back to top
0.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Lamtumirë Profesor Kolec Topalli! nga Begzad Baliu

Gazeta

Gjuhtari dhe Akademiku Kolec Topalli
Gjuhtari dhe Akademiku Kolec Topalli

Lamtumirë Profesor Kolec Topalli!

nga Begzad Baliu

E kam të vështirë të marr me mend ikjen tënde prej Shtergu!
Një vit më parë, tek po bisedonim në Prishtinë për lodhjen që ia kishte shkaktuar veprimtaria e tij shkencore, në mënyrë të veçantë “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, të cilit sapo ia kishte dhënë dorën e fundit, veç tjerash më thoshte se nuk e dinte se si dhemb koka, e megjithatë e ndjente nevojën që të pushonte një kohë, a ndonjë vit, dhe vetëm atëherë t’iu rikthehej konferencave apo ndonjë ftese akademike.
Ishte momenti që të bisedonim, të diskutonim, të kujtonim e të reflektonim bashkë për një periudhë të gjatë jete e pune prej shkencëtari e njeriu. Fliste sikur gjithë jetën ta kishte pasur të shtruar me pupla dhe nuk ngrinte zërin edhe atëherë kur kujtonte ditët më të vështira të jetës së tij. Fliste për kohët, kolegët dhe pasionet e tij prej shkencëtari, fliste me respekt për mësuesit e tij, për mësuesit e tij të jetës e të veprës.
Kujtuam propozimin e Profesor Jup Kastratit për vazhdimin e Historisë së albanologjisë, për presionin tim që pas Fonetikës dhe Morfologjisë historike të vazhdonte me Sintaksën historike dhe u ndalëm gjatë nëse mund të bashkoheshim më shumë të rinj nën drejtimin e tij për të plotësuar Studimet etimologjike të Profesor Çabejt.
Qeshte duke fërkuar duart, të lodhura edhe në dukje të parë. Do të më duhet edhe një jetë e tërë për këtë nismë, thoshte.
.
Studiuesi Begazd Baliu
Studiuesi Begazd Baliu

Fqinjët na e arsyetojnë këtë, insistoja unë. Për albanologjinë dhe institucionet e saj është me interes që kjo traditë të vazhdojë e ndërlidhur fortë në linjën: Majer-Pedersen-Jokli-Çabej-Ajeti-Demirajt-Luka-Koleci dhe përsëri Demiraj i Ri. Përvoja e fqinjëve tanë na i ka dhënë disa mundësi. Kroatët, bie fjala, jo vetëm nuk kanë hequr dorë nga Skoku, po të gjitha vëllimet e reja i fillojnë me bazë te tri vëllimet etimologjike të tij. Bullgarët ndërkaq nga vitit 1968 vazhdojnë të punojnë në Fjalorin etimologjik duke plotësuar këshillin punues me zëvendësimin e atyre që i japin lamtumirën kësaj bote. Grekët, që kanë më shumë mundësi dhe kapacitete shkencore, tashmë në versionin e fundit bënë mjaft revidime në botimin më të ri, duke përfshirë këtu edhe disa etimologjizma të shqipes e të ilirishtes. Serbët sapo kanë filluar me tri vëllimet e para, që nuk turpërohen fare t’i quajnë Fletore, jo pse ato vëllime nuk kanë më shumë se 250 faqe, po sepse janë të vetëdijshëm për peshën që kanë veprat në fushë të etimologjisë. Malazezët ende janë në fillimet e tyre me Fjalorin standard, si edhe boshnjakët. Sllovenët, ende me dy vëllimet e viteve ’70 dhe ndjehen komod. Ne shqiptarët, besoj krahas bullgarëve dhe grekëve (nuk e di për rumunët) kemi ecur mjaft përpara e kemi bërë hapa të mirë në këtë drejtim, por mendoj se koha është të kthehemi në bazë: të bashkohemi te Studimet etimologjike në fushë të shqipes. Dhe të bashkohemi jo një e dy po edhe rreth dhjetë të tjerë, duke përplotësuar fushat më të rëndësishme të tij… Përsëri buzëqeshje dhe përsëri durim i madh për të dëgjuar deri në fund, pa asnjë ndërhyrje!

.

Kolec Topalli - Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe
Kolec Topalli – Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe
E kam përcjellë prej më shumë se dy dekadash punën e tij shkencore dhe po kaq kohë kemi komunikuar deri më datën 1 prill 2018 (mesazhi i tij i fundit) kur diskutuam për përkthimet e Mit’hat Aranatit, me theks të veçantë Fjalorin etimologjik të Walde-Pokornyit.
Kohë më parë ndërkaq, sapo kishte parë një platformë të veprës së tij, projektuar që më parë prej meje, përmes një miku, më kishte dërguar versionin italisht të veprës së tij të parë “Theksi në gjuhën shqipe” (“Ricerche sulla storia dell’accento in albanese”, Cosenza, 2007).
Më dërgoi edhe versionin e fundit të bibliografisë së tij dhe shpreha gatishmërinë që gjatë kësaj “periudhe pushimi”, ta ndihmoj përgatitjen e vëllimeve me studime (e pse jo edhe me intervista e tekste publicistike), që do të ishin rezultat i studimeve, kumtesave dhe diskutimeve të shpërndara ndër konferenca shkencore, gazeta e vlerësime rasti. Nuk e dija ndërkaq se Profesor Kolec Topalli kishte nevojë më shumë se për një pushim viti, ai kishte nevojë për një pushim motesh.
Dhe pse të mos e bënte! Kishte përfunduar Fjalorin etimologjik të shqipes dhe gjendej në Majën e Piramidës së Albanologjisë, prej të cilës vetëm mund të fluturonte si një Shterg i fundit i albanologjisë, asaj dijeje kulminante, të cilën na e ka lënë brezi i madh i gjuhëtarëve në kapërcyell të shekullit XXI.
Kush i kishte lexuar veprat e tij sintetike, studimet e tij, diskutimet e tij për theksin në gjuhën shqipe, për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe, për zhvillimin historik të diftongjeve të shqipes, për shndërrimet historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe, për sonantet e gjuhës shqipe, për mbylltoret e gjuhës shqipe, për fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe, për dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të gjuhës shqipe, për bazat e fonetikës historike të gjuhës shqipe, për evolucionin historik të përemrave të shqipes, për nyjat e shqipes, për sistemin rasor të emrave të shqipes, për sistemin foljor të gjuhës shqipe, për bazat e gramatikës historike të gjuhës shqipe etj., nuk e ka vështirë të shoh se si aty bashkohen sinteza e madhe e gjuhësisë shqiptare të dy shekujve të fundit, arritjet më të mira dhe më të thella.
Në veprën e tij bashkohen në mënyrë të veçantë sintezat e mëdha të Profesor Çabejt dhe Profesor Demirajt, natyrisht jo në kontekstin simbolik po në kontekstin metodologjik të fjalës. Tek vepra e tij bashkohen: sinteza e hapur e dijes çabejane dhe modeli i diskutimit sistematik të Profesor Demirajt.
Ishte kaq tokësor me jetën dhe kaq qiellor me veprën!
Prehu në paqe Profesor i dashur!
Lamtumirë!

.

Prishtinë, më 24. 5. 2018
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.