back to top
1.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Kumti Filozofik i Padër Meshkallës përmes një letre – nga Emi Krosi – Letra që At Pjetër Meshkalla i drejton Mehmet Shehut

Gazeta

Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)
Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)

Kumti Filozofik i Padër Meshkallës përmes një letre

nga Emi Krosi

Letra e plotë që At Pjetër Meshkalla i drejton Mehmet Shehut

Fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni.
Pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna,
pëson torturën ma të madhen, sepse e lidhun nga kafshata e bukës,
shtrëngohet me mohue me gojë atë që beson;
dhe kështu fushata synon me formue një brezni pa kurajo civile,
pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t’Atdheut.
Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”.
E kush po di se cilët janë! – Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht.
Po për këtë të shek. XX?
.
 
Emi Krosi
Emi Krosi

Shkëlqesë,

Pardje, më 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër të tjera, se do të denonconim gjithçka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këtë letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshe, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj personi o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Ç’ vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! – Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për të.
Unë tham se, me këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, më 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këtë kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira.
Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, në Kryeministri – Tiranë, 5 prill 1967.
Me nderime
Pjetër Meshkalla, Meshtar Katolik i Shoqënisë Jezu.
 
Letrat janë shenjuese të një profecie të rrallë si historike, letrare dhe gjuhësore por edhe fetare. Një letër, që është shkruar me forcë argumneti, urtësi gjykimi, dëshmi kurajoje, mbi të vërtetën Univesale, njerzore, hyjnore: lirinë e besimit.
Tabutë nuk janë të pathyeshme, por janë të rrezikshme. Ashtu si Kierkegaard me një ditar, që dha shembull, se njeriu duhet ta mposhtë “frikën”, kur Martiti i Kishës, At Pjetër Meshkalla, pati guximin e besimtarit dhe Hirit të Atit shpirtëror Krishtit, për qeverinë e kohës, se sigurimi i jetës dhe pronës së qytetarëve, si traktati i Xhon Lokut, të drejtën e lirisë dhe ndërgjegjes së fesë, (vetëm kur feja vlerësohet si jotolerante), se të gjitha qeveritë e botës, janë produkt i vetëm i forcës dhe dhunës, dhe që njerzit jetojnë së bashku vetëm nga rregulla që nuk janë të kafshëve, ku më i forti mbart ato… sepse vlera njerzore po humbet, pasi zhbëhet vlera shpirtërore, feja. Mbi këtë kumt të filozofit Xhon Lok, po e ndërtoj edhe unë këtë përqasje.
Letrën e kam ndarë në tri pjesë:
.
Pjetër Meshkalla - Letër Mehmet Shehu
Pjetër Meshkalla – Letër Mehmet Shehu
Pjesa e parë:
Fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni. Pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! – Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX?
Kjo pjesë ka një kumt të madh, po aq të rëndësishëm për kohën, sa edhe për kohën tonë, ku liria e ndërgjegjes është “nëna” e lirisë së gjithë lirive njerzore. Mënyra e të shkruarit, nga ana gjuhësore, është në dialektin gegnisht: letra akuzon:
Akuzon: sistemin politik të kohës se po formon një brez jo vetëm pa kurajo qytetare, dhe civile, të frikësuar, të shtypur, të manipuluar nga propaganda, të frustruar, të skllavëruar, të indoktrinuar si “vegla të verbëra” , nga regjimi autoritar, me anë e mjetit të presionit, psikologjik, kërcnimit, duke shtypur shpirtin “rebel”, dëshirën e protestës së heshtur, të njeriut ekzistencial mes palirisë, paarsyes, intolerancës, frikës, ligësisë, të ndarë në të “prekur”, “kundërshtarë”, “armiq”. Duket se Shqipëria është një Republikë e mbështetur në “absolutizmin”, sepse autoriteti shtetëror duhet të ketë “miratimin e popullit”, duke respektuar të drejtën e natyrës njerzore për liri, që të shmangen rreziqet e despotizmit e të arbitraritetit, duke lënë të hapur shumë shtigje për anarkinë. Kjo nuk është liri as mund të quhet “liri e tepruar”, sepse arsyeja na mëson, se duke qenë të barabartë të pavarur, askush nuk e dëmton tjetrin, me jetën e vet, në lirinë, në besimin dhe shëndetin e vet. Ai ishte një Adam Smith modern, që “njerzit kanë interesa vetjake dhe motivohen nga këto interesa”, prandaj dekurajimi jo vetëm e robëronte shoqërinë shqiptare, por e bënte servile, puthadore, të pushtetit, për hir të dënimit, ndëshkimit, frikës dhe vdekjes.
Akuzon: se besimi është në shpirt dhe zemër, pavarësisht dëshmive me gojë, verbalisht do të “mohojë” jo vetëm besimin, por edhe Zotin, duke dëmtuar njeriun, që udhëhiqet nga parime të dashurisë dhe mëshirës sepse beson tek Zoti, por atdheu rrezikohet nga ateizmi, duke e xhveshur nga çdo gjë të mirë, të bukur, hyjnore, madhështore dhe njerzore. Misionari i Krishtit e njihte mirë teoritë e shteteve demokratike dhe despotike, sepse teoricenët socialistë, regjimet demokratike i quanin si mjete për dominimin e një klase mbi një tjetër, sepse për marksizmin shteti nuk është i organizuar me miratimin e të gjithve, sepse liria dhe besimi është diçka formale, kur “barazia” shoqërore nuk është aritur. Këto teori po “shpëlanin” trunin e rinisë duke i përdorur ato “si forcë lëvizëse” kundër fesë dhe lirisë së besimit.
Akuzon: inkuizicionin mesjetar që detyronte njerzit të besonin verbërisht në doktinat
fetare, sot po i detyron të zhbëjnë besimin. Një ikuizicion i moderuar në mes të Europës të shekullit XX. Ai lloj ikuizicioni që përmend Patër Meshkalla, është e njëjta doktrinë terroriste policore dhe gjyqësore e kishës katolike, që ndiqte, zhdukte mizërisht njerzit përparimtarë, të cilët me studimet e tyre hidhnin poshtë dogmat fetare. E njëjta gjë, po ndodhte me mjetet e popagandës “inkuizitive” i shtetit, që ndiqte, burgoste, vriste njerzit e fesë, që ishin aplikantë të të besimit dhe fesë. Vetë fjala [Inkuizicion] lidhet me dy kohë:
a).koha e mesjetës: ndjekje që u bëhet revolucionarëve, njerëz përparimtarë dhe ideve të
tyre, me terror.
b).koha moderne: ndjekja dhe burgosja e klerikëve, djegja e librave të fesë, dhe mbyllja e vendeve të kultit. Pikëtakimet e dy kohëve të inkuizicionit modern, e bën të vetëdijshëm së pengesa e lirisë fetare dhe detyrimi i saj, janë njëlloj të rrezikshme sikur inkuizicioni mesjetar.
 
Pjesa e dytë:
Shkëlqesë, Pardje, më 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër të tjera, se do të denonconim gjithçka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këtë letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshe, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj personi o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet. Thënia lapidare e Zhan Zhak Rusoit, se: njeriu lind i lirë, por kurdo ai është në pranga, e bën akoma më të “fortë” mesazhin e Meshkallës, jo vetëm për guximin qytetar, por sepse modestia e tij është e natyrshme për njeriun, sepse fillon nga njohja e së keqes. Prangat e Rusoit nuk është asgjë tjetër, se liria nuk është e mundur në një shoqëri të caktuar, kur nuk karakterizohet nga mungesa e rregullave. Fjalia këtë letër Shkëlqesës s’Uej, në trajtën e gjuhës gegnishte, në mënyrën rrëfimtare përulëse Shkëlqesës s’Uej, trajta e shkurtuar e përemrit pronor: [Tuaj/Juaj/Uej] ku togu zanor [a-e dhe J-U], (digtonjëzimi brenda trungut të shqipes), tregon se dija gjuhësore për historinë e gjuhës shqipe dhe shëndërrimi e togjeve zanore gjatë udhëtimit shekullor, të shqipes nga burimi i Mesharit të Buzukut. Kjo trajtë e kësaj fjalie bashkë me fjalën Shkëlqesë, as Shkëlqesi as zotëri, as Kryeministër, nuk tregon vetëm përlulje të njeriut të fesë, por kulturën e njeriut të paisur me dije nga shkencat filologjike dhe gjuhësore. Por, kjo kulturë dritësore, “rrezikon” Kultin e Njeriut, që pretendon fronin e Zotit duke “shpronësuar” jo vetëm shpirtin, por edhe baltimin e besimtarëve për besnikëri ndaj besimit. Edhe Hajnes, iu konfiskuan librat, por “mendimet” nuk mundën dot, tek poema; “Gjermania, një përrallë dimri”. Qëllimi i pushtetit, të marrë, të shvatë, të sekuestrojë çdo gjë jo vetëm shpirtërore por edhe materiale, në emër të besimit, për të ndaluar atë që njeriu e beson me zemër, por mund ta kundërshtojë me gojë, do të thotë mposhtje e vullnetit të popullit, është edhe mposhtje e vullnetit personal sepse kur vullneti personal, bëhet pjesë e vullnetit të përgjithshëm, nuk respekton vetëm formën parësore të lirisë personale, por edhe të lirisë shoqërore. Mosbindja e vullnetit të përgjithëm (forca e ligjit) ndaj vullnetit të njerzve të lirë (vullneti i lirë në besim), sjell ndërhyrjen e shetit totalitar ndaj hapsirës private të individit “në emër të së mirës së përbashkët”. As ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj personi o njaj enti të caktuem as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj personi o njaj enti të caktuem.
Urdhri se se pasuria e Kishës, do t’i kthehet popullit, është një spekulim, tregon se populli që u nënshtrohet ligjeve duhet të jetë autori kryesor ekzekutor i tyre, sepse nga natyra njeriu trashëgon lirinë për të bërë “gjithçka”, por kjo liri me natyrën e gjithçkaje, është jo vetëm vetëvendosje por edhe burim i ligjimitetit të rregullave të së drejtës, duke garantur edhe lirinë politiko-shoqërore. Kundërshtimi i së drejtës morale, për të mbrojtur “lirinë natyrale” të njeriut, sepse është e vetmja liri, që njeriu është zot i vetes, sepse “liria e vetvendosjes” dhe shpërdorimi i saj, quhet skllavëri. Në fakt është një ndërtekstualitet i futur brenda kontekstit të letrës së priftit, pasi ekzistencializmi i ideve të tij nën një shtet inkuizicional, është jo vetëm e rrezishme, me koracën e guximit, sepse “përshtatet” me “Kontratën Sociale” të Rusoit, për të kuptuar thelbin e lirisë së vërtetë njerzore, brenda tërësisë së lirive të organizuara në njësinë e ligjeve shtetërore.
.
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pjesa e tretë:
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po at efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Ç’vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! – Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për të.
Unë tham se, me këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, më 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këtë kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira.
Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, në Kryeministri – Tiranë, 5 prill 1967.
Me nderime Pjetër Meshkalla, Meshtar Katolik i Shoqënisë Jezu.
Rrëfimi i sinqertë i kësaj të vërtete të frikshme, për autorin letërshkrues është si “Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar” e Markesit. Personazhi i tij Santiago Nasri, (veshur me petkun e bardhë të linosë) ashtu edhe prifti i varfër Jezuit, me petkun e mështarisë, me emblemën e njësimit të besimit Biblën: e para është fjala, priste vdekjen për “mëkatin” e udhëtimit të Krishtit, me besim, fe, Atdhe. Me nderime Pjetër Meshkalla, Meshtar Katolik i Shoqënisë Jezu.
Fundletra dhe firma e nënshkrimit është ndërtektori e pastër e heroit të Markes, që rrëfen në çastin e fundit: – më vranë! Kjo kronikë vdekjeje të paralajmëruar, të fundit tragjik: burgosja e etërve të fesë, përndjekja, burgosja dhe pushkatimi, vetëm e vetëm për të vërtetën hyjnore: dashurinë për Zotin dhe Njeriun! Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Misioni dhe pranimi për këtë mision vetëmohues deri në vdekje , sipas Kantit se: “feja është pranimi i të gjitha detyrave tona, si komanda hyjnore”. Sepse njeriu i bindur ndaj vullnetit të Zotit, beson se njeriu është fajtor nëse shkel të drejtat e të tjerëve, me anë të etikës, ai është fajtor qoftë edhe vetëm kur mendon se etika personale, ndërgjegja janë ose jo “fajtorë” për të vërtetat e tyre të mira apo të liga. Si mund të shmangej arsyetimi kantian: “vepra në mënyrë të atillë që sentenca e veprimit tënd, të mund të ngrihet nga vullneti në një ligj universal”. Padyshim mund të themi se meshtari i urtë mund të quhet një Dalai Lama i dytë: “Përdorimi i forcës nuk është shenjë e fuqisë, por shenjë e dobësisë”. Urtësia e sendërtuar me pushetin e vetëdijes, ashtu si edhe morali, bashkë me aftësinë për t’u ngritur mbi paaftësinë e vullnetit, tregon se aftësia e mposhtjes së “egoizmit personal”, është mëshira, duke kapërcyer kufirin e vullnetit, që e ndan atë nga bota objektive. Subjektivi është qëllimi i njesimit të gjinisë njerzore nga njëra anë dhe ana tjetër, virtyti i mëshirës si shpërblesë e të mirës, është rruga e përshkruar nga meshtari, sepse edhe ia është një Shopenhauer: “që botën përpiqet ta shohë si një gjendje të ngarkuar me plot dhembje, ku mungon krykëput lumturia”.
Përsëritja e fjalëve të pjesës së parë, por edhe “njohja” e kontratës botërore për fenë:
Unë tham se, me këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni .
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, të shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me10 dhjetor 1948 dhe Konventa Europiane, (European Convention on Human Rights [Albanian]) të ratifikuar në ligj po në atë vit, ku thuhet se: Artikulli 9 mbron lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Kjo mbrojtje përfshin lirinë për të ndryshuar fe ose besim, dhe për të shfaqur përkatësinë në një fe ose besim nëpërmjet lutjes, praktikimit, observimit apo mësimit të praktikave fetare, limituar vetëm nga kufizime “në pajtim me ligjin” dhe që janë “të nevojshme në një shoqëri demokratike”.
Neni 9: Liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë
1.Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve.
2.Liria e shfaqjes së fesë ose besimeve të dikujt nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit. Vërtetësia e fjalëve të uritisë fetare që beson tek ndërgjegja, e vërteta dhe e mira, “sundoj” Shqipërinë për 40 vjet, duke e xhveshur, privuar, ndalur, persekutuar, burgosur, vrarë dhe pushkatuar jo vetëm meshtarët dhe ideologët e fesë, por edhe besimtarët e thjeshtë ritualistë të besimeve të tyre, qoftë dhe në fshehtësi, si Kardinali më i vjetër, Dom Ernest Troshani, shuguruar në Romë, për martirizimin dhe sakrificën në kalvarin e gjatë të burgjeve dhe torturave, si bari shpirtëror i Kishës së Shenjtë. Mohimi i Zoti dhe i vlerës themelore njerzore universale dhe fetare, “asgjësimi” i institucioneve fetare, e çoj shoqërinë shqiptare në një shoqëri ateiste, pa vlera morale, shoqërore dhe familjare. Mohimi i besimit dhe “burgosja e shpirtit” i detyroj njeriun nën torturë të mohojnë Jetën por jo Zotin, se njeriu mund ta “mohojë” të drejtën e jetës që të jep Zoti, por jo mohimin e Drejtësisë Hyjnore. Kjo Drejtësi Hyjnore e vonuar, foli me zërin e “Pishtarit të demokracisë” ose prelati i fundit i klerikë françeskanë shqiptare; At. Zef Pëllumbi: Rrno për më tregue!
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.