back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ati Jonë Stath Melani

Gazeta

At Stath Melani (1858-1917)
At Stath Melani (1858-1917)
At Stath Melani, për fat të keq, është një figurë pak e njohur,
nëse e krahason me kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare.

Ati Jonë Stath Melani

Djaloshi që lindi në fshatin Melan të Përmetit në vitin 1858, që në moshë të re u zhvendos me babain e tij në Stamboll, ku u lidh me patriotë si Jani Vreto, Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Said Toptani etj. Punët e tij të para lidhur me çështjen kombëtare kishin të bënin me shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe. Pak kohë më pas, diku në vitet 1876-1877, veprimtaria e tij ra në sy të autoriteteve osmane, të cilat u përpoqën ta arrestonin, por pa mundur.
Stathi udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara, ku vazhdoi aktivitetin e tij në lidhje me figura të njohura të kohës. Në vitin 1899, i shqetësuar për situatën në Përmet dhe në të gjithë jugun e vendit, ku grekët kishin shtrirë influencën e tyre duke përdorur edhe kishën, ai merr vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij, duke u shuguruar prift.
At Stath Melani në fillimvitet ‘900, u kthye në Përmet, ku nisi një punë të dendur në zona të ndryshme, në përpjekje për të minimizuar ndasitë fetare të imponuara nga grekët në njërin krah e turqit në tjetrin.
Shtëpia e priftit në Melan u shndërrua në një bazë ku iknin e vinin të gjitha çetat, siç ka shkruar në kujtimet e tij Mihal Grameno. Edhe pse disa herë u paralajmërua nga autoritetet e larta kishtare të kohës të hiqte dorë nga ajo që ata e quanin herezi, At Stath Melani jo vetëm që vazhdoi meshimet në gjuhën shqipe, por i kushtoi një rëndësi edhe më të madhe hapjes së shkollave dhe arsimimit të fëmijëve në gjuhën e tyre.
Për shkak të veprimtarisë së tij, në 1909-n At Stath Melani u arrestua dhe u burgos në Manastir, ku qëndroi për disa muaj.
Pasi doli nga burgu i Janinës, prifti qëndroi për disa kohë në hapësirat e Çamërisë. Ai krijoi një lidhje të veçantë me atdhetarët e luftëtarët e kësaj zone, ç’ka u shpreh përgjat Luftës së Dytë Botërore, ku një ndër çetat e para të kësaj krahine u quajt At Stath Melani.
Në vitin 1911, ai themeloi një çetë me djem nga krahina e Përmetit, Shqerisë, Dangëllisë, Leskovikut e me radhë. Rëndësia e këtij vendimi nuk lidhej thjesht me faktin e krijimit të saj, por edhe me vendimin për të mos hequr dorë nga rroba e priftit. At Stath Melani ishte kapedan e prift në të njëjtën kohë.
Pas shpalljes së Pavarësisë, qeveria e Vlorës e caktoi komandant ushtrie në krahinën e Përmetit.
Në 2 mars 1914, në Gjirokastër, u organizua i ashtuquajturi kongres Vorio-Epirot, që zgjodhi një qeveri me në krye ish-ministrin e Jashtëm të Greqisë, Jorgo Zografi. Kjo ishte pikënisja e një prej dërgatave më të përgjakura dhe drithëruese ndaj popullsisë civile shqiptare. Jugu dhe juglindja u sulmuan nga trupa të shumta andarte që masakruan pa mëshirë fshatra të tërë.
Çeta e drejtuar nga prifti – kapedan u përball më andartët në Lashovë e Melan, duke u shkaktuar humbje të shumta. Në hakmarrje, grekët i dogjën shtëpinë dhe i arrestuan gruan e fëmijët e vegjël. E megjithatë ai nuk u ndal, por u gjend sërish në betejat e mëdha në Peshtan, Frashër e me radhë.
Për shkak të sulmit nga dy fronte (nga njëri krah grekët, nga tjetri trupat e Haxhi Qamilit), çetat zbresin në zonën e Beratit, ku veç At Stathit gjendeshin edhe Çerçiz Topulli, Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno e shumë kapedanë të tjerë.
Në gusht të vitit 1914, sipas gazetës “Dielli”, At Stath Melani gjendej në fshatin Sinjë të Beratit. Prifti luftëtar më parë mbajti një meshë në gjuhën shqipe e më pas u bëri thirrje të gjithë banorëve t’u bashkoheshin sa më shumë çetave kombëtare.
Gazeta “Albania” e 14 marsit 1918 solli pjesë nga fjala e mbajtur në atë periudhë nga kapedani.
“Më shihni prift ortodoks, por nuk u linda kësisoj, u linda shqiptar dhe shqiptar dua të vdes. Prandaj kush është për Shqipërinë, unë përpara dhe ju pas meje, të mbrojmë kombin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë që armiqtë duan të na e coptojnë, e të përkrahim qeverinë e Vlorës”.
Pas betejave të ashpra, tërheqja drejt Vlorës mbeti mundësia e vetme për çetat, por edhe këtu trupat rebele hynë në fund të muajit gusht. Sipas mediave të kohës, mes intelektualëve e luftëtarëve të arrestuar nga forcat e Haxhi Qamilit ishte edhe At Stath Melani dhe djali i tij.
Pas disa kohësh, një pjesë e tyre u liruan me vendim të qeverisë së Durrësit. Menjëherë pas daljes nga burgu në fundvitin 1914, At Stath Melani me të birin u nisën sërish drejt Shteteve të Bashkuara, por këtë herë jo për të punuar e për të siguruar mbijetesën, por për të kryer takime me patriotë të shumtë, të cilëve u kërkohej mbështetje edhe më e madhe. Në vitin 1915, atij i vdiq në Përmet djali tjetër. Në hakmarrje, drejtuesit grekomanë të kishës jo vetëm nuk lejuan mbajtjen e një ceremonie fetare, por as varrosjen brenda territorit të saj.
Shumë patriotë i kërkuan të qëndronte në Shtetet e Bashkuara, por mesa duket jeta e qetë nuk bënte për të. Ai kërkonte të kthehej e të punonte në vendin e tij. Në vitin 1917, At Stath Melani mori rrugën e rikthimit për në Shqipëri. Udhëtimin e tij e përshkruan më bukur e qartë se kushdo Mihal Grameno në librin “Kryengritja Shqiptare”.
“Vetëm një plak i thinjur me leshrat dhe mjekrën e bardhë qëndron përjashta mbi vapor duke vështruar përpara dhe përpara. Fytyra e qeshur dhe simpatike tregon që plaku është i kënaqur nga udhëtimi. Ku e ku një nënqeshje shfaqet në buzët e tij dhe nga gëzimi fërkon duart. Duket që frika, tmerri dhe dëshpërimi nuk gjejnë vend në zemër të plakut. Nuk gjejnë se plaku është nga pleqtë e Shqipërisë. Është nga kombëtarët e vjetër dhe shumë të vuajtur, prandaj e ka zemrën e çeliktë. Plaku quhet At Stath Melani. Shtëpinë ia dogjën barbarët grekë, po At Stath Melani dëshiron të rrojë në kasolle po vetëm në Shqipëri të lirë ku të valojë flamuri i Skënderbeut. Zoti i mbushtë dëshirat dhe e shpëntë shëndoshë luftëtarin At Stathi, një nga pleqtë kombëtarë të Shqipërisë!”.
Me t’u kthyer, edhe pse tashmë 59-vjeçar, At Stathi rinisi gjithçka me energjinë e një të riu në udhëtime fshat më fshat, duke meshuar shqip e përhapur ndjenjën kombëtare.
Megjithatë armiqtë nuk ishin zhdukur, një pjesë qëndronin sërish aty, më të fshehur, por me të njëjtin objektiv: të vrisnin At Stath Melanin. Pasi kishin tentuar për vite të tëra ta thyenin, prifti kapedan u ndal vetëm përballë një pabesie. Më 24 dhjetor të vitit 1917, në prag të Krishtlindjes, ai u vra në një pusi e më pas trupi i tij u masakrua.
Patriotët nuk e harruan dhe morën hak për vrasjen e At Stath Melanit. 3 vjet më pas, në vitin 1920, Thanas Budo ekzekutoi në zonën e Postenanit, Josif Sorropullin, vrasësin e priftit…
Fitim Hajdari – Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history, (Maj 23)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.