back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Në Romë, në familjen e Nermin Vlorës – nga Lazër Radi

Gazeta

Nermin Vlora & Lazer Radi - Rome 1991 (arkivi Radi)
Nermin Vlora & Lazer Radi – Rome 1991 (arkivi Radi)

Në Romë, në familjen e Nermin Vlorës

nga Lazër Radi

Në verën e vitit 1991, ndodhesha në Romë. Kthehesha aty, mbas një odiseje prej gati pesëdhjetë vitesh. Megjithëse shumçka në atë qytet të mrekullueshëm, ku kisha kaluar një pjesë të rinisë sime kishte ndryshuar, Roma në vetvete ka diçka të pandryshueshme, të përjetëshme.
Roma, ishte qyteti i viteve të mia studentore, thënë ndryshe i rinisë sime tashmë të harruar, por ai qytet ruan në vetvete magjinë e ringjalljes edhe në mënyrën e vet misterioze. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Romë, u përpoqa së paku t’i shëtisja në kambë po edhe me autobus rrugët, sheshet, shtëpitë ku kisha banuar dikur si qiraxhi, ato “piazzat” e famshme, që askund s’janë aq të ngrohta si në Romë, ku dikur kisha bërë qindra fotografi. Kujtimet ishin aq përvëluese, sa të them të drejtën m’u krijua bindja se kësi emocionesh mund t’i krijohen e të shijohen vetëm në një qytet si Roma.
Kështu, atë fillim korriku, mbasi i kisha lodhur mirë e mirë rrugët e saj, kujtimet dhe mallin tim për “qytetin e amshuem”, kisha telefonuar edhe në shtëpinë e zonjës Nermin Vlora Falaschit, dhe e kishin lënë që mbasditen e 10 korrikut, të isha mysafir i asaj familjes, përkatësisht i zonjës Nermin dhe zotit Renzo Falaschi.
Banesa e tyre ndodhej në katin e gjashtë, i cili ishte edhe kati i fundit i asaj ndërtese. E theksova katin e fundit jo vetëm për shkak të lodhjes së madhe që m’u desh për t’u ngjitur deri atje, por edhe për të nxjerrë në pah diçka tjetër. Në tarracën e kësaj ndërtese, Nermini kishte ngritur një lulishte të mrekullueshme, të sistemuar aq bukur sa mes luleve të shumëllojta të kopështit të saj, të dukej vetja si mes kopshteve të varura të Semiramidës, atje në Babiloninë e largët, bukuria e të cilave vazhdon ta shëtisë ende botën si përfytyrim i mrekullisë së luleve dhe pemëve.
Mes atyre luleve shumëngjyrëshe, mes antikuareve dhe suvenireve të shumta e interesante, të mbledhura me aq përkushtim gjatë shërbimeve të zotit Falaschi si ambasador, nëpër vende të ndryshme të botës, sigurisht u ndjeva i mrekulluar, e megjithatë lulja më interesante e atij kopështi ekzotik mbetej Nermini, ashtu e qetë dhe e ngadaltë dhe me atë pamjen e një fisnikeje të lashtë veneciane. Ndoshta gjithë ky adhurim i beftë ishte si rezultat i faktit se Nermini ishte pjesë endemike e florës shqiptare.
Ndejtëm për një kohë të gjatë në tarracë, aty mes luleve, duke biseduar për gjithçka që kishte lidhje me Shqipërinë. Folëm për ndryshimet që sa kishin nisur, për humbjen e demokratëve në zgjedhjet e para, për fatet e demokracisë së brishtë, për Kosovën dhe për të ardhmen e saj, folëm gjatë për diktaturën, mbasi edhe arsenali kryesor i gjithë qenies sime ishte i mbushur përplot me tmerret e saj. aty, mes Vlora – Falaschit, ndjeva se shtëpia e tyre ishte një copëz Shqipërie, dhe gjuha shqipe, aty midis Romës, bëhej edhe më e mrekullueshme në ligjërimin e ëmbël dhe të paqëm e plot delikatesë të Nerminit. Ndërsa vëzhgoja kundrimin e paqtë të Rencos tek ndiqte me vëmendje çdo fjalë të saj, shihesh qartë harmonia dhe mirëkuptimi i plotë i atyre dy njerëzve, që vazhdimisht të linin të kuptoje se ata tashmë ishin një krijesë e veme. Shtëpia e tyre i ngjante shumë një muzeumi dhe për t’i parë me hollësi gjithë ato vlera interesante dhe bukuri të rralla që zbukuronin shtëpinë dhe sallonin e familjes Falaschi, duhesh vërtet shumë kohë.
.
Nermin Vlora - Falaschi (1921-2004)
Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

.

Kështu e kalova atë mbasdite të paharrueshme në familjen Falaschi dhe mund të them se përshtypjet e asaj dite s’do të mund t’i harroja lehtë. Ndërsa kishte afruar koha për t’u ndarë, të dy, burrë e grua zbritën bashkë nga kati i gjashtë dhe ashtu, siç e kanë zakon shqiptarët më përcollën deri poshtë në rrugë. Para se të përshëndeteshim, Nermini m’u afrua si të kishte harruar diçka shumë të rëndësishme dhe më porositi në mënyrë të veçantë, që mos të largohesha nga Roma pa takuar dhe Taf Përvizin, njeriun dhe patriotin e rrallë nga Kosova, punishtja e të cilit nuk ishte fort larg nga vendi ku ne po ndaheshim. Bëmë edhe disa hapa së bashku, ndërsa Nermini vazhdoi duke më rrëfyer:
“Tafa është nga ata shqiptarët e pathyeshëm, nga ata shqiptarët fisnikë të bjeshkëve të Kosovës. Mjeri i rrallë, me një krenari të admirueshme dhe me kalitje të hekurt. Ka shumë merita jo vetëm si luftëtar dhe njeri i drejtë, po falë këmbënguljes së tij arritën të hapen varreza edhe për muslimanët që jetojnë këtu në Romë. Mbaj mend se ishte vdekja e Mehdi Frashërit, i cili qëndroi pesë ditë i vdekur e i pakallur në dhè nëpër murgjit e Romës që u bë shkak për gjithë atë shpirt inisiative, mbasi deri në atë kohë nuk lejohej asnjë musliman të varrosej në varrezat katolike të Romës. Kështuqë u detyruan ta varrosin në varrezat engleze, ku vazhdon të prehet edhe sot e kësaj dite. Duhet ta takosh patjetër Tafën dhe mbas kësaj do t’më japësh të drejtë për gjithçka po të them. Është tip krejt i veçantë. Vetëm mbasi të jeshë takuar e të kesh ndenjur me të do të bindesh për çka po të them. Veç mos harro edhe diçka tjetër: Taf Përvizin e ke prej Hasi, dy hapa larg Prizrenit tënd…!”
Mbas asaj porosie të veçantë dhe atij portreti aq interesant, të skalitur në pak minuta nga Nermin Vlora aty në rrugë, u ndava me Nerminin dhe Rencon, me ata dy njerëz të mrekullueshëm, që ma kishin bërë Romën e Madhe më të ngrohtë e më të vogël.
E kam kujtuar shpesh atë mbasdite, ata dy njerëz të zhytur në harmoni të paqme që pakkush mund ta ketë ne kët botë. Isha larguar prej tyre duke u premtuar se do ta takoja patjetër atë njeri, të cilin ata ma kishin përshkruar aq dashamirësisht. E përsërita disa herë me vete emrin e Tafë Përvizit, duke iu frikur sklerozës që po më kapte gjithnjë e më shpesh kur ishte fjala për emra njerëzish. Kështu u nisa ta takoj atë njeri, për të cilin kisha formuar një ide aq të qartë prej fjalëve të Nerminit.
Marrë nga libri i Lazër Radit “Njeriu i rrugës së gjatë” fq. 17-21

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.