Kur rojet te porta… ishin me Diplloma të Kembrixhit!!
nga Ilir Seci
Pak dritë mbi figurën e Rexhë Metës
Nësa lexuesi shfleton faqet e para të librit “Pran of Albania” të shkrimtares amerikane Elizabeth Cleveland Miller, aty e gjen nji kushtim: “Kushtue: Palokë Shkjezit, Rexhë Metës”, – (Dedicated to Palokë Shkiezi, Rexhe Mete)… Dedikimi në këtë libër përban nji tjetër rast ku shfaqet emni i Rexhë Metës, në libra të shkruem nga autorë amerikane. Ma se pari emni i tij përmendet në veprën “Majat e Shalës”, (The Peaks of Shala), të shkrimtares amerikane Rose Wilder Lane… mbasandej del në kushtimin e librit të shkrimtares Elizabeth Cleveland Miller…
Po kush ishte Rexhë Meta?
Se kush ishte Rexhë Meta, ma kjartë na sqaron studiuesi amerikan, William Holtz, profesor në Universitetin e Miçiganit, SHBA, i cili shkruen për Rexhë Metën në biografinë e shkrimtares Rose Wilder Lane, “Fantazma në Shpinë e Vogël: Nji Jetë e Rose Wilder Lane”, – Seria e Biografive në Misuri, – (William Holtz, “The Ghost in the Little House: A Life of Rose Wilder Lane”, – Missouri Biography Series.)…
.
Rexhë Meta, lindun në Vuthaj në vitin 1906, ka kenë nji djalë i fisit Ulaj, i mbetun jetim mbasi familjen ia kishin masakrue shovinistët serbo-malazes. Mbasi prindët i kishin vdekë, Rexha i vogël ishte vendosë në Shkodër bashkë me dy motrat. Fëmijë shumë i zgjuet, kishte mësue vetë anglisht qysh 12 vjeç, dhe shoqnonte amerikanët që punonin për Kryqin e Kuq Amerikan, i cili ndihmonte refugjatët e Luftës në Shkodër gjatë dhe mbas Luftës së Parë Botnore.
Përmes Kryqit të Kuq Amerikan, Rexha njihet me shkrimtaren amerikane Rose Wilder Lane, shkrimtaren që ka shkrue “Majat e Shalës”, (The Peaks of Shala)… Aty njihet edhe me Elisabeth Cleveland Miller, autoren që i ban kushtimin Rexhës ne vepren “Pran of Albania”.
Shkrimtaren Rose Wilder Lane e ban për veti zgjuarsia e Rexhës, kurajo e tij, Rexha tue kenë fëmijë për veti kishte mbledhë disa jetimë të tjere nga Plava e Gucia dhe kujdesej për ta si ma i madh që ishte, si me qenë vllaznit e motrat e tij, njisoj si për dy motrat e veta. Studiesi William Holtz në biografinë e Rose Wilder Lane, sjell shënimet e saj, se si Roses i kishte ba shumë përshtypje kurajo e atij fëmije 12 vjeçar… Rose vendos me e adaptue Rexhën, kështu ajo e birësoi dhe e çoi në shkollë për me u edukue. Fillimisht Rexha mbaron shkollën teknike të Harri Fullzit në Tiranë dhe mbasandej me mbështetjen financiare të Rose Wilder Lane, i kryen studimet e larta për Financë ne Universitetin e Kembrixhit në Angli. Studimet i kryen si student i shkëlqyer, (Honor Student), dhe emni i tij gjindet në librin e artë të atij universiteti… Me sa dihet asht i pari shqiptar që ka krye atë universitet me famë botnore.
Në vitin 1938, Rexha kthehet me kontribue në Shqipni, punon si këshilltar i kryeministrit të kohës. Mbas prillit 1939, me pushtimin fashist të vendit, Rexhë Meta internohet në Itali. Fashistët e konsiderojnë kundërshtar për shkak të edukimit të marrun në Kembrixh, Angli… si dhe për lidhjet me shkrimtarët amerikanë. E mbajnë në internim deri ne shtatorin e vitit 1943 kur edhe kapitulloi Italia fashiste. Në vitin 1943, ai kthehet në Shqipni dhe kontribuon në të mirë të çeshtjes kombtare, në kushtet kur trojet shqiptare ishin bashkue.
Merr pjesë në komisionin organizator të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botnore, Enver Hoxha e burgosi Rexhë Metën sepse “kishte shoqnue shkrimtare amerikane si Rose Wilder Lane dhe Elisabeth Cleveland Miller, si dhe kishte krye studimet në Kembrixh, Angli”, për këto arsye ai konsiderohej se “ishte agjent anglo-amerikan…!”
.
Dënohet me burg, dhe Rexhë Meta dhe e pëson ma keq, sepse siç shkruan profesor William Holtz, “kur Rose Wilder Lane, (e ama që e kishte birësue), mori vesh për arrestimin e Rexhës bani çmos me e lirue, duke përdorë ndikimin e saj sepse Rose ka qenë gazetare e famshme në Amerikë!”
E shkreta Rose, me që kishte mik edhe presidentin Truman i kërkon atij me ndërhy për me lirue Rexhën… për shkak të asaj ndërhymje, Rexhën e dënojnë me vdekje në Shqipërinë komuniste sepse “kaq agjent i rrezikshëm ishte sa që ka ndërhyrë edhe vetë Presidenti Truman!” Siç shkruen profesor William Holtz, sipas dëshmive të vetë Rose Wilder Lane, mbas përpjekjesh Enver Hoxha i ofron gazetares Rose Wilder Lane nji kusht për me ia falë jetën Rexhë Metës, kushtin që ajo mos me shkrue kurrë kundër regjimit komunist të tij. Rose Wilder Lane, ato vite ishte gazetarja ma e pagueme në botë, me shumë famë dhe njihte shumë mirë Shqipninë, po Enveri i bante shantazh me jetën e birit të saj të adaptuem.
Rose, si nji antikomuniste e thekun që ishte, shkruen në kujtimet e veta se sa të vështirë e ka pasë atë kompromis, vetëm e vetëm me ia kursye jetën Rexhë Metës.
Mbasi vuejti tanë ato vite në burgun e Burrelit, Rexha i shkretë, doli dikur nga burgu dhe i ka pasë dy fëmijë, vajzën Bora-Rose, (të cilës ia kishte ngjite emnin e Rose Wilder Lane), dhe djalin Fitimin…
Rexhë Meta, vdiq në vitin 1985.
Mbas daljes nga burgu Rexhë Meta ka punue roje te porta e një ndërmarrje në Shkodër…
Në vitet ’80, te kjo ndërmarrje vijnë disa të deleguem nga Ministria dhe pyesin drejtorin e ndërmarrjes:
-Si i keni punët me kualifikimin e punonjësve?
Drejtori si shkodran me shpirt humori ua kthen:
-Na, si i kena punët me kualifikimin e punonjësve?! Si na nuk asht kurrkush, mor zotni. Merreni me mend, na rojen te porta, e kena me diplomë të Kembrixhit!”