back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Biseda virtuale dhe opinione rreth figurës së Havzi Nelës në të 30 vit të masakrimit të Poetit

Gazeta

Poeti Havzi Nela - 1962
Poeti Havzi Nela – 1962

Biseda virtuale dhe opinione rreth figurës së Havzi Nelës

në të 30 vit të masakrimit të Poetit

 
Parid Turdiu
Lexova shkrimin e Visar Zhitit për poetin martir Havzi Nela.
Ishte mësues fshati, e dënuan disa herë, e internuan, u arratis në Jugosllavi bashkë me gruan, e ktheu shkjau, e dënuan prap xhelatët tanë, e lanë në varfëri ekstreme, ndërkohë shkruante perla… e varën në litar më 1988!
I vetmuar në atë shkretëtirë, ku e gjente forcën për të luftuar?! Shenjtor!
Varri i tij duhet bërë tempull.
Ne të tjerët jemi në dilemën ndërmjet dy vlerave, mbijetesës dhe rezistencës.
Teorema e Nashit thotë se “…nuk mund të bësh asgjë, si aktor i pavarur i brendshëm, për të ndryshuar sistemin…” Ndryshoi gjë sakrifica sublime e Havzi Nelës?
Jo!
Çfarë e solli ndryshimin?
Qindra miliona sakrifica, të vogla dhe të mëdha, nga Berlini në Vladivostok, nga Murmansku në Sarandë, që një ditë u bashkuan si pikat e shiut dhe krijuan përmbytjen biblike.
A e di pika e shiut se kur do jetë përmbytja? Jo! Por duhet ta dijë që do të ndodhë!
Çfarë duhet të bëjë njeriu mesatar, individual i gjorë?
Të shkojë me rrjedhën, për të mbijetuar dhe realizuar destinin e vet biologjik por, kur ka krrabë në rrjedhë e kostoja nuk është prohibitive, të zgjedhë rrugën e dritës, e lirisë, nga pak, përditë, pikë… pikë… pikë…
Që një ditë të vijë përmbytja.
.
Havzi Nela i ri, me veshje tipike
Havzi Nela i ri, me veshje tipike

.

Valbona Imami
Ajo forcë e brishtësi, i ra murit me kokë. Dhe e varrosën vertikalisht, në vendin e një shtylle, derisa pas ’90 e normalizuan situatën e trupit të tij. E varën në mes të qytetit, për shembull. është akt makabër goxha i vonë, kur dukej se ishin zbutur gjërat. Një kolegia ime e ka parë, fëmijë ende atëhere, a krejt e re, ishte disa vite pas meje në shkollë. Ajo prandaj u bë aktore.. Nga urrejtja për atë akt dhe nga dhembshuria për atë njeri.
Më tronditi shumë. Për mua qe takim me ferrin e tëra!
 
Elpiola Lluka
Të njejtin fat të keq ka patur edhe një familjar i imi, i bënë tortura nga më çnjerëzoret dhe e pushkatuan në moshën 31 vjeçare! Ishte inxhinjer, shkruante edhe poezi, merrej edhe me sport. Për fat të keq shkrimet ia zhduken masivisht. Sistem i kalbur me njerëz të pashpirt!
 
Eduard Buzhiqi
Parid ndoshta nuk kishim rastin dhe nuk ra fjala por Havzi Nelën e kam pasur mik shtëpie ai ishte mësues në Mat dhe vinte shpesh tek gjyshi im e kishte ndarë mendjen ai fliste dhe shpesh i thoshin të mitë ki kujdes fole këtu mos fol në tjetër vend kështu hapur se do të bëjnë gjëmën por ishte i vendosur kundër atij sistemi dhe ngeli deri në fund i tillë…
 
Anisa Bega
Prokurori që i dha dënimin quhej Nikollaq Helmi.
 
Andia Duka
..Koka të tilla të veçanta ka edhe në kohe “paqe”, që e kanë të vështirë të bashkohen me rrjedhën, kërkojnë të drejta “të pamundura”, kërkojnë ta luftojnë këtë krrabë të madhe që qëndron në mes të rrjedhës, duke e menduar vehten që vërtet jam një pikë uji, por gjigande… dhe çfarë ndodh, krraba e ndan këtë pikë gjigande në stërkala… të hedh ty, që bën revolte i vetëm, në një majë mali dhe ciklat e tjera që ishin bashkuar rreth teje, në një majë mali tjetër. Hajde të bashkohesh pastaj me ciklat e tua të para..
Moza Miho
Deri më sot asnjë nuk ka kërku falje për dëmin që kanë krijuar, përkundrazi mbrojnë veten duke akuzuar të tjerët, vetë sistemin. si mund të spiunojnë me dëshirë tjetrin duke i marrë jetën dhe kjo bëhej për të përfituar nga sistemi. Njerëz të poshtër dhe vazhdojnë të jenë të tillë


Tomi Panidha
Gjykatësi që e vari është shëndosh dhe me gjithë të mirat??!!
(Marrë nga muri i FB, i Parid Turdiut, 20 qershor 2018)
.
Busti i Havzi Nelës në Kukës
Busti i Havzi Nelës në Kukës
Shpëtim Hereni
Eh more Havzi Nela, aty ku je të imagjinoj duke qeshur me ne. Duke qeshur me ne se sa shumë po të duam sot. Sa shumë po shkruajmë e po të thurim lavde. Nuk po lemë minutë pa ta trazue shpirtin.
E atëhere kur pate nevojë për dashurinë e ngrohtësinë tonë të lamë vetëm! Të braktisëm në vetminë tënde e askush nuk u kujtue për TY.
E sot u shqyem… kur ti s’ke nevojë për dashni. Me na falë se nuk po ta lamë shpirtin rehat.
Bahri Haki Hoxha
I braktisuri i madh. Atë ditë, kur flisnin shkrimtarë të realizmit socialist, po të ishte Havziu aty, do të ikte nga salla.
E kam njohur personalisht.
Në gjyqin e parë në Pallatin e Kultures Kukës (i vjetër) kam qenë në rradhën e fundit, i fundit në të djathtë.
Fort mirë më kujtohen kush foli dhe si folën nga salla.
Në gjyqin e dytë kam qenë në internim e nuk kam mundur.
 
Shpëtim Hereni
Miku im. Për një vit mos folë me se e prish. Hipokrizi totale
Gjyqin e dytë e kam parë. Më ka bërë përshtypje flokët e tij të bardha, qetësia e tij dhe shikimi. Unë nuk e njihja dhe nuk ia kisha dëgjuar kurrë emrin. Pashë klithmat e disave që bërtisnin “në litar, në litar!” dhe asnjë nga këta që po shqyhen duke e dashur nuk e pashë atë ditë të paktën të fshinte lotët e trishtimit nga dhimbja për të. Turp.
.
Havzi Nela - ndër fotografitë e fundit
Havzi Nela – ndër fotografitë e fundit

.

Bahri Haki Hoxha
U kam shkrue organizatoreve
Jo gjithçka ka shku ashtu siç duhet.
I vetmi që mund të fliste ishte Visar Zhiti.
Të tjerët të rrinin në fund të sallës e ma e mira të heshtnin, siç heshtën 30 vjet më parë. Të folurit e tyre ishte urti pas kuvendi, deri në imoralitet.
Mendoj se vendosja e bustit të Havzi Nelës është një pardon i madh për heshtjen e intelekualëve para 30 vitesh. (Mund të thoni se ishte diktaturë e kush guxonte!)
Diktatura nuk është produkt hyjnor apo natyror, po thjesht shoqëror.
E keqja vendit tonë nuk i ka ardhë nga një grusht njerëzish në pushtet, por nga heshtja e intelektualëve. Për mua ata, janë dhe do të jenë përgjegjësit kryesor.
E ndjej për obligim së shpejti do bëj një shkrim në lidhje me këtë.
Së fundi kujdes me 10 gusht,
Havzi Nela ishte i braktisuri i madh.
Akoma rrojnë ata burra ku Havziu mbështeti kokën në ditët e tmerrshme të hetusisë së Rrëshenit.
E vërteta gjithmonë është e hidhët.
…dhe i vetmi, atë ditë që është varë, është Myftar Gjana që ka deklarue: Ky do të jetë Heroi i Kukësit!
Petrit Palushi - Kryqëzimi i Havzi Nelës
Petrit Palushi – Kryqëzimi i Havzi Nelës

.

Petrit Palushi
Bahri, në mbështetje të mendimit tand, ja çfarë kam shkrue në librin “Kryqëzimi i Havzi Nelës”:
 
***
Të nesërmen në mëngjes aty kah ora tetë, takoj dy shokët e mi, Myftar Gjanën dhe Kujtim Allarajn, asokohe të dy studentë.
-E pe? – më pyeti Myftari.
E kuptova përse e kishte fjalën.
-E pashë. Tue pa e tue u trishtue, – ia ktheva unë.
Ende nuk më kish kaluar trandja e një dite më parë.
-Ai sikur po ngjitej në qiell, – vazhdoi Myftari. – Tani shpirti i tij ka mbërritë atje, tek qielli.
Seç pati një lloj përlotje.
Mbas një grime, vazhdoi prap:
-Shumë fisnik, krenar. Më vjen keq që s’e kam takuar atë njeri sa qe gjallë, por sidoqoftë pamja e martirit do të mbetet në kujtesën time gjithë jetën. Ai është martir. Këtu do jemi, gjërat do vihen në vend. Si jemi sivjet, nuk do të jemi mbas dy a tri vjetësh.
Myftari, rebel si gjithsaherë, por atë mëngjes qe krejt i papërmbajtshëm.
-Ja, po të dalim nëpër qytet, njerëzit do t’i gjejmë ende me fytyra të vranta. Ku jemi këtu, në Mesjetë?
-Po, në Mesjetë, – foli Kujtimi, – e ku tjetër?
(Tre vjet më vonë, në gazetën “Kosova”, K. Allaraj botoi shkrimin “Intelektuali i varur në litar në vitin 1988”; ky është edhe shkrim i parë për H. Nelën).
Myftari më dha një dyfletësh fletoreje.
-Merre. Kam një poezi aty, – më tha, – por lexoje vetëm në shtëpi.
(E lexova pakëz më vonë. Poezia titullohej “Flas me vetveten nga litari ku jam varur”, dhe më kaploi menjëherë vargu i parë: “A e sheh si lëkundem në erë i bukur”. Kumti që përcillte poezia qe hijerëndë dhe sikur më nxirrte të gjallë prap imazhin e njeriut që e kisha pa të varur një ditë më parë).
Kjo qe biseda e parë ndryshe që pata unë për Havzi Nelën para se të përmbysej regjimi komunist. Natyrisht, mbas ’90-s, kur erdhi lirshmëria, falë interesimit tim të vazhdueshëm për fatin e atij njeriu, të cilin e pashë të varur në gusht të 88-s, munda të zbuloj natyrshmërinë në gjithë rrugën e tij, pikërisht në atë rrugë që ai sikur nuk eci, por fluturoi rrufeshëm.
(Marrë nga muri i FB, iShpetim Herenit, 20 qershor 2018)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.