back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Deheroizimi i Heroit Kombëtar esse nga Jozef Radi

Gazeta

Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1468-2018)- Bust
Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1468-2018)- Bust

Deheroizimi i Heroit Kombëtar

esse nga Jozef Radi

U ba kohë që figura ma e ndritun e historisë shqiptare, e cila për fat figuron si në gjithë enciklopeditë e botës, ashtu edhe në themele të kujtesës së nji kombi, vazhdon me qenë objekt diskutimesh, gjykimesh, vlerësimesh, çka s’përban asgja të keqe, po kur zbritet në gjykimet e asaj kohe, 600 vitesh të shkueme, me parametrat e politikave dhe gjeostrategjive të sotme, nuk mbrrihet askund veçse në degradim, fanatizëm, përdhosje e sharlatanizëm diletantesk, për të cilat asht shumë ma e dinjitetshme mos me folë, e lene ma me shkrue.
Historia e Gjergj Kastriotit, të quejtun edhe Skënder bej o Skander Beg asht nji histori mesjete, ku Ballkani kjo hapësinë e madhe dhe e pakufij, ku vojvodë, princa, mbretën e carë, ishin n’nji shesh interesash e intrigash të vorbullta mes tyne, po edhe nën kërcëllimën e dhambve t’nji perandorie të fuqishme në ekspansion të plotë. Si e tillë, gjithçka e kësaj periudhe ka me vedi krejt ngjyrat dhe marrdhaniet e asaj kohe. Vetë emni i dyfishtë i heroit në fjalë, e ka historinë mbrenda, nji histori që çfarëdolloj interpretimi i sotëm do të jetë i vakët dhe subjektiv, sepse e vërteta asht në kohnat e shkueme e shkrueme në mija libra të botuem, në gjykime historianësh, filozofësh, artistësh, të cilët në vazhdimësi na kanë lanë pjesë të kësaj së vërtete, edhe duke e tejkalue atë, qoftë edhe për faktin, se Rilindja Europiane mund të kishte pasë nji tjetër pamje, po t’i kishte mungue figura dhe vepra e Gjergj Kastriotit – të quejtun edhe Skënderbej! Kështu, që kushdo ka të drejtë me folë, me shprehë e me shkruejtë at çka di, çka ndjen dhe çka gjykon në qetësi për at figurë që kaherë vlerësohet si përbashkues i krejt shqiptarëve, po edhe si shpëtimtar i nji Europe mesjetare të copëtueme, siç del prej historianëve, po askush s’ka të drejtë me marrë flamurin e së vërtetës dhe me bindë të tjerët përmes propagandës, as individët e mirëpaguem për këtë mision, as mediat e “kazanit” që të vërtetat e këtyne njerzve i paraqisin si e vërteta e vetme!
.
Skënderbeu duke i dhënë shpatën Diktatorit
Skënderbeu duke i dhënë shpatën Diktatorit
***
Jeta më ka dhurue mundësinë me e jetue 500 Vjetorin e Vdekjes së Gjergj Kastriot – Skënderbeut, në nji moshë kur leximi m’ishte pasion i veçantë i nji djaloshi 11 vjeçar, dhe se ajo datë krejt e afërt midis vdekjes së heroit dhe lindjes sime më ka dhurue gjithnji kënaqësinë e nji fqinjsie të randsishme.
Edhe 50 vite të shkueme, kremtimi i 500 vjetori të vdekjes së Kryeheroit qe nji paradoks i jashtëzakonshëm, të cilin sot pakkush o askush e kujton, nji paradoks që për çudi më ngjan aq simetrik me kët 550 vjetor të përkujtimit të vdekjes, duke u quejtë: Viti 2018 – Vit i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu!! Viti 1967, ishte viti i terrorit të madh, mbasi revolucioni kulturor kishte shkatërrue pothuej krejt objektet e kultit, dhe u kishte ba gjamën shumë vlerave të kulturës e traditës shqiptare… kur befas viti 1968, qe shpallë me të madhe dhe bujë të jashtzakonshme si: 500 vjetori i Vdekjes së Heroit Kombëtar!!! E shpreh si habi se, nuk ka periudhë kohore, ku kjo figurë të jetë përkujtue me aq shumë botime librash historikë, veprash letrare e artistike, me aq shumë mbledhje jubilare e simpoziume! Si ishte e mundun, që mbas nji terrori të papamë, komunizmi po shfaqesh si mbrojtësi ma i madh i Heroit Kombëtar!!!
Kujtoj se n’at kohë, nji grup shokësh pothuaj fëmijë, mblodhëm sëbashku të holla dhe blemë 5-6 nga këta libra të punuem aq bukur, lidhë me kopertinë të trashë dhe i lexonim njeni mbas tjetrit me nji kënaqësi të rrallë, e diskutime të flakta!
Për Skënderbeun kam mësue shumçka n’at kohë… mandej gjithçka ra në heshtje.
Nji gja më ka mbetë në mendje prej krejt asaj jehone: si ishte e mundun që mbas nji krimi aq të madh mbi kulyurën dhe figurat e saj, shfaqesh nji përkujtim aq i bujshëm! Çfarë paraleleje kishte heqë në mendjen e tij diktatori i madh që i kishte lejue aq hapsinë Heroit të Madh?!?
 
***
Tash mbas 50 vitesh, jemi përballë nji tjetër jubileu të Heroit Kombëtar. Mbas nji llumi të hedhun randshëm dhe trajtimit deri në banalitet të figurës së tij, viti 2018 – shpallet Viti i Gjergj Kastrioti – Skënderbeut!
A nuk asht kjo nji paralele krahasuese e këtij jubileu të tij, në nji kontekst ma shumë politik se historik, dhe a nuk po përdoret figura e tij, e gati 600 viteve të shkueme, për probleme fetare dhe dasish, kur vetë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, po ta shofësh pak me kujdes, i ka të tria fetë e shqiptarëve?!
.
Medalja e Skënderbeut - e përgatitur nga Isa Ndreu (pjesa para)
Medalja e Skënderbeut – e përgatitur nga Isa Ndreu (pjesa para)
***
Ndër lexime nganjiherë edhe të rastësishme, me ka ba përshtypje edhe nji shqetsim që s’asht fort i padiskutueshëm, përkundrazi meriton diskutim. Pse ne shqiptarët duhet me e nderue vdekjen dhe jo lindjen e Heroit Kombëtar?! Po përpiqem edhe unë me iu avitë këtij problemi, jo si të jetë kjo e vërteta, po veç fragment i saj rreth nji pyetjeje ku besoj se pozitivja o nuk ekziston o shpërfillet medashtas. Po ndalem dhe po e them edhe unë mendimin tim, në kët përkujtim të këtij 550 vjetori, që meriton të nderohet e të vlerësohet prej gjithë shqiptarëve që e jetojnë kët planet, ata që nuk ndjehen të tillë s’ka asgja të keqe, mjaft që të keqes së tyne t’i gjejnë nji gjuhë sa ma të përshtatshme!
Vdekja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut mbas 25 vitesh resistencë ndaj perandorisë ma të fuqishme të asaj kohe po edhe kohnave të mapasme do të sillte edhe egërsinë ma të madhe të Perandorisë Osmane ndaj arbërve. Kjo shkatoi jo vetëm rrënimin e kështjellave, princave, pronave, po edhe pakësimin e luftëtarëve po edhe mbijetësn e vështirë të njerëzve të thjeshtë! Italia e Jugut do të bahej streha e shumë arbnorëve, të cilët vdekjen e Skënderbeut e morën me vedi pothuej si nji talisman, o si nji idenditet që do ta ruenin e do ta mbronin si gjanë ma të shenjtë të tyne. Pra, Vdekja e Heroit, u kthye kështu në nji simbol të cilin ata e nderuen në krejt ekzistencën e tyne deri në ditë të sodit. Pikërisht kjo datëvdekje e Heroi të Madh në kujtesën kolektive të nji populli të shpërngulun shërbeu jo vetëm si idenditet i tyne, po edhe si nji idenditet plotësues i asaj pjese që kishte mbijetue në troje të veta, nën pesë shekujt e robnisë osmane… Kjo besoj asht arsyeja e përkujtimit të vdekjes së Heroit, që vazhdon me shtegtue si oguri ma i mbarë i mbijetësës së nji populli, që shpesh e ka pa vedin në zgrip të greminës, dhe asht kujtue veç at’herë, kur jetën dhe vdekjen i ka pasë krejt afër, veç i duhej me zgjedhë…!!
 
***
Në mbyllje të këtyne pak rradhëve, mundem me thanë se për sa kohë ne të përkohëshmit e kësaj bote do të përpiqemi me i naltue apo me i rrëzue të përjetshmit e historisë, s’kemi ba tjetër, veçse i dëshmojmë botës se komedia jonë kombtare asht në lulëzim të plotë, dhe se drejt greminës ku vërtitemi, na mjafton veç nji e shtyme…!
janar 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.