timin… ndoshta edhe si tonalitet pak i zhurmshëm që jam!
 
A.G. -Ju falënderoj për bisedën!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.