Vetëm poezia… nga Lasgush Poradeci
Vetëm poezia që ka si temë të përbrëndëshmen e njeriut,
vetëm ajo rron. Të tjerat ngordhin, harrohen.
Homeri është i madh, poet i madh, se na përshkruan njeriun,
të përbrëndëshmen e tij, e cila është eternele.
Ai na përshkruan natyrën me saktësi e vërtetësi por me vërtetësi poetike.
A mos duhet ta quajmë Homerin sentimentalist, dekadent,
se na thotë që ky Odise, ky hero legjendar,
na qau për qenin e tij që i vdiq mbasi nuk e përkëdheli?
A ka nge ky Odise, pas kaq luftërash e gjakderdhjesh,
pas kaq vite aventurash në dallgët e detit,
ky Odise që ka parë shokët më të dashur të ngrënë nga Polifemi,
ky Odise që po përgatitet të derdhë përsëri gjak,
duke vrarë armiqtë e tij, a ka nge,
pra ky Odise të qajë për një copë qen?
Po Homeri, se ishte Homer, poet i madh,
na e bën Odisenë njeri, duke e bërë të derdhë lot për qenin besnik.
Kështu poeti na dha në art një realitet të idealizuar.
Po ç’ishte Homeri? Romantik? Realist? Surrealist?
Homeri ishte poet dhe bënte poezi.