Edhe kombet, si njerëzit që e përbëjnë, kanë periudha që vuajnë nga depresioni. Trishtimi i përgjithshëm, pakënaqësia e gjithanshme, sundimi i mendimit negativ, pesimizmi për të ardhmen u mpijnë trurin, u paralizojnë gjymtyrët, u pengojnë ecjen. Edhe kur janë të ndërgjegjshëm për vlerat e tyre. Kështu ndodh edhe me zona të caktuara të vendit, ashtu si edhe me pjesë të popullsisë së një kombi që rrezikon të kridhet nën rërërat e lëvizshme të historisë.
Këto mendime përzhitën trurin gjatë ndejtjes time të fundit në plazhin e Divjakës. Duke qenë se e ndiej si truall mbi të cilin kam kaluar ditë, javë e muaj të rëndësishëm qysh prej fëmijërisë time, ky plazh nuk ka për t’u bërë ndonjëherë i huaj për mua. Edhe kur jam me qindra kilometra larg, diku andej nga veriu i Italisë, në binjaken e Divjakës time: Bibione.
.
Binjakë identikë qysh prej lindjes
Nga njëllojshmëria e tipareve, Bibione e Divjaka ngjajnë vërtetë si binjakër identikë. Edhe kthimi i tyre në toka të banuara ka pak a shumë të njejtën moshë. Përpara tyre shtrihet i njëjti det: Adriatiku. Të njëjta janë llojet e dallgëve, pasi edhe nëndeti është njëlloj i butë, me thellësinë që rritet gradualisht; rëra është pothuaj e njëjtë, e pastër, e butë, me monotoniket dunëza që i binden vetëm penelit të llastuar të erës.
Dikur me detin buzë pyllit, plazhi i Divjakës ka filluar t’i ngjajë përditë e më shumë binjakut të Adriatikut të veriut, me zgjerimin e bregut të saj në mënyrë të konsiderueshme. Në Divjakë ky largim i detit prej pyllit ka ndodhur në ndoshta si një dukuri natyrale, edhe pse gojët e liga ngulin këmbë që përshpejtimi i këtij largimi ka ardhur prej shmangies së derdhjes së Shkumbinit në veri të kësaj perle. Rezultati? Në plazhin e Divjakës duhet t’i bëjnë llogaritë me cektinizimin dhe shtyrjen rekord të bregdetit – rreth 100 m në vit!
Edhe Bibione ka pranë derdhjen e një lumi – quhet Tagliamento – por ai është sistemuar në mënyrë shkencore, që mos të ndikojë në cilësinë e ujrave dhe të nëndetit në plazhin në të djathtë të tij.
Nga kjo pikëpamje, binjaku Bibione ka luftuar për t’i zhvatur detit ca më shumë hapësirë, me ndjekjen e një politike të qartë e të vazhdueshme të dunëzimit dhe më vonë të pyllëzimit të hapësirave të zhvatura detit. Atje fillohet kujdesi që nga krijimi i dunëzave të para menjëherë pas bregut, tek bimësimi me barishtet pioniere e deri në dunat e konsoliduara dhe më vonë të mbuluara prej shkurreve e më pas të pemëve: i ashtuquajturi zëvendësim i habitateve.
Divjaka, ndërkaq, pavarësisht nga shkaqet që e krijuan, e ka tashmë këtë hapësirë jetësore, për të ndërtuar një plazh të madh por jo të mbytur prej çimentos.
.
Kaq pak banorë – aq shumë pasuri
2600 banorë ka Bibione.
Por ky plazh është i aftë t’u krijojë kushte të mrekullueshme shplodhjeje e dëfrimi rreth 6 (gjashtë) milionë pushuesve në një sezon veror. Kjo ka bërë që bibionasit jo vetë të mbahen me turizmin, por edhe të pasurohen.
7282 banorë ka qyteti i Divjakës. Në plazh numërohen me pëllëmbat e dorës: rreth njëqind? Sa pushues tërheq ky plazh në vit? Disa mijëra? Sa ua ka ndryshuar mirëqenien divjakasve?!?
Edhe Divjaka mund ta shtojë shumë numrin e pushuesve në plazhin dhe rrethinat e saj, por për këtë duhet ndjekur një politikë rigoroze për zhvillimin e një turizmi modern, por jo të bazuar në shumëfishimin e vëllimit të betonit të derdhur në të, ashtu siç përpiqen t’i imponohen asaj në disa projekte faraonike.
Si e ka zgjidhur binjaku Bibione ruajtjen e tipareve të natyrës përreth dhe brenda plazhit të tij?
Hapësira ranore, siç e kam përmendur më sipër, jo vetëm që ka mbetur e paprekshme prej betonit, por synohet të shtohet akoma më tej. Plazhi është i ndarë nga pjesa e banuar e këtij qytetthi nga një pistë ciclabile (rrugë vetëm për biçikleta). Pranë saj është rruga e këmbësorëve (pedonalia). Trafiku i njerëzve këtu është zgjidhur me biçikleta, private apo me abonim e qera. Pista ciclabile e përshkuan këtë zonë përqark: buzëdetit, anës apo nëpërmes pyllit, në buzë të lagunës.
.
Sepse edhe nga kjo pikëpamje, pishnaja dhe laguna, Bibione e Divjaka mbeten binjakë.
Pishnaja e përshkon Bibionen duke nisur që prej mbarimit të plazhit. Kurorat e pemëve arrijnë të mbulojnë shpesh edhe ndërtimet jo shumë të larta, ngritur në zonën e duhur, pas një plani të studiuar deri në imtësi: përgjithësisht hotele, vila, kampe për fëmije e të rinj, të shëndetshëm e të sëmurë… Pushuesve u janë garantuar ndihma e shpejtë, farmacitë, tregjet si edhe ruajtja e efektshme e rendit. Pylli vazhdon edhe në buzë të lagunës.
Laguna? Si ajo e Divjakës. Edhe kanali që e lidh atë me detin ngjan si ai i plazhit tonë. Nga kjo pikëpamje besoj se Karavastaja madje është akoma më e bukur, më e larmishme me strugat dhe godullat e saj, ku dëfreheshim aq shumë duke zënë ngjalat me kanistër gjatë fëmijërisë. Po ashtu mund të them me plot gojën se nëse bimësia në Bibione duket sikur është pothuaj ajo e Divjakës, fauna e asaj copëze të bregdetit shqiptar ndoshta është akoma më e pasur. Në Bibione, p.sh., nuk i gjen pelikanët.
Për çfarë është shfrytëzuar laguna në afërsi të Bibiones?
Për peshkim, po, por jo për atë të industrializuar. Këtu zotëron akoma grepi e parangallët si edhe minirrjetat. Është ndërtuar vërtetë një portth në të cilin hyhet nëpërmjet kanalit; por peshkarexhat janë barka të vogla. Ai lloj peshkimi duhet vetëm t’u sigurojë peshk të freskët pushuesve të Bibiones. Nën këtë prizëm janë konceptuar edhe shërbimet e tjera.
Me zgjerimin e kanalit jugor, edhe ne lagunën e Karavastasë mund të ndërtohet një bankinë për mjete të vogla peshkimi e turizmi, por gjithmonë duke respektuar normat ambientale të një Parku Kombëtar si ai i yni.
.
Jo vetëm plazh me pagesë
Plazhe të tilla si Bibione kanë edhe një çmim për t’u paguar. Kostojnë çadrat dhe shtretërit portativë, që një pjesë e hoteleve apo bareve i përfshijnë në tarifat për klientët e tyre sipas prenotimeve. Një pjesë tjetër e plazhistëve duhet të paguajë bileta kundrejt një çmimi që ndryshon sipas sezoneve. Janë parashikuar edhe plazhe për ata që marrin me vete kafshë të ndryshme, sidomos qentë.
Siç shihet në fotot, zona e çadrave është e ndarë në mënyrë të dukshme nga zona e lirë në të cilën edhe mund të zhvillohen lojra të ndryshme. Kjo zonë shkon deri në brezin e gjelbër që e ndan këtë të fundit nga rruga e këmbësorëve. Po ashtu, që nga bregu i detit deri në rreshtin e parë të çadrave, edhe në kohë batice, rëra e lirë për qarkullimin e këmbësorëve duhet të ketë një largësi të paktën prej 30 metrash. Kjo largësi arrin në kohë zbatice deri në 60-70 m. Askush nuk mund të qarkullojë në atë zonë me mjete të motorizuara, qoftë edhe policia. Vetëm ndihma e shpejtë, dhe ajo me auto të veçanta.
Megjithatë në Bibione janë të shumta zonat e lira, ku mund të bëhet plazh edhe pa paguar as çadrën as vendin. Edhe ne atë zonë, sidoqoftë, është siguruar pastrimi i territorit, që fillon me diferencimin e mbeturinave nga qytetarët në kosha të veçantë dhe përfundon me punonjësit e paguar nga bashkia. Kjo zonë fillon me plazhin Pluto, në të cilin mund edhe të mbash qentë pa dhe me pagesë.
.
Jo vetëm plazh, por edhe Heminguej
Ç’lidhje ka i famshmi Ernest Heminguej me këtë zonë?
Romani “Across the River and Into the Trees” – (Përtej lumit e midis pemësh) është shkruar prej Heminguejit diku afër Bibiones, në San Michele al Tagliamento, komunë nga e cila varet ky plazh. Në atë periudhë të krijimtarisë shkrimtari amerikan vinte këtu për të pushuar por, dhe sidomos, për të shkruar. Vendi ku prehej e shkruante ishte Vila Ivanchic, pronë siç kuptohet, e Ivançiçëve. Protagonistja e romanit të mësipërm, Renata, ngjan si dy pika uji me të dashurën e shkrimtarit – konteshën Adriana Ivancich. Heminguej, deri sa vdiq në vitin 1961, ia kishte ndaluar përkthimin këtij romani posaçërisht për të mbrojtur Adrianën nga gjuhët e liga të provincës veneciane. Romani u botua në italisht në vitin 1965, dhe bëri bujë të madhe që para se të dilte në shitje. Vetë Adriana Ivancich u detyrua të botonte shumë më vonë, në vitin 1980, një libër me kujtime – “Kulla e Bardhë” (La torre Bianca), duke deklaruar që ishte ajo vetë Renata e romanit “Përtej lumit e midis pemësh”, duke treguar edhe shumë detaje rreth marrdhënieve të saj me shkrimtarin amerikan. Deklarimet e hapura nuk i rralluan aspak presionet rreth saj, derisa i krijuan një kolaps nervor që e shpuri në vetvrasje në vitin 1983.
Jo vetëm për këtë fakt Heminguej lidhet me Bibionen. Në lagunën pas këtij plazhi shkrimatri i madh vinte shpesh të peshkonte. Janë këto dy fakte sidomos që shfrytëzohen për qëllime fitimi nga agjensitë turistike por edhe organet komunale apo edhe privatë të ndryshëm. Komuna e San Michele-s organizon shpesh festa promocionale në atë çfarë ka mbetur në vilën Ivancich. Skafistë të ndryshëm ofrojnë lundrim në vendet e peshkimit hemingueiane; restorante e bare servirin birrën apo verën lokale që ai pëlqente, dikush përfiton të bëhet ciceron për të të shoqëruar nëpër shtigjet ku Ernesti i madh shëtiste.
Ernestët që kanë frekuentuar Divjakën
Nuk janë të paktë edhe personazhet e mëdhenj shqiptarë që kanë frekuentuar apo që do ta frekuentojnë Divjakën dhe zonën përreth Karavastasë. Pavarësisht se ata kanë ardhur nga periudha të ndritura apo të errëta të historisë shqiptare, gjurmët në të i kanë lënë. Turisti mund të vijë në Divjakë edhe për të parë pelikanët, por edhe për të njohur historinë e asaj zone. Mund edhe të rikujtohen ngjarje të hidhura, si zonat e ndaluara për popullin, por edhe mund të shkohet ku zinte peshk Kadri Roshi apo ku pikturonte Sadik Kaceli apo Besim Golemi. Mund të ngrihen nëpër shtigjet e pyllit edhe kasollëza që ritregojnë përrallat vendase – tërheqje kjo e këndshme jo vetëm për fëmijët. Mund të shijohen pjatat si ato që i pëlqenin filan shkrimtari apo piktori, pija që i pëlqente filan shkencëtari, mund të shoqërohën turistët në gërmimet arkeologjike në afërsirat. Pasi jo të gjithë shkojnë në zonë të tilla vetëm për t’u bërë biftekë mbi rërë për gjithë ditën. Turisti tashmë kërkon edhe të tjera tërheqje jashtëplazhore. Dhe për t’i krijuar ato kushte duhet përkushtim e fantazi, por, dhe sidomos, këmbëngulje dhe fonde. Dhe mbi të gjitha – pastërti dhe respekt maksimal i natyrës ashtu si i ka hije një harku aq të madh natyror siç është ai i Divjakë – Karavastasë.
Pasi kësaj zone natyra nuk i ka kursyer asgjë; ajo, po ashtu si Bibione, është pronare e lindjes dhe e perëndimit të diellit; ajo është flladi i parfumuar nga rrëshira dhe jodi; ajo është dhe shëndeti dhe dëfrimi, është qielli i kthjellët, i mbushur si askund me yje… edhe pse sot miti i saj është kredhur në baltë, është mbuluar nga gjëmbaçët, në pritje për t’i ardhur njerëzit e duhur.
Nëse gjithçka do shkojë për së mbari, herët a vonë, edhe këtu do të mbërrijnë Adrianat dhe Heminguejt. Për ringjalljen e mitit.
Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.
To provide the best experiences, we use technologies like cookies to store and/or access device information. Consenting to these technologies will allow us to process data such as browsing behavior or unique IDs on this site. Not consenting or withdrawing consent, may adversely affect certain features and functions.
Functional
Always active
The technical storage or access is strictly necessary for the legitimate purpose of enabling the use of a specific service explicitly requested by the subscriber or user, or for the sole purpose of carrying out the transmission of a communication over an electronic communications network.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistics
The technical storage or access that is used exclusively for statistical purposes.The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
The technical storage or access is required to create user profiles to send advertising, or to track the user on a website or across several websites for similar marketing purposes.