back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

“Bukë e krypë e zemër…!” – esse nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016

“Bukë e krypë e zemër…!”

esse nga Jozef Radi

Nё gjurma tё paganizmit shqiptar…

Nji shprehje aq shpesh e pёrdorun po jo edhe aq shpesh e trajtueme e shqipes, qё ka n’themel disa elemente tё randёsishme tё krejt jetёs njerzore po qё anashkalohet thjesht me trajtimin e shpirtit tё mikpritjes sё shqiptarit, nisё gjithnji nga baza e vorfnisё sё tij emblematike asht: “Bukё e krypё e zemёr!”
Mbas mija herёsh ndigjue, po pak, shumё ma pak shprehё, nji mbramje nji mikja ime mё shkruente duke mё kёrkue pak ma shumё interpretim rreth shprehjes “Bukë e krypë e zemër!”, duke ma theksue se ajo mendonte se nuk buronte thjesht prej asaj vorfnie, qё nё shprehim random, po mendoj shumё ma tepёr…
Prej atij mesazhi, qё nё t’vёrtetё e lashё pak gjatё pa pёrgjigje, i hyna jo vetёm nё nji reflektim tё thellё po edhe ma gjanё, nji analize ma komplekse tё kёsaj fraze, qё mё shtyu me mbrritё nё do konkluzione qё as vetё s’i kisha besue.
 
E para, jam i bindun se shprehje “Bukë e krypë e zemër!” asht endemike shqiptare. Asnji popull tjetёr nuk më rezulton se mund ta ketё shprehje apo nji shprehje tё kёsaj natyre.
E dyta, shprehja asht monumentale pse janё tre elemente thelbsorё tё jetёs, pёrfaqёsue prej tre emnash tё pashquem, po qё nё nji kqyrje ma tё thellё janё tri simbole bazё tё njerzimit tё kapuna përdore pёrmes dy lidhёzash qё ia mbrrijnё nji sublimiteti mahnitёs, dhe shprehja “Bukë e krypë e zemër!” automatikisht monumentalizohet përmes nji lakonizmi tё rrallё e tё pashoq. Fjalia në vetvete asht e pakuptim, asht nji enumeracion emnash ngjyrosja e të cilave mbetet pezull, nëse nuk merret parasysh kush dhe kur thuhet!
E treta asht edhe ma e randsishmja e kёsaj fraze. Njeriu, vendi dhe koha e pёrdorimit tё saj. Duhet kuptue se kjo frazё nuk asht thirrse po gjegjse, dhe si e tillё ajo e merr kuptimin të shumfishtë se asht gjegjëse dhe detyruese.
Kjo fjali nuk asht e lindun ashtu rastësisht. Ajo përdoret nё nji kontekst tё veçantё, nga njerëz të veçantë dhe si e tillё ajo ka brenda saj nji mesazh kodifikues, pothuej si nё tekstet liturgjike, po më duket ma pёrpara këtyre teksteve, çka tё shtyn me besue se asht pjesё e nji tradite primordiale, ndër ata që kanë krejt pak gjà me të ofrue në at të msyme të derës, po kjo as e mpak dhe as e tukeqё njeriun qё ndjen se dikush i huej dhe i largët asht te porta e tij. Dhe biseda mes tyre asht e thukët:
“O i zoti i shpisё, a pret miq?”
“O mirё se t’ka pru Zoti! Bukё e krypё e zemёr!”
Pra kjo bisedё asht e kodifikueme, askush s’mundet me i shtue as me i pakёsue nji gёrmё, jo ma nji fjalё kësaj bisede, veç duhet si nё formulat matematike, mos me lëvizë asgja!
E katërta, nё fund tё kёsaj bisede duhen trajtue zbërthye disa elemente thelbёsorё. Njeriu i largët qё troket derёn nji tё panjoftuni, ma shumё se nji drekё a nji darkё, ai ka kёrkue nji mik dhe jo vetёm miqsi po edhe mbrojtje, jo vetёm miqsi dhe mbrojtje po edhe besё, dhe jo vetёm kaq, po mbas atij kodi komunikimi e panjoftuna nuk asht ma e tillё; ajo trokitje asht shndёrrue nё nji marrdhanie të re me botёn, në nji mundёsi me shpёrnda emnin e nji familje a fisi nё tjera hapsina, prej kah ka msue e panjoftuna…
E pesta, po çka janё kёto tri fjalёt qё mbyllin tekstin primordial: “Mirё se t’ka pru Zoti…!” – pra mikun nё derё s’ta ka pru as haja, as pija, as nata, as ndonji dёshirё a problem… atë ta ka çue vetё Zoti, krijesa ma e fuqishme e botёs pagane dhe shqiptarit primordial – me e vu në provë. Pra Miku asht i dёrguem i nji fuqie tё epёrme ai duhet trajtue si i tillё.
Dhe mbrrijmë të kodi “Bukё e krypё e zemёr…” nё dukё tri fjalë tejet tё thjeshta. Jo ato nuk janё njashtu tё thjeshta sa ndokush mundet me i lёvizё simbas dёshire, asnji germë, s’mundet me luejtë. Fjala vjen me e shndrrue: “Bukё e mish e me gjithё shpirt…!” Nuk mundet kush! Ato fjalё janё tё kodueme e shёrbejnё si gurё qosheje nё themele tё një idenditeti ku shqiptari asht hallka e fundit që e përcjell.
E gjashta, le t’i trajtojmë tri fjalët nyje në shumkuptimësinë e tyne, mbasi ato janë edhe kodi komunikativ, midis të largëtit dhe të zotit të shpisë.
Buka asht sinonim i jetёs, edhe i mbijetesёs, edhe familjes, i vetë njeriut qё lёvron si tokёn edhe fatin e vet;
Krypa asht shija, asht konservimi, asht ruejtja e gjasë, asht masa, asht e thjeshta e ndёrlikueme, asht e parandsishmja e domosdoshme, asht e ardhuna prej larg (detit), deri nё majё tё maleve tё egra (me mbrojtë eksistencën) çka mund të bante nji malsor maje malesh pa krypën, mandej me e njoftë tjetrin duhej me hangër nji thes kypë bashkë… krypa lidh ekzistencën me shpirtin e njeriut asht ndërmjetsja e jetës…
Zemra asht ndjenja e njeriut, asht emblema e gjakut, asht jeta vetë, po asht edhe bujaria e kujdo qё kёrkon me ia zgjanue kufijte vedit. E mbi kёto tri pika asht nji trekandsh, çka nënkupton formën e përsosun, harmoninë hyjnore, jetёn prej zanafille. Asht trini e shenjtë si: “Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë”; “Drita, Hyji dhe Njeriu”; pse jo edhe “Buka, Krypa dhe Zemra”... nëpër tri pika kalon nji rreth dhe vetёm nji!! Tri fjalë që e mbyllin në mënyrë monumentale nji qark!
.
Mes Alpeve (Pikturë nga George Pali)
Mes Alpeve (Pikturë nga George Pali)

.

Gjithnji kur flitet pёr shprehjen “Bukё e krypё e zemёr!” flitet pёr krejt etapat e nji bashkёsie njerzore qё sot kulmon me shqiptarёt. Ajo e ka ruejtё gjenezën e saj te malsori shqiptar qё ka qenё tejet konservativ nё mbrojtjen e kёtyne kodeve tё lashta po edhe krejt frymёs pagane tё njeriut shqiptar, i cili mbi bazё tё kёtyne kodeve, tashma tejet tё gjymtueme, vazhdon me e mbrojtë me shpirt nёpёr dhambё at idenditet të mshehun mbrenda tij, edhe pse duket, se kohnave moderne k’si lloj kodesh s’i hyjnë nё punё pёr asgja…
E kundёrshtoj idenё se kjo shprehje ka lidhje me vorfninё e shqiptarit. Asak! Simbas meje, duke qenё shprehje tejet e lashtё, mendoj se bota primordiale nuk ka shkёlqye prej pasunie… edhe nёse u krijue pasunia ajo ishte nё duer tejet tё pakta, çka na lejon të besojmë se kode tё tilla vlenin ma së shumti pёr njeriun e zakonshёm, qё përbante shumicën.
Diçka qё vlen me iu shtue kёtij interpretimi, asht nji histori shqiptare pёr vёshtёrsitё e malsorit pёrpara mikut.
Po varnin nё litar nji malёsor, dhe gjykatёsi ekzekutues e pyet:
“A ke pasё ditё mё tё zezё se kjo e sotmja?!”
“Po, – iu pёrgjegj malsori – kur ma ka msye derën miku e s’kam pasё bukё me i shtrue para!”
Kjo e forcon edhe mё tej at çka theksova nё kёt shkrim mbi kodet e lashta tё gdhenduna nё gjakun e shqiptarit, e qё na dёshmojnё edhe sot, edhe ashtu tё shprishuna, se sa thellë janё mbrenda tij gjurmat pagane tё kёsaj ekzistence…
prill-maj, 2018


 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.