back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Prurje të reja për historinë tonë kombtare (Portret i atdhetarit Myrteza Bajraktari) nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Myrteza Bajraktari - Një vështrim tjetër i historisë
Myrteza Bajraktari – Një vështrim tjetër i historisë

Prurje të reja për historinë tonë kombtare

(Portret i atdhetarit Myrteza Bajraktari)

nga Thanas L. Gjika

Mbas shkërmoqjes së diktaturës, një varg poetësh e shkrimtarësh si Arshi Pipa, Uran Kostreci, prof. Sami Repishti, Lazër e Jozef Radi, Visar Zhiti, Anton Çefa, si dhe shumë studjues dhe analistë si Uran Butka, Pjetër Pepa, Tomorr Aliko, Fritz Radovani, Daut Gumeni, Agim Musta, Enver Memisha (Lepenica), Lek Pervizi, Eugjen Merlika, Mërgim Korça, Astrit Lulushi, Idriz Lamaj, prof. Ardian Ndreca, Myrteza Bajraktari, etj, të shtyrë nga pasioni për të zbuluar të vërtetën, kanë botuar artikuj dhe vepra me fakte dhe interpretime të rinj për shumë ngjarje dhe personalitete të ndryshëm historikë të përbaltur prej historiografisë komuniste. Përmes faktesh të shumtë, këta atdhetarë kanë treguar dhe dënuar shumë prej shtrembërimeve të historiografisë shqiptare marksiste, kanë theksuar se historianët e formuar në kohën e diktaturës duhet të evoluojnë, duhet të heqin syzet me ngjyrë që u kishte vendosur partia shtet për interpretimin e ngjarjeve dhe dukurive të së kaluarës dhe të mbajnë qëndrim kritik ndaj ideologjisë komuniste internacionaliste, që nuk ishte tjetër vetëm se një maskë e pansllavizmit agresiv, si ka thënë profesor Sami Repishti. Mirëpo botimi prej Akademisë së Shkencave i veprave “Histori e Shqipërisë” (vëll. III 2009) dhe i “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” (vëll I, 2008 dhe vëll. II-III 2009), tregoi se grupi i historianëve i drejtuar prej prof. Xhelal Gjeçovit dhe ai i hartuesve dhe redaktorëve të veprës enciklopedike, kanë mbeturina të theksuara të ideologjisë komuniste dhe nuk duan të dënojnë krimet e diktaturës komuniste. Këta historianë e studiues nuk duan të kuptojnë se nga reagimi ndaj së kaluarës varet jeta e jonë politike sot. Nga mësimet që nxjerrim prej së kaluarës, ne përcaktojmë trajektoren e edukimit të fëmijëve tanë, që do të bëhen politikanë e qeveritarë nesër.
Myrteza Bajraktari është pikërisht një nga atdhetarët, që me jetën dhe veprën e tij tregon se dalja nga bunkeri i mendësisë komuniste është një nevojë urgjente e atdhetarizmit shqiptar.
Këtë burrë të përkryer e njoha në Tiranë në vitin 1985, kur punonte si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë te shkolla profesionale 2-vjeçare. Na prezantoi miku i tij, emigranti kosovar Kurtesh Neziri. Të dy ishin atdhetarë fjalëpakë dhe shumë të njerëzishëm. Myrtezai e kishte kryer shkollën fillore në gjuhën shqipe gjatë Luftës së II Botërore, kur ishte hapur shkolla shqipe në Gostivar me përpjekjet e Ernest Koliqit. Më tej shkollimi i tij kishte pasur peripeci të ndryshme si në ish Jugosllavi e në Shqipëri. Me shumë mundime mundi të kryente studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe me korrespondencë në Fakultetin “Histori e Filologji” të Universitetit të Tiranës.
Më hyri në zemër që në takimin e parë: burrë i gjatë me sy të mëdhenj plot dritë. Flokët i kish të bardhë, të dredhur onde onde, si valët e Vardarit, ku ishte larë shpesh herë që fëmijë. Fisnikëria e tij binte në sy si në pamjen e jashtme shumë të rregullt dhe në sjelljen e matur e të kulturuar. Ndjehej që ishte bir i një familjeje të pasur fisnike të luginës së begatë të Pollogut. Zëri i tij shumë i veçantë, zë i ëmbël prej baritoni. Sapo e njoha herën e parë dhe ia dëgjova zërin, nuk munda ta harroja më Myrtezain. Sa herë e takoja në Tiranë deri në vitin 1992, kisha qejf të rrija me të e ta dëgjoja. Takimet me të ishin për mua leksione atdhetarie dhe burrnie.
E urtë, e këndshme është dhe bashkëshortja e tij, zonja Kimete, bijë e një familjeje tjetër fisnike shqiptare të ardhur nga qyteti i madh i Shkupit, ku sot mbizotërojnë ardhacakët sllavo-maqedonë. Kimeten e kisha njohur që në vitet 1966-1969, kur unë punoja si redaktor në “Radio Tirana”, e ajo si një nga violinistet e talentuara të orkestrës simfonike bashkë me Agustin e Lucie Simonin dhe motrat Tartari. Ata u martuan pas vitit 1970 dhe u shtuan me tre fënijë, dy vajza dhe një djalë.
.
Myrteza Bajraktari - Gjatë promovimit të librit të parë
Myrteza Bajraktari – Gjatë promovimit të librit të parë

* * *

Myrtezai ishte lindur në Gostivar më 15 prill 1933, në gjirin e një familjeje të pasur atdhetare që synonte bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar. I edukuar me të tilla ndjenja e mendime, ai gjithë jetën ia kushtoi lëvizjes kombëtare për bashkimin e trojeve tona në një shtet të vetëm. Burgimet në ish Jugosllavi e në Shqipërinë komuniste nuk ia shuan zjarrin e këtij ideali, të cilin e kanë pasur dhe e kanë atdhetarët e vërtetë, që nuk u gënjyen dje nga ideologjia internacionaliste komuniste dhe sot nuk gënjehen nga ideologjia e kozmopolitizmit. Që nga viti 1998, kur ai me bashkëshorten kaluan me banim nga Berna në Bruksel, është një nga bashkëpunëtorët dhe anëtarët e redaksisë së revistës “Kuq e Zi” të Lek Pervizit. Kurse tre fëmijët e tyre, që nga viti 1992 vijojnë të jetojnë në Zvicër, ku kryen shkollimet dhe punojnë me sukses në profesionet e tyre.
Përveç shumë artikujve, Myrtezai ka botuar dhe dy vepra studimore. E para titullohet “Një vështrim tjetër i Historisë”, ëest Print Tiranë 2011, 260 f. dhe e dyta “Sytki Hoxha – Një jetë e burgosur” ëest Print Tiranë 2013, 184 f.
Në veprën e parë ai ka përmbledhur shkrime historike ku jep shpjegimet e veta dhe dokumente të mbledhura me kujdes për periudha të ndryshme të historisë sonë kombëtare dhe vlerësime për disa personalitete të ndryshëm. Si kemi përmendur dhe në recensionin përkatës me rastin e daljes së kësaj vepre, kjo ka disa merita të veçanta.
Aty jepet një panoramë e shkurtër e historisë së popullit tonë që nga koha romake e deri në ditët tona, e parë ndryshe nga historiografia zyrtare.
Përmes shpjegimesh të mbështetura në fakte, jepen vlerësime të rinj për ngjarje e personalitete historikë të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ngjarje e personalitete të shtrembëruar deri sot prej historianëve të ideologjizuar.
Prej saj mësojmë shumë fakte të panjohur për lëvizjen kombëtare në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë;
Vepra ka një mori fotografish të panjohura ose pak të njohura për ngjarje e personalitete historike të periudhave të ndryshme;
Shfrytëzimi i një literature pak ose aspak të shfrytëzuar prej studiuesve të tjerë.
Problemet që e shqetësojnë më shumë studiuesin Bajraktari në librin e tij të parë, janë ngjarjet e Luftës së dytë Botërore në Shqipërinë e asaj kohe, ku përfshiheshin dhe trojet e pjesës më të madhe të Kosovës dhe të Shqipërisë Lindore (si e quan ai krahinën e gjerë të përbërë prej qyteteve dhe rretheve Strugë, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Dibër, që i ishin bashkuar Shqipërisë. Autori përpiqet të ndriçojë dhe sqarojë veprimtarinë politike atdhetare të disa personaliteteve si profesorët Selman Riza, Rexhep Krasniqi, të politikanëve si Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, avokatit Kadri Saliu, përfaqësuesit të qeverisë Gjermane Herman Nojbaher, etj. Ngjarjet në të cilat ndalet më tepër janë “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Qeveria Mitrovica”, e quajtura “Masakra e 4 shkurtit 1944”, “Regjenca”, “Konferenca e Bujanit”, “Masakra e Tivarit”, ngjarje për të cilat autori jep gjykimet e veta pozitive mbështetur në fakte të rinj, për të nxjerrë në dritë të vërtetën.
Interes të veçantë paraqet dhe veprimtaria politike ilegale e vetë Myrteza Bajraktarit. Me pseudonimin “Kreshnik Pollogu” në vitet 1952-’53 kur ishte student e mësues, ai kishte formuar në Shkup e Kumanovë organizatën ilegale “Shkëndia” me shtatë celula treshe, të cilat mbanin lidhje vetëm me kryetarin e saj, pa pasur lidhje me njera-tjetrën. Kjo organizatë propagandoi nevojën e bashkimit të trojeve shqiptare me atdheun mëmë, iu kundërvu hapjes së shkollave turke në popullsinë shqiptare, kundërshtoi shpërnguljen e popullsisë shqiptare myslimane të Maqedonisë për në Turqi si turq, etj.
Rrënqethëse janë përshkrimet e torturave që iu bënë autorit disa muaj me radhë në burgun e kalasë së Shkupit dhe pastaj trajtimi i tij si armik në atdheun mëmë, ku ai erdhi për të shpëtuar nga përndjekjet e sllavëve, por që ra nga shiu në breshër.
Vlera njohëse ka dhe veprimtaria e tij si përfaqësues diplomatik i Qeverisë Demokratike (qeveria e parë e Sali Berishës) në Bernë të Zvicrës pas vitit 1992, opinionet e tij vlerësuese dhe kritike për Sali Berishën, etj. Të gjithë e mbajmë mend skenën qesharake të Fatos Nanos para emigrantëve shqiptarë në Zvicër, ku atë e pyetën lidhur me vlerësimin e tij për ish diktatorin Enver Hoxha e ai u përgjigj: “Gjithkush e ka një baba, dhe ne socialistët e kemi atë baba shpirtëror.” Këtë takim e pati organizuar dhe xhiruar pikërisht Myrtezai.
Në vepër ka dhe vlerësime të bashkëvuajtësve për Myrtezain si një shembull i burrit që u qëndroi mundimeve të burgut, etj.
Historiografisë shqiptare iu shtua kështu një vepër me materiale që ndihmojnë për kthjellimin e mendësisë sonë nga tymnaja e ideologjisë komuniste. Kjo vepër bashkë me veprat e zotërinjve që përmendëm në fillim të këtij shkrimi, ngre me të madhe nevojën e grumbullimit të të gjithë fakteve historikë, pa seleksionim ideologjik dhe interpretimin e tyre larg nga politizimi partiak, për ta rishkruar historinë tonë kombëtare pa mllefe e pa mbajtur anë, por me objektivitet shkemcor. Me objektivitet shkencor kuptojmë interpretimin e paanshëm dhe pranim e të vërtetave edhe kur ato bien ndesh me bindjet personale të studiuesit.
Mësimi kryesor që përfiton lexuesi prej këtij libri është: Pa çlirimin e historianëve prej mendësisë komunisto-socialiste, nuk mund të kemi një histori kombëtare objektive, nuk mund të kemi as politikanë e as shoqëri të lirë…
 
* * *
Shoqëria shqiptare e dalë nga zgjedha komuniste, sidomos shumica e ish komunistëve dhe sigurimsave të kohës së diktaturës dhe shumica e anëtarëve dhe e simpatizantëve të Partisë Socialiste po përpiqen t’i lenë në hije vlerat morale, politike dhe letraro-artistike të të përndjekurve politikë, të këtyre njerëzve, të cilët në fakt sot përbëjnë ajkën e shoqërisë sonë. Madje ky grup i madh njerëzish synon edhe mënjanimin fizik të shtresës së të përndjekurve politikë. Autorëve të lartpërmendur shumë rallë u janë vlerësuar veprat e tyre nga zhuritë e ndryshme, nga gazetat dhe stacionet televizive. Media, duke qenë në shumicë në dorë të klanit socialist, ose të disa gjoja demokratëve, është përpjekur dhe përpiqet që të krijojë opinionin se në Shqipërinë paskomuniste, sundon kultura e arti socialist, ashtu si gjatë regjimit komunist sundonte arti e kultura e realizmit socialist.
Eshtë e pabesueshme, por është e vërtetë, se media e sotme shqiptare përpiqet ta justifikojnë dhe ta propagandojnë kulturën dhe artin e realizmit socialist si sukses të madh të arritur në kohën e diktaturës, me pretekstin se arti është art dhe ka vlerat e veta në çdo kohë, kur dihet se arti dhe kultura e asaj kohe ishte art dhe kulturë e helmuar me ideologjinë komuniste, e cila kapitulloi tek ne me turp, si në mbarë Europën Lindore. Kjo ideologji kapitulloi me turp sepse luftoi për shkatërimin e moralit njerëzor, mohoi shumë të drejta të njeriut, dënoi pa shkak atdhetarë e intelektualë që nuk iu nënshtruan politikës së partisë shtet. Arti e kultura që e propaganduan këtë ideologji kanë në thelb shumë deformime të historisë kombëtare të popujve ku sundoi ajo ideologji, deformime të moralit njerëzor, justifikime dhe lavdërime të politikës diktatoriale së partisë shtet, etj.
Një njeri i përvojtur, i pajisur me kulturë humane, si zoti Myrteza Bajraktari, nuk mund të linte në harresë vlerat e sivëllezërve të tij, bashkëvuajtësve të burgut. Pikërisht këtë tipar të tij manifeston vepra e dytë e Myrtezait kushtuar atdhetarit kosovar Sytki Hoxha, këtij djali të sinqertë, që erdhi në Shqipëri nga Kosova në vitin 1949 për t’i shpëtuar padrejtësive të shtetit jugosllav, por që u dënua dhe kaloi 30 vjet në burgjet e Shqipërisë dhe 7 vjet internime në kampet e punës, deri në vitin 1987.
Sytkiu ishte shtatë vjet më i madh se Myrtezai. Ata u njohën në burg dhe e vijuan miqësinë edhe pas kryerjes së dënimit. Sytkiu ishte një tip i heshtur, që fliste shumë pak për jetën, vuajtjet e veta dhe nuk tregonte për krijimet e tij letrare. Gjithë vlerat e këtij njeriu do të kishin humbur, sikur ai të mos kishte qenë mik i Myrteza Bajraktarit dhe bashkëshort i zonjës Mimoza.
Fati e ndihmoi atë, që në vitin 1996, kur jetonte si emigrant politik në qytetin ërje të Norvegjisë, gjatë vizitave në Tiranë, të njihej e të martohej me zonjushen simpatike Mimoza Përleka. Kjo bashkëshorte, me sjelljen e saj të kujdesëshme e të qetë, i krijoi Sytkiut kushte e frymëzim për të rishkruar disa nga veprat e tij të menduara e hartuara më parë.
Mbas vdekjes së bashkëshortit, Mimoza i mblodhi disa foto të Sytkiut, shkrimet e tij, letërkëmbimin e tij me Amnisty International dhe me bashkëvuajtësit Don Simon Jubani, Pjetër Arbnori, Uran Kalakula, Myrteza Bajraktari dhe motrën Behrie. Po ashtu ajo mblodhi dhe poezitë që u shkruan për të prej ish të burgosurve Daut Gumeni dhe Zenel Peposhi, si dhe fjalimet që u mbajtën në varrimin e tij prej miqve norvegjezë, të cilët e njohën dhe e vlerësuan emigrantin shqiptar me seriozitet e dashamirësi.
Mimoza përgatiti përmbledhjen të cilën ia vuri në dispozicion mikut dhe historianit Bajraktari, i cili u mor me hartimin e jetëshkrimit të Sytkiut dhe botimin e librit. Kështu si një bashkëpunim u realizua dalja e kësaj vepre me synime monografike për jetën e veprën e Sytki Hoxhës.
.
Myrteza Bajraktari - Sytki Hoxha - Një jetë e burgosur
Myrteza Bajraktari – Sytki Hoxha – Një jetë e burgosur

* * *

Jeta e Sytki Hoxhës është jeta e një njeriu të thjeshtë, por të talentuar, që rrethanat e jetës si në Jugosllavi, ku u lind e jetoi rininë, dhe në Shqipëri ku erdhi për të gjetur lirinë, nuk i dhanë mundësitë për të shijuar lirinë e ëndërruar dhe as iu krijuan kushtet për të zhvilluar talentin e tij, talent i cili, si do ta shohim më tej, do ta kishte ndihmuar të bëhej një vijues i denjë i Migjenit.
Sytkiu ishte lindur në qytetin e Gjakovës më 15 dhjetor 1927 në një familje atdhetare me shumë fëmijë: pesë djem e tre vajza. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë e pushtuar prej ushtrisë fashiste e gjeti Sytkiun 14-vjeçar. Pa i mbushur ende të gjashtëmbëdhjetat, i frymëzuar nga ideali i lirisë, doli malit partizan dhe u inkuadrua në forcat rajonale në Gri të Tropojës. Ndonëse shumë i ri ai mori pjesë në Konferencën e Bujanit që u mbajt në fund të vitit 1943. Pas mbarimit të luftës ai u inkuadrua me gradën toger në ushtrinë e Kosovës, që i ishte dhënë sërisht Jugosllavisë (Serbisë). Por shumë shpejt e ndjeu se jeta ushtarake nuk ishte zgjidhja e drejtë dhe u çmobilizua. Filloi punë si sportelist në një hotel në Prishtinë, mirëpo, pa e pyetur e veshin polic dhe e dërgojnë me detyrë në Mitrovicë, Kamenicë, Kaçanik, Vuçitern dhe Prizren. Në këto vite ai ndoqi në gjuhën serbe shkollën e mesme natën dhe e mori diplomën e gjimnazit në vitin 1948. Duke parë shumë padrejtësi që u bëheshin shqiptarëve prej regjimit sërb, Sytkiu vendosi të largohej nga Jugosllavia dhe në shkurt të vitit 1949 kaloi kufirin e hyri në Republikën e Shqipërisë, ku sipas emisioneve të Radio Tiranës, që kishte dëgjuar, mendonte se kishte demokraci të vërtetë.
Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të Jugosllavisë që kërkonin strehim politik në Shqipëri edhe Sytkiu në shtetin amë, nuk gjeti demokracinë e ëndërruar, por një regjim edhe më diktatorial se ai i Jugosllavisë së Titos. Në Shqipëri mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë botohej një gazetë në serbisht për emigrantët serbë e malazezë. Në këtë gazetë Sytkiun e punësuan si redaktor. Në këtë gazetë u botuan mjaft artikuj të tij, kurse në emisionin sërbisht të “Radio Tiranës” ai transmetoi komente të ndryshme. Në vitet 1950-1952 ai ndoqi studimet e larta për gjuhë shqipe, letërsi dhe histori. Mirëpo për mendime liberale ai u dënua dhe përfundoi në kampet e internimit në Llakatund të Vlorës, në Seman të Fierit, në Çermë të Lushnjës dhe Berat. Në mars të vitit 1957, ai largohet nga internimi dhe shkon në Maliq të Korçës për të kaluar në Greqi, prej ku mund të riatdhesohej në Kosovë. Në Maliq e kapin dhe e shpien në Degën e Punëve të Brendshme të Korçës ku e torturuan barbarisht për 11 ditë rresht. Pastaj e shpunë në Degën e Punëve të Brendshme të Tiranës ku i kërkuan të nënshkruante se do të shërbente si informator i Sigurimit të shtetit shqiptar. Sytkiu kishte dëgjuar sesi ishin trajtuar ata që kishin kundërshtuar, prandaj pranoi të firmoste që të mos vijonin më torturat mbi trupin e tij të dërmuar. E shpunë në kampin e internimit në Llakatund, por ai në vend që të informonte policët për ato që bisedonte me të dënuarit e tjerë u tha dy bashkëvuajtësve, Shefqet Meçes dhe Haxhi Gjocit, për nënshkrimin e deklaratës për bashkëpunim, që të ruheshin prej tij. Pas dy muajve, kur u ngroh moti, Sytkiu tentoi të arratisej edhe një herë, por edhe kësaj radhe dështoi dhe pasi e kapën, e dënuan me 15 vjet burg për tradhëti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë. Në vitin 1967, pasi e kreu dënimin, i komunikuan lirimin, por ai kërkoi që ta riatdhesonin në Kosovë. Atëhere e marrin me dhunë dhe e shpien në kampin e internimit në Seman. Pas disa javësh tenton të arratiset përsëri, kësaj radhe nga kufiri i veriut, anës Liqenit të Shkodrës, por e kapin në pikën Zogaj dhe e ridënojnë me 15 vjet të tjerë heqje lirie. Në vitin 1979, e ridënojnë në burg me 11 vjet të tjerë për agjitacion e propagandë.
Ramiz Alia, në detyrën e Presidentit dhe të Sekretarit të parë të PPSH-së, për të treguar se po e zbuste diktaturën, më 22 janar të vitit 1987, e liroi Sytki Hoxhën nga burgu i Burrelit, pasi kishte kryer 7 vjet internim dhe 30 vjet burg, nga 41 vjet burg që ishte dënuar gjithsej. Sytkiu u vendos në Tiranë. Duke mos pasur mjete jetese ai kërkoi të riatdhesohej në Kosovë pranë familjes së tij, por kësaj radhe shteti shqiptar ia dha të drejtën për riatdhesim, kurse shteti jugosllav ia kundërshtoi, sepse kundër tij ishin shkruar shpifje të ndryshme, ku paraqitej si veprimtar antijugosllav.
Në vitin 1990 Sytkiu mundi të shkonte në Gjermani, ku kërkoi azil politik përmes agjensisë Amnesty International. Më tej u vendos në qytetin e vogël Orje të Norvegjisë, ku gjeti paqen e lirinë që kërkoi gjithë jetën. Aty, midis “njerëzve të shenjtë”, si i quante ai banorët e atij qyteti, i kaloi vitet më të mira të jetës. Aty u lumturua 11 vjet me bashkëshorten Mimoza Përleka Hoxha. Më 5 qershor 2007, ky shqiptar i vuajtjeve të mëdha, u largua nga jeta duke thënë: “Më mirë që vuajta unë prej të tjerëve sesa të kishin vuajtur të tjerët prej meje”, fjalë të pakonceptueshme prej një ish komunisti, ose ish roje burgu, hetuesi a gjyqtari të kohës së diktaturës…
Aftësitë krijuese të Sytki Hoxhës shpalosen në disa skica, tregime dhe reportazhe. Në tregimin e parë “Tingujt e Fyellit”, autori ngre problemin e arrestimeve pa shkak dhe zhdukjen nga jeta pa gjyq të njerëzve që dyshoheshin si kundërshtarë të regjimit diktatorial. Ky krijim letrar ka një hyrje ku autori sqaron detyrën e tij si krijues: “Të jem sa më konçiz, që të mos ia vjedh kohën lexuesit.” dhe “Të mos pajtohem me gënjeshtrën, skllavërinë dhe dhunën” (f. 109). Tregimi është i ndërtuar sipas fantazisë krijuese të autorit dhe jo duke riprodhuar ndonjë ngjarje të jetuar. Aty tregohet se si një ditë vere, kur autori po ujiste zarzavatet e kampit të internimit, filloi të shqetësohej nga melodia vajtimtare e një fyelli. Shkoi pas tingujve të fyellit dhe arriti të gjente një djalë të ri që i binte fyellit me motrën e tij më të vogël varur mbi supin e tij. Djaloshi vajtonte humbjen e babait të tij. Hyjnë brenda në kasolle, ku autori takon dhe dy motra të tyre, një nuse, që ishte nëna e fëmijëve dhe vjehrrën e saj, pra gjyshen e fëmijëve, nënën e të zotit të kasolles. Këtë e kishin marrë forcat e Sigurimit 11 ditë më parë dhe pastaj kishin lajmëruar se ai kishte vdekur duke u hedhur nga dritarja e zyrave të Degës së Brendshme. Këtë lajm nëna plakë nuk mund ta besonte. Mosbesimi i saj lihet të kuptohet se përputhej me mosbesimin e vetë autorit.
Shkrimi, që të kujton tipare publicistike të Bilal Xhaferit, është shkrimi “Valle mbi kockat e të vdekurve” ndërtuar në formën e një reportazhi ku autori paraqitet me pseudonimin Blin Marku dhe i shtjellon ngjarjet në vetën e parë. Autori, personazhi kryesor, quhet Artan. Ai tregon çfarë pa e dëgjoi si pjesëtar i një grupi gazetarësh të ardhur nga Kosova për të marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës gjatë tetorit 1973. Aty theksohet pritja pompoze me ushqime të bollshëm e shumë sende zbukurimi në familjen gjirokastrite Dino, ku u strehua autori; atmosfera festive e gjithë qytetit, ku binin në sy furnizime e shpenzime të mëdha të mbuluara prej buxhetit të shtetit, hareja e madhe pompoze e popullit që këndon dhe vallzon edhe nëpër rrugët e qytetit; e folura si e një roboti të kurdisur e shoqëruesit, etj. Në kontrast me këtë atmosferë zbulohet se populli vuante edhe për ushqimet e zakonshëm, dhe se skena ku hidheshin vallet dhe vendqëndrimi i spektatorëve ishin vendosur në një shesh, ku para pak kohe ishte varri masiv ku ishin varrosur të dënuarit pa gjyq që vuanin në qelitë e burgut të kalasë së Gjirokastrës. Kjo e vërtetë, thekson autori “m’i hapi sytë për t’i parë gjërat ashtu siç ishin në lakuriqësinë e tyre e jo siç visheshin me vello të rreme në biseda e shkrime.” dhe në fund nxiret përfundimi: “Ky muaj për mua dhe për të vërtetën… Nuk duhej të ishte muaj feste, por muaj zije, muaj që të kujtonte se si hidhej valle mbi kockat e të vdekurve” (f. 123).
Nga fundi i shkrimit, autori shton se kjo atmosferë kontradiktore, ku populli nuk e kuptonte të vërtetën, i kujton dy vargje të poetit malazez Negoshit:
“Populli im, fuqia ime,/Populli im, bagëtia ime…”(f. 124).
.
Tregimi “Një natë pa gjumë në hotel” është një vepër migjeniane. Subjekti i veprës përqendrohet në 24 orët e para pas lirimit të autorit nga burgu i Burrelit, më 22 janar 1987. Ishte një ditë shumë e ftohtë mbuluar me re të dendura, krejt pa diell. I liruari nga burgu, sipas porosisë që iu dha duhej të flinte te hoteli i vetëm i qytetit. Të nesërmen dikush do ta merrte e do ta shpinte në kryeqytet, ku duhej të sistemohej vetë. Në hotel dhomat ishin dyshe ose treshe, por asnjë nuk pranonoi ta merrte në dhomë. Sportelistja, një vajzë vendi me zemër të mirë mezi ia mbushi mendjen një mjeku që ta pranonte këtë nevojtar të flinte në dhomën e tij. Mjeku banonte prej kohësh në atë hotel, sepse strehimi ishte i pamundur për kuadrot e ardhur. Ishte komunist e bir komunisti, pra një nga ata qytetarët që flisnin si robotë me slogane gazetash. Ai i drejtohej autorit (personazhit bashkëbisedues) me fjalën “shoku Mark Shpati…”, gjë që e bezdiste Markun, Shumë miq të doktorit, kur morën vesh se në dhomën e tij do të flinte një i liruar nga burgu erdhën të njiheshin me të. Këtu autori shpalos thelbin e problemit: I sapodali nga burgu dhe qytetarët e lirë, përfaqësojnë dy mentalitete shoqërorë të kundërt. Nga bisedat e pyetje-përgjigjet midis mjekut e miqve të tij nga njëra anë dhe Markut nga ana tjetër, të cilat zgjatën deri nga mëngjezi, zbulohet e vërteta e madhe: i sapoliruari prej burgut mendonte si qytetar i lirë, kurse qytetarët e jashtëburgut ishin të ndrydhur, e kontrollonin veten, flisnin me slogane, si njerëz me mendësi të burgosur. Pra në burg, Marku me bashkëvuajtësit kishin krijuar një botë të lirë ku komunikohej lirshëm dhe pa frikë, kurse qytetarët jetokëshin në një botë ku mungonte liria dhe sundonte frika nga njëri tjetri. Këta njerëz i shprehnin keqardhje Markut për vitet e kaluar në burg, kurse Marku ndjente keqardhje për ta për kohën e tanishme, të cilën e jetonin si të burgosur mendorë. Si konkluzion, autori kuptoi se nuk ishte liruar vërtet, por se kishte kaluar nga burgu i vogël te burgu i madh, ku nuk i nevojitej mençuria, po vetëm bindja e besnikëria ndaj rendit në fuqi.
Kur mbetën vetëm, mjeku i thotë Markut, këtij 60-vjeçari pa mjete jetese, pa shtëpi dhe pa punë, që të ishte optimist për të ardhmen, sepse për partinë njeriu ishte kapitali më i çmuar dhe ajo do të interesohej dhe për të. Marku e mbajti veten dhe, ashtu si nuk iu përgjigj shumë pyetjeve të vizitorëve, nuk ia shprehu mendimin e vet as mjekut. Nuk i tha si mendonte, se partia me “mençurinë e vet e kishte sjellë në një pikë të tillë shoqërinë shqiptare ku asnjëri nuk i besonte tjetrit, ku as vëllezërit nuk janë më shokë e miq si dukur” (f. 101). Dhe më tej kur erdhi biseda per partinë, atdheun dhe historinë, Marku shprehet me zërin e ndërgjegjes: “Ec e thuaji se partia në të cilën aderonte, në emër të atdheut varfëronte atdheun, në emër të traditave shkatërronte traditat; ec e thuaji që duke i lavdëruar të vdekurit partia e tij, vriste e priste të gjallët, vetëm e vetëm sepse nuk vepronin e nuk mendonin si ajo…” (f. 107)
Në letrat e Sytki Hoxhës me shkrimtarin Pjetër Arbnori, ai ka shprehur disa mendime me vlerë për shkrimtarin më të talentuar të kohës së diktaturës, për Ismail Kadarenë. Në letrën e datës 20 janar 1991 (botuar në gazetën “Republika” të qytetit Sarborg të atyre ditëve), pasi flet për rëndësinë që pati kërkimi i strehimit politik të këtij personaliteti për botën shqiptare brenda e jashtë atdheut dhe për vetë Kadarenë, autori nuk le pa përmendur disa dobësi të veprës dhe mentalitetit të shkrimtarit të shquar: “…veprave të Kadaresë u mungojnë veç të tjerave, dy gjëra kryesore: plagët e popullit shqiptar dhe e vërteta. Nga ana tjetër veprave të Kadaresë nuk u mungojnë ato që duhej t’u mungonin: lavdërimi me art i sistemit tiranik dhe lavdërimi i vetë tiranit, para dhe pas vdekjes së tij.
Në intervistat e tij, para dhe pas “kthesës”, vërej me keqardhje që Kadareja nuk ka gjetur forca në vetvete për të ndryshuar mënyrën e vjetër të të menduarit për sendet, për njerëzit dhe ngjarjet. Në intervistën dhënë “Zërit të Amerikës” sa ishte në Tiranë, ai nuk vlerësoi asnjë shkrimtar shqiptar të persekutuar a të vrarë, ai nuk përmendi as Trifon Xhagjikën, që e vrau tirani për dy tre vjersha, në të cilat shprehej vreri dhe vuajtja e popullit shqiptar; ai lavdëronte vetëm “talentin”, ai nuk donte të dinte se më tepër çmohet një letër e shkruar me zemër, se njëqind letra të shkruara me art” (f. 67-68).
Të tilla mendime të botuara në norvegjisht, duket se janë lexuar dhe prej anëtarëve të komisionit të zhurisë që jep çmimin Nobel në Stokolm të Suedisë…
Pa këtë punë të Myrteza Bajraktarit, ne nuk do të kishim rënë në kontakt me jetën e veprën e Sytki Hoxhës, me vlerat e tij morale, letrare dhe kritike…
 
* * *
Po vjen 15 prilli 2018, pra 85-vjetori i lindjes së atdhetarit Myrteza Bajraktari. I propozojmë Ministrisë së Kulturës, asaj të Arsimit dhe Institutit të Studimeve që të përgatisin një vëllim me shkrime të zgjedhura të atdhetarit dhe studiuesit Bajraktari dhe ta botojnë në tirazh të madh me qëllim që ta shpërndajnë në të gjitha libraritë, bibliotekat dhe shkollat e mesme e të larta të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Kështu kthehen në pronë mbarëkombëtare arritjet e këtij studiuesi, punë të cilën ministritë e qeverive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të koordinojnë së bashku si plan pune…
 

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.