back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Si e kujtoj Trifon Xhagjikën dhe nji poezi te tij – nga Kostandin Koliqi

Gazeta

Trifon Xhagjika - Memoriali në Peshtan të Tepelenës
Trifon Xhagjika – Memoriali në Peshtan të Tepelenës

Si e kujtoj Trifon Xhagjikën dhe nji poezi te tij

nga Kostandin Koliqi

Kam patur fatin ta njoh edhe pse në distancë poetin Trifon Xhagjika. Unë isha i vogël, në ato vite kur ai shkruante këto perla të poezisë, armike për diktaturën. Atëhere nuk njihej termi disident dhe disa nga këto i kam lexuar, ende të shkruara me laps, sepse shpërndaheshin shumë fshehtas, së bashku me disa leksione të një mjekeje ruse në fjetoret e shkollës.
Kujtoj se këto poezi, i pëlqenim shumë por ne, një grup i vogël shokësh klase, e kemi kaluar në heshtje varri dënimin e këtij njeriu të mrekullueshëm, këtij oficeri të aftë dhe shumë të kulturuar, ndofta nga me trimat e shumë prej atyre që u dënuan nga diktatura. Në veçanti për fjalën e fundit të tij në gjyq, por edhe për qëndrimin e vëllait të Trifonit…
Kur është vrarë Trifoni, unë kam qenë në vitin e tretë në shkollën skënderbegas… Si atëhere edhe tani… kujtimi i Trifon Xhagjikës me mbush me lotë…
***
Trifon Xhagjika, oficeri disident, është ndër të parët dhe të rrallët e poezise shqipe! Trim i papërsëritshëm që edhe në sallën e gjykimit duke mbetur një nga shembujt më të lartë moralë të kundërshtimit të diktaturës!
Të nesërmen e pushkatimit të Trifon Xhagjikës, si kudo në ushtri, edhe në shkollën tonë, erdhën një tufë lektorësh të propagandës komuniste. Me buzëqeshje prej kuçedrash, na mblodhën në sallën e madhe të kinemasë dhe gjithë hare, nisën të na tregonin: “Sapo kemi vrarë një armik të betuar dhe tepër të rrezikshëm për partinë dhe fatet e atdheut, por edhe për ç’edukimin e brezit të ri, me moralin borgjez, me vjersha dekadente dhe me frymë të theksuar armiqësore… Oficeri me gradën më të lartë, por me deformim fizik dhe leksik që do ta prezantonte ngjarjen, ai më i shëmtuari, filloi të thoshte: “Armiku i betuar, Trifon Xhagjika, ishte aq i rrezikshëm sa edhe në sallën e gjyqit, kërkoi një top për të goditur Komitetin Qëndror të Partisë sonë të lavdishme!” (nuk e kuptonte, idioti se në sytë tanë, ai po ia rriste vlerat dhe po e bënte hero!)
Disa ditë më vonë, na erdhi e vërteta se çfarë kishte thënë Trifoni në sallën e gjykatës. Kur drejtuesi i trupit gjykues, përpara se të shpallte vendimin, ai i kërkoi fjalën e fundit, Trifon Xhagjika u ngrit dhe tha: “Më jepni një top të madh, – në çast i ndërhyn prokurori dhe e pyet: Për çfarë e do, topin o armik?” dhe Trifoni pa u lëkundur ia ktheu “që të godas atë ngrehinën tuaj vrastare e ta hedh në erë!”
Aty na u tha edhe për qëndrimin e Ylli Xhagjikës, vëllai i Trifonit, që nga mesi i sallës i tha: “Mbahu vëlla, Trifon, ne jemi me ty!” – qëndrim ky, shumë i rrallë, në mos i vetëm, i mbajtur nga familjarët në sallat e gjyqeve kriminale të diktaturës!
Duan apo s’duan komunistët e vjetër dhe të rinj, Trifon Xhagjika do të jetojë gjatë, shumë gjatë në historinë tonë si poeti që u vra për lirinë e ndjenjës, lirinë e fjalës, lirinë e mendimit, lirinë e të jetuarit…
O të marrë! A vritet ndjenja, a vritet shpirti? A vriten poetët o përbindsha…!?
***
Po paraqes këtu një nga poezitë e Trifon Xhagjikës, simbolit të disidencës shqiptare…
.
Trifon Xhagjika (1932-1963)
Trifon Xhagjika (1932-1963)

* * *

Kënga e verbër

nga Trifon Xhagjika

E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh zotërve
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr
e natën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.
Ata të kthyen në metelikë!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
o gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd, të vjedhin jetën.
Sa do të doja
që ballin e ftohtë
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,
ëndrrat e ngrira të m’i zgjoje.
Me tmerrin duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtar, si shërbëtor besnik.
Veç me mua ejani,
t’ju rrëfejë të vërtetën
që ndrit.
Të dinë udhëheqësit lart
dhe e larta Republikë
se nuk jemi
as të verbër
as të shurdhër në politikë.
O Republikë e pabesë!
T’u fala
si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.
Turp,
Atdhe!
S’dua di kush je!
Tek ty jam
i lirë pa liri,
i gjallë i pajetuar,
i vdekur i pavarrosur.
O vendi im
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimit i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe, ti, o Republikë,
o e gjora republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Po tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
Ç’të të këndoj më?
Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha m’u zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
o lavire e zotërve gjakprishur!”
(Prill 1962)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.