back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Intelektuali Mark Dema dhe “Eneida” e Virgjilit nga Rita Calebota

Gazeta

Mark Dema (1920-1994)
Mark Dema (1920-1994)

Intelektuali Mark Dema dhe “Eneida” e Virgjilit

nga Rita Calebota

Mark Demën e kam thirrë dajë,
ai ishte martuar me hallën e nënës sime,
dhe kujtimi i fundit prej tij është diku një pasdite vere,
ndërsa përpiqej me shumë vullnet
të më bënte të aftë të recitoja një pjesë të Ciceronit.
Figura e tij e imët dhe temperamenti i tij i fortë
nuk më dëshmonin asnjë gjurmë të vuajtjeve
dhe përndjekjeve që kishte ushtruar ndaj tij
regjimi i ashpër komunist.
Vetëm mesazhi i tij i dashurisë për kulturën
e kishte pushtuar tashmë mendjen time.
Rrëfim nga Rita Calebota
.
Latinisti Mark Dema (1920-1994)
Latinisti Mark Dema (1920-1994)

.

Mark Dema ka lindë në Shkodër në vitin 1920, në një familje thellësisht besimtare, dhe studimet e tij që nga fëmijëria u futën në hullinë familjare të besimit dhe për 6 vite ai qe i regjistruar në kolegjin e “Jezuitëve”. Në këtë institut ai zbulon dhe vendos të ndjekë dy pasionet më të mëdha të jetës së tij, teologjinë dhe letërsinë. Ishte vetëm 16 vjeç kur u transferua në Romë, për të ndjekur Kolegjin Urban të “Propaganda Fide-s” dhe në të njejtën kohë mbaroi studimet në Teologji, U diplomua në Filozofi me një temë mitologjike dhe mori çertifikatën e frekuentimit në Fakultetin e Letrave në Romë.
Marku vendos të mos i shenjtërojë zotimet; e t’i përkushtohej karrierës së mësimdhënies që e tërheq më shumë dhe mundësinë për të komunikuar me të rinjtë të njëjtin pasion që ai ndjente ndaj kulturës.
Ai ka rast të ushtrojë mësimin në shkollën e mesme “G. Leopardi” në Romë, po pas disa kohësh, malli për familjen e rikthen në shtëpi. I qe krejt e pavlerë këshilla për mos ta braktisur Vatikanin, me të cilën ai kishte mbajtur marrëdhënie të shkëlqyera. Kështu në vitin 1944, Marku, së bashku me dy priftërinj shqiptarë, kthehen në Shkodrën e tij të dashur, tashmë të pavetëdijshëm për situatën e vërtetë politike që po kalonte Shqipëria pas “Nëntorit Çlirimitar”, e krejt në padije të farës së kalbur e të egër të diktaturës komuniste që kishte hyrë në vend. Dy priftërinjtë, që u kthyen me të më pas do të pushkatoheshin, dhe sipas të dhënave të Vatikanit, janë rreth 250 priftërinj viktima të dënimeve deri me vdekje.
Mbasi u kthye në shtëpi, ai shpejt u bë i vetëdijshëm për klimën që ishte vendosur, por kurrë s’u bind plotësisht. Ai kurrë s’ka ditur të kishte mendime fasadë dhe fjali të rrejshme që ta barazonin pjesën tjetër të popullatës së terrorizuar.
Puna e tij e parë ka qënë në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe mbas gjashtë muajsh ai ka mundësi t’i përkushtohet mësimdhënies, si profesor i gjuhës dhe letërsisë latine në Gjirokastër. Ndërkohë në Tiranë zhvillohej procesi gjyqsor kundër At Anton Harapit, një filozof i rëndësishëm dhe eksponent politik i klerit. Që aty nis provokimi i parë:
-Çfarë mendoni ju Profesor Dema në lidhje me gjyqin ndaj At Anton Harapi? – e pyesin studentët e manovruar nga lart.
-Si politikan nuk e njoh, por si shkrimtar është shumë i mirë! – iu përgjigj Marku sinqerisht.
Mjaftoi vetëm kaq, për ta larguar nga puna, e ta kthejnë në Shkodër për t’iu nënshtruar punëve të rënda të krahut e të punëtorit të ndërtimit të rruga-urave. Ishte vetëm fillimi i një odiseje punësh të lodhshme dhe mësimdhënies pafund, transferimesh të herpashershme prej një vendi ne tjetrin, gjithnjë në gjurmë të ndonjë gabimi sado të vogël për ta kthyer atë në një viktimë të rishtë, ku me akuza ta dashurisë për kapitalizmin kërkojnë ta turpërojnë publikisht atë si tradhtar dhe si agjent.
.
Censurë komuniste...
Censura komuniste…
Në errësirën e atyre viteve të rënda, duket sikur Mark Dema ka gjetur një kandil drite hyjnore për t’iu kushtuar me gjitha energjitë e veta një projekti, të cilin regjimi nuk mund ta kontrollonte. Duke ndjekur këshillat e mikut të tij Pashko Gjeçi, një tjetër përkthyes i njohur shqiptar i Komedisë Hyjnore, i Odisesë, Faustit etjerë , ai fillon përkthimin nga latinishtja në shqip Eneidën e Virgjilit. Kishte disa kopje të Eneides në gjuhën shqipe, por ato ishin sjellë nga veprat në italisht dhe asnjëra prej tyre nga origjinali në latinisht. Kurse Marku me karakterin e tij prej perfeksionisti dëshiron të realizojë një përkthim sa më të mirë – të përsosur. Ai punoi për këtë projekt për më shumë se 14 vjet, dhe me një zell të papërshkrueshëm, i zhytur i gjithi në atë botën të vet, ku s’kishte të bënte me terrorin e realitetit të përditshëm që e rrethonte.
Fëmijët e kujtojnë me dashuri të madhe kur me ditë të tëra i kushtohesh qoftë edhe një fjale të vetme për të gjetur atë më të saktën dhe shprehjen më të mirë të mundshme.
Ndërsa studentët ndjekin me vëmendje dhe i adhurojnë leksionet e dhëna prej tij, ndërkohë që Partia e mban gjithnji nën vëzhgim të rreptë çdo lëvizje të tij. Transferimet e herpashershme dhe akuzat e pafundme sjellin si pasojë shkarkimin e tij nga mësuesia, ndërsa njohuritë e pakta mbi historinë e komunizmit dhe nxitja e tij për mendimin e lirë, shpejt do të çojnë në arrestimit të tij.  Më 5 nëntor 1971, në qytetin e Durrësit, do të arrestohej me akuzën: “Tradhëti të lartë ndaj atdheu, në formën e spiunazhit…” dhe “Agjitacion e propagandë” pa asnjë fakt konkret! Dhe nuk është vetëm, me të është edhe gruaja e tij, Terezina e arrestuar gjithashtu me akuza për “agjitacion e propagandë” dhe “mosdenoncim të veprimtarisë të bashkëshortit të saj”, ndërsa jashtë sallës së gjyqit presin dy fëmijët e tyre të vegjël, Alfredi e Zherardi, fati tragjik i të cilëve tashmë ishte shenjuar qartë.
Në korrik të vitit 1972, nisi në Tiranë gjyqi kundër bashkëshortëve Dema. Marku në ato 7 muaj muaj hetuesie të rëndë, ishte rrahur brutalisht, torturuar dhe droguar. Nën efektin e dhunës dhe drogave të fuqishme, në sallën e gjyqit ai pranoi se “…gjithmonë e ka urryer komunizmin…” dhe vetdeklarohet fajtor duke i pranuar të gjitha akuzat! Dëshmitarët kundër tij, janë ca njerëz mjeranë që përsërisin atë çka u është urdhëruar të thonë; ata janë familjarë të tmerruar, që friken mos përfundojnë në të njëjtën mënyrë si ai.
Kështu, ai mekanizëm i përbindshëm i shtetit diktatorial shkon pa u ndëshkuar, duke u shndërruar në një veprimtari të ligjshme kriminale e krerëve dhe tekave të tyre sadiste. Si në gjitha proceset e montuara të asaj kohe, edhe ajo farsë mbyllet me kërkesën e gjykatësit: “A doni drejtësi, apo mëshirë nga kjo Gjykatë?” “Mëshirë gjithnjë!”- do të ishte përgjigja e tij!!!
Mark Dema u dënua me 17 vjet burg, kurse gruaja e tij, Terezina me 4 vjet. Për fatin e tij, kultura që zotëronte, bëri që në burg të shfrytëzoheshin aftësitë e tij si njeri i studimeve, në regjistrimin dhe hartimin e dokumenteve. Tashmë shteti e kishte realizuar misionin e tij për të ruajtur klimën e terrorit dhe frikës në popull. Një agjitator kundra tij qe dënuar, po ishin me qindra e mijra ata që ishin nënshtruar fizikisht e shpirtërisht.
Sot ne, na ka mbetur veç ta rrëfejmë me dhimbje historinë e tij dhe atë përkushtimin prej intelektuali në ato punë që na kanë mbetur prej tij.
 
“…hunc ego Ditisacrum iussa fero teque isto corpore solvo”:
sic ait et dextra crinem secat, omnis et
unadilapsus calor atque in ventos vita recessit…”
“Eneide” Virgilio – Pjesa e IV, vargjet 702-705…
.
“Simbas urdhërimit po shkoj t’i sjell Plutonit
pengun që atij i takon; po të çliroj prej prangave të trupit”.
Këto thotë edhe me dorë ia shkul fijen e flokut. Në ças lëshoj
atherë frymën e fundit Didona e shpirti i fluturon n’ajri…”
.
(e përshtati për botim Jozef Radi)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.