Komandantët e Kampit të Tepelenës
nga Kastriot Dervishi
Sikur kam shkruar edhe më parë,
pikësëpari komunizmi i Shqipërisë ishte instalim i një shumice të paditurish,
të cilët me mjete kryesisht kriminale morën pushtetin për të shkatërruar
çdo gjë të mirë që ekzistonte në atë kohë në vend.
Këta shihnin me zili, smirë, çdo gjë që u kapte syri. k.d.
.
Xhaferr Pogaçe
Me pak fjalë le të shohim biografinë e komandantit të kampit të Tepelenës, Xhafer Pogaçe, në kuadër të debatit të fundit për këtë kamp.
Lindur në vitin 1922, në fshatin Plasat të Kardhiqit Gjirokastër, me profesion bujk. Deri pas lufte analfabet, por në moshën 22 vjeçare, në shkurt-shtator 1947, kur ishte me punë në Skrapar, mbaroi (të gjithë) arsimin fillor. Koha kur e ka mbaruar këtë arsim, ka pak gjasa të vërtetojë plotësimin e këtij detyrimi “madhor” për kuadrot komunistë të kohës.
Doli partizan siç doli shumica, në vitin e fundit të luftës, më 15.2.1944 në batalionin e Kurveleshit. U vendos më pas në brigadën e 16-të ku shkoi deri komisar kompanie. Këtë “karrierë” e mbylli më 9.5.1945.
Në organet e punëve të brendshme shërbeu në vitet 1945-1955.
Në vitet 1945-1947, ishte oficer në batalionin e 1-rë të brigadës së 1-rë të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, në Peshkopi dhe në Shkodër.
Në vitin 1947, ishte shef i policisë së Skraparit.
Prej këtu, më 25.9.1947, emërohet përgjegjës i kampit të internimit të Beratit.
Më 9.5.1949, zhvendoset me të njëjtën detyrë në kampin e Tepelenës duke qëndruar deri më 15.2.1952.
Në karakteristikën e 2.12.1951 të shefit të seksionit të punëve të brendshme të Tepelenës, Gani Aloçi, thuhej se Xhaferi ishte “besnik, e urren armikun”.
Pogaçe e përfundoi karrierën në MPB si zëvendëskomandant i Shkollës së Qenve në nëntor 1955.
Në maj të këtij viti, në Tiranë nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, erdhi raporti i qeverisë amerikane për kampet e burgjet e Shqipërisë, i cili u paraqit në OKB më 29.3.1955. Nuk dihet në kishte apo jo lidhje nxjerrja në lirim e komandantit të kampit të Tepelenës nga përmendja e emrit të tij në këtë raport. Në raportin e qeverisë amerikane përmendej aktiviteti negativ dhe imoral i komandantit të kampit të Tepelenës.
E mërkurë, 02 maj 2018
.
Haki Ibrahimaj
Pas Xhafer Pogaçes, komandanti i dytë dhe i fundit i kampit të Tepelenës ishte Haki Ibrahimaj, lindur në Dhëmblan të Tepelenën në vitin 1924. Edhe ky doli partizan vitin e fundit të luftës, pikërisht më 5.4.1944, në batalionin “Perlat Rexhepi” në Shkodër, e më pas në brigadën e 27 komuniste. Profesioni i jetës ishte ai i marangozit. Karriera deri në ushtrimin e përgjegjësive shtetërore ishte kjo sipas viteve:
1934-1939 – bari dhensh në Martalloz të Tepelenës
1939-1940 – shërbëtor në Kakos të Gjirokastrës
1940 (janar-shkurt) – shegert në restorantin e Veip Runës në Vlorë
1940-1944 – marangoz në zdrukthëtarinë e Xhemal Kasmit në Shkodër
Deri këtë kohë të dhënat dëshmojnë se i përmenduri nuk kishte kurrfarë arsimi.
Pas majit 1945, ai kaloi nga partizan në forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, polici, si dhe hetues në MPB. Në vitet 1951-1952, ishte kursant në shkollën e policisë ku mësoi shkrim e këndim si dhe disa parime pune policore. Nga data 15.3.1952 deri më 15.9.1953 ishte komandant i kampit të internimit tela me gjemba të Tepelenës. Në vitet 1953-1964, shërbeu në detyra të ndryshme policore në Shkodër, Elbasan e Skrapar. U nxorr në lirim më 30.5.1964, për “shpërdorim të pozitës zyrtare me qëllim përvetësimin e 5.500 lekëve”.
Megjithëse me këtë shkollim, karriera ushtarake nga rreshter në vitin 1945, e çoi në major në vitin 1962. Kur shërbente në kampin e Tepelenës ishte toger.
E enjte, 03 maj 2018