Nji poezi e famëshme e at Gjergj Fishtës
dhe akuza e përjetshme e Komunizmit per antishqiptarizëm
“…asht detyrë e të gjithve,
që historia e përbindëshave të kuq,
të dalë deri në skutat ma të imta!
E kam botue këtë monografi para disa viteve,
ku flitet për jetën dhe aktivitetin e tim eti, muzikantit Zef Lekaj,
e ku nji ndër akuzat ma të randa ishte,
edhe dashnia e tij e thellë ndaj at Gjergj Fishtës…” leon lekaj
.
Hetuesi: Janë pikërisht këto ide, kjo propagandë që ti ke zhvilluar andej-këndej që të solli këtu. Je munduar me mish e me shpirt të helmatisësh njerëzit e artit që ke pasur pranë. Edhe për reaksionarin, klerikun e paturp, Gjergj Fishtën ke llomotitur. Ç’thua për këtë?
Unë (Zef Lekaj): Kam thënë se at Gjergj Fishta ishte Poet i madh.
Hetuesi: Po si s’ke turp të vlerësosh një njeri të tillë, që gjithë jetës ia ka kushtuar Italisë fashiste dhe reaksionit?
Unë (Zef Lekaj): Unë di që i ka shërbyer vetëm Shqipërisë.
Hetuesi: Gjepura! Vjershat e tija janë një hiç, një zero me xhufkë! Pastaj… ai pranoi të bëhej edhe Akademik i Italisë. Nuk e tregon kjo fytyrën e tij të vërtetë?
Unë (Zef Lekaj): Zoti hetues, shumë njerëz me vlerë kanë qenë Akademikë Nderi të një shteti tjetër, por kjo nuk tregon se ata kanë qenë të shitur tek të huajt.
Hetuesi: I pandehur, shihet qartë se sa i zhytur je në llumin e reaksionit dhe njëkohësisht se sa injorant që je. Si ke mundur të harrosh shprehjen e Fishtës kur shkruan: “…Le ta dijë bota mbarë, Se at Gjergj Fishta s’asht ma shqiptar…!” Ç’pret ti atëherë nga një poet që mohon troç atdheun?!
Unë (Zef Lekaj): Konteksti, në të cilën gjinden këto vargje të Fishtës nuk të çojnë tek ai përfundim, që ju pretendoni… pastaj… “Lahuta e Malcisë” a nuk është një provë e padiskutueshme e patriotizmit të tij?
Hetuesi: Jo i pandehur, jo! Dhe mos kujto se po ma hedh! Sapo përfunduam ekspertizën për veprat e Fishtës dhe këtë ekspertizë e bënë intelektualë të shquar si drejtori i Gjimnazit V. Gj. dhe profesori i historisë. Ata pohojnë se çdo vepër e Fishtës mban frymën e karakterit të tij reaksionar e antikombëtar.
Unë (Zef Lekaj): Ekspertiza e tyre zoti hetues, është e pavlerë sepse, ata nuk e kanë lexuar asnjëherë Fishtën, por edhe sikur ta lexonin nuk do ta kuptonin kurrë atë.
(Hetuesi u nevrikos përsëri, i ra ziles dhe polici më shoqëroi në qeli.)
Nga ditari i tim ati Zef Lekaj.
Materiali u mor nga faqja e FB, e Cezar Ndreut dhjetor 2016