back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Vështrim krahasimtar në studimet e sotme për Faik Konicën – nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Te vendvarrimi i Faik Konicës: Sejfi Protopapa, Sara Panariti e Thanas L. Gjika, janar 1999.
Te vendvarrimi i Faik Konicës: Sejfi Protopapa, Sara Panariti e Thanas L. Gjika, janar 1999 

Vështrim krahasimtar në studimet e sotme për Faik Konicën

nga Thanas L. Gjika

(Vlerësime për veprat e J. Kastratit, I. Ikonomit, F. Andreas dhe A. Alibalit)

E vërteta vonon por nuk humbet, thotë populli ynë. Kjo ndodhi dhe me vlerat e publicistit, shkrimtarit, ideologut, diplomatit Faik Konica, i ndaluar dhe i përçmuar gjatë viteve të diktaturës komuniste. Mbas shkërmoqjes së kësaj diktature, filloi të studiohet e vlerësohet dhe ky personalitet i shumanshëm i mbarë botës shqiptare. Ai po e zë vendin e merituar si një gjeni i letrave, i kulturës dhe politikës shqiptare.
Serinë e re të studimeve me këtë tematikë e hapi studiuesi nga Kosova, prof. Sabri Hamiti me librin “Faik Konica jam unë” Rilindja, Prishtinë 1991, 155 f. Përmes një leximi më të thelluar të veprave të njohura të Konicës, ky studiues dha vlerësime të guximshëm për shkrimtarin, publicistin dhe karakterin e brilantit Faik Konica.
Më tej u hartuan e botuan një swrë artikujsh ku u sollën aspekte e vlera të panjohura të Konicës shkrimtar, gazetar, mendimtar e atdhetar. Hartuesi i këtyre radhëve duke filluar të merrej me jetën dhe veprën e Konicës, gjeti në gazetën “Dielli” të viteve 1922-1924, njoftime të Konicës për kërkim sponsorizimesh për botimin e katër veprave të tij mbetur dorëshkrim. Veprat përmendeshin me tituj dhe jepeshin disa elementë të llojit e të përmbajtjes: 1. “Kondili i kuq” – një përmbledhje me shkrime të shkurta; 2.“Mustaqet” – komedi me një akt; 3.“Tryeza e fshirë – një përrallë sociale dhe filozofike”, – vepër në prozë, me sa duket e ngjashme me romanin “Doktor Gjëlpëra…” dhe 4.“Themelet e gjuhës shqipe”, – studim sintezë për gjuhën tonë.
I shqetësuar për fatin e këtyre veprave ai shkroi artikullin “Faik Konica rrezikohet të mbetet pak i njohur” (gazeta “Rilindja” e Kosovës që botohej në Tiranë, 3 tetor 1995). Mirëpo, që atëhere e deri sot, si do ta shohim dhe në këtë shkrim, asnjë nga studiuesit e Konicës nuk ka sjellë ndonjë fakt të ri për fatin e këtyre dorëshkrimeve, si dhe të dorëshkrimeve të tjerë që la ky autor i talentuar.
Një hap të madh përpara shënoi Prof. Jup Kastrati me studimin monografik “Faik Konica”, botim dinjitoz në format të madh i shtëpisë botuese amerikane Gjonleka Publishing CO. New York 1995, 536 f. Për të parën herë ky studiues sistemoi shumë të dhëna të njohura e pak të njohura, pseudonimet e këtij autori, krijimet e shkurta në prozë, etj. Kastrati kishte mbledhur me durim gjatë shumë viteve materiale për jetën dhe veprën e rilindasit të shquar.
Këtë vepër e parapriu një hyrje e gjatë (f. 5-28) e hartuar me frymëzim prej Prof. Rexhep Qosjes, ku janë dhënë shumë vlera të shkrimtarit, gjuhëtarit, kritikut letrar e mendimtarit Konica, ku i njihen dhe disa gabime, të cilat të para më vonë prej studiuesit Fotaq Andrea, nuk janë gabime.
Kjo monografi edhe pse pati shumë merita, pati disa dobësi të ndjeshme, sepse autori ishte një bibliograf dhe filolog i mirë, por kishte mungesa si historian. Kështu që studimi i tij nuk solli fakte të rinj për jetën e Konicës, dhe ajo që është më e keqja, ky studim monografik u botua pa referencat përkatëse në fund të faqeve dhe pa shënimet bibliografike në fund të librit. Brenda këtij libri nuk u riprodhua asnjë foto e Konicës dhe as ndonjë faqe nga dorëshkrimet e tij. Në këtë vepër Faik Konica u quajt gjeni, por nuk u argumentua sa duhet gjenialiteti i tij në fusha të ndryshme krahasuar me bashkëkohësit e tij.
* * *
Gjatë vitit 2011, një hap përpara shënoi studiuesi Ilir Ikonomi, gazetar i Zërit të Amerikës (VOA), me veprën “Faik Konica jeta në Uashington” Onufri Tiranë 2011, 377 f. Kjo vepër e realizuar si botim luksoz, ndërton për herë të parë jetën dhe veprimtarinë e Faik Konicës gjatë viteve 1926-1939, kur ai ishte Ministër i Shqipërisë në Uashington DC dhe deri më 15 dhjetor 1942, kur u shua ky diplomat i shquar. Ilir Ikonomi ka shpalosur aty talentin e vet prej studiuesi dhe shkrimtari duke krijuar një biografi shkencore të letrarizuar. Aty gjejmë përshkrimin me besnikëri të ngjarjeve dhe fakteve pa bërë shtesa imagjinare dhe pa e tepruar me kuriozitete anësore. Materiali është mbledhur nëpër arkivat e SHBA-ve, në gazeta, libra, letra e kujtime njerëzish që e kishin njohur dhe kishin bashkëpunuar me Konicën.
Ana letrare qëndron në mënyrën e rrëfimit të shumë ngjarjeve dhe fakteve në formë dialogu e meditimi, si dhe në përshkrimin e gjallë të ambjenteve ku jetoi e punoi Konica. Ky autor ka meritën se solli për të parën herë materiale të shumta pak dhe aspak të njohura nga jeta e vepra e Konicës gjatë 16 vjetëve që ai mori në shqyrtim, si dhe për gjendjen e sotme të qytezës Konicë dhe shtëpisë ku u lind e u rrit Faiku deri në moshën 9-vjeçare. Po ashtu ai solli në studim shumë fakte e dokumente të panjohur lidhur me veprimtarinë e shumë personaliteteve të tjerë si Ahmet Zogu, Fan Noli, Kostë Çekrezi, Mehmet Konica, Abdurahman Krosi, Hito Sadik, Vasil Pani, Peter Tyko, etj. dhe të disa autoriteteve zyrtare amerikanë, me të cilët e lidhi puna diplomatin tonë në Uashington DC, apo zyrtarë të qeverisë italiane në Uashington.
Studiuesi ka ditur t’ia rrisë seriozitetin dhe saktësinë shkencore kësaj vepre përmes mbledhjes së mendimeve të disa studiuesve të cilëve ua shpërndau dorëshkrimin e librit, vërejtjet e sugjerimet e të cilëve i pasqyroi në studim gjatë ripunimit dhe përgatitjes për botim. Midis studiuesve që ai falenderon bien në sy emrat e njohur të prof. Kristo Frashërit, prof. Sami Repishtit, gazetarit Elez Biberaj, studiuesve Idriz Lamaj e Bejtullah Destani, etj. Vlerësimet e disa prej tyre ai i ka riprodhuar në fletëpalosjen që mbështjell veprën.
Faik Konica, i cili deri më 25 dhjetor 1924, ishte shquar si kundërshtari më kritik i Ahmet Zogut, pas kthimit të këtij në pushtet, bashkë me disa atdhetarë brenda vendit si Mihal Grameno, etj. në janar 1925 e ndërprenë luftën kundër fitimtarit. Këtë ulje armësh ata e bënë jo se e donin dhe jo për t’iu servilosur atij, por për të siguruar brenda vendit një qetësi sociale e politike me anën e së cilës ata menduan se shoqëria shqiptare mund të kalonte dalngadalë në jetën normale parlamentare ku individët dhe partitë politike të vijonin luftën për pushtet përmes procesit të votimit.
Ahmet Zogu, pasi vrau Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin e pasi dështoi në tentativën për të vrarë Fan Nolin me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë me anën e një bombe te kafeneja ku mblidheshin në Vjenë, filloi të ndiqte një politikë afrimi me kundërshtarët. Ai dëgjoi kërkesat e Gramenos e Konicës për nevojën e shpalljes së një amnistie dhe e shpalli. Faiku shkroi se përderisa qeverinë shqiptare nën drejtimin e Ahmet Zogut e njohën qeveritë kryesore të Europës dhe SHBA-të, atëhere dhe shqiptarët duhet ta njohin. Ahmet Zogu si president u përpoq të afronte disa ish kundërshtarë. Hil Mosin, i cili u kthye pas amnistisë, e emëroi prefekt në Korçë, Pandeli Evangjelin e zgjodhi Kryetar të Senatit, Faik Konicën e emëroi Ministër të Republikës Shqiptare në Uashinton DC, Gramenos i lidhi pension patriotik, etj.
Ikonomi vë në dukje se afrimi i Konicës me Zogun e ndau Konicën prej Fan Nolit, mikut e bashkëpunëtorit të vjetër, sepse Noli pas dështimit të atentatit zogist, mori më hapur rrugën e luftës kundër Ahmet Zogut. Për këtë arsye, duke qenë se qeveria austriake nuk i premtoi fonde për të vijuar luftën antizogiste, Noli u lidh me zyrën e Internacionales Komuniste (Kominternit) në Vienë. Kjo zyrë nuk ishte tjetër veçse zyrë agjenturore staliniste për përhapjen e Komunizmit në Europë. Ajo i dha grupit të Nolit përkrahjen financiare, por kërkoi që disa të rinj nga ky grup të shkonin në Moskë për të marrë formim politik dhe ideologjik për të formuar Partinë Komuniste Shqiptare e për të kryer revolucionin proletar në Shqipëri. Noli pranoi, Sejfulla Malëshovën, Zai Fundon, Koço Tashkon, etj. i dërgoi në Moskë. Këto fakte nuk i ka përmendur studiuesi. Ne i kemi lexuar tek kujtimet që shkroi Koço Tashkoja në vitet ’60-të kur ishte në internim. Këto kujtime i ruan i biri Fredi K. Tashko në Tiranë.
Faik Konica, i cili e njihte mirë historinë e Komunës së Parisit dhe ecurinë plot viktima të Rusisë Sovjetike, kishte krijuar bindjen se Komunizmi ishte një sistem i gabuar politiko-shoqëror. Që nga viti 1922, e deri në fund të jetës ai u qendroi besnik bindjeve të veta kundërkomuniste. Kjo ka qenë arësyeja pse ai e kritikoi lidhjen e Nolit me Kominternin dhe dërgimin e djemve në Moskë më 1925, si dhe vajtjen e tij në Moskë më 1927, për të marrë pjesë në festimet e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit.
Kur Noli e kritikoi Konicën pse u afrua me kundërshtarin, Ahmet Zogun, ai pasi sqaroi se qeveria e Nolit humbi sepse nuk zbatoi reformat e shpallura dhe nuk kreu zgjedhjet për t’u kthyer në një qeveri legjitime, dha dhe këtë sqarim: “Fan Noli dhe unë kemi luftuar disa vjet që t’i japim Shqipërisë një guvernë të një tipi të përparuar. Ahmet Zogu ka luftuar për një guvernë të një tipi më konservativ. Ahmet Zogu na mundi dhe na mundi me themel… Në Amerikë, kanë një zakon që i munduri i shtëngon dorën mundësit…!” (f. 35-36).
Këtë sqarim Ikonomi e sjell si fakt, por nuk e komenton, ashtu si nuk komenton grindjet që shpërthyen midis këtyre dy korifejve, grindje, të cilat i ndanë vatranët për disa vjet në simpatizantë të Konicës dhe simpatizantë të Nolit. Studiuesi, duke qenë profesionist si gazetar objektiv, shpesh herë ka zgjedhur mënyrën e dhënies së dokumenteve pa komente, për të lënë lexuesin të gjykojë vetë.
Pajtimi midis Konicës e Nolit erdhi kur ky shpalli: “Kam hequr dorë përfundimisht nga politika” (f. 96). Atëhere Konica e tërhoqi kërkesën për të mos e lejuar Nolin të hynte në SHBA. Dy korifejtë u pajtuan e filluan bashkëpunimin për të mirën e atdheut, madje gjatë L2B edhe për njohjen e qeverisë së Mbretit Zog i Parë, si qeveri legjitime, për të penguar synimet shoviniste të qeverisë greke e asaj jugosllave për coptimin e Shqipërisë. (Për ne pajtimi Konica-Noli duhet të shërbejë si një mësim i mirë për shqiptarët e sotëm, politikanë të pozitës dhe opozitës, si dhe për njerëz të letrave si I. Kadare dhe R. Qosja, të cilët janë kritikuar e grindur, por nuk po dijnë të pajtohen edhe pse të dy mbajnë prej vitesh titullin e lartë “Nder i Kombit”.)
Vendin kryesor në këtë vepër e ze puna dhe veprimtaria e Faik Konicës si Ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë e më pas i Mbretërisë Shqiptare, lidhjet e tij me personalitete të Departamentit të Shtetit Amerikan, me gazetarë amerikanë, diplomatë të huaj të akredituar në SHBA, me zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, etj, etj. Në letrat e Konicës drejtuar Presidentit, më vonë Mbretit të Shqipërisë, bien në sy kritikat e tij të guximshme ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Mjaft bindës është paraqitur qëndrimi kundëritalian i Faik Konicës mbas pushtimit të Shqipërisë prej ushtrisë fashiste dhe mendimi i tij vizionar se Italia nuk mund ta mbante dot të pushtuar, se “Shqipëria do të jetë përsëri e pavarur, sepse shqiptarët janë të vendosur” (f. 237).
Mirëpo gjatë vitit 1940, kur Mbreti i larguar prej atdheut nuk i mbajti premtimet për t’i dërguar Konicës sasinë e pareve që i duheshin për të paguar borxhet që i kishte hotelit “Mayflower”, ku ai kishte mbajtur rezidencën e legatës, Ikonomi sqaron se ish Ministri i Shqipërisë pranoi pagesën e këtyre borxheve prej përfaqësuesit italian në Uashington. Ky hap solli dhe një zbutje të qëndrimit të Konicës ndaj Italisë. Kjo zbutje kaloi dhe më tej gjatë vitit 1941, pas pushtimit gjerman të Jugosllavisë dhe rikthimit të shumë territoreve shqiptare që i ishin dhënë padrejtësisht Sërbisë më 1913. Për këtë qëndrim të Konicës, studiuesi Ikonimi e arsyeton duke përdorur një mendim të Prof. Kristo Frashërit, marrë me telefon gjatë një bisede: “në qoftë se dikush ma ka vjedhur diçka dhe dikush tjetër ma kthen, nuk ka rëndësi se kush ma kthen, por ka rëndësi e drejta që vihet në vend” (f. 281).
Ky arsyetim na duket konformist, sepse me një logjikë të tillë duhet të arsyetohen edhe Mustafa Merlika – Kruja, me shokë të cilët pranuan në vitin 1941, e më tej të krijonin qeveri kolaboracioniste nën pushtimin italian. Bashkëpunimi me pushtuesin duhet kritikuar e luftuar, pavarësisht se mund të ketë në thelb interesa kombëtare. Më i drejtë na duket arsyetimi i z. Mërgim Korça, i cili i ndan në dy rastet e kolaboracionizmit, të cilat i dënon të dyja:
a.Kolaboracionizëm për të mirën e atdheut, si ishte rasti i qeverisë së Mustafa Merlikës (1941-1942) nën pushtimin italian dhe të qeverisë së Regjencës (1943-1944) në kohën e pushtimit gjerman të Shqipërisë.
b.Kolaboracionizëm për interesa personale, si ishte rasti i qeverisë së Enver Hoxhës që sundoi vendin duke bashkëpunuar me qeverinë Jugosllave të J. B. Titos (1944-1948), me qeverinë sovjetike të J. V. Stalinit e atë kineze të Mao Ce Dunit (1961-1976), vetëm e vetëm për të qenë ai e vetëm ai në krye të partisë shtet.
Pavarësisht nga ndonjë dobësi, vepra e Ikonomit shquhet për pasuri faktesh, dokumentesh dhe fotografish që botohen shumica për të parën herë. Aty nuk është lënë jashtë vëmendjes dhe vepra shkencore e Konicës për historinë e Shqipërisë. Për personalitetet e qeverive shqiptare, amerikane dhe italiane që përmenden gjatë studimit, jepen në fund shënime biografike.
Ikonomi, të dhënat e disa letrave dhe artikujve i kthen në dialogje midis Konicës dhe personaliteteve të tjetër, gjë që e bën tërheqës leximin e librit. Po kështu me shumë kërshëri lexohen dhe përshkrimet e ambjenteve ku jetonte e punonte diplomati shqiptar në Amerikë, përshkrimi fizik i Konicës dhe i njerëzve me të cilët e lidhi puna, etj.
Lidhur me qëndrimin ndaj fesë, Ikonomi, ashtu si studiuesit e tjerë të Konicës para tij, pranon faktin se Faik Konica, njeri i formuar me kulturë perëndimore, përqafoi që në moshën 20 – vjeçare besimin e krishter katolik dhe u pagëzua me emrin “Faik – Domenik Konica” (f. 108).
Me shumë interes është dhe trajtimi i librave të bibliotekës së Faik Konicës, shumica libra shkencorë me përmbajtje historike, të cilët ai i kishte blerë e shfrytëzuar gjatë jetës së tij që kur i ishte kushtuar nxjerrjes së revistës “Albania” e derisa hartoi librin e tij historik “Albania – the Rock Garden of Southeastern Europe” (“Shqipëria kopësht shkëmbor i Europës Juglindore”) dhe esenë “The Background of the Italian-Greek Conflict” (“Sfondi i konfliktit italo-grek”). Me librat e bibliotekës së tij Konica u kishte treguar të tjerëve se ç’ishte ai vend që quhej Shqipëria, thotë studiuesi (f. 331).
Ikonomi jep numërin e saktë të librave: 3.000 (tre mijë), numërin e arkave prej druri: 30 (tridhjetë) ku u futën të mbështjella me letër këto libra të shoqëruar me numërim dhe regjistrim të titujve të librave që futeshin në çdo arkë. Këtë punë e kreu Peter Tyko, kryeredaktori i gazetës “Dielli” në prani të Vasil Panit, mikut më të afërt të Konicës. Ikonomi përmend faktin se dorëshkrimet dhe sendet e vyera u vendosën në një arkë të veçantë prej hekuri. Gjithë kjo pasuri intelektuale u paketua më 31 dhjetor 1942 dhe u vu në rruajtje në Uashington. Shoqëria “Vatra” filloi të paguante 12 dollarë në muaj për ruajtjen e këtyre arkave (f. 332). Autori nuk shkon më tej, nuk bën hamendësime se ku shkoi e si u tret kjo pasuri e madhe e Konicës.
Po ashtu në këtë studim nuk sqarohet fati i arkivit të Legatës Shqiptare në Uashington pasi Konica u pushua së qeni Ministër i Shqipërisë: iu dërgua Shqipërisë si dëshironte në fillim Konica, apo iu dorëzua ambasadorit italian në Uashington, si kërkoi qeveria italiane.
 
* * *
Viti 2016, u shpall Viti Konica prej shoqërisë “Vatra”. Kjo shoqëri në nëntor të atij viti organizoi seminarin e saj të tretë shkencor kushtuar jetës e veprës së Faik Konicës, pasi kishte organizuar më 1976 dhe 1995, dy seminaret e parë. Gjatë vitit 2016, u botuan në gazetën “Dielli” shumë artikujt shkencorë dhe u krijua një komision që dha çmime të ndryshme për këto artikuj dhe kumtesat që u lexuan në seminar. Gjatë atij viti mund të themi me plot gojën se midis studiuesve të Konicës shkëlqeu Fotaq Andrea me artikuj të ndryshëm botuar nën titullin “Fletore Koniciane” dhe pastaj me dy veprat e tij: “Faik Konica alias Gjoni i Krojës ‘Martesa e Lejlës pasuar nga Sotiri dhe Mitka” Zenit Edition Tiranë 2016, 332 f. dhe “Faik Konica – Përlindësi modern, Fletore koniciane” Zenit Edition Tiranë 2016, 448 f.
Veprën e parë e sponsorizoi shoqëria “Vatra” në kuadrin e Vitit Konica dhe e ftoi studiuesin Andrea në festën e flamurit si folës nderi. Në këtë libër u botuan në shqip dy romanet e panjohur të Faik Konicës hartuar prej tij frëngjisht më 1909, gjetur, përkthyer dhe pajisur me shpjegime e shënime prej këtij studiuesi të pasionuar.
Kjo vepër ishte e papritura e këndshme lidhur me krijimtarinë e Konicës romancier. Me botimin në shqip të këtyre dy romaneve u rrëzua përfundimisht thënia e nxituar e Nolit se Faiku “nuk na la asnjë vepër të mbaruar”, thënie të cilën Sabri Hamiti e studiues të tjerë e kishin hedhur poshtë duke e konsideruar koleksionin e revistës “Albania” vepër të plotë e komplekse. Fotaq Andrea para se të merret me analizën e ideve dhe anës artistike të romaneve “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”, sqaron sesi ra në gjurmë, dhe si i gjeti e i bleu këto dy vepra të mbledhura brenda dy kapakësh në një dyqan librash të vjetër në Belgjikë. Më tej ai sqaroi se pseudonimi “Gjoni i Krojës”, me të cilin ishin botuar dy romanet në frëngjisht, ishte pseudonim i Faik Konicës. Kjo e dhënë dhe shumë materiale që studiuesi i nxjerr nga teksti, e bëjnë të padyshueshëm faktin se këto vepra ishin shkruar prej Faik Konicës në vitin 1909, para se të largohej për në Amerikë, ku ishte thirrur për të marrë drejtimin e gazetës “Dielli”.
Njohja e thellë e frëngjishtes dhe e shqipes së Faik Konicës prej Fotaq Andreas ka ndihmuar në realizimin e një përkthimi mjeshtëror, sa që shpesh herë të krijohet ideja se veprat kanë qenë shkruar në shqip.
Në studimin hyrës 100 faqesh, që paraprin dy romanet, jepen për të parën herë gjerësisht lidhjet e Konicës me të quajturin Princ Aladro Kastrioti, pretendent spanjoll i fronit të Shqipërisë. Ecuria e këtyre marrëdhënieve filloi më 1901, kur Aladroja e ndihmoi Konicën për botimin e revistës “Albania” dhe përfundoi më 1909 me hartimin e këtyre dy romaneve. Konica i hartoi këto dy vepra në këmbim të tyre me një shumë paresh, që pagoi Princi Aladro si shpërblim për trajtimin e tij si personazh historik që ndihmonte lëvizjen kombëtare shqiptare. Përkëdheljen e sedrës së sëmurë të Princit Aladro autori e shpie deri aty sa një nga personazhet shpall se Aladro Kastrioti pas lirimit të Shqipërisë do të bëhet Mbret i saj.
Gjithë linja e këtij “Princi” është trajtuar me një farë humori të hollë, vë në dukje Andrea, sepse vetë Konica nuk ishte i mendimit që Shqipëria e lirë të drejtohej nga një pseudoprinc, si Aladro Kastrioti.
Andrea ka meritën se ka dhënë shpjegime dhe sqarime për personazhet, madje për ndonjë, si Lejla, ka zbuluar dhe lidhjet e këtij emri me emrin e nënës së vetë autorit. Karakterizimi i personazheve zë një vend të dukshëm në studim. Konkluzioni i Andreas është se Konica me këto dy romane u paraqit si shkrimtar modern realist.
Duke i quajtur klasikë këta romane, studiuesi thekson se ata “ruajnë theks dhe vlera aktuale, të cilat shfaqen në madhështinë morale të personazheve pozitivë në ndeshje me personazhe që përfaqësojnë botën e vesit, ligësisë dhe krimit.” (f. 99)
Kthimi i Mitkës në atdhe dhe gjetja e lumturisë prej tij pikërisht duke punuar në Shqipëri, – thekson studiuesi, – ka tingëllim aktual sot, kur atdheu ka nevojë të kthehen njerëzit e përgatitur në emigracion për t’i shërbyer Shqipërisë.
Nëpërmjet këtyre dy romaneve të shkruar në frëngjisht, Konica, thekson studiuesi, “përpiqet të japë një imazh sa më të mirë për Shqipërinë dhe shqipëtarët, në një kohë kur autorë të huaj nuk mungonin t’i denigronin, shanin, poshtëronin, në kor me propagandën antishqiptare sllavo-greke” (f. 100)
Me këto dy romane, vë në dukje studiuesi, del edhe më shumë në pah misioni historik i Konicës, mision që para së gjithash e mbi të gjitha e vesh atë me profesionin e nderuar të Patriotit të flaktë, të Rilindasit të zjarrtë, të Pionierit enciklopedist, që diti si rrallëkush të luftojë injorancën, mediokritetin, mendjet e mbrapshta dhe ligashe, që diti të punojë për emancipimin e shoqërisë shqiptare” (po aty).
Karakterizimi i Faik Konicës në fund të këtij studimi: “Figurë e përplotë, erudit i shkallës së epërme, i pari në gjithçka, i paparë dhe i paarritshëm në botën shqiptare, Faik Konica mbetet mbi të gjitha ideatori dhe farkëtari i mendimit modern shqiptar me rezonancë përherë të fuqishme, përherë aktuale” – duket si i nxituar. Në fakt, ky përkufizim, si do ta shohim në trajtimin e veprës tjetër të z. Andrea, është i saktë, por nuk e ka vendin në këtë studim hyrës ku flitet vetëm për dy romanet e Konicës, por e ka vendin te vepra madhore studimore “Faik Konica – Përlindësi modern, Fletore koniciane”, e cila merret me gjithë trashëgiminë mendore të këtij gjeniu që shpërtheu që në moshën 20-vjeçare.
.
Faik Konica me C.E. McGuire 1931
Faik Konica me C.E. McGuire 1931

* * *

Për sudimin “Faik Konica – Përlindësi modern, Fletore Koniciane”, mund të themi që në fillim se Fotaq Andrea ka depërtuar thellë në mendimet e Faik Konicës dhe ka kuptuar si askush para tij thelbin e veçantë të mendimtarit Konica. Tipikja e këtij rilindësi, thekson ai, ka qenë: “europianizimi dhe modernizimi i kombit, si komb nga më të lashtët në kontinentin e vjetër, me identitet e vitalitet historik që meriton, pas shekujsh të tërë qëndrese e mbijetese, vendin e vet në familjen e bashkuar europiane” ( f. 7).
Djaloshi Konica u formua në shkolla Perëndimore, ku u brumos me mendësinë europiane. Në të gjitha shkollat ku studioi, si Seminari i Jezuitëve në Shkodër, Liceu Galatasaraj në Stamboll e më tej te liceu i Karkasonës në Francë, në kolegjin e Dijonit e më pas në Paris e së fundi në Universitetin Harvard në Boston MA, ky student mori gjithnjë vlerësime me nota maksimale. Që në vitin 1895, i diplomuar për letërsi romane ai ishte një qytetar europian i shkëputur mendërisht prej klasës së vet: aristokracisë feudale shqiptare. Prandaj mund të themi se Konica u shfaq në fund të shek. XIX-të në arenën e lëvizjes sonë kombëtare jo si përfaqësues i klasës feudale shqiptare, por si shqiptari i parë thellësisht europian. Thellësia e mendimeve të tij të kujton humanistët e mëdhenj Marin Beçikemi, Leonik Tomeu, etj dhe klerikët e shumëditur si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, etj, me të cilët ai krijon një hallkë lidhëse.
Sipas tij, problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, më tepër se kombëtar, ishte moral. Që të shpëtonte ky popull, sipas tij, kishte nevojë para së gjithash të stërviste e të lartësonte karakterin. Shqiptarët e kulturuar e me moral të lartë do të dinin të qeverisnin Shqipërinë kur të lirohej. Mësim ky shumë aktual edhe për sot, kur duam të hyjmë në Bashkimin Europian, por na pengon klasa politike e pamoralshme, e cila është pjellë e diktaturës komuniste dhe është e brumosur sipas moralit komunist, i cili e fsheh gënjeshtrën dhe krimin, mashtron e propagandon vetëm suksese, në vend që të pranojë të vërtetën, lufton për jetë a vdekje për marrjen dhe mbajtjen me çdo kusht të pushtetit.
Për të kuptuar se kritikat e Konicës kishin synim ndërtues, se besimi i tij për të ardhmen e atdheut ishte optimist, po riprodhojmë thënien e tij: “Parandjej një Shqipëri të lulëzuar dhe intelektuale”, thënie të cilën studiuesi e ka vendosur në faqen e fundit të librit poshtë ilustrimit të Shqipërisë me një zonjë të shëndetshme e dinjitoze me veshje kombëtare me një drapër në dorën e djathtë dhe me një dorëzë kallinjsh gruri në dorën e majtë.
Fotaq Andrea ka lexuar me vëmendje gjithë studimet e kryera para tij për Konicën dhe i ka sjellë këtu thelbin e thënieve vlerësuese për të duke filluar nga shkrimtarë e kritikë francezë e duke vijuar me arbëreshin e Italisë, Gaetano Petrota, shkrimtarin e dijshëm shkodran Ernest Koliqi, poetin e talentuar At Gjergj Fishta, dijetarin At Fan Noli, etj e deri tek studiuesit e Kosovës e të Shqipërisë të pas vitit 1990 (f.173-174). Kurse me vlerësimet e veta, ai ka dhënë përkufizime edhe më të plota.
Midis vlerësimeve të ndryshme për Konicën na tëheq vëmendjen thënia e poetit gjenial francez G. Apollinaere: “Nëse Shqipëria do të ishte shtet [i pavarur], ai do të ishte kryeministër i saj”, vlerësim të cilin e mbyll me fjalët: “Sulltani e ka dënuar tri herë me vdekje” (f. 178). Ky vendim i përsëritur i Sulltanit, është një dëshmi e drejtpërdrejtë e rrezikshmërisë së mendimeve dhe punës së Faik Konicës, në një kohë që shumë atdhetarë shqiptarë punonin në Stamboll për lëvrimin e gjuhës shqipe, letërsisë shqiptare dhe ideologjisë sonë rilindase, por Sulltani nuk i burgoste. Ky nuk i burgoste dhe nuk i dënonte me vdekje, sepse ata kërkonin vetëm “një Shqipëri autonome nën vartësinë e Sulltanit”.
Vepra “Faik Konica – Përlindësi modern” sjell vlerësime dhe materiale të rinj në shumë aspekte. Aty sillet shqip dhe komentohet për të parën herë artikulli programatik i Konicës “Shqipëria dhe turqit” botuar me pseudonimin “Tepeleni” më 25 dhjetor 1895 në gazetën frënge “La libre Parole”. Po ashtu sillet libri “Mbi edukimin”, “Letra drejtuar G. Apolinerit”, etj. Janë vlerësuar e riprodhuar Harta e Shqipërisë e krijuar prej Faikut më 1902 në gjuhën shqipe, almanaku i tij “Kalendari i Maleve” i vitit 1900. Janë sjellë fakte bindëse nga jeta intime për pagëzimin e tij si i krishter katolik, për bashkëjetesën e tij me “dy mike të zemrës”, me njërën prej të cilave, me të parën, pati që kur ishte 22-vjeçar një djalë, të cilin e quajti Henrik Lohengrin beg Konica. Botohet (e përkthyer shqip) për herë të parë letra që ky djalë i shkroi Fan Nolit më 16 janar 1922 nga Saint-Claude për t’i kërkuar ndihmë që të lidhej me të atin. Këtë letër studiuesi e gjeti në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, por studiuesve të mëparshëm nuk u kishte bërë përshtypje.
Janë dhënë lidhjet e Konicës me njerëz të shquar të shkencës, artit, politikës dhe të letërsisë europiane si gjuhëtarët Holger Pedersen (me të cilin ai hartoi alfabetin e gjuhës shqipe me gërma latine) dhe Louis Benlow, orientalistin Leon Cahun, shkencëtarët Elisee Reclus, Emil Legrand, poetin Guilaume Apollinaire, shkrimtarin amerikan Beniamin de Casseres, etj.
Aty sqarohet datëlindja e Faikut më 15 mars 1875 (f. 278), duke e spostuar një vit më parë se koha që e kishin pranuar studiuesit e mëparshëm. Përmes analizave të shkrimeve shqip dhe frëngjisht, që ka bërë Andrea arrihet kollaj te mendimi se revista “Albania” ishte enciklopedia madhore që i mungonte botës shqiptare për rigjenerimin shpirtëror, moral, kulturor historik e letrar, shkëputur krejt prej mendësisë osmane.
Pas një vjelje shumë të kujdesëshme që u ka bërë studiuesi Andrea shkrimeve të Konicës, ai grumbulloi njëqind thënieve të arta të Faik Konicës, të cilat përbëjnë një thesar të vërtetë ideor në krejt fushat shoqërore dhe konceptuale kombëtare për emancipimin tonë shoqëror. Duke u lexuar me kujdes këto thënie lexuesi i mençur mund të arrijë në konkluzione të drejta lidhur me gjerësinë dhe thellësinë e botëkuptimit të Konicës, që kur ishte djalë i ri dhe deri në fund të jetës. Të çudit fakti se sa thellë i ka njohur nevojat dhe psikologjinë e popullit të vet ky djalosh, i cili u largua prej shtëpisë atërore kur ishte vetëm 12 vjeç. Pikërisht ky është një nga treguesit e pamohueshëm të gjenialitetit të tij. Vend të veçantë zenë në libër dhe mendimet e Konicës për fqinjët tanë Greqi dhe Maqedoni. Si njohës i mirë i historisë së Ballkanit ai tregon se autorët e lashtë nuk përmendin ekzistencën e gjuhës maqedone, sepse kjo gjuhë ishte një dialekt i ilirishtes. Kurse për Greqinë ai sqaron se gjatë Mesjetës shumë vëzhgues kishin shkruar se territori që quhej Greqi ishte i mbushur me shqiptarë të cilët dalngadalë u mësuan ta quanin veten grekë dhe pasi mësuan gjuhën greke e braktisën gjuhën e tyre amëtare shqipen dhe sot ndjehen edhe shpirtërisht grekë (f. 373-380).
Po ashtu me vlera të mëdha janë shpjegimet e Konicës për popullsinë shqiptare të Çamërisë dhe të bregdetit të Himarës. Në Çamëri ai tregon se popullsia shqiptare para vitit 1912, përbënte mbi 90 % të popullsisë, por shteti grek duke ndjekur një politkë shoviniste e ndryshoi këtë raport duke përndjekur e masakruar shqiptarët e duke shpënë aty grekë të Anadollit. Kurse në Bregun e Himarës popullsia ka qenë shqiptare brez pas brezi, por kontaktet me botën greke të Korfuzit bënë që kjo popullsi të mësonte dhe greqishten si gjuhë tregëtie dhe si gjuhë kishe.
Pretendimet e shtetit grek në ditët tona se Himara ka qenë e është greke, kur aty ka pasur e ka popullsi shqiptare që di shqip dhe greqisht, është shprehje e mesjetarizmit të politikës greke. Sipas asaj mendësie shumë shqiptarë që jetojnë sot në brigjet e Adriatikut Lindor nga Shën Gjini deri në Ksamil dhe dijnë krahas shqipes edhe italisht, duhet të quhen italianë, por Italia nuk e pretendon një gjë të tillë…
Nuk mund të lemë pa përmendur se veprën e pasuron një mori fotografish, pikturash e skicash, shumica pak ose aspak të njohura, të mbledhura me kujdes prej studiuesit të pasionuar.
Natyrisht, që të ndalesh e të nxjerrësh vlerat e këtij studimi madhor duhet të shkruash një artikull sudimor shumë të gjatë, por në këtë recension krahasimtar, menduam se mund të ndalemi me kaq, duke theksuar si konkluzion: “Kur shqiptarët ta kuptojnë dhe përvetësojë mendimin e Faik Konicës ashtu si Fotaq Andrea, atëhere populli ynë do të jetë pjesë e denjë e familjes së Bashkimit Europian, ku e ka pasur dhe e ka vendin e vet, jo thjesht gjeorgafikisht, por dhe historikisht, por atë e pati dëmtuar pushtimi i gjatë osman dhe sundimi i egër komunist”.
 
Faik Konica dhe Fan Noli, ne mes Gjergj Pekmezi
Faik Konica dhe Fan Noli, ne mes Gjergj Pekmezi

* * *

Vepra e fundit që po marrim në shqyrtim është “Dritëhijet e një diplomati” Argeta LMG, Tiranë 2016, 718 f. shkruar prej studiuesit Agron Alibali.
Kjo vepër bie në sy për faktin se është i pajisur me një aparat shkencor të pasur, me foto të shumta, bibliografi, etj. Natyrisht ky autor e ka pasur të vështirë të sjellë fakte e vlerësime të rinj për jetën dhe veprimtarinë diplomatike të Konicës, pasi në veprat e rëndësishme që parashtruam më lart, ishin sjellë gati në mënyrë shterruese shumica e aspekteve jetësore e mendore dhe mjaft nga bëmat diplomatike të këtij personaliteti. Megjithë këtë vështirësi, mund të themi se edhe ky studiues ka mundur të gjejë aspekte të patrajtuar si “Botëkuptimi kushtetues i Faik Konicës” (f. 583-626). Këtu Alibali me formimin që ka si jurist ka nxjerrë në dukje disa vlera të patrajtuara më parë për diplomatin dhe politikanin Konica.
Edhe pse Faiku nuk kishte marrë ndonjë shkollim ose kualifikim në fushën juridike, autori sqaron se formimi i tij i shumanshëm në fushat e shkencave shoqërore, filozofike, njohja e historisë së disa popujve, e psikologjisë dhe së drejtës zakonore të popullit tonë, bashkë me studimet autodidakte e ndihmuan atë të jepte mendime me vlerë në disa aspekte juridike në gazetën “Dielli”, në eseja e gjatë “Shqipëria – Kopështi shkëmbor në Europën Juglindore”, dhe nëpër letra të ndryshme.
Me interes është mendimi i Konicës lidhur me lashtësinë e Kanunit të Lek Dukagjinit, të cilin ia kishte treguar Shtjefën Gjeçovi të mbledhur në 2.000 faqe dorëshkrim gjatë vizitës që i kishte bërë Konica e At Fishta në Gomsiqe më 1913. Këtë kanun ai e quan: mendime juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, që “ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej Kohës së Mesme” (f. 590), pra që në Antikitet.
Si njohës i zakoneve dhe i karakterit të popullit shqiptar, Konica e quante popullin e vet, ashtu si Franz Baron Nopcsa (baroni Franc Nopça (1877 – 1933), “komb zotërinjsh” që dallohet për: 1. Mikpritjen, 2. Besën, 3. Ndershmërinë, 4. Mëshirën ndaj të mundurve (koka e falur nuk pritet), 5. Paprekshmërinë e grave (Kanuni nuk lejonte marrje gjaku mbi gratë), 6. Të drejtën e Prejardhjes (sipas së cilës respektohet më shumë lashtësia e derës sesa titulli), 7. E drejta penale (sipas Kanunit të Lekës njiheshin vetëm tre dënime: I. Gjoba, II. Djegia e shtëpisë së fajtorit dhe III. Dëbimi nga fshati (dënim i ngjashëm me dëbimin nga Athina tek e Drejta e Solonit). Konica e vlerësonte Kanunin për mungesën e dënimit me burg dhe me vdekje. 8. E drejta familjare, ku theksohet përkushtimi i thellë ndaj prindërve dhe familjes.
Konica e quante Kushtetutën “guri i themelit mbi të cilin mpshtetet tërë trupi politik i një kombi të lirë”. Ai besonte thellë tek Liria e individit, të cilën e përkufizonte si “e drejta e dikujt për të besuar, për të thënë, për të shkruar dhe për të bërë atë që dëshiron, por pa cënuar lirinë e tjetrit” (f. 594). Ai këshillonte të rinjtë e shkolluar në SHBA që shkonin për të punuar në atdhe, të dënonin dhunën që mbretëronte ende në Shqipëri dhe të luftonin për sundimin e së drejtës e cila duhej të bëhej “ideali i Shqipërisë moderne”.
.
Vepra mbi Faik Konicën
Vepra mbi Faik Konicën

Lidhur me sistemin e qeverisjes Konica ishte për një sistem qeverisës demokratik, sipas parimit: votë popullore – parlament i ndershëm – qeveri e ndershme dhe që të realizohej kjo, ai kërkonte që të stërvitej populli për përdorimin si duhej të armës që ka në dorë: Votes (f.599-600). Po kështu, studiuesi i vlerëson si të drejtë edhe mendimet e tjerë të Konicës lidhur me Pushtetin vendor dhe marrëdhëniet e tij me pushtetin qendror, mendimet mbi të drejtën ndërkombëtare, etj. Përsa i përket kushtetutës, Konica sugjeronte që Shqipëria duhej të mbështetej tek modeli i kushtetutës franceze.

Alibali i njeh Konicës edhe vlera lidhur me gjuhën juridike. Ky intelektual kishte qenë formuluesi i kanunores së Shoqërisë “Vatra” më 1912 dhe sugjeronte që gjuha juridike shqipe të ishte një e përbashkët dhe të pasurohej prej fjalorit të frëngjistes.
Si përfundim Alibali i njeh Konicës diplomat dhe politikan mjaft cilësi, si mirëinformimin, saktësinë, qetësinë, modestinë, fisnikërinë.
Një pjesë me vlerë në libër është dhe përpjekja e këtij autori për të gjetur librat e bibliotekës së Faik Konicës. Ai u përpoq ta ndiqte këtë çështje të cilën Ikonomi vetëm sa e vuri në dukje. Duke njohur një shkrim të sekretares së Konicës, Charllote Graham, ku përmendej fakti se Faik Konica kishte shprehur dëshirën që biblioteka e tij t’i dërgohej Bibliotekës së Shqipërisë (pra, Bibliotekës Kombëtare), Alibali nuk i sugjeroi shoqërisë “Vatra” që ta merrte përsipër nismën e grumbullimit dhe dërgimit të librave të Konicës, këtij ish kryetari të Vatrës, po iu fut vetë kësaj nisme. Dikur i kishte marrë z. Antony Athanas dy libra të bibliotekës së Konicës. Pastaj shkoi te biblioteka e Vatrës në New York ku gjeti dhe katër libra të tjerë dhe u nis për Shqipëri ku bëri dorëzimet në Bibliotekën Kombëtare me një fare buje. Kur u kthye në SHBA u lidh me z. Paul Athanas, njërin nga djemtë e z. Antony Athanas dhe mësoi se ai ruante dhe 272 copë të tjera nga librat e bibliotekës Konica. Këto libra gjithashtu iu dërguan BK Tiranë dhe u bë mirë, por në studim nuk shkohet më tej. Nuk synohet për të gjetur se kush ka përgjegjësi për humbjen e më shumë se 2700 librave të kësaj biblioteke me vlera të jashtzakonshme intelektuale.
Zoti Alibali gjatë promovimit që i bëmë librit të tij këtu në Worcester MA, tha se ka në plan ta ripunojë këtë vepër dhe ta ribotojë. Për ta ndihmuar mendojmë se vlen t’i bëjmë disa sugjerime:
Së pari, libri është shumë voluminoz, sepse krahas kapitujve që merren me diplomatin Konica dhe gjetjen e disa librave të bibliotekës së tij, ka pjesë që janë konsumuar prej studiuesve të mëparshëm.
Së dyti, studiuesi duhet të merret më shkurt me gjetjen e dërgimin e librave të bibliotekës Konica në Tiranë dhe të punojë për gjetjen e materialeve që ka pasur arka prej hekuri ku u futën dorëshkrimet e Konicës. Për historinë e letërsisë dhe për trashëgiminë koniciane, dorëshkrimet e veprave dhe të letrave të pabotuara, kanë më shumë vlera se librat që ai kishte lexuar e shfrytëzuar për formimin e tij dhe hartimin e eseve dhe artikujve të ndryshëm. Prandaj për këtë pjesë të trashëgimit konician nuk duhet heshtur kurrë. Jemi të sigurt se në atë arkë metalike ka pasur më tepër se katër dorëshkrime veprash, të cilat i përmendëm në fillim të këtij artikulli. Vetë Faiku kishte përmendur pas vitit 1924, se pasioni i tij kryesor ishte “të shkruarit letërsi”, dëshmi kjo që tregon se ai ka hartuar dhe vepra të tjera letrare në vitet 1925-1942.
Së treti, e quajtura “HIJE” e Konicës në marrëdhëniet e tij me Nolin, kur ai e kritikoi Nolin për lidhjen e tij me të majtën komuniste në Europë dhe i kërkoi Departamentit të Shtetit që të mos lejohej Noli të hynte në SHBA; nuk duhet konsideruar si dobësi, si hije e diplomatit Konica, por si qëndrim konseguent ndaj bindjeve të tij kundërkomuniste.
Sidomos sot, kur është bërë e qartë se si dështoi eksperimenti i Komunizmit, që i shkaktoi botës më shumë se 100 milion viktima, duhet të jemi të vendosur për dënimin e ideve dhe partive komuniste, si një e keqe e shoqërisë njerëzore, sidomos e vendeve ku u eksperimentua diktatura e proletariatit.
Së katërti, mungesa e korrespondencës së Faik Konicës si Ministër i Shqipërisë në Uashington në dosjet e Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar, është bërë e qartë prej historianit Kastriot Dervishit. Kjo mungesë lidhet me tradhëtinë që kreu Enver Hoxha në dhjetor 1944 – janar 1945, kur Hoxha ua dorëzoi të dërguarve të Beogradit të gjithë materialet e arkivit të shtetit shqiptar të viteve 1922-1944 dhe ata morën pjesën e marrëdhënieve me jashtë. Pasojë e kësaj tradhëtie nuk ishte vetëm varfërimi i arkivit të Shqipërisë, por më keq akoma dhe burgosja e vrasja e 50 mijë shqiptarëve atdhetarë që jetonin në Jugosllavi, emrat e të cilëve shërbimi sekter jugosllav i nxori prej atyre materialeve. Në këtë libër është rasti të vihet në dukje kjo tradhëti e Enver Hoxhës.
Së pesti, libri duhet të shkarkohet nga kuriozitete të panevojshme.
Së gjashti, autori para se ta dërgojë për shtyp dorëshkrimin e veprës së ripunuar duhet të ndjekë rrugën e studiuesit Ilir Ikonomi: t’ua japë disa specialistëve për ta lexuar dhe vërejtjet e tyre t’i realizojë para dërgimit për botim.
Së shtati, studiuesi Alibali para se të fillojë nga puna për ripunimin e studimit të tij duhet të lexojë e vjelë me kujdes dhe t’i citojë arritjet e studiuesve Fotaq Andrea, Sabri Hamiti, Rexhep Qosja, Ilir Ikonomi, etj.
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.