back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Dordoleci – esse Gabriel Garcia Marques

Gazeta

Gabriel Garsia Marquez (1927)
Gabriel Garsia Marquez (1927)

Dy fjalë rreth këtij përkthimi te Gabriel Garcia Marquez

nga Jozef Radi

Në vitin 2000, Gabriel Garcia Marques, u ballafaque me nji tumor…
dhe për gati pesë vite ai luftoi i paepun mos me iu dorëzue sëmundjes…
Kjo prozë poetike e “Gabo-s” e titullueme Dordoleci,
asht mendue si testamenti i tij shpirtnor,
ndërkohë që ai gjithnji e ma shpesh mendonte vdekjen…!
Prandej ky tekst ka nji fuqi shpirtnore ngritëse…
për cilindo që kalon nji periudhë të vështirë në jetën e vet…
si të thuesh ky shkrim asht nji shteg shpëtimi…
Fakt asht, se mbas 13 vitesh “Gabo” ka vazhdue me shkruejtë edhe tjerë libra…
e sot asht në kufijtë e 87 viteve, dhe e gjithë kjo dëshmon fuqinë e tij të paepun shpirtnore…
Kohët e fundit, Gabo po kalon edhe nji periudhë tjetër të vështirë…
I vëllai ka konfirmue se asht duke vuejtë prej Morbo di Alzhaimer,
ndërsa e shoqja e tij e mohon faktin e të qenit i sëmunë,
vetëm pranon probleme me kujtesën si pasojë e moshës…
Sjelljen e këtij përkthimi e konsideroj si mirnjohje për autorin e “Gjethurinave”,
nji përmbledhje novelash e viteve ’80, e cila na njohu me Realizmin Magjik të Nobelistit
“100 vite vetmi” Gabriel Garcia Marques…
jozef radi, 25 gusht 2013
.
Gabriel Garcia Marquez
Gabriel Garcia Marquez

Dordoleci

esse nga Gabriel Garcia Marques

Sikur Zoti, për nji çast t’harronte
se unë s’jam tjetër veç nji dordolec zhelesh
e t’më dhuronte veç nji copëz jete,
me siguri s’do t’i kallzoja krejt çka mendoj,
pooo, e pa përjashtim do t’i mendoja krejt çka iu rrëfej.

Do t’u jepja vlerë krejt gjanave
jo për çka ato vlejnë, po për çka ato nënkuptojnë…

Do të flejsha ma pak, e do t’andrroja ma shumë,
tue kuptue se çdo minutë që rrijmë symbyllë
humbasim gjashtëdhjetë sekonda drite.

Do të turresha kur shumica ndalen,
e do t’qëndroja zgjuet kur shumica flen…

Do të ndigjoja kur shumica flasin,
si me shijue nji akullore t’mirë me çokollatë.

Sikur Zoti t’kishte mirsinë me m’falë nji copëz jete,
do të vishesha krejt lehtë,
e do të shtrihesha sa gjatë gjanë nën diell,
tue lanë zbulue nji pjesë të mirë
të trupit tim… po edhe të shpirtit tim.

O Zoti im, n’se unë do të kisha nji zemër,
do ta shkrueja urrejtjen time mbi akuj
tue pritë mbrritjen e diellit!

E do t’ia pikturoja nji poemë t’Bekuemit
nalt mbi yje me nji andërr të van Gogut,
dhe nji kangë t’Serrat Cabaleros
do t’ia ofroja hanës serenatë.

Do t’i vadisja me lot’t e mi drandofillet,
me e ndje dhimbjen e gjembave
po edhe puthjen e ndezun prej petaleve të tyne…

Gabriel Garsia Marques - Duke lexuar vetveten
Gabriel Garsia Marques – Duke lexuar vetveten

Oh Zoti im, sikur t’ma falje nji copëz jete…

S’do të lija t’më kalonte asnji ditë e vetme
pa ju thanë njerzve që due se: Ju dashuroj!

Do ta bindja cilëndo grua a burrë,
se ata janë t’përzgjedhunit e mi
e do të jetoja i dashuruem me dashninë.

Burrat do t’i provoja kur gabojnë
tue mendue se ata duhet me hjekë dorë
prej dashnisë kur plaken, pa e dijtë
se ata plaken, veç kur hjekin dorë prej dashnisë.

Nji fëmije do t’i dhuroja flatra,
ama fluturimin do dishroja ta mësonte vetë.

Pleqve do t’u mësoja se vdekja
s’vjen prej pleqnie, po veç kur ata braktisen…

Shumçka kam kuptue prej jush, O Njerz!

Kam kuptue se krejt bota dëshiron me jetue
n’maje të malit, pa e dijtë se lumtunia e vërtetë
asht në t’vështirën e s’përpjetës.

Kam kuptue se kur nji i posalindun,
mbërthen n’at grushtin e tij të vockël,
për t’parën herë gishtin e babës së vet,
e ka futë përjetë ate n’kurth.

Kam kuptue se nji njeri ka të drejtë
me e pa nga nalt posht nji tjetër njeri,
po veç kur duhet ta ndihmojë që ai t’çohet n’kambë.

Janë të shumta gjanat që kam mbrritë me mësue,
po n’fund të fundit jo gjithçka mundet me m’shërbye
se kur t’i ngjeshi fort krejt gjanat mbrenda ksaj valixhe,
për fat të keq, unë do t’kem dhanë shpirt kaherë…

.

Përktheu: Jozef Radi (26 gusht 2013)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Sentenca jetësore të një njeriu që i ka përftuar nga përvoja e gjatë, nga jeta shekullore dhe të përpunuara nga mendja gjeniale e një nobelisti të letrave.
    Mesazhe udhërrëfyese për këdo në çdo moshë e situatë që të gjendet…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.