back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Shenjtëreshë për dashuri – Nëna Tereze (1910-1997) nga Don Lush Gjergji

Gazeta

Nënë Tereza në Lutjet e saja
Nënë Tereza në Lutjet e saja

Shenjtëreshë për dashuri – Nëna Tereze (1910-1997)

nga Don Lush Gjergji

38 vjetori i Çmimit Nobel për Paqe;
20 vjetori i vdekjes;
1 vjetori i shenjtërimit;
viti i shugurimit të Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë
Vitin që po e lëmë pas, 2017, për ne,
Kishën katolike dhe popullin Shqiptar kudo në botë,
ka qenë i shënuar dhe i bekuar,
i frytshëm dhe domethënës në shumë kuptime dhe drejtime,
sidomos në përkujtimin e përvjetorëve të Shën Nënës Tereze
 
*38 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe, në Oslo (Norvegji), 10 dhjetor 1979;
*20 – vjetori i vdekjes së Shën Nënës Tereze, në Kalkutë, 5 shtator 1997;
*1- vjetori i shenjtërimit të Nënës Tereze nga Papa Françesku, në Vatikan (Romë), 4 shtator 2016;
*Shugurimi i Shenjtërores dhe Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, 5 shtator 2017.
.
Dom Lush Gjergji
Dom Lush Gjergji

Këto ngjarje shënojnë historinë e Kishës Katolike në popullin Shqiptar, si dhe historinë tonë kombëtare, me domethënie dhe porosi të mëdha dhe shumë aktuale për ne, por edhe për mbarë njerëzimin.

 
Ta njohim, zbërthejmë, shqyrtojmë, përjetojmë Nënën tonë Tereze, tiparet e saja dalluese, porositë e saja karakteristike, risitë që i ka dhuruar Zoti nëpërmjet saj, domethënien për ne dhe prej brezat e ardhshëm, veçoritë që atë e kanë karakterizuar dhe dalluar, sidomos në domethënien e fesë dhe të dashurisë së krishterë.
Tashmë ka kaluar koha e njohjes, paraqitjes, nderimit, admirimit, lartësimit të Shën Nënës Tereze. Jemi në një fazë të re dhe shumë të nevojshme, të rëndësishme, do të thosha për ne edhe vendimtare: urata, kulti i saj ndër ne, që përgatit dhe mundëson edhe imitimin e jetës dhe veprave të saja. Me shenjtërimin e Nënës Tereze, si dhe me ndërtimin dhe shugurimin e Shenjtërores kushtuar asaj në Prishtinë, mundësitë e njohjes dhe rritjes së përshpirtërisë ndaj Shenjtëresës sonë, janë të mëdha dhe me perspektiva tejet të rëndësishme për Kishën tonë.
Nënën Tereze Bojaxhiu e kam takuar shumë herë gjatë njohjes, shoqërimit dhe bashkëpunimit me të, në meridianë të ndryshwm të botës, që nga takimi im i parë personal në vjeshtë në Romë në vitit 1968. Unë atëherë isha student i vitit të dytë të filozofisë në Universitetin “Urabanian” në Romë. Atë e kam shoqëruar në pesë vizitat e saja në Kosovë: 1970, 1978, 1980, 1982 dhe 1986; isha me të gjatë Çmimit Nobel për Paqe (Oslo, 1979); në shumë vende të Evropës Lindore; sidomos në Kalkutë dhe në rrethinë (1989)…
Çdo takim ishte si i pari dhe i fundit, që më bënte përshtypje thjeshtësia, çiltëria, mirësia, bujaria, duresa, kujdesi dhe dashuria për të varfër ndër më të varfër, të gërbulur, ata që askush nuk i donte, sidomos malli për Atdhe, lidhja e ngushtë shpirtërore me Popullin dhe Kishën ndër Shqiptarë, por edhe vuajtja me ne dhe për ne, por edhe për njerëzit e mbarë botës.
Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës: tradita dhe përvoja familjare, kombëtare shqiptare, që mbështetet në këto parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”, si dhe përvoja dhe jeta dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, porosia e Jezusit që identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25, 40). Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë. Me 17 libra kushtuar Nënës Tereze, të përkthyera në shumë gjuhë tw botës, jam munduar t’i dokumentoj dhe argumentoj këto dy burime të pashterrshme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllaun apo motrën Njeri.
.
Nene Tereza...(2010) sipas piktorit Arben Morina
Nene Tereza…(2010) sipas piktorit Arben Morina

1.Disa risi në jetën dhe veprën e Nënës Tereze: feja, shpresa dhe dashuria.

Ndër risitë më të rëndësishme që kam hetuar unë janë këto: feja – që për Nënën Tereze ishte kërkim i Zotit në Njeriun dhe i Njeriut në Zotin në çdo fazë të jetës së saj. E kishte kërkuar Zotin dhe thirrjen, planin e tij prej moshës 12 deri 18 vjeçare, kur kishte vendosur plotësisht t’i kushtohet atij: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfrit e botës” (Letnicë, 14 gusht 1928). Gjatë 18 viteve si “Motër e Loretos” dhe së fundi prej vitit 1950, e deri te kalimi në amshim. Ajo kurrë nuk e ka ndarë Zotin prej Njeriut dhe Njeriun prej Zotit.
Shpresa – veprim gjithnjë dhe kudo me dashuri dhe për dashuri, me parimin: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.
Dashuria – flijim dhe dhurim pa kursim për t’u bërë dhe mbetur Nëna e Dashurisë.
.
Shën Tereza e Kalkutës (1910-1997)
Shën Tereza e Kalkutës (1910-1997)

2.Nëna universale – universalizmi i jetës dhe dashurisë.

Misioni i Nënës Tereze është Dashuria, vendveprimi është bota, mbarë njerëzimi, metodologjia është dëshmia e krishterë, qëllimi është lehtësimi dhe pakësimi i vuajtjeve, mënyra është pjesëmarrja e plotë dhe e lirë në jetën e tyre, të privilegjuar janë të braktisurit dhe të dëbuarit e botës.
Risia e dytë e Nënës Tereze ishte Universalizmi në çdo kuptim dhe drejtim kohor dhe hapësinor në dy parime themelore: Për Zotin – Dashuri dhe Njeriun – vëlla apo motër, pra, i jetës dhe dashurisë. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur në vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, gnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Ajo nuk kishte për qëllim kthimin e të tjerëve në fenë e krishterë, në Kishën Katolike, por “që të jetë në mesin e tyre rrezja e Pranisë dhe e Dashurisë së Zotit, që t’ua dhurojnë të gjithëve Zotin – Dashuri – Atë”.
Qëllimi i saj, pra, ishte diçka tjetër, dashuria dhe prania e Zotit në botën e sotme, sidomos ndër të varfrit më të varfër, të braktisur, të gërbulur, njerëz të përbuzur dhe të përjashtuar nga jeta e rëndomtë, për t’ua dëshmuar të gjithëve se çdo njeri është së pari Njeri, i afërmi ynë, vëlla apo motër, deri te ajo që në çdo Njeri ta shohim, njohim, duam dhe shërbejmë vetë Jezusi, dhe këtë me shembullin e jetës dhe dëshminë e përditshme.
Ja çka thotë Nëna Tereze për motrat që i ka themeluar ajo me emërtim “MISIONARET E DASHURISË”: “Misionarja e Dashurisë duhet dhuruar, por mbi të gjitha duhet ta dhurojë vetveten… Për t’iu dhuruar të varfërve dashuri, ne duhet të jemi të afta ta duam njëra-tjetrën në bashkësinë tonë rregulltare, t’i dhurohemi tërësisht Zotit nëpërmjet të afërmit, nevojtarit… Ne jemi motra rregulltare dhe thirrja jonë nuk është puna me të gërbulur, apo me njerëz në buzë të vdekjes: Thirrja jonë është të jemi tërësisht të Jezusit. Pasi jam e Jezusit, puna ime është mjet për ta treguar dashurinë ndaj Tij. Prandaj puna është mjet e jo qëllim jete!”.
.
Nanë Tereza (1910-1997)
Nanë Tereza (1910-1997)

3.Vuajtja – bekim e jo mallkim

Risia e tretë e Nënës Tereze është kjo: vuajtja, pësimi, mjerimi, varfëria, gërbula, Sida, si dhe çdo pësim tjetër, nuk është mallkim, dënim i Zotit, por hir, mundësi për ta treguar dashurinë ndaj Jezusit që vuan në njerëz të tillë. Ajo e shihte, e njihte, e shërbente dhe e dashuronte Jezu Krishtin në ata që nuk kishin më as pamje njerëzore.
Ajo thoshte kështu: “Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Ne varemi tërësisht prej Provanisë hyjnore… Ja ana më e bukur e rregullit tonë… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim.”.
 
4.Dhurim falas dhe në tërësi
Risia e katërt e Nënës Tereze është dhurimi falas dhe në tërësi, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: “Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëre këtë punë me zemër, ose mos e bën aspak!”.
Dhe vazhdon kështu: “Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.
Ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore dhe morale, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit nëpërmes njeriut.
.
Nanë Tereza & Papa Gjon Pali i II - Dy ikona të shek. të XX
Nanë Tereza & Papa Gjon Pali i II – Dy ikona të shek. të XX

5. Kontemplative aktive në botë

Veçoria e pestë e Misionareve të Dashurisë është kjo: kontemplative aktive në botë. Kjo do të thotë të jenë tërësisht të kushtuara Zotit në lutje, meditim, adhurim, pendesë, dhe si pasojë e kësaj jete shpirtërore, të jenë edhe aktive në botë me dashuri vepruese. Pse dhe si? “Të gjitha për Jezusin, në Jezusin dhe me Jezusin”.
Urata, meditimi, adhurimi, mesha, kungimi, me një fjalë e tërë jeta shpirtërore ka për qëllim që motrat të aftësohen për dashuri, për dëshmi, për veprim, për ta njohur, ndihmuar, dashur dhe shërbyer Jezusin në njerëz që vuajnë.
Kontemplative aktive domethënë ta kërkojmë, gjejmë, shërbejmë Zotin jo vetëm në çaste të kushtuara atij, në jetën tonë shpirtërore, por gjithkund dhe gjithnjë pikërisht me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë.
Nëna Tereze thoshte: ”Nëse e njohim, duam, adhurojmë, ushqehemi me Jezu Krishtin vetëm në meshë, në Kungim, është tepër pak. Ne lutemi, meditojmë, adhurojmë, marrim pjesë në meshë, e marrim Jezusin në Kungim në zemër për ta vazhduar këtë kërkim dhe shoqërim me të në përditëshmëri. Nëse e gjejmë dhe shërbejmë Jezusin në të varfrit tanë, atëherë jemi kontemplative në mesin e botës!”.
Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe gjatë do të mbesë Ungjilli i gjallë, risia ungjillore, Misionarja e Dashurisë, Nëna e botës së mjerimit, tash Shenjtëresha e Jetës dhe Dashurisë.
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.