Jorgo Vaso – një fotograf minoritar
nga Qerim Vrioni
Ashtu si nga të gjitha krahinat e vendit, edhe në minoritetin jugor grek, ka pasur fotografë të cilët kanë regjistruar me aparatet e tyre njerëz, vende dhe ngjarje, të cilat mbeten me vlera dokumentare për kohën. Njeri nga këta është edhe Jorgo Vaso nga fshati Sotirë i Dropullit të Sipërm.
Ai është lindur në vitin 1903 në fshatin Sotirë të rrethit të Gjirokastrës. I ati, Mihali, si shumë bashkëkrahinarë, mërgoi në ShBA, ku edhe vdiq dy vite më vonë, kohë kur Jorgo ishte vetëm 13 vjeç. Për të përballuar kushtet e vështira ekonomike, pas një viti, djaloshi Jorgo shkoi në Stamboll, ku jetoi rreth shtatë vjet. Atje, ai mësoi mjeshtërinë e pastiçerit dhe të… fotografit.
Më pas, më 1926, ai filloi punë si fotograf në Selanik (Greqi), një metropol i njohur historiko-kulturor ballkanik me banorë edhe nga të gjitha vendet e gadishullit. Pasi punoi dy vjet në Selanik, ku fitoi një përvojë të çmueshme, ai kthehet në fshatin e tij, ku edhe martohet me një bashkëfshtare. Ndërkohë, vazhdon me fotografime në qytetet Gjirokastër, Tepelenë, Përmet e krahina të tjera jugore. Duhet shënuar se punën e fotografit në fshatin e tij (Sotirë), Jorgo e kryen në kushte fare primitive (ndër të tjera, pa energji elektrike), me pak pajisje, por me shumë pasion. Prej kësaj pune kanë mbërritur në ditët e sotme shumë foto të bashkëfshatarëve të tij, të cilat flasin edhe për nivelin e qytetërimit të zonës së minoritetit jugor grek në Shqipëri.
Në vitin 1948, Jorgo Vaso vendoset në Sarandë, ku punon si fotograf në ndërmarrjen komunale për rreth 15 vjet, mandej del në pension po aty. Edhe pas kësaj shkëputje zyrtare nga puna, ai vazhdon të ushtrojë pasionin e tij, fotografimin deri në vitin 1977.
Pas disa vitesh, më 1985, ai vendoset në qytetin e Fierit, ku jetoi me familjen e të birit, Vasilit, deri në ndarjen nga jeta më 1996. Ashtu siç kishte kërkuar vet me gjallje, vendprehja e fundit e Jorgo Vasos u bë fshati i lindjes Sotirë.
Sipas të dhënave që disponon familja, ai ka lënë rreth 1000 filma (celuloidi) dhe një sasi të konsiderueshme në xhama, me foto njerëzish, vendesh, ngjarjesh dhe peisazhesh, shumica dërmuese e tyre ende e pa hedhur në letër.
.
Me krijimtarinë fotografike të Jorgo Vasos, është botuar në vitin 2007 në Tiranë, nga Ambasada Greke, një album me portrete të realizuara gjetë viteve 1920-1945. Përgjithësisht ato janë foto të porositura dhe me synime kujtimi a dokumenti të banorëve të fshatit të tij dhe të krahinës së Dropullit. Mjediset ku janë realizuar ato, janë të zakonshme, ndonjë dhomë shtëpie, lokal fshati, mur guri a tulle, të mbuluara me një tekstil të posaçëm si sfond etj. Fotot e albumit shpërfaqin jo vetëm tiparet karakteristike të zonës, por në një farë mase, edhe mënyrën e tyre të jetesës, si psh, veshjet karakteristike dhe rite shoqërore si martesa dhe funerale. Vaso ka plotësuar rolin e fotokronikanit, jo vetëm për fshatin e tij, Sotirë, por edhe për fshatrat përreth, për ngjarjet e ndryshme shoqërore, fetare dhe ekonomike, prurje të cilat kur të hidhen në letër do jenë një ndihmesë e vyer për ata që studiojnë historinë e zhvillimit ekonomiko-shoqëror të zonës.
Nga prurjet fotografike të Jorgo Vasos, të ofruara nga familja dallohen edhe dy peisazhe të qëlluara natyrore. Nga të dhënat e të afërmve, mësohet se ato janë realizuar në jug të Shqipërisë, para vitit 1940.
Peizazhi i parë paraqet një liqen në sipërfaqen e të cilit pasqyrohet një mal që ndodhet pak larg. Në foto duken fare mirë planet e ndryshëm nga njeri-tjetri të dy imazheve, qoftë të atij të vërtetë (fizik) ashtu edhe atij të reflektuarit në liqen.
.
Peizazhi tjetër paraqet një mal me borë dhe re sipër tij, poshtë tij duket një fshat dhe një lum. Imazhi ka kontraste të forta tonale dhe ka kuadrim mjaft të goditur e konfiguracion mbresëlënës. Realizimi i këtyre dy peizazheve (natyrisht ka edhe shumë të tjerë) tregon se Vaso, bënte edhe foto për qejf, pra pa porosi dhe pagesë. Po çfarë e ka shtyrë Vason që të përngrijën në foto këto pamje tërheqëse të natyrës? Do thoshim, asgjë përveç shpirtit të tij prej artisti që gjen shpërfaqje në lëmien e fotografisë. Të mos harrohet se fotografi ynë nuk kish ndonjë kualifikim të veçantë në fushë të dhomës së errët, pra ishte autodidakt.
.
Krejt e ndryshme nga të mësipërmet mbetet një foto e Jorgo Vasos, e cila të tërhoq vëmendjen është ajo ku paraqiten dy burra në klubin e fshatit duke tokur gotat e rakisë. Një ritual ky, sa i këndshëm për aktorët, aq i mbresëlënës për shikuesit e fotos. Ajo i takon vitit 1925, pijetarët (të themi janë miq të gotës) janë ulur pranë një tavoline të vogël rrethore, me gota po ashtu të vogla dhe me fare pak meze përpara, por burrat rrezatojnë një kënaqësi të përmbajtur (jo eufori alkoolike) para aparatit. Të gjitha gjërat në foto janë me kursim, përveç ëndjes serioze që rrezatojnë të dy burrat.
Njeri nga burrat ka veshje qyteti, ndërsa tjetri të zonës, mundet i dyti të ketë ftuar qytetarin për një gotë në klubin e fshatit, sa për të shkëmbyer dy-tri fjalë për të rejat e situatës. Fotoja mendoj se e kalon cakun e një shkrepjeje rutinë dhe ka nuanca të fotografisë shoqërore.
Me sa është hulumtuar deri tani, pak foto të tilla, vërsnike të kesaj (para L2B), gjenden në FSH. Fotografi Kel Marubi ka me këtë temë, një të ngjajshme me 2-3 dervishë, por duke gjerbur kafe, rreth viteve 1900-’18.
Shumica e fotove janë hedhur në kompjuter dhe është në përfundim shfaqja aty e të gjithë arshivës fotografike që Vaso e kishte sistemuar dhe mirëmbajtur me kujdes. Gjithsesi, siç u përmend edhe më sipër, kur të zbardhet (hidhet në letrën fotografike) pjesa më e madhe e krijimtarisë së begatë të Jorgo Vasos, të përzgjidhen prej saj ato më me vlerë, do dali më mirë dhe meritueshëm në pah puna e madhe plot pasion e kryer nga ai gjatë një periudhe rreth 60 vjeçare. Kështu, ai do zëri edhe vendin që i takon me të drejtë në Historinë e Fotografisë Shqiptare.