Aranit Çela, nga balil i fashizmit – kryexhelat komunist
nga Kastriot Dervishi
Aranit Çela (1924-2018), “Vishinski” i komunizmit të Shqipërisë, që nxirrte shkumë nga goja për vendimet apo pretencat e tij të zeza, reflektonte personin që e kryente me shumë dëshirë punës e xhelatit të drejtësisë. Kontribues në rreth 650 procese politike, si hetues, prokuror dhe gjyqtar, por edhe përçues i përvojës sovjetike të drejtësisë, Çela është një faqe e rëndë e librit e zi të komunizmit në Shqipërisë. Një profil i shkurtër për të.
Familja e tij kishte origjinën nga Kanina e Vlorës. Ngeli jetim, i vdiq babai në moshën 15 vjeçare. Në vitet 1935-1942 mbaroi Institutin Tregtar të Vlorës. Me ardhjen e regjimit fashist, Aranit Çela ishte ndër fëmijët balila të cilët kaluan një muaj pushime në Itali (Pezaro) në verën e vitit 1939. Mbi 5 mijë fëmijë nga Shqipëria u përzgjodhën e dërguan vetëm në një listë për të kaluar pushimet në Shqipëri. Shumë prej tyre u bënë komunistët të vendosur e për ironi mbahen edhe si “antifashistë” të kulluar. Balilat visheshin me rroba të zeza duke imituar veshjen e më të mëdhenjve anëtarë të Partisë Fashiste. E pikërisht do ishte balil Aranit Çela që kushedi sa të pandehur do çonte në plumb e në burgje si “bashkëpunëtorë të fashizmit”. Babai i tij shiste cigare dhe punonte roje nate në muzeun e Vlorës. Në autobiografinë e vitit 1954, Çela shkruan: “Babai im ka qenë element alkoolik dhe shumë pak i lidhur me familjen… Familja ime ka vuajtur mjaft ekonomikisht. Kjo edhe për arsye, se sikurse thashë më lart, ka qenë element gjithë kohën sarhosh (alkoolik) dhe krejt i pakujdesshëm për familjen e vet”.
.
.
Në oborrin e shtëpisë së tij, pronë e nënës, u ndërtuan nga prifti katolik Dom Marku me banim në Vlorë, tri magazina, i cili si investues i përdori për 15 vjet pa paguar qira. Shtëpia e familjes u ndërtua me para të marra me fajde nga Selaudin Peshkëpia, por as këtij nuk iu kthye borxhi asnjëherë. Në 17 marsin 1941, kërkon pa sukses të punësohet në Zyrën e Regjistrimit të Gjendjes Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë të regjimit fashist. Në prill-maj 1942 Araniti qëndron në paraburgim iu gjetën në shtëpi disa trakte, por regjimi fashist tregohet zemërgjerë dhe e dënoi me kusht. Më 10 janar 1943, bëhet anëtar i PKSH-së në organizatën e Mallakastrës, por partizan del vetëm në nëntor të këtij viti. Në korrik 1944 bën pjesë në brigadën e 14-të komuniste, e më pas, deri në mars 1945, në divizionin e 3-të komunist.
Në mars 1945 – shtator 1946, Aranit Çela është prokuror ushtarak në Shkodër, në qytetin ku zhvilloheshin përditë proceset më të tmerrshme politike të kohës.
Më 1946-1948, vazhdon me këtë cilësi por në divizionin e Korçës. Më 1948-1949 është ndihmësprokuror i Prokurorisë Ushtarake. Në vitet 1949-1953 ndjek studime në fushën e drejtësisë në Bashkimin Sovjetik. Më 1953-1954 ishte nënkryetar i Degës së Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit. Më 1954-1955 prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Më 1955 – 1958, dhe 1966 – 1990, kryetar i Gjykatës së Lartë. Më 1958 – 1966, prokuror i përgjithshëm. Më 1958 – 1991 deputet i Kuvendit Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Pavarësisht se u dënua për gjenocid, doli nga burgu në ngjarjet e vitit 1997. Drejtësia që kishte përgatitur për atë ditë e shpalli të pafajshëm dhe urdhëroi dëmshpërblimin.
Marrë nga http://55news.al, 9 Maj 2018