Rikthimet e dhimbshme te 20 shkurti…
nga Jozef Radi
22 vjet ma parë, në nji ditë pothuajse të padiell shkurti, Shqipëria do të përjetonte nji nga datat e saj ma historike, ku shpresa dhe frika, fitorja dhe disfata, entuziazmi dhe terrori, liria dhe diktatura, rinia dhe gërxhot, mashtrimi dhe e vërteta do të përplaseshin për jetë a vdekje n’at sfidën e lirisë, e cila për dreq… ende sot mbetet e pranishmja e pazgjidhun e jetës sonë!
20 shkurti 1991, mbetet nji datë së cilës na duhet t’i kthehemi vazhdimisht, me pa jo vetëm rrugën e përshkruar, po edhe krejt stacionet e mapasme që erdhën prej kësaj rruge…
Ky rrëfim i sotëm ka lidhje vetëm me refleksionet e mia mbi at ditë… Si e pashë dhe si e përjetova unë kët ngjarje që ka mbetë në kujtesën historike të shumë shqiptarëve… në të mirë e në të keq!!!
…Mëngjesi i asaj së mërkure, e kishte ngërthyer krejt kryeqytetin në nji si ethe të përgjithshme! Greva e urisë së studentëve kishte mbrritë nji pikë kulmore… Pritej edhe nji raprezalje ndaj tyre… pra prej Tiranës kërkohej mbështetja, krejt popullit kryeqytetas i kërkohej ndihmë, për t’i dhënë kurajo atyre djemve dhe vajzave që të mos e humbte besimi dhe shpresa për nji Shqipëri ndryshe, po njiherësh u duhej dëshmuar edhe rudimenteve të diktaturës më të egër se s’mund të bahej shaka me frymën e lirisë!!!
At mëngjes, në shtëpinë tonë, si krejt atyne ditëve erdhën herët mjaft prej artistëve të Teatrit Kombtar si Ilir Bezhani, Vangjel Toçe, Mërkur Bozgo, Ferdinand Radi, Milto Kutali, Neritan Alibali, Robert Ndrenika… dhe mbasi e e vunë Lazrin, si patriark në mes, ashtu bashkë si grup, nëpër nji Tiranë të akullt, u nisëm drejt Qytetit Studenti, i cili ato ditë shkurti qe Meka e pelegrinazhit kryeqytetas!
Asnjiherë Tirana s’kish qenë aq e bashkuar dhe aq solidare kundër Tiranit dhe Tiranisë!!
Rrugët ishin përplot me njerëz me fytyra të ashpra dhe mbrritja në sheshin e madh, dëshmonte qartë se shpirti i revoltës ishte diçka që shihej, që ndjehej, që prekej… Kishte guxim dhe frikë, nji zemërim dhe gëzim i trazuem bashkë, që shfaqej ndër fytyra e ndër shpirtra e çdo pjesmarrësi me trajta specifike… veçse dukej që ajo Fryma e Lirisë ishte e gjitha pezull ndër njerëz!!! Ndjeja diçka mahnitëse ndërsa i kundroja fytyrat e atyre grave dhe burrave që përpëliteshin ta vrisnin frikën në sytë e tyre të krejt atij gjysëmshekulli terror …
Grupi i Teatrit Kombtar ishte nga ma të plotët në at Shesh Studenti! Aktoret me emën dukeshin si të sapodalë nga dramat e tragjeditë e Shekspirit dhe kishin zbritë aty mes njerëzve, për të qenë pjesë e asaj drame të madhe që luhej, (mos o zot dhe të asaj tragjedie të mundshme, që mund të shfaqte tirania!), në nji nga amfiteatrot ma të pazakonta shqiptare: Qytetin Studenti…
Aty nga mesdita, në sheshin e madh të Protestave, s’hidhje dot as “kokrra e mollës”, kurse në nji nga ballkonet e Godinave, sindikata e uzinës “Traktori”, iu drejtua me megafon turmës së ekzaltuar! Për ma shumë se nji orë megafoni kaloi dorë më dorë derisa erdhi edhe aty mes grupit ku ishim ne dhe pothuej krejt trupa e Teatrit Kombtar! Rajmonda Bulku, me gjithë sharmin rinisë së vonë dhe krejt atyne roleve që kish luajtur dikur… e mori në dorë megafonin dhe duke folur nga afër, e ndjeje edhe ma të fort at pushtet që ende zotëronte bukuriaemni dhe zani i saj…
E theksoj se kishte kalue mesdita dhe fjalimet po humbisnin paksa at shpirtin entuziast… Megafoni i zbritun për pak çaste te buzët e Bulkut, ngjizi magjinë e tjetërsimit të beftë të krejt asaj dite! Me timbrin e saj skenik, ajo foli fuqishëm në emër të nënave, grave dhe motrave… dhe se vazhdimi i asaj proteste para Televizionit Shtetëror dhe Presidencës së Republikës në emër të gjithë atyne që përfaqsonin jetën, mund ta sensibilizonte Byronë e Politike (të Krimit) dhe t’i shpëtonte ata djem dhe vajza të ngujueme!… Edhe pse fjalët e saj qenë të pakta, ato nxitën entuziazëm dhe përkrahje të madhe. Turma shpejt u nda më dysh dhe lumi i grave mori formë dhe u nis në teposhtën drejt televizionit shtetëror…
N’at çast u ndje ekzaltimi i krejt turmës së grave… ndërsa Bulku i printe asaj turme, më krijoi imazhin e nji Zhan d’Ark shqiptare…!
Vazhdimi me shfaqet si nji andërr e trazueme!
E ndërsa turma e grave do të ballafaqohej shpejt me breshëritë e krismave, pjesa tjetër e turmës kryesisht rinia dhe burrat në bllok morën rrugën drejt qendrës… Lumi njerëzor antidiktaturë po derdhej vrullshëm rrugicave drejt Sheshit të Madh!! Ndërkohë që krejt zona e TV, KQPPSH dhe Ministrive nxinte prej uniformave ushtarake, policore, skafandrave, breshërive automatike dhe makinave spërkatëse… Po ajo kurajo e grave do të shkurajonte këdo që shfaqej para tyre.
Ura e Lanës në të hyme të Rrugës së Elbasanit qe bllokue nga skafandrat… Duke e mbajtë fort Lazrin 75 vjeçar, kaluem nëpër tubin metalik…!! Në qendër të Kryeqytetit ishte pothuej e pamundun të hyje… Duhej të vërtiteshe rrotull, po ne çamë diku, ku skafandrat u dorëzuen para turmës së rrebelueme…
Ai 20 shkurt, ishte nji ditë e çuditshme!
Ajri gri kishte nji jehonë të pabesueshme… mjaftonte nji krismë, nji breshëri automatiku, nji brohorimë, mjaftonte nji zà paksa i naltë dhe krejt qyteti jehonte… S’e di, po dukej sikur edhe natyra po i shkonte në ndihmë asaj turme të egërsueme në at ngjarje të madhe…
Edhe pse im atë kambëngulte të qëndronte me ne… i thamë se ai tashma e kishte krye misionin e vet, dhe tashti duhej të pushonte. Me Nandin dhe krejt grupin e shokëve të tij të Teatrit, lamë Lazrin në shtëpi… dhe me ngut u drejtuem te Sheshi qendror… ku na u shfaq spektakli i frikshëm, ku me gjithë krismat, breshëritë dhe qentë policia e kish humbë çdo pushtet ndaj gjëmimit të gjokseve të atyne burrave dhe grave që kishin zbarkue me nji tërbim të papërshkrueshëm, të gatshëm me vdekë aty mes sheshit të madh… Ishte e pamundun ta çaje turmën, pasi dallgët e sulmit dhe zbrapsjet ishin të frikshme… Drejt statujës së zymtë të Diktatorit vërviteshin mija pllaka trotuaresh dhe zhurma e nji helikopteri që u duk sikur do të zbrazte flakën e fundit të zjarrit në mbrojtje të së Keqes së Madhe, u largue me bisht ndër shalë, duke e bà tashma turmën të papërmbajtshme…
Nga shkallët e bankës ku ishim ndalë, pamë kavon që së pari dështoi, po ma vonë mbas disa përpëlitjesh statuja gjigante nisi me u lëkundë nga pak, mandej u drodh dhe veç u hepua dhe u përplas përtokë bashkë me pesëdhjetë vitet e krimit shtetëror…
Jo, nuk ishte brohorimë feste… por nji ulërimë e çmendun gëzimi dhe ankthi, nji klithmë korale e papërsëritshme, si ai, si ata, si krejt nji botë që i ka shpëtue vdekjes! Ishte diçka që nëse s’ke qenë vetë aty midis sheshit, s’ke për ta ndje kurrë se ç’asht ajo ndjenjë, ajo klithmë që dukej sikur t’i shqyente mushkëritë e njeriut dhe botes! Ishte nji përlotje gëzimi dhe frike, nji përlotje për gjithë krimet dhe qëndresat, për gjitha vuejtjet dhe shpresat… Nji klithmë për gjithë brezat e humbun, për gjithë ata që s’donin të humbnin më! Ishte nji fitore që në at çast s’kishte përmasë, dhe s’ka artist që mund ta përjetsojë atë çka ndjeu secili prej asaj turme, kur shkoi dhe preku bronxin e nji miti të paprekshëm tashma të rrëzuar në jetë të jetëve… Nën këmbët tona ishte bronxi i nji kufome që e kishte shëndrrue krejt nji popull në skllav të ideollogjisë ma perverse në histori! Ishin krimet e gjithe nji epoke që nuk do të harroheshin…
Isha aty duke e prekur at bronx të ftohtë vdekjeje dhe ndjehesha në andërr!
E ndërsa nji IFA e tërhiqte zvarrë midis sheshit, i hipur mbi të m’u duk sikur Miti i Dhunës po çohej si trofe e popullit të Tiranës për studentët e Grevës së Urisë (Lirisë)… Po i jepte fund njiherë e përgjithmonë jo së Keqes së nji pakice, po së Keqes së krejt nji populli!
Dhe të besosh në çaste të tilla… mbetet gjaja ma e bukur e botës…!
***
Sot, sërish asht nji tjetër 20 shkurt!
Edhe vetëm duke e kujtue at ditë përjetojmë diçka magjike…
Çdo 20 shkurt, e bëj me mendjen time krejt itinerarin e asaj dite të papërsëritshme, me të gjitha hollësitë, personazhet, detajet dhe frymën që ajo la ndër ne…
Rijetoj nji magji që pakkujt i jepet, e cila simbas meje, duhet të jetë e përafërt si ta rijetosh nji dashuri të madhe!
Sigurisht, sot brenda nesh jeton nji deluzion i madh, nji deluzion i vrazhdë dhe rrënues: deluzioni se pas ngjarjeve të mëdha, fshihen hijenat dhe përfitojnë gjithnji krijesat ma të vogla… për mos të thanë… ato ma të ultat!!!
(20 Shkurt 2013)
Këto ditë kam lexuar shumë shkrime, kam ndjekur shumë emisione televizive për 20 Shkurtin, po ky shkrim mbart emocione të veçanta dhe çka është më e rëndësishmja vërtëtësi për atë ditë, po edhe vërtetësi në kontekstin e vazhdimësisë dhe së sotmes…
Lindita Dema Harizaj
Nini, shumë faleminderit për emocionet që më riktheve… një përshkrim i përsosur! Unë atë ditë e konsideroj si një nga ditët më të lumtura të jetës sime si p.sh. me ditën e daljes së Babit nga burgu dhe me ardhjen, lindjen e vajzës sime… Por për fat të keq e para ishte vetëm një ëndërr e bukur që ekziston vetëm në ëndrra dhe nuk u arrit kurrë të bëhet një realitet…
Kolec Traboini
Përshkrim shumë i bukur dhe emocionues. Ajo ditë ka mbetur në kujtesën tonë e kronometruar. Shumë gjëra harrohen, por ajo ditë jo. Dhe ngjarjet kanë ndodhur thuajse spontanisht. Nëse ndokush thotë se ka pas një dirigjent e ka gabim. Ishte një deshirë spontane ku vullnetet ishin sinkronizuar në shpërthim deri në atë masë sa nuk kish forcë në bote ta ndalonte. Ajo ishte dita e revolucionit popullor demokratik nga e cila u distancuan, populli nuk pyeti atë ditë për askënd në botë veç vullnetit të vet.
Darling Vlora
Të falenderoj Jozef, më bëre ta rijetoj atë Ditë, si atëhere. Pavarsisht se zhgënjimi i së nesërmes ishte i madh, ndjej lumturi që atë Ditë isha aty…
Najada Hoxha
Nini, më vjen mirë që ti e paske parë live gjithçka dhe natyrisht që ti do ta përjetoje si një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës tënde. Unë e familja ime atë kohë ishim ende në Pluk, atë ditë unë u ndodha në Durrës, te djali i hallës, dhe rreth drekës djali i hallës kthehet në shtëpi e më thotë: Najada do të të jap lajmin më të mirë që ke dëgjuar ndonjëherë “bustin e enverit e rrëzuan”, unë vërtetë u lumturova, vrapova të kap trenin e të kthehem pranë familjes që të gëzonim. Kur zbrita nga treni, tek stacioini autobuzit takoj dy gra nga shtresa jonë, menjëherë u dhashë lajmin e gëzuar, dhe të dyja gratë më thonë: “Mos e ngri zërin se të fusin në burg këta!” Atë çast m’u zbeh gëzimi që po përjetoja, pasi frika dhe mosbesimi i këtyre grave që ishin aq të vuajtura sa vetëm ne mund ta dimë më bëri të mendohem për atë që do të ndodhte më pas. Megjithatë, mbërrita në shtëpi dhe kur i thashë babait tim këtë ai u emocionua pa masë dhe kështu harrova gjithçka kisha biseduar me gratë. Vertet, për mua ashtu si për shumë prej nesh ishte një ditë që solli lajmin e ëndërruar prej nesh dhe më bëri të ndihesha e lumtur.
Pjerin Ndreka
E kam pa n’tv dhe jam emocionue. Nuk m’intereson se a ka pase nji dirigjim prej nalt rrzimi i bustit apo jo. M’intereson shpërthimi i indinjatës popullore…
Unë me kët rast due me ju diftue nji ndodhi në Shkodër, ditën e dekës s’Enver Hoxhës. Kishim pi kafen e përditshme te klubi i shkrimtarve me shkrimtarin Fadil Kraja, regjizorin Serafin Fanku dhe gazetarin Nikolla Spathari. Prej kafes, pa dijtë gja, dolëm me shkrythë pak kambt në piace. Para PTT-së, ndërsa Nikolla Spathari ende s’na kishte kallxue kurgja, nji shok e kojshi i jemi m’bërtet: Pjerin, “Diq ai muti, e i hangërt shpirti mut”. Na mbetme t’shtangun. -Kush asht ky i marrë mor – m’pveti Nikolla. E unë i kallxova arsyen e shpërthimit t’atij djaloshit. Axhën ia kishin pushkatue e i ati i kishte dekë n’burg. Ai djalë trim ishte Nin Ganjolla.
At’here e morëm vesht dekën e atij Mutit. M’falni shprehjen jo t’bukur. E qysh at ditë kanë fillue me mendue n’Shkodër për rrximin e atij regjimi… (nga fb)
Ilir Seci
22 vjet ma parë në Tiranë u rrëzua busti i diktatorit…
Po risjell një barcoletë të humoristit popullor shkodran Nexho Shabani… që i vjen për shtat kësaj date… “Pas demostratës së 14 janarit 1990, kur në Shkodër u synua heqja e bustit të Stalinit, Byroja e PPSH-së disa muaj më vonë urdhëruan heqjen e bustit të diktatorit sovjetik… Një mëngjes vere, pa pritë e pa kujtuar qendra e Shkodrës u zbardh pa bustin e diktatorit të stepave…
Në vendin ku kishte qenë busti, themeli ishte mbushë me dhe, ishte punuar me ngut e mbjellë ca lule… Në mëngjes aty një lulishtar me një zorrë uji po ujiste lulet e porsambjella…
Kudo nëpër qytet zienin diskutimet për këtë zhdukje të Stalinit. Rreth vendit ku kish qenë busti ishin grumbulluar njerëz e kur kalon Nexhoja atypari edhe e sheh lulishtarin duke ujitë i thotë: “Pashë Zoten mos e lag atë vend se tash po ba mbin ndonji tjetër!”