back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

“Sa letërsi shqiptare?” nga Prof. Kristaq Jorgo

Gazeta

Prof. Kristaq Jorgo
Prof. Kristaq Jorgo

“Sa letërsi shqiptare?”

nga Kristaq Jorgo

(Kumtesë mbajtur
në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
Prishtine 2003)

I.

“Sa letërsi shqiptare? Dy, tri, pesë? Ofron dikush më shumë?” Kështu mund të përshtatej, në rastin tonë, fillimi i një studimi mbi problemin e disa-letërsive gjermane në periudhën e Pasluftës së Dytë.
Sa i takon problemit të disa-letërsive, rasti shqiptar rezulton më emblematik. Ai e kapërcen rastin gjerman si në kohë, ashtu dhe në pasurinë e shfaqeve tipologjike dhe mund të mëtojë në raport me të statusin e protomodelit. Është ky një ndër argumentet e shumtë të tezës sonë, sipas së cilës letërsia në truallin shqiptar bëhet/është për njohjen një fenomen i laboratorizueshëm.
Më 1922-shin, atëherë kur problemi i sa-letërsive gjermane ishte ende i paformalizuar rreptë, një gjerman, Maksimilian Lambertz-i (“Midis Drinit dhe Vjosës”) e cilësonte ndarjen në qendra si karakteristikën thelbësore të procesit letrar shqiptar. Në variantin e redaktuar të 1946-s (“Zhvillimi i letërsisë shqiptare”), teza e tij tingëllon kështu: “Karakteristika më e rëndësishme e zhvillimit të letërsisë shqiptare është grupimi i krijimtarisë letrare rreth shumë qendrave, në krye krejtësisht të pavarura nga njëra-tjetra. Qarqet letrare të lindura kështu janë: 1. Qarku i Veriut të Shqipërisë me Shkodrën si qendër; 2. Qarku Italo-Shqiptar në Kalabri dhe Sicili me qendrat Spezzano Albanese, San Demetrio Corone, Palermo (Piana dei Greci); 3. Qarku i Shqipërisë Qendrore (i Gegërisë Jugore) me qendër në krye Elbasanin dhe pastaj Tiranën; 4. Qarku i Shqipërisë Jugore me qendra Voskopojën, Korçën, Gjirokastrën, Frashërin; 5. Emigracioni në Stamboll, Bukuresht, Sofje, Vjenë, Kajro, Aleksandri, Boston (SHBA)” 1).
Problemi rimerret më vonë nga të tjerë: Çabeji, Resuli, Rugova, Hamiti, Bobi, Qosja, Xhiku. Si për ta mbajtur deri në fund lidhur modelin (e zhvilluar, por të pjesshëm) – atë gjerman me protomodelin (e vogël, por kompleks) – atë shqiptar, është përsëri një gjerman, Robert Elsie, formalizuesi i mbramë i çështjes: “Mund të flitet vërtet për disa letërsi shqiptare. Por me gjithë rrjedhën e turbullt të historisë shqiptare e ballkanase, shqiptarët, si bashkësi gjuhësore mbetën një, kurse letërsia e tyre, shprehja kulturore e kësaj bashkësie, lypset vështruar si një tërësi, sado heterogjene në dukje.”

2)

.

II.

“Sa letërsi shqiptare?” Kjo është një pyetje e shtruar keq. Sa letërsi, mirë, por në ç’kuptim të termit letërsi, për ç’periudhë, nga cilat pikëvështrime, mbi ç’kritere përcaktuese për një-letërsinë dhe për kufirin e ndarjes së dy-letërsive?
Problemi i sa-letërsive është, për mendimin tonë, tepër i ndërlikuar. Arsyet janë, sipas nesh, së pari teorike e metodologjike. Mëtojmë këtu jo zgjidhjen, por vetëm shtrimin e tij, madje në vijat më të përgjithshme.
Nuk mund të ndriçohet ky problem duke u mbështetur në konceptin tekstocentrik mbi letërsinë – në të gjitha variantet e tij: historiko-kulturor, sociologjik, formalist, strukturalist – koncept dominues ky në ligjërimin shkencor shqiptar. Faktorët që shkaktojnë a kundërshtojnë ndarjen janë të ndërlikuar dhe përtejtekstorë (nuk themi jashtëtekstorë), ndërkohë që argumentet për të mbështetur ndarjet apo njësinë paraqiten në përgjithësi tepër thjeshtëzues.
Mund t’i qasemi problemit mbi bazën e konceptit sistemik mbi letërsinë, në variantin e tij të dinamizmit funksional. Sipas teorisë së polisistemit, me letërsi a sistem letrar kuptohet rrjeta e raporteve të supozuara se ekzistojnë mes një numuri aktivitetesh të cilësuara “letrare”, dhe rrjedhimisht vetë këto aktivitete të vëzhguara përmes kësaj rrjete. Itamar Even-Zohar-i, mbështetur mbi skemën e njohur të Jakobsonit mbi komunikimin gjuhësor (dhënës-mesazh-kod-kanal-kontekst-marrës) ndërton një skemë gjithëpërfshirëse të ‘aktiviteteve’ letrare. Thënë në mënyrë të thjeshtëzuar, nga perspektiva e kësaj skeme konsumatori (lexuesi/publiku) konsumon përmes tregut (rrjeti i shpërndarjes) produkte (tekste) krijuar nga prodhues (shkrimtarë) mbi bazën e një repertori (normash, modelesh), të vlerësuara, të studiuara e të orientuara të pesta këto bashkëveprimtari të mësipërme nga institucioni (kritika, qarqet akademike) 3).
Me një-letërsi, nga kjo pikëpamje, ne do të kuptonim një rrjetë autonome aktivitetesh letrare e raportesh mes tyre, e cila e ka vetëdijen e identitetit të vet, identitet ky i pandashëm me të tjerët.
.
George Braque
George Braque

III.

Në periudhën e Pasluftës vijuan dhe/ose u krijuan (e u ‘përforcuan’) në hapësirën gjuhësore shqiptare disa njësi të tilla, pak a shumë autonome, të emërtuara ‘letërsi e Shqipërisë’, ‘letërsi e Kosovës’, ‘letërsi e diasporës’, ‘letërsi e arbëreshëve të Italisë’, të cilat e përfillnin a e shpërfillnin, pjesërisht a plotësisht, njëanshmërisht a reciprokisht njëra-tjetrën.
Këto ndarje ne do t’i emërtonim ‘konstrukte efemere’: me një ekzistencë reale, por në të shumtën e herëve e të rasteve, të përkohshme. Nga pikëvështrimi i së ardhmes, ato shfaqen konstrukte të ngrira në të kaluarën, çka e bën të domosdoshme përfilljen e studimin e tyre si të tilla. Nga ana tjetër, në vijë të kohës, këto konstrukte shprishen, lëvozhga që ka përligjur ekzistencën dhe kuptimin e tyre lokal bie; mbetet bërthama – korpusi i teksteve estetikisht më të dallueshme të tyre – me çka ato përfaqësohen si elemente të strukturës themelore të sistemit të njësuar letrar kombëtar shqiptar.
Folëm mbi ndarjen letrare shqiptare. Thelluesi i anës tjetër të problemit, Eqrem Çabej, nënvizon: “Pyetja jonë për një NJËSI shqiptare në literaturën shqiptare na paraqitet e projektuar në kohë: më së pari na dalin në dukje trajtat e ndryshme, pastaj këto konvergojnë në njësinë letrare”4) Siç ndodh me përcaktimet gjeniale, edhe ky i Çabejt është i aftë të mbartë domethënie të reja. Përcaktimi “njësia letrare shqiptare shfaqet e projektuar në kohë” pranon të lexohet, së paku, edhe nga katër perspektiva të tjera:
1.Njësia e letërsisë shqiptare shfaqet e projektuar në kohë, në kuptimin e përnjësimit të vetvetishëm tipologjik që koha, si matricë gjeneruese i bën prodhimit policentrik e në dukje heterogjen letrar.
2.Njësia e letërsisë shqiptare shfaqet e projektuar në kohë, në kuptimin e një ligjësie imanente gjithherë vepruese, e cila disa–letërsitë e periudhave të ndryshme i bën periodikisht, në një të ardhme të arritshme, një–letërsi;
3.Njësia e letërsisë shqiptare shfaqet e projektuar në kohë, në kuptimin e një konceptimi a leximi unicentrik, që e tashmja i bën të kaluarës policentrike letrare;
4. Njësia e letërsisë shqiptare shfaqet e projektuar në kohë, në kuptimin që çdo degë a fenomen i saj, është organikisht , dhe duhet vlerësuar po ashtu, jo si pjesë, por si përfaqësues i së tërës. Mund të flitet në këtë kuptim për një ‘ekonomi letrare’ specifike të aksionit letrar shqiptar, përmes të cilit ai ia del ta bëjë komplementare hartën e vet tipologjike me atë të aksionit letrar rajonal, kontinental e gjithëbotëror.
Është detyrë e historianit të letërsisë shqiptare ta funksionalizojë edhe nga këto perspektiva dukurinë e disa–letërsive të objektit të vet të studimit.
.

IV.

Ngjante fare e pritshme në etapën e pasrrëzimit të Murit të shihej e njëmendësuar kjo njësi e letërsisë shqiptare. Nuk ndodhi tamam kështu, për të mos thënë se nuk ndodhi kështu.
Libri shqip nuk qarkullon në tërë hapësirën shqipfolëse; Anton Pashku e të tjerë nuk botohen në Shqipëri; Kasëm Trebeshina ngjan të ketë deri më tash fatin editorial të Anton Santorit; Luan Starova njihet në Paris, por jo edhe në Prishtinë e Tiranë; emërtesa “letërsi e diasporës” ka sot e gjithë ditën thuajse po atë semantikë të para dy dekadave; thuhet se “ata që shkruajnë shqip në Mal të Zi e kanë të qartë se janë jo në periferi, por pas “shtatë malesh””; thuhet po ashtu se “raportet letrare mes Shqipërisë e Kosovës karakterizohen nga një lloj ftohjeje interesi”; varianti shqiptar i të ashtuquajturit debat letrar gjermano-gjerman, mbi gjysmëshekullor ky, lindi pikërisht në këto kohë etj.
Arsyet, mendojmë, janë disa:
1.Infrastruktura letrare policentrike i bën rezistencë infrastrukturës së re unicentrike që do të duhej të krijohej;
2.Njësimi nënkupton një luftë të heshtur, por të rreptë, luftën e modeleve. Kuptojmë me këtë betejën që modelet kanonike të qendrave të ndara duhet të bëjnë për të zënë qendrën e sistemit të njësuar, betejë kjo jo gjithnjë e dëshiruar, pasi fitorja ka motër humbjen;
3.Njësimi nënkupton, po ashtu, luftën për hierarkinë, në planin e (për)jetimit njerëzor tashmë (të krijuesve dhe të të tjerëve). Kjo luftë, kur është e zjarrtë dhe shpesh e pakompromis brenda pjesëve, paramendohet se si mund të ishte/ të jetë në të tërën e bashkuar;
4.E frenon njësimin letrar një kompleks, që mund të emërtohej “kompleksi i mosndërhyrjes nga jashtë”, për hir “të ruajtjes së autonomisë së sistemit letrar”. Në kushtet e bartjes së traumës e të pasojave të ndarjes, jo veprimi, përkundrazi, mosveprimi nga jashtë e dhunon paradoksalisht autonominë e sistemit. kërkohet, sipas nesh, një politikë letrare, madje një politikë agresive letrare, gjithpërfshirëse, e drejtë dhe ekuilibruese, përmes së cilës institucionet shtetërore e akademike të arrijnë të bëjnë a të çbëjnë atë që nuk është bërë apo është keqbërë po nga institucione shtetërore e akademike si dhe nga faktorë madhorë në të shkuarën…
Robert Elsie
Albanologu Robert Elsie

V.

Çdo të ndodhë në të ardhmen e afërt?
Opsionet duket se janë dy. Ka shenja të synimit për një ndarje të re, për formimin e një identiteti të ri, të dytë letrar shqiptar, e motivuar kjo si një ndër kushtet e nevojshme për njëmendësimin e shtetësisë së Kosovës.
Në një rast të tillë, modeli i realizuar gjerman i Pasluftës së Dytë, mund t’i shërbejë si shembull për meditim protomodelit shqiptar në këtë fillim shekulli, pasiqë situatat kanë dallime të rëndësishme, por dhe disa përafëri thelbësore. Pas një meditimi të tillë mund të arrihej në këto përfundime:
së pari, synohej në rastin gjermanolindor krijimi i një identiteti të ri letrar, pikërisht si një ndër domosdotë e shtetësisë së re. Janë fare të paktë studiuesit, të cilët frytin e këtij identiteti të ri, vështruar në aspektin estetik, nuk e vlerësojnë si një dështim të madh. Prodhimi letrar gjermanolindor rezultoi, me përjashtime të papërfillshme, një “prodhim konsumi gjermanolindor”;
së dyti, identiteti i ri letrar gjermanolindor u krijua në mënyrë rreptësisht të programuar. Vetëm në mënyrë të programuar mund të krijohej një identitet i dytë letrar shqiptar, fundja si çdo identitet i ri në epokën e sotme. Dihet ndërkaq pakashumë se ç’rezultate kanë identitetet e programuara;
së treti, dhe ndoshta më e rëndësishmja: Veprojnë në epokën tonë, në letërsi, ashtu si në çdo fushë tjetër të aktivitetit njerëzor dy tendenca, njëheri kundërshtuese dhe komplementare: tendenca e diversifikimit policentrik rreth qendrave letrare nacionale dhe tendenca e unifikimit globalizues rreth megaqendrave letrare botërore. Në kontekstin e këtyre dy forcave të mëdha që përplasen me njëra-tjetrën, e forcës centripetale në nivelin e ulët, atë lokal-nacional, dhe e forcës centrifugale në nivelin e lartë, atë global, ndarja më dysh e së njëjtës a pakashumë së njëjtës çon jo në forcimin e pjesëve kështu të formuara, por më së paku në dobësimin e tyre.
Mbetet, për mendimin tonë, opsioni i dytë, të cilin e këshillon jo vetëm alarmi i sapopërmendur, por gjithë përvoja e deritashme shqiptare e përtejshqiptare: njësimi i vazhdueshëm i sistemit letrar kombëtar shqiptar. Një opsion të tillë, teorikisht, nuk mund ta kundërshtojë askush. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Ekziston një tendencë, e lehtëkonstatueshme dhe universalisht vepruese, sipas së cilës një prodhim letrar policentrik synon dhe ia arrin gjithnjë, shpejt a vonë, të shndërrohet në një traditë letrare unicentrike.
Përmes një veprimi të vijueshëm, të përqendruar, të centralizuar, do të duhej t’i mundësonim krijimit letrar policentrik shqiptar, në njësinë më të vogël të kohës dhe në tërë hapësirën shqipfolëse, një shpërndarje, një receptim, një vlerësim dhe një studim unicentrik.
Nëse nuk do të bëhet kjo, të jemi të bindur se pas dhjetë a njëzet vjetësh të shumtë do të jenë ata që do të shtrojnë pyetjen:
“Sa letërsi shqiptare? Dy, tri, pesë? Ofron dikush më shumë?”
.
1.Maksimilian Lambertz, Das Werden der albanischen Literatur, në: “Leipziger Vierteljahrschrift für Südosteuropa”, 7, 1943, f. 160.
2.Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Përktheu nga anglishtja: Abdurrahim Myftiu, Dukagjini, Tiranë-Pejë, 1997, f. X.
3.Shih: Itamar Even-Zohar, Polysystem Theory, në: “Poetics Today”, 11:1, 1990, f. 9-26.
4.Dr. Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, V, Gjuhë – Folklor – Letërsi – Diskutime, Rilindja, Prishtinë, 1975, f. 695-696.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.