back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Requiem për një teatër Kombëtar, për artistë kombëtarë dhe komedinë rrënuese midis pushtetit dhe artit – nga Jozef Radi

Gazeta

Sheshi i Teatrit Kombëtar - Drama "A vdiq Ai"
Sheshi i Teatrit Kombëtar – Drama “A vdiq Ai”

Requiem për një Teatër Kombëtar, për artistë kombëtarë

dhe komedinë rrënuese midis pushtetit dhe artit

nga Jozef Radi

Pak filma të realizmit socialist kam ndjekur, shfaqje teatri sigurisht më shumë; sepse arsyeja e një drame, komedie a tragjedie nën diktaturë ishte më e cilësishme se ajo e një filmi, sepse në teatër mund të luhesh e të ndiqje edhe Shekspirin, edhe Molierin, edhe Lope de Vegan, edhe Çehovin, edhe Pirandellon… pra, teatri nën komunizëm kishte ca më shumë liri se filmi, dhe në teatër artisti, skenaristi dhe regjizori e gjenin veten më mirë, dhe përmasa e artit të tyre bëhej më e dukshme…
Artistë të Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë, po edhe regjizorë më ka rënë rasti të njoh mjaft, kështu që betejën për Shlyerjen e Godinës së Teatrit Kombëtar, e kam përcjellë me mjaft dhimbje, edhe pse s’kam pasë as më të voglin dyshim se ajo që Kryeministri e kishte piketuar që kur ishte ministër Kulture, një ditë do ta gjente çastin më të përshtatshëm për t’ia nxjerë themelet e për ta rrënuar atë godinë që është pjesë e historisë, dramave, tragjedive po edhe krejt atyre figurave që kanë kontribuar me pasion e dashuri, që i kanë shërbyer këtij kombi (në të mirë e në të keq) dhe drejt me thënë, Ai i ka respektuar më shumë se ata kanë merituar…!
.
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special ne Kinema Kosova
Teatri Kombëtar, përpara se të ishte Teatër Kombëtar, ka qenë Kinema Kosova, dhe si Kinema Kosovë ka qenë skenë e një tragjedie të madhe: asaj të Gjyqit Special, ku në mars-prill të vitit 1945, u hap sipari i një ploje, ku 17 personalitete politike dhe intelektuale të këtij vendi, do t’i kalonin togës së pushkatimit, kurse 43 të tjerë do të pësonin dënime drakoniane, nga burgime të përjetshme deri në 5 vite burg… e ku autorë, skenaristë e regjizorë të kësaj “ploje të re artistike” do të ishin “emra të shquar” si: Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Hajdar Aranitasi, Medar Shtylla, Halim Budo, Gaqo Floqi, Gjon Banushi, Haki Toska… e të tjerë që do t’i shfaqeshin për shumë dekada si aktorë të parë të asaj skenë, për të qenë mjaft prej tyre, kohë më vonë edhe ata pjesë tragjike e asaj drame që  kishin krijuar…
Mbas përgjakjes së asaj kinemaje me emrin Kosova… ai do të shfaqej si Teatri Kombëtar dhe e vërteta është, se aty janë luajtur pjesë nga më të ndryshme si të repertorit të realsocialist po edhe maja të teatrit botëror, dhe janë vënë në skenë mjaft nga dramat më të rëndsishme të të gjitha kohrave, e kanë shkëlqyer jo vetëm aktorë e regjizorë, po edhe skenaristë, piktorë, kostumistë, rekuiziterë që sigurisht falë interpretimeve të tyre teatrore, të gjithë jemi nga pak pjesë dhe pëfitues të asaj kulture të madhe teatrore përmes autorëve më në zë të saj…
Mbas nji shërbimi pothuaj gjysëm shekullor, dhe mbas një tulatje prej një çerek shekulli… sot Teatri Kombëtar së pari si godinë e më pas edhe si realizime artistike… jeton kohë të errta, ditë të vështira e ndoshta edhe çastet e mbrame të tij, ato të lamtumirës së fundit… Ndërsa lexoja çmimin për metër katror, mendova se për aq metra katrorë sa ka teatri, po të ishte ashtu si thuhet, ato mund t’i ishin marrë Piramidës së Përhime e të Gjymtuar të Merhumit!? Pse u zgjodh dhe u mor Teatri Kombëtar… apo thjesht pse na qenkan gjendur minj dhe pleshta…! (Sikur ne nuk zemë morra po të rrimë një javë pa larë) Qesharake… e kësaj qesharakësie që s’na ka të rreshtur…!! Po më shumë se minj dhe pleshta, unë mendoj se ka pasë dhe ka hiena, dhe se politika duke i njohur shumë mirë ata i ka joshur me të gjitha format e sejmenizmit artistik… prandaj mendoj se Teatri Kombëtar, u përdor si një karkasë ngordhësire, ku të shfaqeshin hiena që gjoja e mbronin dhe hijena që gjoja e sulmonin… ndërkohë që e dinin shumë mirë finalen e këtij spektakli: ku secila palë, (gjithnji sipas meje), ishte pjesë e teatrit politik të “ngritjes së piacës”, dhe ku politika duke e njohur mirë kët shpirt sejmenizmi, u zbavit këndshëm me këtë teatralitet artistësh, opinioni dhe palësh politike, duke krijuar imazhin e negociatave; të gjoja shpirtit tolerues e ballafaques midis palëve, e duke u zgërdhirë në prapaskene me këtë foshnjëri publike, që besonte se s’mund të kishte një fund ndryshe, prej atij që ishte firmosur në karta, dhe se do të kishte një  tjetër kompromis jashtë atij, ki ishin kopsitur pazaret simetrike të proceseve tashmë rutinore…
Kështu Teatri Kombëtar, në trajtën e tij më sharlatane… na rrëshqiti për mjaft kohë ndër sy e veshë… Edhe pse u përpoqa ta ndjek indiferent e shpërfillës, me gjithë dhimbjen që ndjeja për kët godinë historike, isha i bindur se aty ku intelektualizmi ka vdekur, ku tallja publike ka mbërritur përmasa groteske… s’ka as teatër, as artistë, as regjizorë, as opinion publik dhe as shpirt proteste e drejtësie…
Artistët e Tetarit Kombëtar le të vazhdojnë të grryejnë lavdinë e batutave të realizmit socialist, le t’i flladiten asaj madhështie me të cilën e dozojnë veten, sapo kanë pirë kafen e mëngjesit…
.
Teatri Kombëtar - Pishat në Përkujtim të Artistave të vdekur
Teatri Kombëtar – Pishat në Përkujtim të Artistave të vdekur
Në gjithë këto vite demokraci, unë s’kam dëgjuar për asnjë film dhe asnjë dramë shqiptare, ku e vërteta e jetës dhe e vërteta artistike të bashkjetonin nyje në skenën e Teatrit Kombëtar, ku një ngjarje historike e bërë film a dramë, të rrënonte gënjeshtrat që i dijnë edhe pulat, dhe përsa këtyre artistëve s’ua ka ndjerë shpirti ta bëjnë një gjë të tillë, s’kanë pse të kërkojnë mbështetjen sa më të gjerë të opinionit publik, ata mund të ndërmjetësojnë vetëm me pushtetet…
Prandaj ata le ta vazhdojnë kompromisin me pushtetin deri në vdekje…! Heshtja e tyre artistike… është vepra më e madhe për të gjitha pushtetet që do vijnë mbas këtij që u ka premtuar t’u dhurojë sallën madhështore pa pleshta e pa minj… sepse prania e “artistëve të kompromisit” mbas një pesë o dhjetë vjeçari, në lozhat luksoze të premtimeve të sotme, do të na kujtojë asgjë më shumë, se ishin ata pleshtat dhe minjtë të këtyre pushteteve që vazhdojnë të trajtojnë egërisht Artin e Vërtetë…
qershor më të dalë, korrik më të ryrë, 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.