Mbi krizën demografike shqiptare
nga Prof. Rexhep Meidani
ish Presidenti i Republikës
“Sot, në Shqipëri, kriza ekonomike, më së fundi është pranuar haptazi nga politika (sidomos nga ajo në qeverisje). Ajo, e zbukuruar apo e mbuluar për vite me radhë, tashmë e ka prodhuar ngërçin e saj në prodhim e konsum. Por kjo nuk është e gjitha. Ka dhe një pamje tjetër tepër shqetësuese bashkëshoqëruese të kësaj situate kritike ekonomike-financiare, krahas konfuzionit aktual administrativ-qeverisës. E tillë është, p.sh., rënia demografike në popullsinë e Shqipërisë. Në fakt, nisur nga viti 1990, popullsia e Shqipërisë ka njohur një rënie të konsiderueshme, e cila erdhi si pasojë e emigracionit masiv. Kjo dukuri mbeti vepruese dhe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Kështu, vlerësohet se edhe gjatë periudhës midis dy regjistrimeve, 2001-2011, kanë emigruar disa qindra mijë persona. Praktikisht, më 1 tetor 2011, popullsia banuese e Shqipërisë është konsideruar 2.821.977 banorë. Pra, është vënë re një rënie e dukshme prej afro 8,0% në numrin e banorëve, krahasuar me censusin 2001 (ku popullsia e numëruar ishte vlerësuar 3.069.275 banorë). Kjo rënie popullsie gjatë këtyre 10 vjetëve ka ardhur në radhë të parë nga emigracioni i konsiderueshëm, por dhe ulja e fertilitetit.
Në fakt, dinamika e popullsisë përcaktohet nga katër faktorë: lindjet, vdekjet, imigracioni dhe emigracioni. Ekuacioni i bilancit të popullsisë, që i përfshin këto faktorë, është:
P2011 = P2001 + L – V + I – E,
ku P2011 dhe P2001 janë respektivisht numri i popullsisë sipas censusit 2011 dhe atij 2001, kurse L, V, I dhe E janë përkatësisht lindjet, vdekjet, imigrantët dhe emigrantët në periudhën 2001-2011. (Për dijeni, në tabelën bashkëngjitur jepen të dhënat mesatare vjetore për popullsinë, lindjet, vdekjet, ndryshimi natyror e fertiliteti. Shtojmë se vlerat e dhëna në tabelë i takojnë një vlere mesatare vjetore, ndryshe nga të dhënat e INSTAT-it për 1 janar të çdo viti). Siç shihet, gjatë periudhës midis dy regjistrimeve (2001-2011), numri i lindjeve ka pësuar rënie çdo vit, nga rreth 53 mijë në vitin 2001 në rreth 34 mijë në vitin 2011. Pra, rënia e lindshmërisë është një nga faktorët që ka influencuar në reduktimin e numrit të popullsisë. Ndërkohë, numri i vdekjeve ka mbetur në nivele të qëndrueshme, rreth 20 mijë çdo vit. Sidoqoftë, mbetet ende një shtesë pozitive natyrore, e cila karakterizohet nga një prirje në rënie, po që tejkalohet nga emigrimi.
Po ashtu, është rritur mosha mesatare e popullsisë banuese: nga 30,6 vjeç në vitin 2001 në 35,3 vjeç në vitin 2011. Edhe indeksi i moshës së vjetër (raporti i popullsisë mbi 65 vjeç ndaj popullsisë gjithsej), është më i lartë se në çdo census të mëparshëm të kryer në Shqipëri; bile ky tregues është rritur nga 8% në vitin 2001 në 11% në vitin 2011. Ndërkohë, indeksi i zëvendësimit (raporti i popullsisë nën 15 vjeç ndaj popullsisë gjithsej), është ulur nga 29.0% në censusin 2001 në 21% në censusin 2011, gjë që flet për tendencë plakjeje të popullsisë. Po aq shqetësues është raporti i varësisë. Ai është një masë matjeje për varësinë ekonomike individuale dhe përcaktohet si raport i numrit të individëve të moshës 0-14 vjeç dhe të moshës mbi 65 vjeç ndaj popullsisë (pjesës produktive) me moshë 15-64 vjeç, të shprehur në përqindje. E thënë ndryshe, ai është një tregues mbi raportin e njerëzve në moshë jo pune ndaj atyre në moshë pune. Në vetvete, një raport i tillë i lartë flet për një ngarkesë të madhe ekonomike të vendosur mbi shpatullat e popullsisë në moshë pune (pra dhe të ekonomisë në tërësi). Në rastin tonë, sipas censusit 2011, ai del afro 47%, gjë që pasqyron një peshë të konsiderueshme mbi popullsinë aktive prodhuese. Shqetësimi bëhet akoma më i madh për një papunësi në rritje! Aq më keq po të harrohet ç’është premtuar për uljen e saj!…
.
* * *
A janë konsideruar apo analizuar këto ndryshime demografike njëzetvjeçare nga politika? A janë bërë ato pjesë thelbësore e debatit publik dhe e problematikës së shoqërisë civile? A përbëjnë ato fokusin real të trajtimit në media? Nuk duket se po? Madje, çdo gjë duket si e lënë në harresë. Por, me vetë demografinë nuk bëhet shaka. Nga ajo varet zhvillimi e mirëqenia, varet e ardhmja, varet pesha e Shqipërisë, fuqizohet zëri i kombi, rritet mundësia për dinjitet e mbrojtje të qytetarit shqiptar kudo në botë. Kjo duhet të kihet parasysh, sidomos sot në prag të hedhjes së një hapi të rëndësishëm drejt BE-së; për këtë kërkohen të vendosen këmbët mbi tokë dhe jo të pompohen fryrje individuale, aq më pak ëndrra madhështish qiellore e fluturimesh pindarike!…”
marre nga muri i fb.