back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Në kujtim të Anton Harapit nga Ardian Ndreca

Gazeta

At Anton Harapi (1888-1946)
At Anton Harapi (1888-1946)

Në kujtim të Anton Harapit

nga Ardian Ndreca

Me kujtue At Anton Harapin,
domethanë me sjell në mend jetën e veprimin e nji shqiptari
që nuk ndejti asnjiherë në kapërcyell,
por dijti me sakrifikue vetveten për të mirën e përbashkët.
 
Me kujtue At Anton Harapin, domethanë me sjell në mend jetën e veprimin e nji shqiptari që nuk ndejti asnjiherë në kapërcyell, por dijti me sakrifikue vetveten për të mirën e përbashkët.
Tregonte sekretari i tij personal, At Viktor Volaj se kur hyni Italia në Shkodër, në vitin 1939, paria e Shkodrës, myslimanë e të krishtenë, shkoi te P. Antoni me e thirrë me u dalë para italianëve dhe me u mundue me zbutë paksa punën. Ishte logjika e thjeshtë e tregtarëve që donte mos me rrezikue vetveten, edhe pse nuk zotnonte kushtet shpirtnore e morale me i ba ballë stuhisë që po afronte. E At Anton Harapi, iu përgjegj: “Mosni mor burra, po ne na thirrni veç kur asht puna me e shti të dekunin në dhé!”.
Kjo asht kryefjala që spjegon aktivizimin e tij në politikë vitet e fundit, kur lufta vllavrasëse dhe terrori, anarkia dhe mungesa e shtetit karakterizojshin vendin tonë.
Vetë fjala e tij me rastin e marrjes së detyrës së regjentit, tregon se hapi i tij asht i shtymë vetëm prej nji qëllimi: me u mundue me ia shmang vuejtjet popullit shqiptar.
Italianët e konsiderojshin antifashist. Gjermanët e trajtojshin si filoanglez. Ekstremistat shqiptar në Regjencë e mbajshin si filokomunist. Komunistat e shihnin si krypën në sy.
Nji prej kushteve që vuni kur u ba regjent ishte mos me firmosë asnji dënim me vdekje, dhe ashtu bani. Komunistat nuk i trajtonte thjesht si kriminela dhe banditë për t’u asgjasue, por si shqiptarë të rrejtun me të cilët duhej edhe me u marrë vesht.
.
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist
Tregonte i ngarkuemi fuqiplotë i Hitlerit për Europën juglindore, ministri Hermann Neubacher, sesi nji herë At Antoni po i tregonte, Neubacherit dhe nji oficeri SS, sesi nji emisar komunist i kishte shkue në kuvend me folë me të… ndërkaq SS-it iu zgjuen instinktet e policit dhe s’iu durue me ndejt pa i kërkue hollësina me qëllim kapjen e menjihershme të komunistit.
Tue e ndie tue folë, P. Antoni i çuditun i tha: “Po ai ishte në besë teme, si mund të kallzoja un nji njeri që me bjen në derë, qoftë ai edhe anmik i jemi?”
Kjo gja gjermanit i tingllonte e pabesueshme, e pak a shumë logjikën e SS-it ndoqën edhe brigatat partizane të cilat me trimni të pashoqe dogjën e poqën familjet që strehonin apo mbanin nacionalista.
I vetmi ndryshim mes SS-vë dhe partizanëve që kryen krime kundër njerzimit, ishte se këta të fundit ishin shqiptarë.
P. Anton Harapi nuk pranoi me ndejtë në kapërcyell, pra as andej as këtej, ai sakrifikoi emnin e tij për Shqipninë. Në nji kohë që kishte prej atyne që çonin nji djalë me partizanët e nji nip me Ballin, nji kushri me Legalitetin e nji farefis me ushtrinë kombtare… për me dalë të fituem sido që të shkonin punët.
Ky shpirt oportunist ka shoqnue ma së shumti shqiptarët e pandershëm gjatë gjithë shekullit të kaluem e edhe ma andej.
Por P. Anton Harapi ishte burrë me ide të qarta e mbi të gjitha vente interesat e kombit të vet.
Pikërisht për me e kujtue në 120 vjetorin e lindjes së tij, me datën 3 maj 2008, Instituti i Studimeve Politike “Alcide de Gasperi” organizon në Hotel Sheraton në ora 10 nji konferencë shkencore kushtue figurës së tij madhore.
Në atë konferencë do të analizohet vepra e Harapit në pikëpamje gjuhsore, letrare, filozofike, historike, sociologjike – jo me qëllimin me i thur panegjirikë kësaj figure, por për me hjedhë dritë mbi veprimin e tij dhe mbi kushtet në cilat ai u gjind.
.
At Anton Harapi (pikture Pjerin Sheldija)
At Anton Harapi (pikture Pjerin Sheldija)
Mos të harrojmë se At Anton Harapi ka hy me të drejta të plota si në Panteonin e letrave shqipe ashtu edhe në fillesat e mendimit të mirëfilltë filozofik shqiptar.
Kryevepra e tij “Andrra e Pretashit” e ven atë në rradhën e parë të shkrimtarëve shqiptarë, mbasi aty ai ka dijtë me ravizue me ngjyra të gjalla shpirtin e vërtetë të shqiptarit verior, idealet, të metat, andrrat, tue mbërrijtë me anë të nji introspekcioni psikologjik me depërtue aq thellë në mendjen e në shpirtin e shqiptarit, atje ku asnji ma parë nuk kishte mujtë me hy.
Edhe vepra “Valë mbi valë” asht nji perlë tjetër e krijimtarisë së tij, ku ai nepërmjet dialogut të ngjeshun dhe përshkrimeve tridimensionale të natyrës dhe karaktereve na ka dhanë jo vetëm problemet shqiptare por edhe sinjalet e nji zgjidhje të tyne të mundshme.
Kjo konferencë ka meritën se asht ndër të paktat lëvizje të kohës së demokracisë që rreket me vlerësue figurën e At Anton Harapit, tue analizue veprat dhe jetën e tij.
Ajo që ban ma fort përshtypje asht fakti se në këtë tubim janë angazhue studiues të rinj, të pajisun me nji metodologji pune të re dhe me mendësi bashkëkohore – me anë të së cilës analizojnë “sine ira et studio” kohën në të cilën jetoi Harapi dhe njeriun që gjejmë tek ai.
Emnat e studiuesve të rinj si Ardian Marashi, Sandër Lleshi, Evalda Paci, Romeo Gurakuqi, Raim Beluli, Ledri Kurti, Anton Gojçaj përbajnë nji garanci për suksesin e kësaj konference, aktet e së cilës do të botohen në rradhonjtë e Institutit në fjalë.
Marre nga gazeta 55 01.05.2008

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.