back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kolana e Dhimbjes – Botohen dorëshkrime të ish të burgosurve politikë

Gazeta

ISKK -Dosja e Diktaturës - Pjetër Pepa
ISKK -Dosja e Diktaturës – Pjetër Pepa

Kolana e Dhimbjes

Botohen dorëshkrime të ish të burgosurve politikë

Memuaristika

“Zërat e Kujtesës” rikthehet në vëllimin e IV me dëshmi të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet komuniste të internimit. Ky vëllim ofron një seri të gjatë bisedash të filmuara, që kanë zhvilluar Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku. “Një numër i madh i të intervistuarve, për fat të keq, nuk jeton më, çka e shton domosdoshmërinë për nxituar sa më shumë e prapë nuk është e mjaftueshme”, thotë Tufa, duke bërë me këtë rast edhe thirrjen që kushdo mund të kontribuojë duke intervistuar një brez që po largohet, pa na rrëfyer përvojën e vet të hidhur.
ISKK - Zërat e Kujtesës - Vëllimi IV
ISKK – Zërat e Kujtesës – Vëllimi IV
Në këtë vëllim flasin për kalvarin e tyre ish-të burgosurit dhe të internuarit Agim Akcani, Asije Habili, Lekë Frroku, Reshat Kripa, Flora Mirakaj, Mirush Osmani dhe Prelë Syku.
Në lëmë të memuaristikës vjen edhe libri i përmirësuar “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, të memuaristes Fatbardha Mulleti.
“Kujtimet e një gazetari të regjur”, i gazetarit italian Luan Rexha (me prejardhje shqiptare) i shtohet kësaj kolane. Është realiteti komunist i viteve shtatëdhjetë, i parë me sytë e një gazetari të huaj.
Një zë nga një tjetër rreth ferri sjelli libri memuaristik i ish-të burgosurit politik, Shkëlqim Abazi, me titull “Repsi” (Kampi i punës së detyruar) – e para monografi memuaristike për këtë kampburg gjatë diktaturës.

.

ISKK - Ermira Xhomaqi - Përtej Harrimit - Abdulla Rami
ISKK – Ermira Xhomaqi – Përtej Harrimit – Abdulla Rami

Studime e Dokumente

Në lëmë të studimeve vjen një monografi nga Vasfi Baruti, që pritet të ngjallë reagime, me titull “Enver Hoxha – gjysma tjetër e hënës”. Agron Tufa shprehet se “monografia është ndër studimet më të imëta e skrupuloze që më ka rënë të lexoj për zbërthimin e figurës së diktatorit përmes dokumentesh, gjurmësh e dëshmish. Një studim voluminoz, ku ndërthuret pasioni i zhbirilimit të së vërtetës me një intuitë të hollë prej detektivi.
Faktet që sjell Baruti janë të paabstragueshme dhe ndërtojnë disa linja të mistershme, që rrëfejnë se nga çfarë gjirizesh vinte Enver Hoxha dhe si arriti ai të ndërtonte personalitetin e tij kult.”
Dr. Pjetër Pepa sjell një tjetër monografi me titullin, “Dosja e Diktaturës”, konsideruar si një “enciklopedi e dhimbjes”.
.
ISKK - Bedri Blloshmi - Saga e Blloshmëve
ISKK – Bedri Blloshmi – Saga e Blloshmëve
Pjesë e kolanës është edhe libri monografik voluminoz, “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist” i Bedri Blloshmit, një ndër pinjojtë e mbijetuar të familjes, autorë librash të rëndë- sishëm si, “Nga ferri komunist”, “Revolta e Qafë-Barit”, “Spaçi”, etj.
Po ashtu, interes paraqet edhe libri studimor “Gjyqi i Grupit Tekniko-Intelektual (Procesi i Maliqit) 1946” të përgatitur nga studiuesi Leka Ndoja, kryesisht mbi dokumente e akte gjyqësore politike nga arkivat e shtetit.
Studiuesi Kastriot Dervishi vjen me dy libra dokumentarë, “E vërteta e ‘komplotit çam’ në vitin 1960” dhe “Terrori komunist i vitit 1951”, mbështetur në dokumente autentikë nga arkivat shtetërorë.
Një tjetër libër me dokumente autentike nga arkivat shtetërore të Romës, i quajtur “Fondi Pariani”, pritet të botohet së shpejti.
Një libër që hedh dritë mbi një figurë ambigue, hero i Luftës së Parë Botërore e më pas, i besuar i Musolinit. Përkundër këngëve të njohura partizane, Enver Memishaj (Lepenica) sjell një botim me titull “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”. Libri prej 500 faqe na njeh me historikun e një repertori tejet të begatë të teksteve të Ballit Kombëtar, për bukurinë e tyre artistike dhe patosin patriotik. Dokumente, foto, letra, faksimile e dorëshkrime autentike poezish origjinale dhe përkthime, ofron monografia e vëllimshme “Përtej harrimit – Abdulla Rami”, të autores Ermira Xhomaqi, duke ndriçuar një nga figurat më të shquara të elitës intelektuale shqiptare.

.

ISKK -Isuf Luzaj - Kujdesjet e Bletës
ISKK -Isuf Luzaj – Kujdesjet e Bletës

Vepra Letrare

Krijimtaria letraro-memuaristike, përkthimet dhe fjalorët, përbëjnë një vend të posaçëm në kolanën e botimeve të ISKK. Përbën ngjarje të veçantë botimi i 6 librave filozofikë të filozofit, shkrimtarit e poetit Isuf Luzaj (1913-2000), një ndër personalitetet më të shquara të mendimit shqiptar. I anatemuar gjatë diktaturës dhe i mërguar, Luzaj qëndroi dhe shkroi veprën e vet kryesisht në Argjentinë. Hartues i Dekalogut të Ballit Kombëtar, Isuf Luzaj ishte ndër intelektualët antikomunistë, që dëshironte të realizonte idealin kombëtar të Rilindësve për një Shqipëri të Bashkuar e Demokratike.
Sipas Agron Tufës, 6 librat me ese filozofike e interpretative (metafizika dhe metalogjika) botohen për herë të parë dhe janë organizuar brenda 2 vëllimeve me mbi 400 faqe secili, nën titullin “Kujdesjet e Bletës”. “Këto janë fillimi i një publikimi në vazhdimësi i të gjithë trashëgimisë filozofike të Isuf Luzajt, të mbetur në dorëshkrime dhe që përbëjnë dhjetëra vëllime”, thotë Tufa.
Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit lajmëron po ashtu, botimin e dy librave të poetit të ndjerë Hektor Shenepremte, përkatësisht, vëllimit me poezi “Udha e Kryqit” (poezi të shkruara në burg e internim) dhe “Ferri” të Dante Alighierit (të përkthyer ad literam në internim). Dy veprat shoqërohen me dy parathënie nga Neritan Ceka dhe Agron Tufa.
.
ISKK - Enciklopedia e Historisë së Botës - përkth. Lazër Radi
ISKK – Enciklopedia e Historisë së Botës – përkth. Lazër Radi
Lexuesi do të marrë në duar edhe “Enciklopedi e Historisë së Botës” të historianit John Bawle, të përkthyer nga i ndjeri Lazër Radi, ish i dënuar politik i regjimit komunist dhe është përgatitur për botim nga i biri, shkrimtari Jozef Radi. “Këto përkthime kanë vlerë të madhe për ne, se janë përmbushur në kushtet e burgjeve dhe internimeve”, thotë Tufa.
Një rëndësi të veçantë merr botimi i vëllimit të dytë të “Fjalor i shtjelluem i gjuhës shqipe – Bimë e frymorë – flora dhe fauna” i Atë Benedikt Demës. Vëllimi i parë të kësaj vepre heroike voluminozë të mbetur në dorëshkrim në arkivat e shtetit komunist, është botuar nga ISKK dy vjet më parë.

.

ISKK - Hektor Shenepremte - Koha e Kryqit
ISKK – Hektor Shenepremte – Koha e Kryqit
Në kolanën që do të dalë këto ditë, përfshihet edhe romani memuaristik në dy vëllime “Pështjellimet e fatit” të shkrimtarit Sokrat Shyti. Sokrat Shyti (1941 -) është një ndër romancierët dhe memuaristët qendrorë nga të mbijetuarit e kampeve të internimit komunist. Romani është një autopsi e përditshmërisë ngjethëse e të ankthshme të viteve ’60, fill pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me BRSS-në.
Pritet gjithashtu, botimi për së afërmi i albumit narrativ, “Një si mijëra familjet e tjera” të autorit Musa Çapani, një i mbijetuar i kampeve të internimeve komuniste që në mituri e deri në rënien e diktaturës.
Marrë nga http://www.panorama.com.al/wp

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.