Legjenda e Filippides
dhe Historia e Marathonës
Filippides është sigurisht një nga emrat më të ndritur, i lidhur me historinë e lojërave dhe mitin e Olimpias. Ky emër shfaqet më së pari në shkrimet e tre autorëve të mëdhenj të antikitetit si Lukianit, Pausanias dhe Plutarkut, si dhe në versionet e shkrimtarit të antikitetit grek Herodotit, i cili në dorëshkrimet e tij, përmend emrin Pheidippides. Sipas asaj që vërtetohet nga veprat e Herodotit, qytetari athinas me emrin Filippides, u dërgua nga Athina në Spartë për të kërkuar mbështetje në betejën kundra persëve. Lajmëtari e përshkoi këtë udhëtim prej më shumë se 225 km në një ditë të vetme. Mbas Betejës së Maratonës, sipas Herodotit, një pjesë e ushtrisë athinase u kthye në qytet e udhëhequr nga Miltiadhi duke marshuar për rreth 40 km nën peshën armëve të hekurta: Ushtarët grekë mbrritën në kohë, më përpara flotës Perse, e cila mbasi kishte pësuar humbjen, u largua, duke tentuar një sulm ndaj polisit me një manovër për të kapërcyer rradhët e ushtrisë greke.
Legjenda më e famshme më vonë, ajo e vrapit të Filippides prej Maratonës drejt Athinës, nuk qe vepër e Herodotit, po së pari shfaqet në një vepër të Plutarkut, shkruar në shekullin e parë, si një lavdi e athinasve. Ai thekson se: një luftëtar i veshur i gjithi në pancir hekuri do të vraponte nga Maratona në Athinë, ku ai shqiptoi fjalët e famshme: “Fituam!” dhe më pas vdiq nga stërmundimi. Sipas Plutarkut, historiani Heraklid e quajti këtë luftëtar legjendar Tersip, ndërkohë që shumica e historianëve thonë se quhej Eukleo. Më vonë, shkrimtari sirian Samosata, e rrëfen të njëjtën legjendë, duke dëshmuar se emri i vrapuesit nuk ishte ishte aspak Eukleo, por Filippide.
Data e kësaj ngjarje ka tërhequr mjaft interesin e historianëve.
Ajo duhet të ketë ndodhur, sipas kalendarit të lashtë, më 12 shtator të vitit 490 p.K, siç është raportuar nga historiani gjerman August Böckh në vitin 1855. Studimet e fundit, megjithatë, sugjerojnë si datë 12 gushtin, sipas kalendarit spartan. Versione tjera, në vend të kësaj, theksojnë mundësinë e kishte Sparta për të dërguar ndihma në Athinë vetëm pas përfundimit të një Feste, e cila përkonte me hënën të plotë, dhe kjo të shtyn të besosh se duhet të jetë 12 shtatori, si datë e këtij diskutimi. Një interpretim të mëtejshëm, ka bërë dijetari polak Nicholas Sekunda, i cili mendon se është fjala për datën 11 shtator. Për historianin Peter Krentz, është e pamundur të përcaktohet një ditë të saktë për këtë betejë, e cila duhet të jetë diku midis gushtit dhe shtatorit, duke marrë parasysh mundësinë e lartë që kalendari athinas të ketë qenë i manipuluar e që ajo betejë të përkonte me Festimeve e mistereve Eleuzine. Pikërisht paqartësia në lidhje me datën e bën edhe më interesante bukurinë e kësaj beteje, e cila vlerësohet si ndër më të rëndësishmet e Greqisë së Lashtë.
Kjo ngjarje u përkujtua dhe u përjetësua në lojërat moderne, dhe gara olimpike e distancë prej 42,195 km, që mori emrin Maratonës në kujtim të veprës së Filippides – Miti i kësaj gare legjendare. (solli ne shqip jozef radi)
Rent, Or Marathonomak
Poezi nga Fan Stilian Noli
Marrë nga libri “Album”
Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur hordhi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!
Kap një degë prej dafine
Dhe vërvite ndaj Athine,
Nëpër fush’ e brek mi brek
Këmba tokën as t’a prek,
Hip’ e zbrit,
Petrit, Marathonomak!
Ke një plagë, po s’e the,
Djers’e gjak pikon për-dhe;
Do që ti të jeshw i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!
T’u tha gryka, po s’të pihet,
T’u mpi këmba, po s’të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!
Kurrë kaqë s’dogji djelli
Dhe si plumb s’rëndovi qjelli,
Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj
Hij’ e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!
Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur’e prush,
Furr’, or Marathonomak!
Gryka si gjyryk të çfryn
Prej vullkani flag’e tym
Se ç’vëngon e se ç’gulçon,
Zëmra brinjët t’i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!
Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s’janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!
Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan’e që të çquan
Dhe fuqinë t’a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!
Ja, arrive, ua the:
Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!
“E fituam!”, brohorite
Dhe për tok’ u-përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!
Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!