back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Si u dorëzua pa kushte qyteti i Sarandës në duar e partizanëve, kur kapitulloi Italia fashiste… nga Dino Martiko

Gazeta

Dino Martiko
Dino Martiko

Si u dorëzua pa kushte qyteti i Sarandës

në duar e partizanëve, kur kapitulloi Italia fashiste…

nga Dino Martiko

Dino Martiko ishte negociatori me forcat italiane për marrjen në dorëzim të qytetit të Sarandës pa shkaktuar gjakderdhje. Abdul Hakiu, ish komisar i një batalioni partizan, i kërkoi tim ati në vitin 1968, të përshkruante me shkrim gjithë procedurën e ngjarjes. Dino Martiko në atë kohë kishte përfunduar burgun e tij të parë dhe si i tillë nuk mund të merrte pjesë në festimin e njëzetepesë vjetorit të kapitullimit, që do të zhvillohej në Sarandë. Vlen të vihet në dukje se Avdul Hakiu ishte pjesëmarrës në marrëveshjen e mësipërme. Ishte gjithashtu një kuadër i favorizuar i regjimit komunist. Në mënyrë të kujdesshme mbante marrëdhënie të mira me Dino Martikon.
Më poshtë po paraqes kopjen e dokumentit origjinal, të shkruar nga dora e tim ati. Vini re se si im atë përshkruan ndodhinë me vërtetësi, pa shtuar nga ato garniturat servile që në Kohën e Diktaturës ishin aq të zakonshme, të panumërta dhe aq shumë të neveritura…
Robert Martiko
.
Dino Martiko - Martir i Demokracisë
Dino Martiko – Martir i Demokracisë

Në datën 10 shtator të vitit 1943, në katundin Shën Vasil të Sarandës, vjen një batalion partizanësh nën udhëheqjen e Jaho Gjolikut si komandant dhe Abdul Hakiut si komisar, me qëllim për t’u bashkuar edhe me forcat partizane territoriale të Bregdetit të Sipërm (Nivicë, Shën Vasil, Lukovë, Piqeras, Sasaj, Borsh), në mënyrë që ditën tjetër të sulmonin forcat ushtarake italiane, që përbëheshin nga një regjiment me organikë të plotë.

Për arsye organizative, forcat e Bregdetit nuk mundën të vijnë në ndihmë në këtë ditë dhe batalioni në fjalë vendosi t’i drejtohet qytetit të Sarandës, për ta rrethuar e në vijim sulmuar forcat ushtarake italiane, që e mbanin të pushtuar prej disa vjetësh. Forcat partizane e kaluan mbrëmjen të përqendruara në manastirin e Shën Gjergjit të Nivicë-Bubarit. Shtabi i këtij batalioni me anë të një letre drejtuar komandantit të regjimentit të ushtrisë italiane kërkon me çdo kusht dorëzimin e të gjitha armatimeve si dhe përmbajtjen me materiale ushtarake të depove… Në të kundërt kundër tyre do të përdorej forca e armëve.
Të nesërmen, në datën 11 Shtator, në orët e para të mëngjesit, arrin në batalion përgjigjja nga komanda e garnizonit italian të Sarandës, ku kërkohet zgjedhja e dy personave të posaçëm, të deleguar për futje në bisedime. Shtabi i partizanëve ngarkoi për këtë detyrë Dino Martikon, kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të Bregdetit të Sipërm dhe komisarin e batalionit Avdul Hakiu. Ndërkohë forcat partizane u sistemuan dhe u vendosën përreth qytetit.
Entuziazmi i popullit të Sarandës qe i jashtëzakonshëm dhe i papërshkrueshëm, kur dalluan në qytet dy të deleguarit e mësipërm të armatosur e me yllin e kuq në kapelat e tyre. Në orën nëntë të kësaj dite filluan bisedimet me shtabin e regjimentit pushtues. Sipas vendimit të marrë më parë në batalion, të porsaardhurit i kërkuan komandantit të garnizonit të dorëzonte të gjitha armatimet dhe pajisjet ushtarake. Vetëm pasi të kryhej ky akt, italianët do të liheshin të lirë e në vijim do tu lejohej për t’u imbarkuar drejt Italisë.
Në fillim shtabi i regjimentit pushtues dha shenja mospajtushmërie të plotë në lidhje me kërkesat e partizanëve. Dino Martiko si njohës i mirë i gjuhës italiane, pasi i dëgjoi oficerët dhe komandantin italian për disa minuta rresht, u kujtoi ushtarakëve se ndodheshin të rrethuar plotësisht prej forcave partizane e në këtë mënyrë, nuk mund të ekzistonte për forcat e tyre kurrfarë shpresë për fitore.
Në fund të bisedimeve për kapitullim komandanti italian me ndjenja të përziera zemërimi, por edhe keqardhje për regjimentin e tij të rrethuar, pranoi me lot në sy të dorëzonte të gjitha armatimet si dhe përmbajtjen e depove me materiale moderne, ushtarake.
Brenda kësaj dite batalioni partizan hyri në qytet dhe në mënyrë të organizuar filloi marrjen në dorëzim të materialit ushtarak. Në vijim u procedua për formimin e Këshillit Nacional-çlirimtar të qytetit të Sarandës.
Përpara hotelit të njohur me emrin “Piro Pallas”, sarandjotë të shumtë morën pjesë në një festë e miting të madh. Pjesa më e madhe e regjimentit italian u imbarkua natën për më Itali. Një pjesë tjetër u largua drejt Ishullit të Korfuzit, ku për fatin e tyre të keq u zunë rob e u masakruan në mënyrë barbare nga gjermanët.
Krejt ndryshe veproi komandanti i divizionit “Peruxhia” në Gjirokastër. Ky nuk pranoi në asnjë mënyrë t’i dorëzonte armatimet komandës partizane të forcave territoriale dhe filloi marshimin drejt Sarandës. Siç njihet nga Historia, veprimi i tij u shoqërua me gjakderdhje.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.