back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Jepini guxim enverizmit tuaj! – reflektim nga Jozef Radi

Gazeta

Diktatura
Diktatura Njishit

Jepini guxim enverizmit tuaj!

reflektim nga Jozef Radi

Është debat i hershëm e i lodhshëm ideja e një komunizmi shqiptar. Unë do të përpiqem të mbroj mendimin tim se Shqipëria s’ka qenë asnjiherë komuniste, dhe ajo as meriton të trajtohet si e tillë, dhe as ajo të mbrohet si komuniste e ta mbrojë komunizmin e saj! Në të keqen më të madhe që komunizmi i shkaktoi botës ishte dhe mbeti një ideal utopik për një botë më të mirë e më të drejtë! Një eksperiment ku ideja e përmbysjes së një kohe nuk solli kohra aspak më të mira, përkundrazi. Ishin perandoritë që e sollën, me idenë se mund ta sundonin botën dhe e krijuan si precedent, e që në fund të fundit u shprishën, së bashku me atë lavdi të rreme që i krijuan vetes. Pikërisht në lavdinë e një perandorie komuniste, shtetet e vogla u iluduan me idenë se: edhe pika e shiut mund t’i diktonte detit fuqinë e saj!! Këtu bën pjesë edhe Shqipëria, që komunizmin e saj të rrejshëm e pati të lidhur ma fatin e një Lufte Botërore, ku gjigandët në lojën e tyre me fatet e popujve bënë nji truk fantastik: kapitalizmi krijoi një komunizëm shqiptar fasadë, që e përdori më pas sivëlla të fuqive komuniste që bëhesh rrogoz për të shpëtuar popullin nga uria, e më pas u binte me shqelm “çanakut me dhallë” mbasi e kishin gjetur “tasin e bollgurit” te shteti komunist i rradhës… derisa në fund mbrriti t’i mbledhë gjithë çapaçulët e “drapër e çekanit”, që s’i njihte as shtëpia e tyre, për t’ia shitur si shpresë një populli viktimë, heroizmat e rrejshme të komunizmit shqiptar.
Për fatin e saj tragjik, në Shqipëri s’ka pasë asnjiherë komunizëm. Nëse ka ekzistuar ndonjë syth a bisk i asaj që rëndom quhet komunizëm, ajo u zhduk qysh në lindje të saj; kurse emri i vërtetë i këtij spektakli që zgjat prej 75 vitesh (47 vite lëvdatash e 28 vite sharjesh) nuk mund të quhet ndryshe veçse enverizëm. Enverizmi, është një fenomen okult, ku asgjëja kërcënoi diçkanë, jo si vetvete, po si fenomen i sponsorizur dhe afatgjatë: ku mashtrimi mbyt të vërtetën dhe errësira kërkon ta bindë ditën se ajo është drita…
Për ta grabitur deri në qelizë, e për ta rrënuar deri në strukturat genetike këtë popull, u krijua ky projekti afatgjate që ende sot eshte ne kembe e mund të quhet enverizëm.
Enverizmi s’ka asnjë ideal, s’ka asnjë kulturë, s’respekton asnjë traditë, s’respekton asnji koncept të jetës, siç është prona, liria, drejtësia, morali… Ai ka në themel urrejtjen, kur e lodh urrejtja ndaj atyre që i përcakton armiq, shpik dhe riciklon urrejtjen me vetveten, si ai hajduti i lumtur që vjedh shtëpinë e vet. Everizmi është thjesht idhujtari e përpunuar me kujdes ku të spikasë asgjëja, e krijuar prej forcash që s’kanë nevojë të shfaqen. Ato dijnë të jenë spektatorë të duruar e aktivë herë me puro ndër dhëmbë e herë më flokë të kuq, që e tjerrin aq mjeshtërisht të keqen ndaj një populli, i cili ende s’i ka gjetur një emër si duhet vetes.
Enverizmi është një shfaqje sharmante e marramendëse e premtimit, gati e pafajshme dhe si e zbritur nga bota e artit naif, e që në triumfin e vet historik s’jeton dot pa banditë e banditizëm, pse vetëm si i tillë ai mbetet funksional në shoqëri të natyrës rurale, klanore e primitive.
Enverizmi i mbështjellë me banditizëm krijojnë një sinkron të mrekullueshëm mes tyre, duke urryer shoqërinë e emancipuar, inteligjencën e rafinuar, luftëtarët e së vërtetës, duke shthurur arsimin e urryer traditën, ata urrejnë edhe vetë qytetërimin të cilit gjeografikisht i përkasin.
Enverizmi ka një mision të vetëm: Pushtetin! Asnjë element tjetër nuk i intereson, aq më pak elemente të tilla, si Kombi, Zhvillimi, Ligji dhe Shoqëria…
Atyre mbasi u përgatitet marrja e pushtetit, shfaqen përmes ideshë iluzive si “drejtësia shoqërore, barazia e gjinore, “armiku i klasës”, “luga e artë, etje” që të përkthyer në kohët moderne “reformë ekonomike, vetingje, drejtësi sociale, Rilindje etje”…
Enverizmi e shtyn shoqërinë si pa u ndjerë drejt humnerës. Në stade të këtij udhëtimi drejt teposhtës është gjithnjë në kërkim të riciklimeve të reja të vetvetes (së keqes historike) ku të garantohet shpëtimi i krejt trajtave të hershme të kësaj amalgame përçude, tashmë të konsoliduar përmes pushtetit, parasë, mashtrimeve dhe abuzimeve…
.
Konferenca e Yaltes 1945 - Churchill - Roosevelt - Stalin
Konferenca e Yaltes 1945 – Churchill – Roosevelt – Stalin
Enverizmi ishte diktaturë. Enverizmi ishte diktaturë e egër. Enverizmi ishte diktatura më e egër e këtij rruzulli.
Enverizmi ishte modeli eksperimental, në kufijtë e qytetërimit më të madh të të gjitha kohrave: Europës. Kështu, që është e pamundur që Europa të mos e ketë dëshiruar enverizmin, të mos e ketë lejuar e përkrahur ajo vetë këtë të keqe që ndrydh dhe eksporton viktima. Ky eksperiment tragjik i ka mbetur qysh nga dy Konferencat e saj të famshme, përndryshe s’ka si e s’ka pse, korifej të shpirtit të kësaj toke, të lëshonin me aq thekshëm gjamat e dhimbjes kundrejt saj.
Enverizmi, është një makinë që në teposhtë e vet s’harxhon më benzinë, veç ecën në afoglio vetëm me frena, deri ku të mundet, pastaj me të shtyrë…
Enverizmi lindi si maskë e si i tillë do të vdesë. Misioni thelbësor i tij: është ta zhbijë idenditetin e këtij populli përmes idolatrisë dhe maskës së një emri.
Nëse enverizmi do të kishte sunduar në Kinë, gjysma e saj do të ishte armike e gjysmës tjetër të Kinës, e do të kishte marrë rrugët e botës… Ky është thjesht një trajtim grafik e proporcional i diktaturës enveriste me demografinë e popujve, për ta lexuar ca më qartë tragjedinë… Merrini të gjitha shifrat e krimeve të Shqipërisë dymilionëshe (1972) në përpjestim me popullsinë e cilitdo shtet të botës komuniste, vendosni kohëzgajtjen 47 vjeçare dhe po qe se diku në botë jemi në vend të dytë, po e pranoj atë çka kundërshtova në fillim të këtij shkrimi: se kemi pasur komunizëm.
Tashti shtroj disa pyetje të rëndomta, për të cilat s’besoj se nevojitet përgjigje:
.
Apoetoza e Diktatures - projekt nga Lek Pervizi
Apoetoza e Diktatures – projekt nga Lek Pervizi
Për çfarë komunizmi mund të flitet në Shqipëri kur grupi komunist i Shkodrës dhe Zef Mala, ideatori e frymëzuesi i kësaj së majte shqiptare që sapo lindte, u zhbi me themel; kur dokumentet e vona dëshmojnë se partinë komuniste e themeluan englezët, dhe ua dhanë në mirëbesim serbëve… Tjerat pastaj merreni me mend vetë…
 
Për çfarë komunizmi mund të flitet kur krerët e asaj që quhet doktrinë komuniste figura idealiste si Tajar Zavalani, Zef Mala, Sejfullah Malëshova, Anastas Lulo, Ymer Dishnica, Koço Tashko, Liri Belishova, Sadik Premtja, Xhavit Qesja e qindra të tjerë pësojnë makabritetete të papara për idealet dhe jetët e tyre…
 
Për çfarë komunizmi mund të flitet, kur nji pjesë e mirë e drejtuesve politikë të fillimit si Nexhmije Hoxha, Nako Spiru, Kahreman Ylli, Bedri Spahiu, Spiro Moisiu e plot emra të tjerë, figurojnë me letra në partinë fashiste… dhe s’ka pasur kurrë ndonjë përgënjeshtrim prej tyre.
 
Po çfarë komunisti mund të ishte: Haxhi Lleshi, Myslym Peza, Mehmet Shehu, Kajo Karafili, Bedri Spahiu, Koçi Xoxe, Mestan Ujaniku, Arianit Çela, Nevzat Haznadari, e plot të tjerë, të cilët do t’i kishte zili çdo kaçak e bandit me emër i kësaj bote
 
Për çfarë komunizmi shqiptar mund të flitet kur Partia komuniste të Jugosllavisë, motra e madhe e Luftës, u quajt tradhëtare idealesh; kur Rusia atdheu i madh sovjetëve, u quajt i padenjë për komunizmin shqiptar; kur Kina e Maos dhe e një miliard njerzve, u quajt shqiptarisht bashkpunëtore e kapitalizmit…!! Për çfarë komunizmi mund të flitet… e më pas të thuhet: Rroftë komunizmi shqiptar?!
 
Për çfarë komunizmi mund të flitet kur në 1990, të parët që do të flisnin për emancipimin e shoqërisë shqiptare e do ta diskutonin me aq pasion kohën e re të ndryshimeve do të ishin Ramiz Alia – zëvendësi (ose zëdhënësi) i enverizmit; Ylli Popa – mjeku i enverizmit, Luan Omari – juristi i enverizmit, Dritero Agolli – poet i enverizmit… po edhe shkrimtari i enverizmit, regjizori i enverizmit, ambasadori i enverizmit, rinia enveriste e me rradhë… ku gjithkund shihej e qepura e trashë direktivës së moslëshimit të pushtetit…
 
Prandaj gjykoj se Shqipëria s’ka pasur e as mund të ketë komunizëm…
Komunizmi do të ishte një luks tejet i madh për të… Shqipëria mjerisht e tragjikisht ka pasur e ka vetëm enverizëm. Edhe postdiktatura s’është asgjë tjetër pos neveritse dhe enveriste: dikur mision, sot detyrë të vetme: transferimin i gjithçkaje që ishte e popullit shqiptar, mbledhur prej banditizmit, dhe shkuarja përmes ligjesh e vendimesh gjyqsore të blera ndër personazhe qesharakë e banditeskë që kanë në shpirt diktaturën, privilegjet e saj dhe nënshtrimit e pështirë ndaj enverizmit…
 
Ne mbyllje mund te them se s’ka gjë me të gabuar se përdorimi i fjalëve komunizëm e komunist ndër shqiptarë! Është më i thjeshtë: enverizëm dhe enverist, pa harruar kurrë se brenda këtij koncepti janë të gjithëpërfshira e të gjithëpushtetshme shprehjet bandit e banditizëm… Bashkëjetesa e të cilave do të ishte krejt jetëshkurtër, sikur kjo botë të mos ishte sa diktuese aq edhe spektatore në të keqen e shkaktuar, këtij populli mbetur pa busull…
2017-2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.