back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

“Po i bën varrin Shqipërisë” – Letra e Edip Tërshanës për diktatorin para pushkatimit

Gazeta

Edip Tershana dhe Treshja (Dushan-Enver-Miladin)
Edip Tershana dhe Treshja (Dushan-Enver-Miladin)

“Po i bën varrin Shqipërisë…”

Letra e Edip Tërshanës për diktatorin para pushkatimit

… Këtë varr po ja bani atdheut
edhe me politikën tuaj të jashtëme
.
Ndërsa ishte në paraburgim, në pritje për të dalë në gjyq, në vjeshtën e 1947, Edip Tërshana i kishte shkruar një letër Enver Hoxhës, në rrethana krejt të pazakonta. Arsyeja ishte për t’ia thënë hapur, nji më nji të gjithë krimet që po kryente mbi popullin shqiptar dhe mbi fatet e të ardhmen e vendit.
Edip Tërshana ishte arrestue si nji prej organizatorëve të grupimit Bashkimi Demokratik. Arrestimi ishte bërë me 17 maj 1947, në Dobrovë, nga shefi i sigurimit Kopi Niku. Bashkë me të ishin arrestuar gjithashtu edhe Hysni Alimerko, Jani Ikonomi, Alqi Nushi dhe të tjerë. Për me i detyrue të arrestuemrit me pranue akuzat falso, u provuan llojet më të tmerrshme të torturave. Në mbarim të hetuesisë, Edipin e lejojnë të takojë vajzën dhe djalin. Ata i kishin sjellë disa ushqime të mbështjella me një gazetë “Bashkimi” që qarkullonte në atë kohë. Anët e kësaj gazete përdori Edipi për të shkruar dy letra, njerën për të bijën, Lirinë, kurse tjetrën për diktatorin Enver Hoxha. Pastaj vendosi me i dhanw fund jetës, duke prerë damarët.
Ashtu të mbytur në gjak e gjeti një nga rojet rastësisht. Në letrën drejtuar Lirisë ai shkruan:
“Endrra ime asht që Shqipëria të bëhet siç dua unë. Ajo do të realizohet dhe ju do të gëzoni emrin si bij të saj. Të jeni kryelartë se vdes si shqiptar”. Ndërsa në letrën drejtuar diktatorit, ndërmjet të tjerave, thekson me krenarinë e një nacionalisti të vërtetë: “Ideali kombëtar më ka ba qi të jem kundra Lëvizjes Nacionalçlirimtare, unë qi kam qenë krijuesi i saj. Ju, jo vetëm hoqët dorë nga Kosova dhe Dibra, por, sot pushteti juej i quejtun popullor asht në robni të Belgradit politikisht dhe ekonomikisht. Kjo asht tradhëti!”
Më poshtë e sjellim të plotë letrën e Edip Tërshanës drejtuar Enver Hoxhës. Faksimilja e saj me shkrim dore në rripat e e gazetës Bashkimi nuk gjendet më. Por ajo letër ishte zbardhur nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit dhe faksimilja e dokumentit sipas zbardhjes është kjo që po botojmë, vënë në dispozicion për Kujto.al nga studiuesi Kastriot Dervishi.
.
Edip Tershana
Edip Tershana

Enver!

Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare.
Unë isha në Dibër krijuesi i saj.
Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhti të Atdheut, se jo vetëm hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomikisht.
Sot organizatorët sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetërore dhe para-shtetërore. Kjo është tradhëti. Sot politika e jashtme e juaj sllave ka shkaktuar që UNÇ të jetë kundër nesh humbin shumë miq; kjo është Tradhëti.
Jam kundra për vrasjet me gjyq dhe pa gjyq, që i bëhen këtij populli, pse kështu don sllavi.
Për 20.000-30.000 që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti.
Ky është pushteti që varfnoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkohë që ne kishim për 20 vjet veshmbathje; kjo është pra tradhtia.
Jam kundra këtij Pushteti, se është spekullator tue grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregtarët po ja shet ma shtrenjt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve kinse janë spekullatorë. Kurse Pushteti është në spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15 mori duhanin 15-20 fr dhe ja shiti 100-120 fr. Mallin e U.N.R.A.s nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e të Titua. Kjo është tradhti.
Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion fr. shqiptare për të ushqyer Pecot e mashorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhti këto?
Jam kundra thirrjeve “Jemi bijtë e Stalinit”, sepse ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë sa kur përmend Stalinin, të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra se injoranca s’don kulturën; kështu duan sllavët. Kjo besoj është tradhti.
Jam kundra sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin? Jam kundra se në Historinë për Shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekërve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepulli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe kësaj ëndrre.
Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht.
Jam kundra, se oficerë të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabitë gratë e botës, me grabitë karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi.
Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?
 
Enver!
Tue çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranu se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mban. Pret nënë e mjerë, pasi i jati të vrasë të birin e bijtë e vet. Edhe kjo është tradhti e pushtetit popullor.
Ky pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhti e naltë.
More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin.
Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut edhe me politikën tuaj të jashtme.
A s’është tradhti?
Rroftë Ideali Kombëtar, Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ja falët Jugosllavisë! Rroftë Populli shqiptar!
Rroftë flamuri kombëtar i panjollosur!
Edip Tërshana

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.