back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Kemi vënë seriozisht në rrezik identitetin tonë… – Bardh Frangu interviston Jozef Radin

Gazeta

Jozef Radi (2001)
Jozef Radi (2001)

Kemi vënë seriozisht në rrezik identitetin tonë…

Bardh Frangu interviston Jozef Radin

Në rubrikën e rregullt të së shtunës “Jepi Zërit”,
prezantojmë poetin dhe përkthyesin Jozef Radi, i lindur në Elbasan
dhe i detyruar të ndjek fatin e prindërve të internuar gjatë kohës së diktaturës.
Është edhe autor i dokumentarit për të atin “Golgota e Lazër Radit”,
me të cilin edhe është bashkautor i disa veprave. Jeton në Qytetin e Anconës, në Itali.
.
Lazër Radi - Robert Elsie - Jozef Radi 1992
Lazër Radi – Robert Elsie – Jozef Radi 1992

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Besoj se njeriu që e pyet vedin në vazhdimësi, jeton me statusin e nji koshience aktive! Nëse s’i bajmë asnji pyetje vedit, mundemi me jetue krejt në paqe me at çka bajmë, po ndërkohë dëshmojmë se s’jemi rrekë me ba ndonji gja përtej asaj çka mund të quhet egoizmi ynë! Duke qenë se i baj vazhdimisht e në vazhdimësi pyetje vedit, e sidomos përballë dilemash, s’e kam fort të lehtë me dhanë nji përgjigje krejt të saktë. Por mendoj se pyetja që ma së shumti e ma së shpeshti ia baj vetes asht: A munde me i marrë ditës gjithçka ishte e mundun! ose: Cili asht pozitiviteti që munde me i diktue vedit po edhe tjerëve me ditën tande!
Nji pyetje instinktive, frutet e së cilës nuk janë gjithnji edhe aq të dukshme…
 
Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?
Jetoj në nji qytet të vogël në breg të Adriatikut. Kështu udhëtimi im ma i zakonshëm asnjiherë s’e kapërcen sasinë e katër-pesë kilometrave. Përpiqem që në kët të zakonshme të ditës sime me gjetë ma së pari motive dinamike, ku ecja dhe ideja e shkëmbimit të mendimeve a ndonji kafeje presupozon edhe ndonji bisedë qoftë edhe krejt të sipërfaqshme me i dhanë njifarë motivimi ditës dhe jetës! Ndodh edhe s’ndodh përditë e njejta gjà: megjithatë ndalem te kafja ime, lexoj diçka nga shtypi i përditshëm, u shkruej miqve dhe përpiqem me shkruejtë atë çka asht trazimi ma thelbësor i ditës sime… dhe nuk luej prej aty po i dhanë njifarë forme mendimeve dhe ditës sime!
 
Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e e kujtesës suaj?!
Librat (bibliotekën) i kam të vendosun në mënyrë të tillë që s’ka libër të kaluem nëpër duer të mija të mos e gjej mbrenda pak minutave! Duke qenë se kurrë nji libër i vetëm s’asht në vemendjen time, për nji kohë tejet të gjatë, ndodh që disa prej tyne t’i kem në qendër të vëmendjes kur punoj me ta! Fjala vjen: tash më rrijnë gjithnji ndër sy librat: “Fiset Shqiptare” të Robert Elsiesë dhe “Gjuha e shkipëtarëve” Joseph fon Xilanderit. Po nëse më duhet me thanë se cili asht libri ma i pranishëm i tavolinës sime do të thoja “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, ose ma mirë disa prej tyne… që më ndihmojnë në punën time si përkthyes shpesh duke konsultue fjalë dhe kuptime, shprehje apo ngjyrosje të fjalës, për të cilat fjalori më bahet i domosdoshëm si buka, sa herë më nevojitet me përcaktue diçka!
 
Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?
Në kët krizë morale nëpër të cilën vërtitet bota e sotme e ku ne shqiptarët jemi pjesë ma e dukshme e kësaj vorbulle, e jetoj në mënyrë të dyfishtë. Nuk besoj se ka krizë së cilës njeriu mundet me iu gëzue! Kjo krizë bahet gjithnji e ma e thellë, e s’shoh ndonji perspektivë se si mundet me u shmangë, apo ma keq s’po mundemi me dalë prej saj. Kur më pyesni si ndiheni, sigurisht ashtu në fluturim them: “Keq , mjaft keq!” po mandej mendoj se mbas çdo rrëmuje vjen rregulli, e mbas çdo trazimi vjen paqja, diçka filloj dhe besoj se mundet dhe duhet ndryshue.
Ne, si popull e kemi vënë seriozisht në rrezik idenditetin tonë, çka do të thotë si individë po edhe si bashkësi shoqnore jetojmë me identiteti të dyfishta e të shumfishta. Nga një mbyllje hermetike gjysëm shekullore, ne jemi pjesë e një braktisjeje shembullore të vendit. Asgja s’asht absolutisht negative edhe në këto trauma të ikjes dhe emigracioneve masive, po as pozitiven absolute nuk e gjej ndër to, ama vlerat e idenditeteve tona jetojnë kohna të çorodituna, dhe pakkush po kujdeset që e nesërmja të ketë ndonji shtegdalje pozitive…
 
Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?
Simbas meje, në kohna krizash të thella morale dhe sociale, arti dhe kultura munden me e ndihmue botën, munden me e shkundë shoqninë që ajo mos me u zhytë edhe ma thellë në batakun e politikave globale! Historia, kjo mësuese e madhe e vlerave, na ka dëshmue se mbas çdo rrëzimi vjen ngritja, edhe unë mendoj se kjo periudhë rrëzimesh, asht njiherit edhe periudhë ngritjesh shpirtnore, energjish që lëvizin edhe kaotikisht, forca centrifuge e të cilave asht tuj troshitë, tuj shoshitë dhe tuj qitë në breg leshterikët e njiherit tuj naltue edhe pse me vështërsi ato vlera që shpesh janë shkelë me kambë dhe janë përdhosë në mënyrat ma të padrejta e ma barbare…
Kultura shqiptare asht midis kësaj vorbulle, në nji luftë të paepun me vedin. Shoh gjithandej energji pozitive, shoh vepra, shoh talente, shoh frymë, shof që kultura shqiptare rreket me iu bashkue energjive të kulturës botnore, qoftë në muzike, qoftë në letërsi, qoftë në përkthime, qoftë në botime. Edhe pse po bahen përpjekje titanike, me ia marrë frymën këtij pozitivizmi që shpesh asht sporadik, i hallakatun dhe i marrakotun…
Gjithsesi besoj se pjesa ma e mirë e kulturës shqiptare asht pjesa ma dinjitoze e jona, asht tharmi i shpëtimit ndër kohna…
 
Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?
Si njeri që përpiqem të rrokë pozitiven e ditës, kohës dhe jetës s’e kam fort të lehtë që me nji pyetje të kësaj përmase me i dhanë ndonji përgjigje që mund të jetë e përputhshme me këto tri pika nëpër të cilat kalon rrethi i jetës… me të shkuemen, të tashmen dhe të arthmen. Duke qenë se kemi jetue gjatë nën nji diktaturë të egër, e mbas saj nji postdiktaturë zhgënjyese që e ka shëndrrue në të pafundmë tranzicionin e nji shoqnie, besoj dhe shpresoj se energjitë pozitive të këtij populli të mos i lejojnë rikthime tragjike, çka do t’ishte fatale për fatin dhe të ardhmen e tij! Kjo vlen jo vetëm për shqiptarët e “dheut amë” po për krejt shqiptarët kudo që ata ndodhen. Të gjithë duhet të jemi ma shumë përgjegjës për atë çka ndodh me ne, dhe e quej të palejueshme që politika të vazhdojë me prodhue ma të keqen e mundshme për popullin e saj dhe të kapërcejë fjollë dhe e pandëshkueme…
 
Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?
Për me qenë koherent me bisedën që po zhvillojmë së bashku, do të veçoja ashtu pa u mendue shume si pikturë “Britmën” e Munch-it; si poezi “Me kohë…” e Jorge Luis Borgesin, si kangë “The sound of silent” të Simon and Garryfunkel, kurse si film do të kambngulja te filmi “Jeta e të tjerëve” të Donnersmarckut… një model filmi si duhet me e pa të nesërmes përmes ndëshkimit pa kompromis të së djeshmes sonë…
8 janar, 2018
.
Marre nga http://zeri.info/kultura/180303/kemi-vene-seriozisht-ne-rrezik-identitetin-tone/
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.