back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Oburra se u bë deti poezi! nga Enkeleda Ristani

Gazeta

Enkeleda Ristani
Enkeleda Ristani

Oburra se u bë deti poezi!

nga Enkeleda Ristani

Sa ta gudulisin krenarinë komentet e ëmbla (edhe kur janë cazë të tepruara), aq të kallin tmerrin komentet degjeneruese e vrastare. Sikundër të gjithë poetë, të gjithë gazetarë, të gjithë kritikë letërsie e arti, kërcënimi, në të përgjithshmen e fjalës, për poetët të ndjell krupën. Po, ca vargje vertikale janë poezi e ca të tjera nuk kanë asgjë të përbashkët me poezinë, por, sikur kjo fushatë “post-vrime” e “post-incest”, i gjithë ky puritanizëm të ishte për rreshtime vertikale vulgare, jo për gjuhën e përdorur, por për atë çka ndyn veshët e fëmijëve tanë (se është bërë e modës të flasim në emër të fëmijëve tanë, ndërkohë që ne “të vuajturit” mbajmë), në lidhje me estetikën poetike, atëherë mbase do të ishte më e ligjëruar parrulla “i gjithë populli në këmbë”, ndërkohë që poezinë e lexon vetëm elita e atyre pak që lexojnë e poezia nuk shitet. Në këtë dreq e të birë fushate është rasti të përgojojmë gjithë ata/ato që kanë “lëshuar gojën” nëpër shkrime, duhet patjetër të prononcohemi pro apo kundër, duhet patjetër të ngrejmë moralin si karton e ta klithim shkatërrimin që po i vika familjes nga vargjet. Mua personalisht më intereson poezia: Është apo nuk është ajo?! Por sa kohë kjo mbetet relative, duke u përkufizuar në fund si ndjesi personale që o mbërrin o nuk mbërrin, me çfarë metri t’i masim vargjet për të gjithë? Ndaj jam e shtrënguar edhe unë të flas nga pozita personale.
Një gjë është show-u e tjetër gjë është nevoja për t’u shprehur me të gjithë arsenalin që të vë fjalori në dispozicion të brengës, pamundësisë, rebelimit apo thjesht pikëvështrimit të brendshëm. Kritikorët janë të shpejtë sa edhe rruga që bën drita, vetëm se nuk di ku fshihen ndërsa ka nevojë për ta për të sistemuar një të tërë krijimtari që botohet çdo ditë. Kur s’ka poezi, (për shijen time), as që mbërrij të turbullohem nga incesti i përdorur, ndërkohë që njohjet bëjnë promovimet dhe e gjithë kjo është kthyer në institucion, po, kjo po që më vret çdo ditë…
Këmbëngul edhe një herë për ta mbyllur, se vargjet banale nuk janë tek fjalët “e pista” të përdorura, por tek vulgariteti i idesë dhe i së tërës në poezi, kjo përtej vertikales së fundit që “po bën hatanë”.
Më vjen keq kur dikush flet nga Olimpi i turmës dhe i eksperiencës personale të mbiquajtur (sepse dihet që s’ka kritikë që ta ketë bërë e ta bëjë), apo kur dikush tjetër kërkon të mbërthehet pas rreckave të babaxhanit të shtirur për të pasur pak “doni më për Belulin” me vete, madje më vjen keq edhe për disa të tjerë që mbasi e kanë provuar poezinë ta shkruajnë sipas “modeleve të të parëve tanë e botërorë”, por sigurisht të ezauruar tashmë, nisin e klithin për sa më shumë publikime të “të mëdhejve”, paçka se këta të sotmit, përfshirë edhe vetë ata, nuk po i gjejnë dot sitat e kritikës mirfilli.
Oburra se u bë deti poezi e poezia na prù gjëmën!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.