back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Drama e Burgjeve Shqiptare përmes Poezisë – Arshi Pipa dhe Ahmet Kolgjini

Gazeta

Arshi Pipa (1920-1997)
Arshi Pipa (1920-1997)

Arshi Pipa & Ahmet Kolgjini

në tabllo rembrandiane sonetesh

Mbas leximit të këtyne dy sinfonive tragjike, t’thuruna mjeshtërisht n’gjini të sonetit,
edhe njeriu ma i randomtë pëson nji tronditje të thellë,
dhe mbetet disi i ndërdyshtë në t’pabesueshmen e këtyne strofave të gdhenduna n’ashk të shpirtit,
e të ardhuna prej honeve ma të thella të poshtnimit njerzor!
Asht e pamundun që cilido lexues mos me e ndje njiherit
dhimbje për fatin tragjik të njeriut nën diktaturë,
dhe përbuzje ndaj krejt asaj lukunie sadistash që e ushtruen kët dhunë,
e që sot kjo e vërtetë tragjike nuk na vjen përmes rrëfimesh gojore… po përmes madhështisë së artit…
Arshi Pipa dhe Ahmet Kolgjini,
edhe pse kanë pasë pjesë jete me itinerare të përbashkëta,nuk e kanë njoftë kurrë njeni tjetrin.
Ata kanë ba burg qysh të rinj Arshiu ishte 27 vjeç kur e futën në burg,
kurse Ahmeti s’i kishte mbushë ende të 18.
Arshiu mbas burgut u arratis me gjithë vargjet e burgut,
kurse Ahmeti dëshira me u arratisë e futi në burg,
e ku vuejtja i mësoi edhe artin e të shkruemit bukur.
Sot në kët faqe ata janë të dy bashkë, duke dhanë e marrë me njeni-tjetrin
dramën njerzore të njeriut shqiptar nën dhunë…
Arti i poezisë e në veçanti i sonetit i ka ba te dy bashkë,
edhe n’at botë të përtejme ku janë të ngjitun sot,
prandej vijnë me këto dy dëshmi të nji naltësie sublime,
që simbas meje janë jo veç pasuni e qëndresës se njeriut shqiptar po nji dëshmi edhe ma e përtejme…
Për gjithçka të tepërt që kam mujtë me thanë në kët gjykim temin,
keni këto dy poezi (sonete) që për mue janë tabllo rembrandiane…
Mandej secili prej jush mundet me gjykue… si ai e ndjen artin sublim të poezisë…
jozef radi, 10 shkurt 2018

Liria nën pranga
Liria nën pranga

Drama e Burgjeve Shqiptare përmes Poezisë

Arshi Pipa dhe Ahmet Kolgjini

Për të dizifektuar aromën e infektuar prej vargjeve proletare
të postuar me shumicë dje dhe sot,
po postoj dy poezi të mrekullueshme të poetëve
ish të burgosur politik dhe intelektualëve antikomunistë,
Arshi Pipa dhe Ahmet Kolgjini,
të cilat do të na shërbënin si antibiotik
ndaj kolerës së kuqe proletare!
Hakik Mena
.
Utopia Komuniste
Utopia Komuniste

Kanali

poemë nga Arshi Pipa

I
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
 
Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.
Ky grindet për pakë uj qi shoku i piu;
ai shán se i vodhën bukën. Hŷn nji roje.
 
Shkopinj e shqelma. Britma. Frŷn bilbili.
Pushim. E dergjet lodhje, prân secili,
e flên kush mundet për at natë me fjetë.
 
Si lazaret rënkon e fshân baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyne qi pret nji vorr i shkretë.
 
II
Rreshtohet puntorija: ndahet çorba:
dy-trí patate qi vozisin n’uj.
E shtrîhen duert e dridhshme… Por shumkuj,
pse normën nuk e kreu, s’i njomet vorba.
 
Ky ngjyen bukën me krypë, ai nji këpujë
qepe qëron. E shkunden xhepa e torba.
Për nji fundrrí kazani mu si korba
t’etshëm mbi kërma sulen me rrëmujë.
 
Mbasdreke. Diell. Tash lahen, hjekin llucën
nga kofshët; terin petkat; ngjesin arna.
Dikush morritet. Njeni zien do barna;
 
si shtesë për darkën; tjetri qep këpucën.
Nji profesor me syza vetullçil
Bythça duhani mbledh e i ban fitil.
 
III
A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj.
Fëtyra dheu ku sŷt e shojtun ngrohen
kur shofin bukën; faqe qi gropohen
e nofulla qi dalin si patkoj.
 
Kambët s’i mbajnë e krahët u rrëzohen.
Si dordoleca lkunden qi vendoi
mbi hunj kopshtari. Njerëz kta ksijoj?
Shauretën janë qi nga vorrezat çohen.
 
Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,
automa kockash, nji bërsí, nji pleh,
ku veç prej emnave dallon e njeh
 
bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,
kusarin, simahorin, lakanderin
prej atdhetarit qi luftoi për nderin.
 
IV
Por eja tash e shifi ndaj kanalit:
Njimijetreqind vetë, nji mizërí.
Lopata e bela tunden me furí
e qerrkat mbarin plisat e moçalit.
 
Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri.
Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,
a qofsh i smundë sa dalun prej spitalit,
bani ja vdis: ankimi s’ban dobí.
 
Shef të gjymtuem e pleq ngarkue mbi shpina
dhogat e randa e qerrkat mbi kaptina,
qi binë e ngrihen e zvarnisen krrut.
 
U mshon polici me dajak sa mundet.
Por ndodhë sa herë qi njeni sish nuk tundet.
Me vig e çojnë e vigu mbrrîn tabut.
 
V
Kur bora e Prillit ndritte mbi Gramoz
derisa bryma e vjeshtës rini knetën,
punuem na pa pushim tue hapun shtretën
ndër baltat e moçalit veshë n’rrogoz.
 
I futeshim kanalit veç me shetën,
bela e lopata. Ushunjzat vijanoz
na thithshin edhe at gjak tuberkuloz
qi kishte ngelë sa me na mbajtun jetën.
 
Sa zente çquhej nata nga mëngjezi
ndër balta zhyteshim deri te brezi.
Humbojshim, shkajshim, bijshim laradash.
 
Ngulej qorras për fund lopata e qitte
nji ndrag gjirizi qi si zifti ngjitte
e duhej flakun tutje mbi tre pash.
 
VI
Kur rojevet u tekej me u zbavitun
merrshin ndokend nga puna, zakonisht
fetarë a njerëz shkolle, dhe me bisht
lopate u hŷjshin sa t’ishin mërzitun.
 
Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht
qi e ngitte posi kalin tu’e shëtitun
përgjatë kanalit, “hyja!” tue i britun…
E ja diftojshin puntorís me gisht:
 
“Sabotator i poshtër! klysh i Carit!
Sabotoni po deshët ju të tjerë!”
Zgërdhîheshin, ngërdhesheshin. At’herë
 
dy-tre zuzarë mâ t’ligj, shokët e t’parit,
shtymën i jepshin n’gjol që nga skarpati,
dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati.
 
VII
Pushonte puna, niste çfaqja vrik.
Merrshin ata qi normën s’kishin krye
dhe i futshin prap n’kanal tue u ndërkrye
ma keq mbi ta, mâ t’dobtit, n’epsh sadik.
 
Nji tregtari t’dukuem qi u rrokullye
nga pesha e qerres te skarpati thik
dy përnjiherë i futen me kamxhik,
me shqelma nëpër llaçna tue e shkrrye.
 
Nji babaj zhgulin mjekrrën, e pështŷjnë.
“Pa shih, derri! akoma bark më ka!
Ngre këmbët, sqap!… Mos ki merak, baba!
 
Ta heqim ne!” Mandej n’hendek e shtŷjnë.
E i kqyrë nji idiot me gojën hapë… I kllasin
befas nji grusht me dhé… mandej gajasin!
 
VIII
Por thue se veç me kaq ngopeshin djajt?
Cilat tortura lanë ata pa çpikun.
Kur u mërzitën vetë tue rrahë, tue fshikun,
frrotën ndërsyen mbi né posi çakajt.
 
Cubin qi vrau për plaçkë, sifilitikun
rrufjan i s’motrës dhe spijun i t’vllajt,
horin qi hangri bukë turpin e faj’t,
ata mblodhën, atyne u dhanë kamxhikun.
 
E “Bini atyne qi s’punojnë! – u thanë –
Bini, palaço, t’poshtër! Mirë e keni,
qi anmiqt e popullit ende kurseni!
 
Qi ju gabuet ata n’errsinë ju lanë.
Dhe shpejt pushteti jú ai do t’ju falë.
Por kta ktu do t’çfarosen dalngadalë!”
 
IX
Ditën âsht vallja, natën sarabanda.
Se rraskapitesh ditën, natën flên?
Nuk thom për morrin, qi për trup e gjên
(u msuem me tê) si miza dheu ndër banda.
 
E zgjohesh trembshëm… Ndien a veshi t’rrên?
Këlthitje t’çjerruna, rënkime t’randa…
Torturohen tash shokët te komanda,
e radha jote nesër ka me qenë.
 
E ç’nuk na bâjshin! Na rrihshin me tel,
lakuriq, e mandej n’ujna handraku
na zhytshin, trupin plagë n’currila gjaku.
 
E na lidhshin me fill prej telefoni
për shtyllat aty pranë krahnuer e bel,
qi t’na pështynte nesrejt divizjoni.
 
Kamp i Vloçishtit, Korçë
Korrik-Nanduer 1948
 
Ahmet Kolgjini (1939-1999)
Ahmet Kolgjini (1939-1999)

Marku

nga Ahmet Kolgjini

I
Çelësa e shula cingëritën për ibret.
Dera e dhomës hapet me rropamë
Tërmegshëm dyzet burra çohen n’kambë.
Hyn kapteri. Ngërdheshet. Shtyn nji skelet
 
Që shkapetet mu n’çimento, si i vdekun.
Nga turpi, ulin kryet, dyzet burra.
Supi lakuriq i dahet nga lëkura
Mishi i verenikun, si mëlçi e pjekun
 
Koka: Golle e gunga e feje, gati
Për t’u këputë. Trishtim. Dhimbë. Mëshirë
Ngjall. Akuzë. Revoltë mishnon, i ngrati!
 
Kapteri del. Përtueshëm çohet Frati
I hullet: Nga vjen, si të quejnë, mor bir?
“Prej Tirane… Më thonë Mark Sakati.
 
II
As shtrojë, as mbulojë, as lugë, as tas…
Nji grumbull kockash ishte shtue n’kaush.
Lugë e tas, dha murgu Athanas,
Gjovalini – nji velenxë pa push.
 
Njeri pa njeri – Izeti prej Çamërie
Nji jastëk sajoi me rrecka t’shtatit.
Dhoma shpaloi gjeste bamirësie:
Diçka, për sevap, i dha “malukatit”
 
Paloka, i plagosun në Gomsiqe
Nxorri prej jatakut, e tërhoqi branë
Me zor, tue u kollitë, nji postiqe.
 
Gjithçka u dha, çka ishte për t’u dhanë
Mandej, të lodhun, u shtriqën mënjanë…
Dikush, morriste, zellshëm, tartabiqe…
 
III
Sheh trembshëm Marku. Sytë s’i bajnë dritë.
Veshët i punojnë disi ma mirë.
Ankth janë ditët. Si nji ditë, përditë.
Buzqesh me mllef… Duket si satir…
 
Dergj natë e ditë. Nuk do me dalë
N’oborr. T’tjerët dalin. Ai rri fillikat.
Prej disa ditësh, pëshpëriten fjalë:
Dikush vjedh ushqimet… I ha në shtrat.
 
Mëngjez. Bilbili bie. Bahet zgjimi.
“Kapa hajnin” – thotë me gjeste t’preme
Shi si ngadhnjimtar, Gavrosh Kulimi…
 
Marku u drodh. Vështroi me tmerr. U skuq
Pastaj, mori nji çehre të zvërdheme…
Vari kryet!… E u mbështoll palmuç!…
 
IV
“Këlysh i Titos! Armik! Qen bir qeni!
Mut! Maskara! Të shkërdhefsha kurvën!
Horr! Hekurat shpejt! Ta sqaroni! Merreni!”
Rrapëllimat, jehojnë në korridor!…
 
Kështu, komisari e fajsoi viktimën.
– Dhoma ngriu në kambë, si e ngurosun –
Shkërçi dhambët, përmendi “ofiçinën”.
Ma mirë në vorr sesa i burgosun!
 
Nga asht Marku, vëllezën? – Pyeti Frati.
Heshtje… Izeti u flet të gjithëve, ashtu siç ishin:
“Asht kosovar… Këtu, s’ka njeri, i ngrati!”
 
Ptu! Jazëk na qoftë! Turp ma t’madh nuk ka!
Duerët i dridhen, nuk mbush dot kamishin
Hafiz Alushi e u la në lot, tue qa!..
 
V
Për krahësh – të bamë ulok, të plirun,
Kalaveshas, as gjallë as vdekë – e prunë…
Vetëm nji frazë shqiptoi, me za të ngjirun:
“Më falni! S’di si e paskam ba at’ punë…”
 
“Zia të marrka mendt, t’marrka fytyrën…”
U struk në batanije… E ma nuk bëzan.
Përditë, përshpirtshëm, lutet. Pret mynxyrën!…
Nuk tha gja tjetër… Nuk kish çka me thanë…
 
Nji ditë, n’agshol, pa ra në sy, Marku ikën!…
Shtati iu qetësue… Sytë iu fikën…
Të mbramen herë, Izeti iu gjet pranë.
 
Me ngashërim e cenë, sytë ia mbyll…
Dhoma, në heshtje e nderon… Dikush ofshan…
Shpirti qiejsh fluturon kah nji yll!
 
Qershor 1993
 
Marrë nga Muri i Hakik Mena, 4 shkurt 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.