back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

“Manipulim i fëmijëve” nga Brunilda Ternova

Gazeta

Fëmijët në Muzeun Kombëtar 2016
Fëmijët në Muzeun Kombëtar 2016

“Manipulim i fëmijëve”

nga Brunilda Ternova

Pak vite më parë, përvjetori i Bashkimit të Italisë u kthye në një rast meditimi edhe debati për historinë e atij vendi. Pika që shkaktoi debatin më të ashpër ishte organizimi i shfaqjeve artistike në shkollat fillore dhe në sistemin parashkollor. Në mjaft raste, ndër këngët që duhet të përfaqësonin 150 vitet e atij Shteti, u përfshi edhe “Bella Ciao” (këngë partizane italiane).
Mjaft prindër shprehën botërisht kundërshtinë e tyre, me letra të hapura në media, disa prej tyre arritën deri aty sa tërhoqën fëmijët nga shkollat, vetëm e vetëm për të mos përfshirë fëmijët në këndimin e këngës partizane. Me protestën e prindërve u bashkuan dhe media dhe organizata të ndryshme politike.
Arsyeja e kundërshtisë që shfaqi një pjesë e shoqërisë italiane ishte e thjeshtë; “Bella Ciao” është një këngë tejskajshmërisht e politizuar (sidomos me hyrjen e saj në kulturën pop të së majtës ndërkombëtare) e cila nuk përfaqëson historinë e vendit, por vetëm të një pjese të saj. Të pjesës, e cila fitoi atë që për shumë italian ishte veçse një luftë civile.
Prindërit italianë vendosën që fëmijët e tyre, në disa raste edhe katërvjeçarë, të mos himnizonin as luftën civile dhe aq më pak ekzekutimet në masë që e ndoqën. Vendosën, thjesht, që Autoriteti Publik të mos indoktrinonte fëmijët e tyre.
Në 2014, zv/Kryeministri shqiptar bëri të ditur programin e festimeve me rastin e “Ditës së Çlirimit”. Në kalendar përfshiheshin edhe aktivitete shkollore, si konkursi për shkollat 9-vjeçare për imazhin e Luftës dhe të kampionateve sportive midis shkollave. Ky do të ishte një rast i mirë që prindërit shqiptarë të mendoheshin më gjatë për aktivitetet kurrikulare dhe ekstrakurrikulare të fëmijëve të tyre se sa për personazhin e filmave vizatimor që do të zbukurojë çantat e fëmijëve gjatë vitit.
“Dita e Çlirimit” – sigurisht ka një përmbajtje të fortë, si politike ashtu dhe historike.
I marrim me radhë.
Vendosja e datës së “çlirimit” në një datë të ndryshme nga marrja e Kryeqytetit është një akt politik i pastër. Nuk i referohem këtu debatit “28 apo 29”, i cili sigurisht nuk është i dorës së dytë. I referohem faktit që në këtë mënyrë arriheshin dy qëllime. I pari është maskimi i asaj që në të vërtetë shpreh “çlirimi i Tiranës”, një grusht Shteti, ku forca antiqeveritare sulmuan dhe rrëzuan një qeveri të dalë nga një Asamble e ligjshme. Qëllimi i dytë, dhe më i rëndësishmi, shprehte politikisht dhe ushtarakisht vendimin e qeverisë grushtshtetase për të mos pasur “pretendime territoriale” (sic!!!) mbi fqinjët.
Shpesh është argumentuar se për datën e çlirimit mund të zgjidhet ose çlirimi i Kryeqytetit ose i qytetit të fundit. Pikërisht këtu qëndron vendimi politik. Shkodra nuk ishte qyteti i “fundit” i Shqipërisë. Qeveria që u rrëzua me armë përfshinte në sovranitetin e saj dhe territoret e çliruara gjatë fazave të LIIB-së. Pra Shkodra nuk ishte e “fundit”, më tej qëndronte Ulqini.
Partia Komuniste në mjaft raste, përpara nëntorit ’44 kishte deklaruar se do të bazohej mbi parimet e Kartës së Atlantikut dhe parimeve të tjera Aleate, kur përfshihej dhe mosnjohja e kufijve të ndryshuar gjatë luftës (si mund të ndodhte ndryshe kur mosrespektimi i tyre cenonte ata që kishin punuar, që prej viteve ’30, për ngritjen e asaj Partie) dhe në të njëjtën kohë dhe që fati i territorit etnik shqiptar do të vendosej pas lufte. Pranimi që Shkodra është “qyteti i fundit” shqiptar pohoi që qeveria e jashtëligjshme e Tiranës braktiste gjysmën e shqiptarëve në duart e armikut.
Dikush mund të protestojë duke vënë theksin në kalimin reparteve bolshevike në atë që për vetë Tiranën duhej të ishte Jugosllavi. Aktiviteti i tyre, gjatë regjimit, është mbuluar me “ndjekje këmba-këmbës okupatorit nazist”. Ajo që gjysma e shqiptarëve zbuluan vetëm vitet e fundit dhe që gjysma tjetër e dinte që në krye të herës, është se repartet bolshevike të nisura nga qeveria e jashtëligjshme e Tiranës u përqendruan bash në zonat ku rezistenca shqiptare kundër ripushtimit jugosllav ishte më fortë. Në thelb veprimtarie e këtyre reparteve kalon nga tradhtia në pjesëmarrje në masakra.
.
Elozh diktaturës... (Përmet 5 maj 2014)
Elozh diktaturës… (Përmet 5 maj 2014)

Në përfundim mund të themi se qeveria e re e Tiranës politikisht dhe ushtarakisht jo vetëm që braktisi gjysmën e shqiptarëve, por u përpoq aktivisht kundër tyre.

Nga pikëpamja historike, rezultat e “Ditës së Çlirimit”, janë edhe më të prekshme, shumë prej nesh i kanë përjetuar, në kurriz.
Partia Komuniste rezultoi të ishte organizata më e madhe kriminale krijuar ndonjëherë në Shqipëri. Çdo veprim i saj është i rrethuar nga pellgje gjaku. Që prej luftës vëllavrasëse (në kuptimin e parë të fjalës) që mbolli në Jug e deri në masakrat në Veri.
“Dita e Çlirimit” simbolizon vendosjen e regjimit terrorist të kësaj partie. Regjim që nisi me vrasje politike dhe shtypjen e rezistencës së armatosur në Shqipërinë londineze (rezistencë që përfshiu si malësitë e veriut ashtu edhe të jugut) dhe që përfundoi me skamjen e frikshme dhe vrasjet në kufi. As e ndërmjetmja nuk ishte më e lumtur, kampe përqendrimi, arrestime, vrasje dhe përdhunë.
“Dita e Çlirimit” simbolizon të gjitha këto.
Simbolizon se si një pakicë, me forcën e armëve dhe mbi të gjitha me ndihmën e armiqve të Kombit, mund të mbizotërojë shumicën. Simbolizon se si një popull mund t’i shkaktoj dëme të paimagjinueshme vetvetes.
Ky koment do të ishte i panevojshëm nëse ne, shqiptarët, do të ishim paqësuar me të kaluarën, por kjo e kaluar është ende nën lëkurën tonë. E ndjejmë në dhunën që ende vazhdon në territoret e braktisura nga qeveria bolshevike, e ndjemë në indoktrinimin që u bëhet fëmijëve tanë në shkollat botore. Rasti flagrant i 5 majit në Përmet është aty për të na treguar se ç’natyralizimi i “Njeriut të Ri” dhe mbrujtja me ideale antidemokratike dhe antikombëtare është ende vepruese ndër ne, se himnizimi terrorizmit vijon (me një hov jo të papërfillshëm kohët e fundit).
Në një situatë të tillë është detyrë qytetare rezistenca ndaj çdo përpjekje që godet idealet me të cilat Shteti Shqiptar u themelua më 1912.
Është detyrë qytetare mbrojtja e të gjitha vlerave që përbëjnë njëjësinë tonë kombëtare.
Më e pakta që mund të bëni është të bëheni burra e të mos lejoni që fëmijët tuaj të përfshihen në aktivitete politike. Mësojuni vlerat e lirisë dhe mbrojini nga çdo trushplarje vrastare.
Mbrojtja e fëmijëve nga ndikimet (neo)bolshevike është e vetmja garanci për të ardhmen e lirë të vendit tonë!

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ky është nji nga manipulimet me spektakolare të postkomunizmit, ku e gjithe klasa politike ka punuar në fasade si antikomuniste po me një prapavijë diabolike në mbështetje reale të diktaturës… tek brezat e rinj e në mënyrë të veçantë në të gjitha hallkat e shkollimit.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.