Statistikat e dhimbshme të Ligjeve mbi Pronën dhe Tokën
Albens Tabaku (D.M.)
“…Në kohën e mashtrimit universal,
të tregosh të vërtetën përbën një akt revolucionar” – George Orwell
Nuk marr përsipër saktësinë e shifrave të nxjerra nga një e përditshme shqiptare, por nga e ashtuquajtura eksperiencë instiktive, apo dija bruto. Meqënëse me ka lidhur puna me këtë fenomen më shtyn të mendoj që përafërsisht janë pranë realitetit të dhënat. Bëhet fjalë për çeshtjen sensitive të kthimit të pronave pronarëve legjitimë (nuk ma nxe goja termin ish-pronar!!).
Ja dhe të dhënat: Me ardhjen në pushtet të komunistëve në v.1945, janë shtetëzuar me forcë, 118 mijë prona ish-pronarësh të sekuestruar pas vitit 1945 (këtu nuk përfshihen sekuestrot, konfiskimet e sendeve të luajtshme me vlerë si monedha floriri, sende të çmueshme antikuare, etj. Bile nuk futen as pronat e komuniteteve fetare që u morën pas 1967, si dhe marrja e pronave me formimin e kooperativave artizanale në qytet, gjë e cila ndodhi pas 1945.
Pas rënies së komunizmit në v.1992, klasa politike mori përsipër (mos)kthimin e pronës te pronari legjitim. Keshtu i famshmi Ligj 7501 (litari i lënë jashtë i Ramiz Alisë) e ndau tokën bujqësore me parimin e Krutjes (toka i takon atij që e punon), dhe Ligj 7698, v.1993 mori përsipër kthimin dhe kompensimin e pronave troje dhe ndërtesa në qytete, si dhe gjoja kompensimin e pronës tokë bujqësore. Ligji 7698 ndryshoi 8 herë, pa përfshirë këtu VKM dhe Udhëzimet që janë me dhjetra dhe që kanë ndryshuar duke e shumëzuar me koficentin 3 herë në 4 muaj. Ligji 9235, i vitit 2004 ka ndryshuar 9 herë, as këtu nuk përfshihet VKM dhe udhezimet. Nuk përfshihet as ligji i parë për të persekutuarit politikë, që u kthente pronat ish-pronarëve dhe i fuste në konflikt të drejtpërdrejtë me ta. Nuk përfshihet as Ligji mbi “legalizmet e ndërtimeve informale” (pa leje) që është në kundërshtim të plotë me ligjin gjysmak të kthimit të pronës…
Nga fizika dimë që kur dy vektorë force janë në kundërshtim me njeri-tjetrin, rezultantja është zero. Ngjashmëria e këtij parimi vlen edhe në shkencën shoqërore të jurisprudencës, përplasja e ligjeve sjell kaos social ekonomik, juridik… si rezultat bllokim të tregut imobiliar, shkatërrim urbanistik, pasiguri, mosinvestime nga kompani shumëkombshe serioze mosinvestime nga shtete dhe biznese perëndimore. Qytete të tipit Bathore, Paskuqan, Bregu i Lumit, filluan të mbijnë anë e mbanë Shqipërisë. Problme Sociale, (shkollim, mjekim, elektricitete, ujësjellësa, kanalizime, lëvizje, ndërtime rrugësh, arterie lëvizjesh kanë plasur gjithë andej. Këtu nuk bëhet fjalë për turizmin apo kënaqsinë estetike të qyteteve të sistemuara me aksesorë urbane dhe fshatrave të sistemuara. Një rrezik iu kanos dhe vazhdon t’i kanoset trashëgimisë kulturore dhe historike. Lindi termi zhargon “Prona i takon atij që e zapton”. Gjykatat nuk kishin vetëm korrupsionin, apo paaftësinë, por edhe pamundësinë për të operuar me instrumente ligjore konfuze si më sipër dhe me ligje kaotike.
Imagjinoni një mjek qoftë edhe të korruptuar që duhet të kuroje një pacient me ilaçe të skaduara dhe të pasigurta, me instrumente mjekësore të fabrikuara keq qysh në prodhim. Si do t’i vente filli pacientit??
Qarkullon një anekdotë në Gjykatën e Starzburgut, se ish kryetari i saj Nikolas Bractza (me origjinë polake), kur i vinin çeshtjet nga Shqipëria, i linte për shqyrtim ose herët në mëngjes, para të tjerave ose në fund të ditës, me shprehjen humoristike “Let’s tallk about albanian puzzels”, (Le të bisedojmë pak mbi fjalëkryqet (çeshtjet) shqiptare!!). Aq të ngatërruara vinin kazuset e Shqipërisë sa ligji u jepte të drejtë herë njerës palë dhe herë palës tjetër duke krijuar kështu një konfuzion unikal në Shqyrtimin e kësaj Gjykate.
Dhe rezultati:
Në Shqipëri kanë ndodhur mbi 3650 vrasje për konflikte pronësie. Janë plagosur mbi 13 mijë persona. Janë ngujuar afro 1800 familje, për shkak të konflikteve pronësore. Kanë mbetur afro 7200 fëmijë jetimë. Loja mashtruese politike e ligjore me pronat, ka si tregues nxjerrjen e 27 ligjeve, të 234 vendimeve, të 356 amendimeve, të 152 udhëzimeve, të 289 formularëve dhe të 6 dekreteve.
Rezultatet e këtij mashtrimi kanë edhe këta tregues: Në 21 vjet, janë 5.9 milion procese gjyqësore, të cilat kanë shkaktuar sorrollatje, tallje, moskthim prone, falsifikime dosjesh, zhvatje pronash dhe në 65% të rasteve, për shkak të padrejtësive në gjykata, këto kanë çuar në vetgjyqësi…
(Marrë nga Dashamirët e mendimit 30 gusht 2013)
Puna është se tek ne nuk ndodhi aspak një përmbysje e komunizmit!! Këto gjëra i shpjegon kjartë Ramiz Alia kur zbërthen direktivat e Katowices para byrosë politike, materiali për çudi, ende gjendet në you tube-dhe tallja me pronat, me të burgosurit politikë nuk ka gjasa që të ndalojë ndonjëherë.
Komunistët dhe klyshët e tyre janë de facto dhe de jure në pushtet – me bekimin e të Mëdhejve – dhe një zot e di se si do të vazhdojë kjo histori!!
Shkrim fantastik! Duhet shtype si fletëpalosje dhe shpërnda në çdo familje.
Përgëzime autorit për këtë panoramë të plotë!
Një analizë më se plotë e problemit të pronave.
Zvarritjet pas vitit ’92, vetëm për t’u përdorë ish pronarët për votat. Po të ishte vullneti, mund të zgjedheshin me kompensime në bregdete që mbrenda vitit ’97, por amullia u kriju për të grabitë pronarët e rinj (pushtetarët) në vazhdimësi për 20 vite.