back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si u krijuan dhe si funksionuan kampet e internimit në diktaturën komuniste në Shqipëri – nga Lek Pervizi

Gazeta

Lek Pervizi - autor i librit "Rrathët e Ferrit"
Lek Pervizi – autor i librit “Rrathët e Ferrit” (pikt. Leonard Pervizi)

Si u krijuan dhe si funksionuan kampet e internimit

në diktaturën komuniste në Shqipëri

nga Lek Pervizi

Rrathet e Ferrit - Tepelena (Lek Pervizi)
Rrathet e Ferrit – Tepelena (Lek Pervizi)
I dashun Nini,
E di që merresh shumë me këto shkrime, dhe ban mirë.
Prandaj po të çoj me ndonjë e-mail,
revistën “Kuqezi” e ndonjë shkrim me internet.
Duke qenë se ka dalë problemi i kampeve
nga ai Korbi i Zi veshur me pupla Pëllumbi,
po të çoj këtë shkrim, që hedh dritë mbi kampet e diktaturës,
që të jeshë i qartë e mos të biesh në fregime kote
nga persona që nuk e njohin mirë atë problem.
Siç ka ndodhur deri me CIA-n,
që ka bërë një raport krejt të gënjeshtërt e me mashtrime,
e ku Korbi i Zi ka gjetur pretekst, të ngrifet si gjel maje plehut.
E kalofsh mirë, Lek Pervizi
.
Holokausti i Foshnjave - Tepelenë (skica Lek Pervizi)
Holokausti i Foshnjave – Tepelenë (skica Lek Pervizi)
Fill pas marrjes së pushtetit, qeveria e posaformuar komuniste vendosi të krijojë qendra internimi, kryesisht për familjet e mëdha patriotike shqiptare. Kështu internimi nisi rregullisht në maj të 1945.
Pasi ua dogjën shtëpitë, u grabitën pasuritë dhe u konfiskuan pronat, familjet e mëdha e të përmendura të Veriut u internuan në qytetin e Beratit, ndërsa ato të Jugut në Krujë. Shkaku ishte se burrat e këtyre familjeve që kishin qenë me detyra të larta, ishin arratisur qysh më 1944, jashtë shtetit, në Itali e Greqi e vende të tjera. Këtyre iu bashkangjitën familjet e të gjithë të arratisurve në mal, të dy krahinave. Sepse siç dihet, të arratisurit e malit, kryesisht të Veriut s’mund të dilnin në Jugosllavi, që ishte simotra e Shqipërisë komuniste, ku ja vriteshin, ja i dorzohëshin komunistëve shqiptarë. Vetëm nga ana e Greqisë, mund të dilte ndokush, por me shumë rrezik. Kur ata kapeshin nga partizanët komunistë të Greqisë, që ua dorëzonin shqiptarve, siç ndodhi me Koço Kotën, që u burgos në Burrel. Ndërsa të tjerë pushkatoheshin në vend pa gjyq. Kështu Berati u mbush plot me familje të internuara, pa asnjë konditë jetese. Ku u jepej vetëm 500 gram bukë misri në ditë. E njëjta gjë në Krujë. Apeli dy herë në ditë, mëngjes e mbrëmje. Banesë hiç, duhet ta gjenin vetë, e të paguanin edhe qira. Kur dihej se këto familje i kishin marrë vetëm me rrobat e shtatit, e s’kishin as ku të flinin. Për t’i poshtëruar i vinin djemtë e vajzat të pastronin e hapnin kanalet e zeza të qytetit. I çonin të luftonin karkalecin, dhe të mblidhin ullinj, në punë angari. Për të mos ia hëngër hakun kujt, beratasit u treguan njerëzorë dhe humanitarë. Jo vetëm që s’u kërkonin qira për dhomat ose kasollet, por u jepnin edhe tesha fjetjeje e veshje nga te tyret. Ka pasur raste që u kanë dhenë dhe pare, në kohën para vulosjes së kartmonedhës, ku familjet shqiptare humbën gjithë kursimet e tyre, dhe gjithë popullata mbeti me gisht në gojë. Në këto kushte, që s’ishin aspak të mira, dhe vetëm me 500 gram bukë misri, pati vdekje fëmijësh e pleqsh, e nuk u kursyen as të rriturit kryesisht gra. Japim veç një shembëll, pa emra, ku aty vdiq një nënë mirditore, me dy fëmijët e saj, vajza të vogla. E thamë si shembëll, por vdekja s’kursente edhe të rriturit, kryesisht pleq e plaka, ku varret e tyre s’ekzistojnë gjëkundi. Pra qysh nga Berati (e nga Kruja) nisi kalvari i gjatë i të internimeve. Tani, për të treguar psikozën që mbretëronte, se si u hap fjala, thashetheme, që qeveria komuniste po planifikonte me jugosllavët e sovjetikët, që gjithë të internuari e Shqipërisë, t’i çonin në Siberi. Këtyre u hyri frika se kjo edhe mund të ndodhte. Por, u mor vesh se kjo punë ngeci sepse Turqia i kontrollonte anijet ruse që hynin e dilnin nga Bosfori. S’u bë gjë, por kjo tregon se ç’nuk pritej nga kriminelët që kishin marrë sundimin e Shqipërisë, ku shquhej një farë Enver Hoxha, i ngritur në piedestalin e një diktatori të egër, gjakatar e paranoiak.
Ndërsa vazhdonin marrëdhëniet vllazërore me jugosllavët, a do ti që sollën në fermën e Valiasit disa familje veriore të rëndësishme, si Gjonmarkajt, Dinejt, Demajt, Bajraktari, etjera. Ishte periudha ku Tirana ishte ma tepër Jugosllave se shqiptare. Nuk kishte rrugë ku mos t’ishte ngritur një shoqëri Jugosllave, e flitej për një përfshirje të Shqipërisë në Federatën Jugosllave. Papritur e pakujtuar veç kur plasi sherri dhe ndodhi prishja me simotrën Jugosllavi që u kthye në shtrigë. Të arratisurit e veriut kaluan pothuaj të gjithë në Jugosllavi. Nga ana tjetër familje të tëra të zonës kufitare u hodhën matanë. Regjimi iu përgjigj situatës duke internuar me qindra familje, pleq, gra e fëmijë, në Berat. Kështu ky qytet po kthehej në një qytet të internuarish. Beratasi e ndjenin këtë ngarkesë të tepërt. Kështu u hap kampi i Kuçovës, me të internuarit e Beratit, ku burrat u futën në punë të detyruar për ndërtimin e fushës së aviacionit, e gratë në fermën bujqësore që ishte krijuar, veç me racionin e bukës misrit. Banesat ishin disa baraka të vjetra, pa asgja drejt në dyshemenë prej çimento. Në këto kushte atje lart në Olimpin e Bllokut u vendos që të internuarit të grumbulloheshin në një Siberi të Shqipërisë, që u caktua Tepelena.

.

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)

Propozimi vinte nga Manush Myftiu, një shpirt krimineli. Ky, në konferncën e Beratit kishte propozuar se të gjithë kundërshtarët e armiqtë e tyre, të vriteshin, nga mosha 12 vjeç e lart. Sa që dhe vetë Enveri ishte çuditë. Si u vendos transferimi nga Berati, në maj 1948, të internuari të ngarkuar në 38 kamionë të ushtrisë, nisën natën rrugës së keqe malore të grykës së Këlcyrës, që llogaritën të kenë qënë mbi 2500 vetë. Por ç’ndodhi? Në një kthesë të keqe një kamion përmbyset dhe aty vdesin burrë e grue çifti Petrela, që i hedhin foshnjet që mbanin, të cilët shpëtojnë mrekullisht. Pati dhe disa të plagosur e të sakatuar. Kamionët arritën në Tepelenë, dhe s’u ndalën aty, kaluan tutje, deri në Turan, Veliqot e Memaliaj, ku i shkarkuan si t’ishin thasë me patate. Ky është fillimi i kampit të Tepelenës. Nga këto tre qendra, më i keqi ishte Turani, ku ishin vendosur shumica e të internuarve. Kushtet e jetesës mëse të këqija, miserable e pa asnjë lloj strukture sanitare, krejt primitve. Banesat, disa gazerma të Italisë pa dyer e dritare, të internuarit hedhur rifuxho drejt e në çimento, pa shtresa e asgjë prej gjëje. Buka e misrin 500 gram, vinte nga Berati, se Tepelena s’ia dilte për të furnizuar 3000 e më tepër të internuar, sepse kishin sjellë dhe të tjerë, përveç atyre të Beratit. Buka e pjekur keq, mykej brendë

Pse u mbyll ai kamp?
Po në OKB, u ngrit çeshtja e kampeve në Shqiperi, ku qortohej Bashkimi Sovjetik që mbulonte Shqipërinë që s’ishte akoma e pranuar në OKB. Rusët u tërhoqën veshët vëllezërve shqiptarë, që shpejtuan ta mbyllin atë kamp. Pse ai kamp quhët Auschëitz? Sigurisht se nuk i kishte përmasat e atij kampi ku vdiqën gjashtë milion hebrej, sa gjashtë herë popullsia e Shqipërisë. Tepelena u quejt Auschëitz, sepse aty ishin mbyllur familje të tëra, pleq, gra e fëmijë, që përbënin shumicën dërmuese të internuarve. Dhe aty vdiqën shumë fëmijë e pleq, pa kursyer gra e burra. Pastaj ai vend i rrethuar me tela me gjemba, mos vallë ishte kopësht me lule e kamp pushimi?!? Siç po pretendojnë disa nostalgjikë komunistë, ku neve na vjen keq që ata s’patën mundësi të shijonin të mirat e atij kampi!! Kaluem pak e të rikthehemi te një aneks të Tepelenës që ishte Porto-Palermo, ku në kalanë mesjetare u mbyllën me dhjetra familje të mëdha, gra, fëmijë e pleq, aty brenda në errësirë të plotë. Të hedhur drejt mbi shresën gurore. Ku dhe dhentë nuk hynin nga frika. Pa asnjë konditë higjenike. Kjo ndodhi më 1949 deri 1951. Këtu unë s’kisha mundësi të bëja asnjë vizatim, pse s’egzistonte fije letre as copëz lapsi. Por kalaja është aty dokument i gjallë. Që për çudi të çudive s’ësht evidencuar si kamp e burg internimi. Një politikan shqiptar pat thënë se Porto-palermo s’është burg. Pa të shkojë e të futet brenda edhe tani në ato guva të errëta. Familjet u hoqën dhe u mbush me burra, ku gjysma u qorruan e nuk shihnin me ecë kur binte mbramja, dhe i merrnim përdore. Aty sillnin ata që kishin mbaruar burgun, e në vend që të bashkoheshin me familjet tyre, i binin aty. Ne u transferuem në Tepelenë urgjentisht, se në Gjirin e Porto Palermos kishte qarkulluar një nëndetëse e huaj e paidentifikuar. Edhe ky kamp e kërkonte haraçin e vet, me vdekjen e një fëmije, një vajze.
.
Kampi i Tepelenës - Vdekja e Foshnjave - Pikturë nga Lek Pervizi
Kampi i Tepelenës – Vdekja e Foshnjave – Pikturë nga Lek Pervizi
E si përfytyrohet një fëmi kërthiqe në at mal me gurë që ishte kalaja me muret deri katër metra të gjerë? E ama, një malesore, kur erdh demokracia, kishte shkuar dhe gjetur varrin dhe kishte marrë eshtrat e fëmijës. Kjo s’është përmendur kurrë. E pra, ishte një krim i veçantë. Kalaja e Porto-Palermos, kala betejash, me viktimë një fëmijë, a ka ku shko më tragjedi e krim? Pasi u mbyll kampi i Tepelenës, siç e treguam më lart, të internuarit u transferuan në rrethin e Lushnjës, që u bë kryeqendra e internimeve. Të intenuarve këtu, ua hoqën racionin e bukës e kazanin, dhe i kthyen në puntorë të fermës “29 Nëntori” me 11 sektorë-kampe. Por nuk ua hoqën apelin dy deri tre herë në ditë. Padyshim se të internuarit patën mundësi ta marrin vetën, nga ana jetesës. Vërtet me punë të detyruar e të lodhëshme me pagesë të kufizuara. Por së pakut i shpëtuan rrethimit me tela me gjemba dhe mundimeve, vuetjeve, sëmundjeve dhe vdekjeve masive, ku t’u humbisnin dhe varret. Por avazi po vazhdonte, sepse në verën 1954, kur shokut Enver Hoxha iu mbush mendja të krijojë, me disa intelektualë që i kishin shpëtuar pushkatimit, “Universitetin dhe Akademinë” në maje të Kuçit të Kurveleshit, që ishin mbi 60 intelektualë të lartë, me tituj, Prof. Dr., që ishin diplomuar në Universitetet më të mira të Europës. Atyre u bashkangjitën një grup të internuarish të kampëve Savër e Pluk, e disa ish të burgosur, ku ishin përfshi dhe ne dy vëllezërit. Edhe këtu pata mundësi të bëj deisa vizatime, që kanë shpëtuar. Ky kamp izolimi vazhdoi katër vjet, dhe do të zgjaste dhe më. Por edhe ky kamp u ndërpre më 1958, nga ngjarjet që ndodhën, pas hypjes në fuqi të Hrushovit, ku tensioni midis BRSS dhe Amerikës u zbut. Kjo ndikoi edhe në Shqqipëri, dhe u hoq dhe Kampi i Kuçit. Siç dihet, Hrushovi erdhi dhe e vizitoi Shqipërinë, i pritur me madhështi nga diktatori Enver Hoxha, me përqafime e puthje nga më vllazëroret. Shqipëria do të bëhej vërtet një kopësht i lulëzuar, ne brigjet e Adriatikut, përballë Europës. Por diktatorit shqiptar s’i shkonte për shtat kjo punë, dhe i dha tjetër drejtim anijes tij, për në detin e Kinës, duke patur aty anë Detin Adriatik, dhe atë të Mesdheut. Me këto ngjarje, e gjithe Shqipëria u mbush me kampe dëbimi e internimi, me familje e individë. Nuk mbeti rreth pa kampet e veta. Kështu që pesha e dënimëve s’u hoq kurrë, gjatë 45 vjet, deri më 1990, kur me demokracinë të përndjekurit menduan se shpëtuan.
Për të shpëtuar ata shpëtuan në një farë mënyre, e pati nga ata që lirinë që ua kishin ndaluar e gjetën në botën e jashtme, në Evropë, Amerikë e gjetiu në rruzullin toksor. Po jo në Shqipëri!?
Patjetër edhe në Shqipëri ku diktatura komuniste mori fund, por me disa gjera pa logjikë, ku presidentët e qeveritë as që e çanin kokën për ta. Shpërblimet jo. Pronat jo. Detyra shtetërore jo. Funksione kulturore, jo. Ambasadorë jo. Veç merrni njato letra me vrimë e pensionin dhe rrini urtë!! Hallin ua qajmë, dhe kjo duhet t’ju mjaftojë!!! Shembull klasik, i nënshkruari që tash 28 vjet s’i është kthyer shtëpia, peng i partizanëve komunistë, që vazhdojnë ta mbajnë vetën akoma partizanë, e s’pranojnë ta lirojnë banesën që ua ka dhuruar shteti i tyre bolshevik…

.

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Po jap si përmbledhje një pasqyrë të fazave të ndryshme të krijimit e funksionimit të kampeve të internimit, dhe kryesisht të kampit famëkeq të Tepelenës:
 
1.Qysh më nëntor 1944 dhe deri në prill 1945, nis fushata e persekutimit të familjeve të mëdha të Shqipërisë, jug-veri, e posaçërisht të veriut, ku u digjen shtepitë, u grabitën pasuritë e konfiskohen pronat, arrestohen, pushkatohen e burgosen burrat dhe internohen familjet me pleq e plaka, gra e fëmijë e të rinj adoleshentë. Fillimisht familjet mbahen në burgun e degëve ose ndonjë barake, vetëm me teshat e shtatit.
 
2.Në Prill-Maj 1945, familjet e veriut internohen në qytetin e Beratit, ndërsa ato të Jugut në qytetin e Krujës. Vetëm me 500 gram buke misri në ditë, pa sigurim banese, te detyruar te gjenin vetë dhe me qira. Familjeve të mëdha iu shtuan familje ma të thjeshta, që kishin njerëzit të arratisur në mal.
 
3.Me prishjen me Jugosllavinë, u internuan qindra familje veriore dhe Berati u mbush plot e përplot, duke u kthyer në një qytet të internuarish.
.
Leonard Pervizi 2013 (Figura e Lekës në të djathtë)
INRI Leonard Pervizi 2013
4.Në verën 1948, të internuarit e Beratit transferohen me 38 kamionë të ushtrisë në Turan, Veliqot e Memaliaj të Tepelenës, ku plas kolera dhe vdesin shumë të internuar, kryesisht fëmijë. Këtu e ka nisjen kampi mizor i Tepelenës.
 
5.Më 19 maj të gjithë të internuarit vendosën në ish kampin e ushtrisë italiane, ku buka u jepet gruri e nga një lugicë supë në ditë. Të mbyllur në katër kazerma të mëdha me skela dykatëshe druri, për fjetje dhe banim.
 
6.Më 1952, puna e detyruar ndalohet, dhe forcat e punës transferohen në kampe të tjerë, për ndërtim objektesh të Ministrisë së Brendshme, dhe në Fabrikën e Tullave në Tiranë. Lirohet pjesa më e madhe e të internuarve mirditorë. Në vend të tyre bien aty të internuarit jugorë të Krujës, Valiasit e Kamzës.
 
7.Në fund të nëntorit 1953, kampi mbyllet, me nisjen e kamionit të fundit me të internuar, për në Savër të Lushjës, kryeqendër e internimit, ku ishte dhe komanda.
Të internuarit vendosën në 11 sektorë-kampe të fermës 29 Nëndori: Savër, Pluk, Gradishtë, Grabian, Rrapëz, Gjazë, Gurrëz, Dushk, Zhamë, Çermë e Sulzotaj. Si dhe në ndonjë fshat kooperatist.
 
8.1954-1958, krijohet Kampi i Kuçit të Vlorës, me 100 burra, prej tyre, 60 intelektualë të lartë, 20 të rinj (nga Savra e Pluku) dhe 20 ish të burgosur ballistë e zogistë. Kampi u mbyll me rastin e Hrushovit e afrimit BRSS-USA.
 
9.Nga 1958 deri 1990, nuk pati ndryshime, përveç një lirimi më 1964, ku përfituan të 60 intelektaulët e kampit të Kuçit të Vlorës e disa familje e individë. Por vazhdonin dhe internime të tjera. Pati dhe arrestime e dëbime me nga 10 vite burg të disa të internuarve, si dhe demaskime para popullit, të internuarve gra e burra.
.
Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit të Vlorës 1957, Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi. Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit'hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.
Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit 1957,
Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi.
Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit’hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.
Gjatë kësaj kohe, përveç Lushnjës, ishin njohur si kampe internime, Llakatundi i Vlorës dhe ferma Çlirimi i Fierit. Por nuk mbeti rreth pa kamp-fshat ose kamp-kooperativë- internimi, për familje dhe individë, të cilat vazhduan deri më 1990.
 
Kjo ishte pak a shumë gjendja për të pasur një ide mbi kampet e internimit. Mund të ketë ndonjë mungesë të vogël, por e gjitha është ajo që u përshkrua më lart.
E bëra këtë ndërhyrje se kam parë edhe mos përputhje dhe shtesa të paqena, sigurisht prej atyre që kanë qenë fare fëmijë në ato kampe e s’i kanë pasur të qarta gjërat. Nga mosha ime kam mbetur vetëm unë gjallë për të dëshmuar sa më drejtë e sa më saktë për ato rrethana tragjike.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.