“Abeli” dhe “Lyra” të Et’hem Haxhiademit
nga Vangjo Nirvana*
***
Udhëtari, që e shpie udha edhe në Firenze, po të vizitojë Galleria d’Arte Moderna, do të shohij në një sallë të saj të riprodhuarë në bronx një statujë që përfytyron Vdekjen e Abelit. Origjinali i kësaj statuje, në mermer, ndodhet në Leningrad, e ka bërë për Perandorin e Rusisë në 1842, skulptori italian Giovanni Duprè, i cili me këtë veprë e bëri të pavdekur emrin e tij që në djalëri. Një vit më pas Duprè-ja gdhëndi edhe Kainin, po kritikët e artit Kainin nuk e vënë në një shkallë me Abelin; bilè, e quajnë melodramatik. Sikur udhëtari, pastaj, të hidhet gjer në Paris e të vizitojë Petit Palaisn, do të shohij Varrimin e Parë, statujë prej mermeri të skulptorit frëng Barrias (1883), i cili duket se Abelin e vdekur të Duprè-së ka dashur ta shpjeri në varr.
Këto të dy statuja sjell në mëndjen e këndonjësit titulli “Abel” i tragjedisë së rè së Etëhem Haxhiademit, që duket këto ditë brënda në xhamet e librarivet.
Dikur, disa vjet më parë, dhe në një revistë që dilte asaj kohe në Tiranë, Haxhiademin e kam quajtur dramaturg humanist. Me të vërtetë, kultura dhe temperamenti e kthejnë Haxhiademin nga vjetëria klasike, ku i pëlqen të kërkojë e të marij thema: Ulisi, Akili, Aleksandri, Pirrua, Diomedi. Kur u hodh për një çast në histori, në historinë shqiptare, kapi personazhin më zotëronjës të saj: Skënderbenë. Tani Haxhiademi kërcen në truallin bilbik edhe merr Abelin, të vdekurin e parë dhe të varrosurin e parë.
Biblla i ka dhënë shumë thema dramaturgjisë së përbotëshme. Po, sa për Abelin, kemi “Abel-in” e tragjikut më të math italian Alfieri, i cili e ka quajtur “tramelogedia”, një veprë midis tragjedisë dhe melodramës. Pastaj për Kainin, një personazh i paçqitur nga Abeli, kemi “Kainin” e Byronit. Që të mos largohemi nga dramaturgjia, në lidhje me themën (nakari i vëllait për vëllanë tjetër) e jo me titullin, mund të kujtojmë dhe “Heliadat” e Eskylit, veprë e humbur. Vdekjen e Abelit e ka bërë epope pastorale (1758) Gessner-i, shkrimtar i Svicrës gjermane. S’duhen harruar edhe dy vjersha të famëshme frënge: Abeli e Kaini i satanikut Baudelaire (Les Fleurs du Mal) edhe Ndërgjegja nga “Legjenda e Shekujvet” e Hugo-it, i cili frymëzoi edhe skulptorin frëng Etex për grupin e tij të mermertë kolosal “Kaini dhe raca e tij e mallëkuar nga Perëndia”.
.
***
Dramaturgu i mirë, kur kthehet nga mythi e nga legjenda, personazhet që merr andej i merr si symbole, që kanë vlerë për gjithë shekujt, për çdo epokë historike, me tërë largësinë e kohës dhe të vendit. Symboli rron edhe te njeriu i djeshmë, edhe te njeriu i sotmë, edhe te njeriu i nesërmë: në çdo njeri të çdo kohe e të çdo vëndi.
Tradita biblike Kainin na e paraqit si vëllavrasës; këtë kuptim ka sot edhe si metaforë letrare. Abelin na e paraqit si njeri të padjallëzuar e të drejtë. Po të futemi pastaj në lëmin e artit e të mëndjes, Kaini dhe Abeli janë dy symbole të kundërta: lufta e bujkut (Kamit) me barinë (Abolin), e njeriut të vëndosur me nomadin, e arës së punuarë me tokën e djerrë, e qytetit të banuar me shkretëtirën; luftë e përjetshme dhe e paprerë e së keqes me të mirën. Natyrisht çdo artist traditën biblike s’e ka marrë ashtu siç është: e ka punuar, e ka modeluar sipas psykosynthezës së tij.
Bie fjala Byron-i i jep të drejtë “Kain”-it të tij dhe e vë kundër Perëndisë. Përpiqet të provojë se i mallëkuari nuk duhet të jetë Kaini, po përkundrazi, Abeli. Ndërgjegjia e kundërshtimit në mes të së mirës e së keqes, në mes të Perëndisë e të Shejtànit, te Byron-i ka një kuptim manikeist domethënë që njeriu i sotmë është krijuar nga një Perëndì e keqe dhe pra ka të drejtë të protestojë e të përpiqet të shpëtojë nga e keqia. Bilè ka dhe një sekt gnostik të shekullit të II-të, që veprën e Kainit e gjykonte të mënçur dhe të frymëzuar nga parime më të larta; njerëzit e këtij sekti, Kainitët, i nderonin të gjithë personazhet që i dënonte Biblla. Po me këtë frymë ka shkruar edhe Papini i vjetër për Abelin në “Fjalorin e Njeriut të Egër”.
.
***
Po Haxhiadèmi si i paraqit Abelin dhe Kainin? Si një problèm pedagogjie. E thotë vetë në parathënien e tij:
“Me këtë pjesë, në të cilën lujnë njerzit mà të parë të botës, desha të ngas nji plagë shoqnore. Dashnija vllaznore nuk rrjeth nga afërimi i gjakut, sikundër besojnë të gjithë, por mbas pikëpamjes s’ime nga edukata e prindëvet”. “Vllaznit e motrat duhen përgjithënisht midis tyne jo vetëm pse janë rritun tok qysh në vogëlnì, por pse janë edukuë prej prindëvet qi të duhen dhe t’i ndihmojnë njani tjetrit”.
“Vetë prej prindëvet janë shikuë po me nji sy simpathije. Nëqoftse prindët kanë dashun nji fëmijë mà tepër se tjetrin, kanë krijuë mbrenda në familje krymbin e zilìs e të nakàrit, vese këtò qi, kur janë rritun tepër, kanë shkaktuë shkatërrimin e asaj familjeje. Një shembëll të tillë desha ta gjeni dhe në radhët e sipërme të Shkronjës së Shenjtë”.
S’ka fjalë se ky problèm pedagogjik ka rëndësì të madhe. Dhe në përdorimin e kësaj theme Haxhiadèmi është dëftuar rousseau-ian, domethënë veprën e keqe të Kainit nuk ia heth natyrës së tij të keqe, po fajit të prindëvet, që donin më tepër Abelin nga aì. Symbòli bilbik i së ligës, symbòli manikeist i protestës, Kaini bëhet tè dramaturgu shqiptar symbòl pedagogjik à la Rousseau. Çështje sensibilitèti artistik dhe psykosynthèze. Po ndër nè Shqiptàrët Kaini, me veprën e tij të vëllavràsësit, mund të mishërojë edhè dramën politike e kombëtare shqiptare të pesëmbëdhjetë vjetëvet të fundit. Dhe si protagonist i kësaj drame, Kaini në një tjetër tragjedi, po të shkruhet, mund të marrij edhè shtetësì shqiptare. Kainër dhe Abelër jemi një çikë që të gjithë, kush më pak kush më shumë, dhe si të tillë symbole të përjetëshme i jetojmë edhe nè: dhe si njerës dhe si shqiptàrë.
Edhe këtë tragjedi të rè Haxhiademi e ka punuar me mjeshtërinë e tij të njohurë, duke respektuar rregullat e tragjedisë klasike. Herë-herë të fut në mendime:
Njeriu do t’vuëj sa t’shohi drit’ në botë
……………………………
Pse rrojtja për ate nuk asht shpëtim.
Por dhe nga vdekja ma i madh dënim
……………………………………
T’ishte e ambël rrojtja me t’vërtetë
Sikundër e kujton njeriu i shkretë,
Nuk do t’na epesh neve si dënim.
Kuptim pesimist i jetës, që rrjedh nga Adàmi, i cili jetën jashtë Parajsës e quan më të keqe nga vdekja. Këtë pesimismë e gjejmë dhe në fjalët që dalin nga goja e Kainit.
“Kush thot’ të drejtën do të rrojë i mjerë…”
Haxhiadèmi është për të përgëzuar edhe për këtë veprë të rè, të mirë e të çmuar, me të cilën shton edhe një gur në ndërtesën dramatike shqiptare, që po nis të ngrehet. Bota këndònjëse, që e ndjek veprën e tij me sympathì dhe e çmon, pret nga Haxhiadèmi edhè vepra që të çpalòsin disa anë të sotme të jetës shqiptare, jetë psykologjikisht komplekse dhe e zorshme po që ka çdo të drejtë të tërheqij vëmendjen e atyre që kanë pëndën në dorë.
.
***
Dhe kur herë pas here largohe gjiri i Melpomenës dhe merr lyrën për të kënduar, Haxhiadèmi s’e harròn humanistin dhe kështu ëndërrat e tija poetike i vesh dëndur me symbòlet e mythologjisë greke.
Këtë na provòn LYRA e tij, në të cilën Haxhiadèmi përmblèdh vjershat që ka botuar kohë pas kohe në Austri dhe në Shqipëri.
Nga këto vjersha duhet të veçojmë “Nymfat e Shkuminit”, që e nderojnë poezinë shqiptare. Nuk bien poshtë edhe “Nata e Zezë”, “Naim Frashërit”, “Lufta e Drangojvet me Kuçedrën”. Janë xhevaìre që mallëngjejnë.
Vjersha “Naim Frashërit”, botuar me rastin e sjelljes së eshtravet të Poetit dhe Apostolit Kombëtar nga Stambolli në tokën shqiptare, i ka shkakëtuar Haxhiademit ndjekje e dëme lëndòre nga ana e regjimit të kaluar, i cili nëpër vargjet haxhiademiàne shihte dënimin e pamëshirshmë të atij regjimi. Nymfat, Najadat, Driadat, Zanat, Galatèa, Fàtet, Fèbi, Amazònat, një botë e tërë e Parnàsit helenik popullòn vjershat e Haxhiadèmit dhe bëhet zinxhir për të bashkuar lyrën me tragjedinë në një synthezë, që e vë në dukje poètin dhe dramaturgun humanist të parë të lètravet shqiptare të ditëvet t’ona.
Gazeta “Tomori”, Tiranë, Mars, 1940
*Vangjo Nirvana – pseudonim letrar i Vangjel Koçës.