“Politika më ka zënë derën, letërsisë ia kam zënë derën….”
Intervistë me shkrimtarin Pjetër Arbnori
“Politika më ka zënë derën,
letërsisë ia kam zënë derën
dhe nuk them se më ka dëbuar”
.
“Dielli” – Në krahasim me politikën, vështirësitë, rrugët e rrugicat e saj, zhgënjimet e dështimet e saj, ju keni vlerësuar më shumë hapësirën e ndriçme të artit letrar; por, në momente të caktuara e periudha të veçanta, epërsinë e ka pasë e para. Si e konceptoni shtysën e brendshme shpirtërore ndaj këtyre dy veprimtarive, që kanë karakterizuar më së shumti jetën dhe personalitetin tuaj? – Arbnori – Veprimtaria politike dhe letrare janë të ndërthurura në jetën time dhe nuk shkëputen dot nga njëra-tjetra. Që në fëmini kam pasur një jetë shumë të dendur me ngjarje dhe shumë të ngjeshur me mbresa të pashlyeshme qofshin të mira qofshin të dhimbshme. Vështirësitë e jetës dhe gëzimet e pakta më kujtojnë ditët e vranta kur dielli për disa çaste e nxjerr syrin e ndriçëm, të cilin e mbyll sapo fillon rrebeshi. Kryesorja në jetë ka qenë grumbullimi i përshtypjeve që shtresohej muaj pas muaji, vit pas viti. Jo vetëm shikoja, ndieja por edhe mbaja mend dhe nxirrja përfundime. Për natyrë nuk kam qenë njeri agresiv, as ekspansiv, por jam përpjekur t’i bluaj ato që kam jetuar. Jo gjithmonë e kam shprehur atë që përjetoja, kështu që rruga më e mirë ka qenë në fillimet poezia ajo që më ndihmonte ta shpreh shpirtin tim të ndjeshëm. Me mësime kam shkuar shumë mirë, kështu gjatë viteve jo vetëm që kam dalë i pari i klasës, po më dukej krejt e natyrshme që të isha i pari. Ambicja pozitive më ka shoqëruar gjithë jetën: “kam luftuar të ndërtoj një strehë për vete pa lënë tjetrin në shi; të siguroj një kafshatë bukë pa ia hequr tjetrit kafshatën nga goja; të përpiqem të shkollohem pa e lënë tjetrin në errësirë; të rropatem në pranga për të ndriçuar robërinë time pa ia rënduar jetën shokut pranë.” Është krejt e natyrshme që në këto rrethana është letërsia ajo që do të më tërhiqte për të paraqitur gjithçka që kisha provuar dhe ndjerë. Që në fëmini kam lexuar shumë. Babai më ka lënë një pasuri të madhe: një bibliotekë që e kam shfrytëzuar si duhet. Jam rritur me Fishtën, Lasgushin, Mjedën, Nolin, Konicën, Migjenin, Koliqin, Kutelin. Nuk e fsheh se kam dashur t’u ngjas sadopak këtyre.
Po këtu hyn politika: tre prej tyre isha i detyruar t’i lexoja fshehtas, se i quanin reaksionarë. Veç kësaj, në fillim të vitit 1948, më futën motrën në burg për arsye politike. Nënën dhe motrën tjetër, m’i kanë pushuar disa herë nga puna, sado që ato bënin punë të rëndë krahu. Veç kësaj, pas vitit 1945, filluan kontrollet, arrestimet, gjyqet e pushkatimet në qytetin tim, Shkodrën, madje në gjithë Shqipërinë.
Të gjitha këto bënë që të përzihej politika me letërsinë dhe të pasqyroja mbresat dhe ndjenjat duke shkruar ndonjë poezi apo duke mbajtur ndonjë ditar, që natyrisht shpesh grisej ose digjej nga frika e kontrolleve. Vuajtja më bëri të merrem me politikë, politika më çoi me ndërgjegje drejt burgut; burgu më pasuroi shpirtërisht dhe më bëri të njoh anë të paprovuara të jetës; në kushtet e një mbylljeje hermetike, iu drejtova letërsisë për të dytën herë me dëshirën të pasqyroj të vërtetën.
Kur u arrestova, shumicën e shkrimeve të rinisë m’i konfiskuan dhe m’i zhdukën. Që kur munda të marr shënime në burg, nisa të mbajë një ditar të fshehtë me titullin e dukshëm: Pjetër Arbnori – Folklor (mbledhur nga goja e popullit ose vjelë nga shkrime të ndryshme) – Proverba – Gjë e Gjëza – Toponomastikë – Gazmore – Këngë popullore-Grimca historike, etj., etj. Titulli i fshehtë ka qenë: Lufta për të mbetur Njeri. Një pjesë të këtij ditari të fshehtë, të mbajtur për afër 28 vjet, e kam nxjerrë me shumë kujdes, sakrificë e rrezik dhe shpresoj që herët a vonë ta botoj pas deshifrimit tepër të vështirë që i duhet bërë. Kush ka vizituar studion time – papafingo – e ka parë, shfletuar dhe fotografuar.
Të gjitha këto i kam bërë i shtyrë nga lufta për ta bërë padrejtësinë drejtësi.
Kuptohet që kjo mbetet një përpjekje që nuk mund të realizohet kurrë plotësisht as në realitet, duke u marrë qoftë me politikë qoftë me letërsi. Në letërsi je më i lirë se në politikë.
Dielli – Edhe pse pjesën më të mirë dhe më të bukur të jetës e keni kaluar në robërinë e errët të burgut, ju e keni ndjerë veten gjithnjë shpirtërisht të lirë. Cila do të ishte marrëdhënia mes lirisë shpirtërore dhe letërsisë artistike, si atribut shpirtëror, në kushtet e robërisë fizike, në veçanti, dhe në kushtet e një jete normale, në përgjithësi? – Arbnori – Kam shkruar në ligjëratën mbajtur në Universitetin e Romës “La Sapienza”: “Jeta është një përpjekje për të zgjeruar çdo ditë kufijtë e lirisë, për të hapur çdo ditë kufijtë e kontaktit me botën, me realitetin. Kur nuk mund t’i thyesh kufijtë që të rrethojnë ka edhe një mënyrë tjetër për të hyrë në botën e lirisë që është mjaft e mundimshme, por më efikase: zgjerimi i lirisë në veten tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze intelektuale, me anë të mendimit, diskutimit dhe shkrimit”.
Në burg, në diktaturë mendimi nuk mund të ndalohet dot, përkundrazi nxitet edhe më tepër, diskutimi është me shumë rreziqe, po jo i pamundur; ndërsa shkrimi është një provë materiale në bazë të së cilës mund të dënohesh për të dytën herë, siç më ka ndodhur mua kur më shtuan dhjetë vjet për romanin “Shtëpia mbetur përgjysmë”. Shkrimi në burg është shkrirja e përvojës tënde, e kujtimeve, e vëzhgimit të përditshëm, e diskutimeve. Mendja të ndihmon për të sajuar metoda që realisht të bëjnë përherë e më të lirë derisa i afrohesh lirisë absolute. Unë kisha gjetur një metodë që më dukej origjinale. Duke qenë se për çdo mendim të shprehur mund të gjindej shkaku për të të dënuar, shumicën e veprave të mia unë i kam quajtur të përkthyera nga anglishtja, nga frëngjishtja, nga italishtja, nga rusishtja apo nga gjermanishtja. Vija poshtë kopertinës: përkthyer nga Pjetër Arbnori. Autorin e vija ose tepër të madh ose të panjohur. Kisha edhe një metodë tjetër: ngjarjet ose i ndërroja në kohë ose vende. Ngjarjet apo personazhet ishin të ndodhura në Shqipëri dhe unë i kaloja në Gjermaninë naziste (1933-1939): “Kur dynden vikingët” ose në Bashkimin Jugafrikan (1960-1970): “E bardha dhe e zeza” ose në Irlandë e Angli, në kohën e luftës së irlandezëve për pavarësi: “Brighton – një vetëtimë e largët” ose ngjarjet e arrestimit të Grupit të Rezistencës, (1950) i kaloja në ngjarjet tek “Vorbulla” e pas Lidhjes së Prizrenit 1878-1882, e kështu me radhë.
Analogjia më ndihmonte për të përshkruar personazhe reale që i kisha njohur vetë në liri apo në burgje, apo për të cilët kisha dëgjuar nga bashkëvuajtësit. Në këto rrethana “të sajuara” kam qenë krejtësisht i lirë në plazmimin e personazheve, të dialogëve, të ngjarjeve, aq sa tani që i kam shpëtuar, nxjerrë e botuar romanet, kur m’i lexojnë shokët e vuajtjes që kanë mbetur gjallë, më thonë “sa bukur e ke përshkruar Ndrekë Kakarriqin apo filanin e filanin, pra më thonë emra personash të vërtetë dhe jo personazhesh të romanit.
Përshkrimi i burgut dhe i të burgosurve, hetuesve dhe policëve a gardianëve te romani “Vorbulla” është identik me ato që kam parë me sytë e mi ose dëgjuar prej shokëve të mi që njiheshin për besnikëri përshkrimi. Kur lexoja faqet e shkruara emocionohesha vetë po aq sa emocionoheshin shokët që i lexonin.
Dielli – Cilën arritje tuajën vlerësoni më shumë në fushën e politikës, të letërsisë artistike dhe të vetë jetës? Arbnori – Kam luftuar për të drejtën me anën e më të dobëtit; kur kam arritur të bëhem i fortë me fitimtarët nuk i kam vënë këmbën në fyt kundërshtarit. Në letërsi kam përshkruar të vërtetën pa e lustruar, kam dialog të gjallë dhe humor të shëndoshë: romani “Shtëpia e mbetur përgjysmë”. Në jetë nuk e kam humbur besimin edhe kur isha në grykën e varrit; në të gjitha rrethanat jam munduar të gjej anën gazmore, edhe në kushtet tragjike. Ndjek parimin: po të thuash mirë, bëhet mirë.
Dielli – Ku e ndjeni veten më të talentuar: në politikë a në letërsi dhe cila ju ka dhënë më shumë kënaqësi në jetë? – Arbnori – Kam qenë i detyruar të merrem me politikë, megjithatë gjithë jetën e kam bërë pa hile qoftë ndaj shokëve qoftë ndaj kundërshtarëve. Për natyrë unë ia them cilitdo të vërtetën në sy (pa mendimin që ta denigroj ose që t’ia fus stërkëmbësën). Krenohem që nuk kam tradhtuar miqtë në kushte të vështira. Si shembull talenti në politikë: një herë duke folur në Kuvend u thashë spontanisht kundërshtarëve: ju nuk jeni socialistë por jeni “specialistë”. Unë shpresoja t’i indinjoj, t’i bëj të bërtasin, por të gjithë djathtas e majtas shpërthyen në gaz. Kanë kaluar vite dhe ende qoftë njerëz të thjeshtë qoftë me pozitë, të njohur e të panjohur, si me gojë si me shkrim ma përsërisin “Pjetër ia ke gjetur pikën: “nuk janë socialistë, por specialistë”. Në letërsi shkrimtari është si babai që ka shumë fëmijë dhe nuk dallon asnjërin veçanërisht, por unë kam më kanakar romanin “Shtëpia e mbetur përgjysmë” për realitetin e Shkodrës më 1943-1944, për humorin në vuajtje dhe për dialogun e gjallë. Ajo është arritja ime. Në jetë shokët më mbajnë mend që nuk kam bërë njëherë uh!, as oh!, as në prak të vdekjes, as në hekura, as gjatë më se 28 vjetëve në burg. Gjeta nënën gjallë dhe më pa të martuar, deputet të respektuar. Talenti im i madh është se kam një djalë e një vajzë si pëllumba, të bekuar nga Nënë Tereza vetë, siç më ka bekuar edhe mua dhe gruan time. A ka talent më të madh dhe arritje njëherësh.
Dielli – Letërsia e krijuar në burgje u bë e njohur mbas rënies së diktaturës. Cili është mendimi juaj për këtë letërsi: sa e si e dëshmon ajo veten si një kapitull i veçantë i historisë së letërsisë sonë? Lidhur me këtë, kjo letërsi, përveç jush, njeh krijues të tillë të fuqishëm si Trebeshina dhe Zhiti. Ka emra të tjerë që i bëjnë vetes një vend të merituar këtu? – Arbnori – Synimi i diktaturës ishte që të zhdukte do gjurmë të mendimit të lirë dhe çdo faqe artistike të krijuar në kushtet e burgut, internimit ose fshehtësisë. Dihet se veprimi i parë që bëhej nga njerëzit e ndjekur kur kërcënoheshin nga arrestimi ishte djegia e letrave të shkruara ose fshehja e tyre. Janë shumë të paktë krijuesit, qoftë edhe ata tepër të kujdesshëm, që nuk kanë pasur një fletë për të zhdukur, kur janë kërcënuar ose kanë pasur dyshim se do të kontrolloheshin. Unë vetë, megjithëse shumicën e kohës kam ndenjur i izoluar ose me shoqëri të kufizuar burgu, mund të dëshmoj se kam njohur një numër njerëzish të talentuar që në kushtet më të vështira kanë shkruar një faqe, dy faqe, dhjetë faqe që i kanë qarkulluar në shokë tepër të besuar. Letërsia, përgjithësisht arti, nuk mund të gjallojë pa i lexuar njeri krijimet, pa i parë ose pa i dëgjuar kush. Në Burgun e Burrelit qarkullonin poezi që u recitoheshin shokëve e miqve gjatë ajrosjes (kurrë nuk recitoheshin me zë në dhomë), këndoheshin këngë me zë të ulët në ajrosje (pasi kënga në dhomë ishte e ndaluar me kërcënimin e ndëshkimit). Nuk duhet harruar se kontrollet e imta bëheshin çdo javë, duke nxjerrë dyshekët në oborr, ushqimet, librat, fletoret. Rrëmoheshin edhe fletët e pusullat e vogla. Më e pakta asgjësoheshin. Di që shkruheshin dhe kam lexuar prej tyre ese nga Mirash Ivanaj e Xhevat Korça, leksione juridike nga Engjëll Çoba, leksione estetike dhe logjike nga Koço Tasi, leksione filozofike nga At Pjetër Meshkalla. Kam dëgjuar këngë të bukura nga Gac Çuni dhe Tanush Kaso; kam lexuar poezi të ndjera nga Kudret Kokoshi, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, proza poetike nga Astrit Delvina. Por mund të them se secili autor i ruante krijimet e veta vetë dhe mendonte si mund t’i kalonte jashtë, gjë që nuk ishte aspak e lehtë.
Edhe unë si ju mendoj se emri i Kasëm Trebeshinës dhe i Visar Zhitit janë të spikatur, por i takon kritikës kompetente dhe të ndershme të thotë fjalën e vet për të tjerët.
Dielli – Vihet re rëndom, në këtë periudhë të trysnisë së çoroditur politike, të kësaj gjendjeje shpirtërore traumatike dhe të këtij çorientimi të përgjithshëm kulturor, përveç mungesës së një kritike të shëndoshë letrare, edhe një përpjekje dashakeqe për ta lënë në heshtje këtë letërsi, mos edhe për ta përbuzur dhe bile për t’i nxjerrë namin e keq. Arbnori – Përgjigjja është e thjeshtë. Kritika e shëndoshë letrare është e mangët dhe ka qenë e dukshme përpjekja dashakeqe e një kategorie të caktuar për ta lënë në heshtje këtë letërsi disidente, madje edhe është denigruar ajo me qëllim. Sidomos për shkakun se mijëra firma, miliona faqe e miliarda lekë të shpenzuar për të ngritur në qiell një ideologji të rreme, një letërsi të shpifur, një lavdi të fryrë si tollumbace doli bosh. Ish-shkrimtarëve u dhimbset letra e shpenzuar kot dhe u vjen edhe më keq që nuk mund të krijojnë në liri vepra të reja për të qenë, prandaj janë dashakeqës ndaj të tjerëve.
Dielli – Letërsia rreh të zbulojë botën e brendshme të njeriut, në përpjekje për të depërtuar në thellësitë e saj më të panjohura dhe për ta humanizuar atë. Çfarë mendimi keni për letërsinë e realizmit socialist, që lulëzoi në vendin tonë, duke u nisur nga fakti që ajo pati një hero të rremë, pasqyroi një realitet të shpikur dhe jetësoi një mesazh të pamoralshëm? – Arbnori – Realizmin socialist unë e kam quajtur publikisht Rrenalizmi Socialist dhe jo pa arsye.
Dielli – Në veprat më të arrira të realizmit socialist u ngjiz një kontradiktë e fuqishme mes mjeshtërisë së lartë artistike dhe mesazhit të saj negativ, gjë që dëmtoi së tepërmi formimin e bereznive të reja. Si i gjykoni këto vepra? – Arbnori – Me gjithë përpjekjet për rrafshimin e mendjeve dhe talenteve, edhe diktatura kishte nevojë për disa mjeshtra të spikatur të fjalës artistike, të cilët përpiqej t’i kishte nën kontroll dhe të lavdërohej me ta nëpër botë. Këta mjeshtër herë pas here goditeshin më rëndë ose më lehtë sipas planifikimit. Ndodhte rrallë që ata i dilnin edhe nga kontrolli diktaturës siç ka ndodhur me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili në shumicën e rasteve i kapërcente kornizat. Ky shkrimtar i shquar më kujton një thënie të Bedri Spahiut, ish-udhëheqës komunist më vonë disident në burgjet e diktaturës, i cili më thoshte: “Unë jam i lirë në ujë, por nuk jam i lirë nga uji. Kur më vjen dëshira e madhe për pavarësi kërcej disa herë si peshku mbi sipërfaqe, shikoj botën po edhe më shikon bota siç jam dhe sa vlej…”
Dielli – Sado e egër që qe diktatura, tek ne pati një disidencë politike të hapur e të organizuar dhe ju keni qenë një ndër përfaqësuesit e saj më të mëdhenj. Si e shpjegoni që nuk ndodhi një gjë e tillë në fushën e krijimtarisë artistike, ku, në këtë drejtim, pati vetëm përpjekje të veçuara të ndonjë personaliteti? – Arbnori – Jam i rezervuar për pohimin tuaj. Ka pasur përpjekje dhe tentativa serioze për disidencë politike të hapur dhe të organizuar që nga 1945 deri më 1990, por diktatura ka qenë e pamëshirshme, madje provokuese. Është për t’u nderuar inteligjenca shqiptare dhe shtresat e ndryshme të popullsisë për rezistencën që i bënë komunizmit. Këtë e vërtetojnë grupet e ndryshme të dënuara, mijra njerëzit e pushkatuar, të burgosur, të internuar dhe të arratisur. Kjo tregon papajtueshmërinë e popullit tonë me ideologjinë e kuqe. Nga ana tjetër ka pasur edhe shumë gjyqe false, të cilat sajoheshin për t’i futur frikën pjesës tjetër të popullsisë. Po kështu ka ndodhur edhe në fushën e krijimtarisë artistike, ku shkrimtarët e afirmuar vdiqën në burg: Vinçenc Prennushi, Et’hem Haxhiademi; bënë burg: Mitrush Kuteli, Petro Marko, Kasëm Trebeshina, Visar Zhiti, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, etj… Ata që nuk u burgosën jetuan nën trysni, gjithmonë të kontrolluar: Lasgush Poradeci e tjerë, të cilët dogjën vetë dorëshkrimet ose ia dogjën të afërmit e tyre nga frika. Sot është e kotë të vajtojmë për vlerat e humbura, por t’u japim vlerën e vërtetë atyre që kanë mbetur si relike të një kohe që duhet pasqyruar medoemos me vërtetësi në mënyrë që të mos përsëritën shëmtirat e një murtaje intelektuale që brezi i ri duhet ta njohë.
Dielli – Prof. Gradilone i Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit “La Sapienza” të Romës, në monografinë për veprat tuaja, pasazhe të ndryshme të tyre i ka përqasur me emra të tillë botërorë si Verga, Manxoni e deri te Homeri. Po ashtu, novela juaj, “Kur dynden vikingët”, në parathënien e Shefki Hysës, është krahasuar me “Fatin e njeriut” të Shollohovit, “Shkretëtira tatare” të Dino Buxatit, “Plaku dhe deti” të Hemingueit. Cilët nga autorët e letërsisë botërore ju pëlqejnë më shumë dhe cili prej tyre mendoni se mund të ketë ndikuar në punën tuaj?–Arbnori – Profesor Giuseppe Gradilone, nxënës dhe pasues i Ernest Koliqit, ka shkruar një monografi me titullin “Pjetër Arbnori – Shkrimtar”. E falënderoj për analizën serioze dhe dashamirëse me të cilën më ka paraqitur. Sa për përqasjen me emra botërorë, mua nuk më rritet lehtë mendja, vetëm se ia shtoj detyrën vetes për t’u përngjarë sadopak atyre titanëve dhe më duhet të mos e ndaj limën nga dora.
Me që më pyesni, unë do të them se adhuroj Shekspirin edhe pse nuk kam mundësi të shkruaj asnjë tragjedi, dramë apo komedi; kam nderim për Tolstoin sadoqë ky i fundit kishte mendim të gabuar për vlerat e Shekspirit. Ndër prozatorët pëlqej në mënyrë të posaçme Çehovin, Sarojanin, O’Henrin, Heminguein e Buxatin. Kam lexuar pa kufi gjithmonë. Kur kisha kohë nuk kisha libra, tani kam libra nuk kam kohë. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë, lexoja shpejt në mënyrë diametrale. Po kur më bie në dorë një vepër e mirë, e lexoj dy herë, madje edhe dhjetë herë, kur është fjala për një autor si Shekspiri.
Shkrimtari i mirë nuk mund të kopjohet, se bëhesh qesharak, por mjeshtri i madh depërton me metodën e tij sa të hyn në të gjitha qelizat tuaja. Nuk e kam për turp të ndikohem nga veprat e mëdha botërore, por gjithmonë jam kujdesur që të kem të dallueshme firmën time.
Dielli – Po i drejtohem prapë Gradilone-s që ju ka cilësuar si shkrimtar që “i përket brezit të rritur nën regjimin komunist, por me kujtesë edhe parakomuniste”. Sa e si është pesha e kësaj kujtese në krijimtarinë tuaj? – Arbnori – Vërtet jam i rritur në regjimin komunist, por kujtesat e fëminisë i kam përherë të freskëta. Pa adhuruar asgjë të mykur, kam pëlqyer jetën e lirë e të pakomanduar. Po të jetë për të besuar, nuk kam dashur kurrë të adhuroj perënditë e tokës por perëndinë në qiell, që është më i gjerë, më i lartë, më i pafund. Idetë komuniste nuk më kanë marrë kurrë mendjen.
Dielli – Pjesën më të madhe të veprave tuaja i keni shkruar në burg, ku kishi kohë, kushte jo. Tani që jeni i lirë ndodh e kundërta. Mendoj që kohën më të madhe ia kushtoni politikës. A është e vërtetë?– Arbnori – Unë çdo gjë e marr seriozisht në jetë, edhe politikën. Vazhdoj të punoj edhe në letërsi. Nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe, po jo edhe pa vlerë. Politika më ka zënë derën, letërsisë ia kam zënë derën dhe nuk them se më ka dëbuar.
Ngrihem çdo ditë mëngjes herët, shpesh në katër e gjysmë ose pesë. Gruaja dhe fëmijët flejnë, unë lexoj ose shkruaj. E ndiej që gjithnjë kam shumë gjëra që duhen kryer, plotësuar. Në politikë shpejt njerëzit harrohen. Përpiqem që njerëzit mos të më kujtojnë për keq. Në letërsi, një pjesë e njerëzve kujtohen më gjatë. Dëshiroj që brezat e ardhshëm, nëse do të qëllojë që të më kujtojnë, të mos thonë se i kam gënjyer, mashtruar ose kam shkruar me mllef.
Dielli – Cili është mesazhi i jetës dhe i veprimtarisë suaj për breznitë e ardhshme? – Arbnori – Mos qaj, mos vajto, qëndro gjithmonë drejt, jo në gjunjë, po u rrëzove, ngrihu përsëri në këmbë dhe ec përpara. Thuaj dhe shkruaj gjithmonë të vërtetën, dhe mbroje në çdo rrethanë e me çdo kusht. Po besove gjithnjë, do ta kesh rrugën të hapur.
Dielli – Është bërë zakon ndër intervista të bëhen pyetje për planet e së ardhmes. – Arbnori – Kur të pushoj së punuari, së menduari, së shkruari, atë herë kam vdekur. Edhe në marrsha frymë pastaj, gjalloj më kot.
Botuar në “Dielli”, v. 2004, nr. 3.
Veprat e botuara të Arbnorit:
Letërsi artistike
-“Kur dynden vikingët”, novelë, 1992
-“Mugujt e Mesjetës”, roman, 1993
-“Bukuroshja me hijen”, novelë, 1994
-“E bardha dhe e zeza”, roman 1995
-“E panjohura – Vdekja e ‘Gebelsit”, novela, 1996
-“Shtëpia e mbetur përgjysmë”, roman 1997, për të cilin autorit iu shtuan 10 vjet burg.
-“Vorbulla”, roman, 1997
-“Brajtoni, një vetëtimë e largët”, roman, 2000
.
Letërsi dokumentare e publicistike
-“Letër nga burgu”
-“Lufta për të mbetur njeri”, intervista 1992- 2000
-“Pjeter Arbnori: shkrimtar-politikan-njeri” 2001, botim i ilustruar autobiografik.
-“10300 ditë e netë në burgjet komuniste”, 2003, (botuar në shqip dhe në anglisht).
-“Martirët e rinj në Shqipëri – i nuovi Martiri in Albania”, 2004, (botuar në shqip dhe në italisht).
-“Martirët në Shqipëri – The New Martyrs in Albania”, 2004, botuar në shqip dhe në anglisht).
.
Përkthime:
-Andrea Morua “Historia e Anglisë”, 1998
Gati për botim – William Shirer “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” (në dy vëllime), përkthyer në burg, në vitin 1988.