Një zbulim tronditës…
rrëfim nga Thoma K. Jance
“…Ai banonte me ne në shtëpinë time në Firenze. Ishte student. Më kishte kërkuar ndihmë për ta strehuar dhe e kisha pranuar.
Ishte djalë i urtë dhe studioz.
Ndanim jetën bashkë prej disa kohësh sa të rregullohej në kushte të tjera me shokët e vete. Për disa kohë kisha të ftuar në shtëpinë time edhe prindërit e mi. Studenti mbeti aty edhe atë kohë. Ndanim çdo gjë bashkë. Mamaja ime na gatuante dhe kujdesej për të gjitha shërbimet e tjera madje hanim bashkë si në një familje. Studenti kthehej nga shkolla dhe si të gjithë në gjente çdo gjë gati. Një ditë kur kthehesha nga puna e pashë mamanë disi të tronditur. U shqetësova dhe e pyesja çdo ditë se ç’kishte. Nuk me tregoi asnjëherë, por vazhdonte të bënte shërbimet e saj me përkushtim dhe dashuri si gjithmonë. Pas shumë kohësh, kur nuk jetoja më me studentin më rrëfeu me kushtin që nuk do t’ia tregoja askujt:
-Ai djali është nipi i vrasësit të babait tim më 1945, pra gjyshit tënd, që ishte një sipërmarrës. Në atë kohë, unë nëna jote isha 5 vjeçe.
Shkova në banjë dhe qava.
Studenti mbante të njejtin emër si gjyshi vrasës. Asaj dhe as atij nuk i tregova kurrgjë.
(Më pas, më 1948, daja i madh i lauruar në ekonomi në Bologna, që punonte si funksionar i lartë në Ministrinë e Ekonomisë, në kohën e Nako Spirut vdes në rrethana enigmatike në moshën 28-vjeçare. Gjithë shtëpia e mbetur me 4 fëmijë jetimë shihej si e persekutuar gjatë gjithë viteve të regjimit. Në atë shtëpi banonte, po si gjysmë i internuar, një doktor i shquar, vellai i gjuhetarit të madh Eqrem Çabej. Më kujtohet, si kuturisja nëpër musendrat e vjetra libra të vjetër dhe si dëgjoja darkave kuvendet e burrave dhe të grave përreth mangallit.
Ata ishin të nivelit tepër të lartë kulturor. Shpesh herë, kur flisnin për politikë ishin të frikshëm.)
Marrë nga muri i FB i Thoma Jançes, 1 prill 2014