back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

I vdekuri pa varr!… (1943) Kushtuar vdekjes tragjike te Vangjel Koçes nga Dr. Samim V. Visoka

Gazeta

Vangjel Koça (1900-1943)
Vangjel Koça (1900-1943)
Në gushtin e vitit 1943, anija e linjës “Città di Catagna” që bënte rrugën Durrës-Bari
u silurua nga nji nëndetëse engleze dhe u mbyt.
As nji njeri, as nga ekuipazhi e as nga pasagjerët, nuk shpëtoi i gjallë.
Me këtë anije udhtonte për n’Itali edhe Vangjel Koça, njeri i madh i kulturës shqiptare.
Së bashku më Branko Merxhanin që në rini, atje në gërxhet e Gjirokastrës,
nisën rrugën e edukimit të rinisë shqiptare me filozofi e sociologji bashkëkohore.
Por, vepra e tyre më konkrete do të mbetet doktrina filozofike e “Neoshqiptarizmës”
e zhvilluar aq me pasion qoftë në fletët e “Demokracisë” në Gjirokastër, qoftë më vonë,
tek revista me aq reputacion të madh “Përpjeka Shqiptare” në Tiranë.
Me rastin e përvjetorit të humbjes së Vangjel Koçës,
shoku i tij i ngushtë Dr. Vasfi Samim Visoka shkroi një artikull përkujtimor
shumë të bukur të cilin po ia propozojmë lexuesit të sotëm për lexim.
Dr. Lazër Radi (50-vjetori i vdekjes së Vangjel Koçës)
.
 
Dr. Vasfi Samimi i ri
Dr. Vasfi Samimi i ri

I vdekuri pa varr!… (1943)

Kushtuar vdekjes tragjike te Vangjel Koçes

nga Dr. Samim V. Visoka

Sot dëshëroj të kujtojmë fikjen e mallëngjyeshme të një ylli të shkëlqyer nga qielli kulturor e intelektual i Shqipërisë. Vitin e kaluar, në këtë ditë, Antari i Institutit Shqiptar për Studime dhe Arte, Vangjel Koça u zhduk përgjithmonë në mes të valëve të fundëshmet?Adriatikut dhe u tret në humnerën e errët të thellësive të detit.
Vdekja e tij ka qenë një befasi dhe e pamëshirshme: ujrat e tërbuara, atë viktimë të shkretë e kapën në një kabinë të ngushtë të anijes dhe e mbërthyen në një mënyrë të pashpëtuarshme. Po, një vdekje e tmerrshme… Një fat tragjik…
Zhdukja e tij nga bota e jonë ka qenë tepër e mallëngjyeshme sepse kufoma e tij nuk u puth dot prej të dashurvet, arkivoli i tij nuk u ligjërua dhe mbi varrin e tij të freskët nuk u hodh dot – prej asnjë shoku – një grusht dhè i njomë.
Një i vdekur pa varr…
Një tragjedi e përvajshme, por, për fat të keq një e vërtetë e hidhur dhe një fakt i pikllueshëm…
Të gjitha fjalët që thuren rreth kujtimeve të të vdekurve të çmuar, shkrimet e melodirat që derdhen rreth emrit të tyre të vyer – përpara çdo gjëje – na kujtojnë fotografitë e tyre të zverdhëta, që varen në muret lakuriqe të varreve tona. Vellot e zeza, kordhelet e errëta që i rrethojnë kornizat e tyre, na afrojnë tiparet, hijen e tyre edhe për një çast, na duket sikur ata vet zgjatojnë nëpër këto dritare të amshimit duart e tyre të hajthme dhe fillojnë të ledhatojnë lulet e bardha e të ftohta të vendosura ndër vazot përpara pikturave të tyre. ndër këto çaste, në zbraztësi, fillon të buzqeshi me mirënjohje një hije-fytyrë dhe ua thanë lotët brengave tona, të pikuara aty prej zemrave të përvëluara.
Ndër këto çaste, ndër dhomat tona, e ndjejmë veten të thelluar në qetësinë e tempujve dhe dëshërojmë me gjithë sinqeritetin tonë të pastër të gjunjëzohemi menjëherë në një kënd të vetmuar, për të thithur kujtimet e tyre të vyshkura. Edhe kjo është padyshim pohimi më i bukur që ne mund t’i dhurojmë të vdekurve tanë.
Vangjel Koça vallë a na shikon prej largësive të thella, si ato hije fytyre të pastërta e fisnike? A i ndigjon këto kushtime të thjeshta e të sinqerta? Po… S’ka asnjë dyshim! Ay u fik pa e shëruar plagën e zemrës, pa e shfryer dufin e shpirtit për këtë komb e shoqëri të adhuruar.
Revista e Neoshqiptarizmes - Perpjekja shqiptare
Revista e Neoshqiptarizmes – Perpjekja shqiptare

***

Çdo mëmëdhè ka plotësisht të drejtë të kërkojë llogari e një fryt pozitiv nga bijtë e tij. Por, kjo e drejtë i përket më fort mëmëdheut shqiptar, sepse, ay – siç thotë Naim Frashëri – djemtë e tij i ka rritur me lotë e thërrime.
Kështu të gjithë intelektualët kanë një detyrë të rëndë kundrejt këtyre tokave të bekuara, të cilën mund ta plotësojnë vetëm me besnikëri e vetmohim. Ja pra, merita më e mëdhe e Vangjel Koçës qëndron këtu. Ai nuk ishte një intelektual pasiv, asocial, pa vlerë e pa frut!… Qënia e tij nuk ishte një letër e bardhë: pa ndonjë germë a rresht, pa ndonjë vijë e ngjyrë. Ai përgjegjësinë nuk e ndjente kur ishte kundrejt pushtetit shtetror, sundimit të ligjeve, ose përpara fytyrave të vranta të eprorvet, por, përkundrazi përgjegjësinë e ndjente më tepër kundrejt ndërgjegjes, shpirtit e zemrës së tij. Kjo antikritikë e antikontroll ishte fuqia më e madhe e tij në krijim e prodhim.
Jeta landore, fati i verbër ato nuk e kanë e kanë lejuar të plotësojë një studim sistematik dhe një kulturë të rregullshme. Por ay nuk u mpraps. Hipi në barkën e dëshirës së tij modeste, hapi volat e vullnetit drejtë horizonteve të panjohura të kulturës shoqërore, estetike e filozofike… Me mundimin e djersën e vet dijti fare mirë të largohet në thellësirat, për t’u kthyer përsëri në botën e tij të përvuajtur e varfanjake që ishte bota shpirtërore e mendore e Shqipërisë.
Ay, me gjithë kuptimin e fjalës ishte një autodidakt. Kishte arritur të kuptojë magjinë e durimit. Hapte pusin me gjilpërë! Ay, kur i mbylli sytë, në botën kulturore arbënore nuk la asnjë vepër letrare, asnjë tubzë vjershash, asnjë kompozicion melodirash dhe asnjë trupore të bukur mermeri. Por, megjithë këtë u bë i famshëm dhe popullor si ka qenë ngahera. Vangjel Koça, me disa shokë të vyer, ka dijtur të shkakëtojë një lëvizje mendore e shpirtërore në detin e qetë të Shqipërisë. Ka dijtur të ngjallë një tronditje në thellësirat e qënies së Kombit, që nuk dukesh, nuk kapesh por që çmohesh shumë, prej të gjithë bashkëatdhetarëve që kishin një dhëmbje zemre zemre për këto toka të shkreta. Ja pra këtu qëndron lavdia e Vangjo Nirvanës.
Në të përkohshmet e fletoret “Drita”, “Demokracia”, “Illyria”, “Minerva”, “Përpjekja Shqiptare”, “Shkëndia” etj. etj. punoi vjete me rradhë, si një puntor pa emër, si një ushtar i panjohur. Por, në të gjitha këto fusha i ra një melodie të vetme, në një hark të vetëm. Mëkëmbja e përgjithëshme, lartësimi rrënjësor dhe marshimi i nxitur drejt kulturës perendimore ka qenë sinteza jetike e tij. Ja ç’thoshte:
“Dhe merita e jonë do të jetë sa më e madhe që nuk do të humbasim toruan nga zhurma e skëterrëshme e kohës sonë, dhe do të dalim fitues për të mirën e kombit tonë. Vetëm kjo luftë e jonë fitimtare do disa armë. Burithmi shpirtërore, trimëri shpirtërore, theori, vetmohim, solidaritet, çmuarja e çastit historik, pamje të çveshur të problemeve tona të mëdha, ideal energjik, vullnet heroik për të krijuar histori. Këto duhet të jenë edhe karakteristikat e nacionalizmës sonë”.
Këto ishin synimet e përhershme, pasionet, dëshirat, idilet, gëzimet, brengat e lotët e Vangjel Koçës!… Ay ishte i dashuruar thellësisht me idealin e luftës së tij, dhe prandaj – brënda një kohe të shkurtër – u njojtë në të katër anët e botës kulturore arbënore. Fitoi një popullaritet pa qenë ministër, kryetar, deputet – pezzo grosso -. U njojt pa qënë i pasur, pa patur pallate, pa djegur e pa therur e veçanërisht pa ardhur në Tiranën e kuqe që cilësohej prej shokut të tij të vlefshëm Branko Merxhani si qytet ideal dhe i vdekur. Këtë famë dhe këtë popullaritet Vangjeli e fitoi vetëm e vetëm me penën, zemrën e trurin e tij. Kjo ishte “gloria” më e madhe e këtij intelektuali të rrallë të Labërisë.
Kontributi i tij më i çmueshëm, pa dyshim, ka qenë kritika. Me një instikt të çuditshëm ay vet e kishte zgjedhur rrugën e tij më të përshtatëshme. Ishte një kritik konstruktiv e pozitiv. Një kritik fisnik, bashkëpuntor e këshillonjës: një shok i sinqertë i kulturës. Nuk u rrëmbye kurrë nga mëria; ahmarrja, thashethemet ose çështjet personale. Në mbrendësinë e tij ndizesh gjithnjë një flakë e pastër. Goethe thotë: “Shpirti i ynë është plot nostalgji për diçka më të lart e më të ndritutur!” Edhe Vangjel Koça këtë e mbante parasysh si një doktrinë e dogmë në veprimet e tia. Ai nuk pranoi kurrë të bëhet një polic letrar apo një kuestor shtypi! Jo! Kurrsesi! Ay me fisnikërinë e tij shpirtërore dhe me pjekurinë kulturore e ndjente fare mirë misionin e tij të rëndë e delikat. Veçanërisht këtë mision, në botën kulturore kombëtare që ende për fat të keq na paraqitet si një kopësht i thatë, për mos me thënë një shkretëtirë e zbrazët!… Ay i njihte, i ndjente të gjitha vështirësitë e pengimet landore e shpirtërore, të gjitha vuejtjet e mbrendëshme të pendëtarve të pa fat të Shqipërisë që dergjen në vetminë e tyre të pikëlluar, pa pasur asnjë rreze shprese ngushllimi. Ay e dinte fare mirë se është duke jetuar mes të një grupi intelektualësh të përvuajtur, që ishin paracaktuar prej një fati të verbër të mbarojë si martir në këtë periudhë të parë të rilindjes kulturore të kombit. Prandaj, kurrë nuk u pa të gjuaj pikat në pikat më të dobta puntorët e pendës me një shtizë helmonjëse, por, përkundrazi, ay gjithmonë u përpoq që t’u vijë në ndihmë si një këshilltar i mirë, si një bashkëpuntor i dobishëm, duke dhuruar bujarisht e vazhdimisht melhemin qetësonjës e shëronjës.
Një veçori kryesore në kritikën e tij ka qenë edhe kriteri i gjerë. Ay kuptonte rëndësinë e të gjitha degavet kulturore: variacionin e dritave të jetës, të shpirtit e të mendjes. Veçanërisht rrymat e ndryshme estetike e letrare. Nuk dëshëronte të monopolizojë dhe as ta monotonizojë botën e shtypit arbnor. Përpiqej të kuptonte çdo shkrimtar, ashtu siç është, pa e shtrenguar atë të hynte në kanalin e vet të rradhitej nën prizmën e tij. Ai e dinte se një kopësht nuk mund të zbukurohej vetëm prej disa luleve, e dinte se një sinfoni nuk mund të krijohej vetëm prej disa tingujve dhe kështu për shprehjet hyjnore të shpirtit adhuronte ndryshmërinë pjellore: variacionin. Me fjalë të tjera ay e kuptonte fare mirë mendimin e Durkheimit, i cili thotë: “Sa më i kultivuar të jet një vend aq më tepër ndryshime vërehen në mes të opinioneve, karaktereve e temperamenteve”.
Me humbjen e Vangjel Koçës Atdheu i ynë më parë se një mentar e shkrimtar, ka humbur një kritik të vlefshëm, të pjekur e fisnik. Siç duket, vendi i tij për një kohë të gjatë do të mbetet i zbrazët. Kështu, sot kur shfletojmë faqet e shtypit kombëtar, ku penda e tij vepronte pa pushim, kemi ndjenjën përmallonjëse sikur t’ishim ndër dhomat e muzguara prej të cilave sapo ka dalur një arkivol. Megjithqë kaloi një vit, endè ndër ato fletë vjen erë e freskët e një varri të njomë. Ky është një dokument i gjallë për fuqinë e tij intelektuale e kulturore.
.
Instituti i Studimeve Shqiptare - Tirane 1942
Instituti i Studimeve Shqiptare – Tirane 1942

***

Ja pra i shkreti Vangjel Koça kështu u dergj dhe u përplas në humnerat e jetës së tij fatale, sa që një ditë u zhduk përgjithmonë, në mes valave të Adriatikut dhe në gjirin e tij të panjohur e të errët. Një fat i çuditshëm duke shkuar për të bërë një të mirë e përqafoi vdekja. Ishte një kryetar i mirë familjeje, si një prind donte të shëronte çdo plagë të vatrës së tij. Pikrisht në një detyrë të këtillë njerzore ra viktimë e mëshirës.
Fatkeqësia e tij më e madhe është mbetja pa varr!
Ay tani nuk ka asnjë pëllëmbë tokë n’Atdheun e tij të dashur. Fati as kaq gjë nuk i dhuroi. Sa gjë e dhimbëshme, dramatike, gjithë jetën ta dashurojsh, ta adhurojsh një idil të shenjtë dhe më në fund të mos kesh fatin e bukur të japish shpirt i lumtur në kraharorin e tij.
Me gjithë këtë tragjedi pikllonjëse, Vangjel Koça jeton në mes nesh. Kur endemi nëpër rrugët e Tiranës, na duket shpesh sikur atë do ta takojmë aty në ndonjë skaj të qytetit, në ndonjë librari ose në ndonjë shtypshkronjë. Kjo rrjedh sepse ay na del përpara me gjithë gëzimin e vullnetin e tij tipik në çdo rast gjallërie të fletorizmit shqiptar. Në të gjitha fletët e shtypit tonë përballohemi me djersën e tij të dlirë, me frutet e tia të këndëshme dhe, më në fund, me lotët e ngrohtë të Vangjo Nirvanës.
Atëherë këto faqe të bardha përpara syve tonë fillojnë dalë ngadalë të mëkëmben, të ngrihen si gurë varresh, nuk janë si ata që njohim në botën e jashtme landore, nuk shkrihen, nuk myken dhe nuk thyhen nga furitë e stinve e të viteve, po përkundrazi, me kalimin e kohës, me shpejtësimin e rrymës së kulturës kombëtare, forcohen, shkëlqejnë, dhe ngjallen, pikrisht si shkëndiat që dalin nga rrahja e çelikut në mes farkës dhe çekiçit. Këtu qëndron ndryshimi i pamohueshëm në mes botës shpirtërore dhe asaj landore.
Kjo enigmë e përjetëshme na rrëmben mbrenda çastit dhe na çon në horizonte të largëta, aty në hapsirat e Adriatikut, në mes të valave të detit, ku nëpërmjet shkumbave të bardha këndojnë edhe njiherë skalisjet e gurëve të varrit të të ndjerit Vangjel Koça:
Intelektuali i pa farë,
I vdekuri, pa varr
 
“Bashkimi i Kombit”, e djelë 13 gusht 1944
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.