Hija e Fmija – nga Agron Gashi
(N’vend t’falënderimit për ata që m’uruen)
Dëftimi nis aty ku fmija nis të mëkambët, të ecë i vetëm, me hapa dredharakë, qoftë pa ndonji ekuilibër t’madh, atëherë ku përiheri me kambë luen edhe duert si flatrat e nji zogthi tuj u përpjek’ me mbajtë drejtpeshimin, dhe provon t’mbrrijë deri n’fund t’hijes së sh’pisë, qoftë kjo hije e nadjes, kur dilli ngjitet nja tre konopë n’qiell apo nji konop pa perëndu. Dhe, hija e sh’pisë dukej se rritej ma shumë para perëndimit të dillit, tuj qenë se dritoret si sy dhe dera si gojë, ishin kthye kah lindja, ndaj shikimet n’oborr, kufinin i hijes e banin ma t’theksuem.
Vija e hijes ish shenjë e nji kompasi natyror, që besohej se deri aty ku e mbërrin fmija e ruen ora e sh’pisë, apo syni i nanës. Si fmijë, po e kalove hijen e sh’pisë, nana duhej të thoshte “I ka kalue të dymbdhjetë muejt”, edhe nëse ai ish dhjetë, apo edhe njëzet e katër.
Nji nadje, fmija u nis nga odniku prej dheu, tuj u ngatërrue n’opinga lëkure mzorësh, deri te pragu, me dorën e majtë tuj e shtrëngu fort ansoren e derës, me kambën e djathtë në prag, nji provë belbzimi kjo n’ecje, si në t’rrxuem, ku kamba e djathtë provon ta ngrehi t’majtën, pastaj sprova tjetër për të ndenjë qiri në prag, sa për t’hedhë shikimin kah bota e madhe rrethue zakonesh t’mbjelluna n’shpirt, e ndame diku n’mes manit të zi dhe arkës së bunarit t’hollue qekerrke, marue pa i ardhë nana nuse.
Përderisa fmija hedh kambën e djathtë përtej pragu, tuj shtrëngu kyçet dhe muskujt nga shputa e deri te qafa, lutjet dhe uratat e nanës bahen trefish ma t’forta, shenjë e lavdisë, e triumfit të ecjes n’kambë t’veta mbi zhagitjen e dymbëdhjetë muejve dhe ma shumë se katër stinëve prej sa ka pa të bardhën dritë, kur ka qa sa nuk i ka plasë korzat zanore, t’holla si fija e flokut, t’buta si mëndafshi dhe t’njoma – ujë. Jehu i zanit, edhe pse se nuk i kish kalue as dy mure të cilat bajnë hije herë ma t’lehtë e herë ma t’randë, varësisht prej rrotullimit t’dillit, thuhet se ia ka çliru mushknitë, ia ka zgjanu zemrën sa i ka ngazëllye edhe gurtë dhe trarët e sh’pisë, po s’ka arrit’ ta zë hijen, ta mposhtë perandorinë e saj me hapa t’vogjël, që ngatërroheshin në gurtë kryeçuem nga dheu, që ftyrën nanës ia banin dhé.
.
.
Hapat e tij kaluen edhe provën e gurëve dhe gungave t’dheut t’bamë tokë e fortë drejt barit të ngjeshun fort nga kambët e mëdha e t’vogla, t’trasha e t’holla, thundra e putra kafshësh, t’zeza e t’bardheme. Por, shputat e tij t’vogla, t’veshuna trashë, me çorapë qëndismash me tri t’dinueme nga duert që s’dinin me prá së vallëzuemi tanë natën e lume ndër kërrabëza, çorapë t’ngjeshuna për llastiku që s’janë as sandale, as këpucë, por nji lloj lkure deveje e regjun n’krip e n’prush. Mjaftonte që fmija të arrinte gjysëhijen e pikës së ditës, e cila nuk ish e madhe edhe pse sh’pia ishte dykatshe, me trenë të trashë, që s’mund t’i prekte grue as fmijë, po veç burrnimi të trashun zanit, n’kollitun e sipër si t’ishin tërbue, sidomos pas ndonji martese “fatlume”.
Edhe pse provat e ecjes, të ecjes me hapa të pamatun, fmija i kish ba rreth e qark dhomës së ditës, odnikut, dhomës së fjetjes deri te qoshet e orendive, duke provu edhe shkalltë e drunjta e t’shpeshta, që çonin n’katin e dytë, gjithmonë i shtrënguem nga duert e nanës, kjo prova e daljes n’oborr, andej ku hija e prente përgjysmë oborrin, ish tjetër gja.
Pasi kaloi gurtë si ajsbergë t’vogjël, duke u lëkundun para-prapa, majtas-djathtas, befas u ul mbi barin e shkelun t’përziem me kamomile. Kamomilet, edhe pse kokulun, ruanin njifarë gjallnie t’fshehun tej ngjyrës së vet, t’kthyeme në t’murrmë, të cilat në sytë e fmijës ishin pothuej çarçaf i verdhë, që binte dhe zgjohej me nanën natën e ditën, çarçaf i dalë boje, meqë ditëve t’nxehta i mbronte rrezet e thekuna që përshkonin tejpërtej dritores qelqta, rreze këto që fmijës i përloshnin sytë dhe e shtinin të teshtinte fort, sa që ia shkoklonin çdo pjesë të trupit, bash si lmezat kur rrahin degët e moll’s s’re në nji rrah t’rrpitë, e ato bien turrshëm monopatit.
I ulun, nuk merrte forcë të çohej, derisa nji dorë e fortë e shkoqi nga toka si cukël, jo si dora e nanës, por nji dorë si e hekurt e cila rrmisht e çoi n’kambë. Si ta dinte fmija i katër e pak stinve se ajo ish dora e t’atit që kurrë nuk e kish prekun dashnisht, i cili farfuritshëm kish dalë nga hija e kandit tjetër t’sh’pisë, i briti fmijës:
-Çou mashkull, mos u lig!
Nana, me njanën dorë n’mes, e tjetrën n’faqe, nuk ia ndante sytë fmijës, përderisa i shoqi po provonte ta mëkëmbte n’atë botë t’përgjysmueme nga fantazma hije që i peshonte qiella e dilli përmbi.
Sapo fmija u shkoq nga dora e fortë, përvajshëm ish ngjeshun për gjoksi t’nanës, i strukun si në nji strofull t’braktisun me vjet të tana, e jo nji ças ma parë. Nanës i ishte rrëqethun trupi, i ish ngri gjaku dhe ishte fut brenda, pa zhurmë, njashtu siç futet nji e humbun natën n’kishë.
Fmija, që donte ta kapërcente hijen, isha unë, pa ditë se matanë saj, bota nuk (k)ish veç shkëlqim dhe se hija e sh’pisë kudo do më ndjek, ashtu si lutjet e nanës dhe sytë e saj, që m’shohin tuj kapërcye hijen e tuj andrru me u rinis prej nga kam ba vajin dhe hapin e parë.
.
Marrë nga muri i fb i Agron Gashit, 26 prill 2018